ATV

Category: Lajme

  • Ukraina shënon gjashtëmujorin e nisjes së operacionit në Kursk

    Ukraina shënon gjashtëmujorin e nisjes së operacionit në Kursk

    Ukraina ka shënuar gjashtëmujorin që kur ka nisur një inkursion në rajonin rus të Kurskut, që sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, “ua ka sjellë luftën në shtëpi rusëve” dhe mund të shërbejë si kartë në ndonjë negociatë për paqe në të ardhmen.

    “Sot shënohet gjashtëmujori i operacionit në Kursk. Me aktivitetet tona operacionale në territorin rus, ne ia kemi sjellë luftën në shtëpi Rusisë”, tha Zelensky gjatë një video-adresimi mbrëmjen e 6 shkurtit.

    Forcat ukrainase nisën inkursionin më 6 gusht, duke marrë nën kontroll pjesë të territorit në rajonin e Kurskut, përfshirë qytetin Sudzha.

    Zelensky përmendi brigadat e forcave të armatosura ukrainase të përfshira në operacionin në Kursk, por nuk përmendi një kundërofensivë për të cilën është raportuar nga blogerët jozyrtarë ushtarakë ukrainas dhe nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ukrainase dhe autoblindat kanë kryer tetë valë sulmesh pranë fshatrave Ulanok dhe Çerkasikaja Konopelka. Rusët kanë zmbrapsur përpjekjet për kundërsulm dhe vendbanimet janë nën kontrollin rus, tha Ministria.

    Rusia pretendoi se forcat ukrainase kanë pësuar humbje të mëdha, përfshirë më shumë se 200 ushtarë dhe dhjetëra makina. Raportimet nga fushëbetejat nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

    Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase iu referua shkurt aktiviteteve ushtarake në rajonin e Kurskut gjatë vlerësimit për luftimet më 6 shkurt, duke thënë se vetëm pesë përleshje kishin ndodhur nga mëngjesi.

    Ukraina ka thënë se përparimin që ka shënuar në Kursk mund ta përdorë si kartë në bisedimet e mundshme për paqe me Rusinë.

    “Në një pikë, kur lufta të lëvizë drejt zgjidhjes diplomatike, ne do të shohim se sa i rëndësishëm ishte ky operacion”, shkroi Zelensky në X më 5 shkurt.

    Zyra e Zelenskyt tha të enjten se Ukraina është e gatshme të hapë një korridor humanitar për të lejuar qindra civilë rusë, që jetojnë në zonat kufitare që Ukraina i ka marrë nën kontroll, të kthehen në territorin e kontrolluar nga Rusia, raporton REL.

    Më shumë se 1.500 civilë ende jetojnë në zonat e rajonit të Kurskut. Disa nga ta janë zemëruar me autoritetet ruse lidhur me humbjen e kontakteve me anëtarët e familjes që besohet se kanë mbetur në anën tjetër të vijës së frontit pa mundësi komunikimi.

    “Ne jemi të gatshëm për hapjen e një korridori humanitar në rajonin e Kurskut deri në thellësi të Rusisë në përgjigje të një kërkese zyrtare nga Federata Ruse. Si duket, rusët nuk duan një korridor të tillë humanitar sepse ne nuk kemi pranuar asnjë kërkesë nga ta”, u tha në njoftimin e Zyrës së Zelenskyt, e cila e akuzoi Moskën për “ndërhyrje” në fatin e qytetarëve të saj.

  • PZAP-ja e gjobit LV-në edhe me 5 mijë euro për deklaratën e Kurtit ku sulmoi Prokurorinë

    PZAP-ja e gjobit LV-në edhe me 5 mijë euro për deklaratën e Kurtit ku sulmoi Prokurorinë

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë euro tjera për sulmin e Kryeministrit Albin Kurti ndaj Prokurorisë së Shtetit, gjatë tubimit zgjedhor në Gjilan.

    Në ankesën e dorëzuar nga PDK citohet deklarata e Kurtit për prokurorët.

    “E meqenëse partia me e re politike, Prokuroria e Shtetit nuk do të ketë deputetë në legjislaturën e nëntë, atëherë le të shkojë në shtëpi. Më 10 shkurt s’ka pse del në punë se s’janë tu ba punë. Le të rrinë në shpi. E ne do ta kemi gjyqësorin e ri,..e jo më kësi prokurorësh që Radoiçiqit ia heqin urdhërarrestin e e ndjekin Rozeta Hajdarin”, ka thënë Kurti”, kishte deklaruar Kurti në Gjilan.

    Ai kishte thënë se edhe Prokuroria “ka me i humb zgjedhjet” më 9 shkurt.

    “Ju po e shihni që fatkeqësisht Prokuroria e shtetit është shndërruar në një parti politike opozitare, por edhe ata kanë me i humb zgjedhjet më 9 shkurt, sikur partitë opozitare ashtu edhe prokuroria e shtetit që u bë si parti opozitare ka me i humb zgjedhjet me 9 shkurt. Por, a e dini çka, pas 9 shkurtit ata nuk do të kenë as deputet në kuvend qysh mundet me i pas naj parti opozitare, nëse kanë fat me kalu pragun partitë opozitare”, ka thënë Kurti.

  • Nis seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe të tjerët

    Nis seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe të tjerët

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, Ymer Dagushës si dhe Isuf Zejnës, të akuzuar për keqpërdorime në KEK.

    Seanca e kaluar për këtë rast ka dështuar pasi mungoi i akuzuari, Ymer Dagusha.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës më 30 dhjetor të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë të re kundër ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.

  • Ish-presidentit Thaçi i refuzohet kërkesa për vizitë te babai i sëmurë

    Ish-presidentit Thaçi i refuzohet kërkesa për vizitë te babai i sëmurë

    Luka Misetiq, avokati i ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se babai i klientit të tij është shtrirë sërish në spital dhe nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

    Në një postim në platformën X, ai ka thënë se ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që të lejohet Thaçi të vizitojë babanë e tij, por se Prokuroria e Specializuar e kundërshtoi dhe gjyqtarët e mohuan vizitën.

    “Babai i klientit tim Hashim Thaçi, është mjaft i sëmurë dhe është shtritë në spital. Ne kemi kërkuar që Hashim Thaçit t’i jepet një leje e shkurtër dhe e mbikëqyrur për ta vizituar atë duke qenë bazë e arsyes dhembshuria. Zyra e Prokurorit të Specializuar kundërshtoi dhe gjyqtarët e mohuan vizitën”, ka thënë Misetiq në X.

  • Grenell i përgjigjet sërish Kurtit: Raportet Kosovë – ShBA kurrë s’kanë qenë më të dobëta

    Grenell i përgjigjet sërish Kurtit: Raportet Kosovë – ShBA kurrë s’kanë qenë më të dobëta

    Emisari special i ShBA-së për misione të veçanta, Richard Grenell, ka reaguar sërish pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Ky i fundit, dje duke komentuar deklaratën paraprake të Grenellit, tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Kosovës nuk kanë qenë kurrë më të forta se tash.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Grenell e ka quajtur deklaratën e Kurtit si një iluzion.

    Ai ka potencuar se me Kurtin në krye të Qeverisë, marrëdhëniet SHBA-Kosovë, kurrë s’kanë qenë më poshtë e të dobëta.

    “Iluzion. Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të dobëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë e Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e SHBA, Anthony Blinken etj”, ka shkruar Grenell.

  • Përleshje mes nxënësve në Kamenicë, një nxënës pëson lëndime të rënda

    Përleshje mes nxënësve në Kamenicë, një nxënës pëson lëndime të rënda

    Përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme në vendin tonë janë shumë të shpeshta. Plot incidente të tilla ndodhin brenda hapësirave të shkollave apo edhe në afërsi të tyre dhe eskalojnë edhe në rrahje brutale, siç ndodhi gjatë ditës së djeshme në Kamenicë, raporton Gazeta Sinjali.

    Këtë herë, Policia intervenoi te Shkolla Profesionale “Andrea Durrsaku”, ku për pasojë dy nxënës kanë pësuar lëndime trupore.

    Siç mëson Sinjali, tre nxënës të dyshuar kanë pasur fillimisht një fjalosje me viktimën te fusha e futbollit dhe më pas janë vërsulur drejt tij, duke e goditur brutalisht me boks hekuri.

    Bazuar në informacionet e para, nxënësi që u sulmua ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Gjilanit për trajtim mjekësor. Ndërsa nxënësi tjetër ka marrë lëndime në fytyrë.

    Si rezultat i denoncimit të rastit, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.

    Me urdhër të prokurorit, tre nxënësit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është hapur rasti për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

  • KQZ-ja sot mban mbledhjen e radhës, në rend të ditës janë përgatitjet për ditën e zgjedhjeve

    KQZ-ja sot mban mbledhjen e radhës, në rend të ditës janë përgatitjet për ditën e zgjedhjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të zhvillojë mbledhjen e radhës, ku pritet të diskutohen përgatitjet për ditën e zgjedhjeve 9 shkurt 2025.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se po ashtu në rend dite janë disa pika ndër to edhe shqyrtimi dhe miratimi i listë së zyrtarëve të MPJD-së për angazhim në Përfaqësi Diplomatike në ditën e zgjedhjeve.

    “Shqyrtimi dhe miratimi i listë së zyrtarëve të MPJD-së për angazhim në Përfaqësi Diplomatike në ditën e zgjedhjeve, shqyrtimi dhe miratimi i zëvendësimit të anëtareve të KVV-ve, shqyrtimi dhe miratimi i numrit të KVEL-ve dhe shqyrtimi dhe miratimi i planit operacional për ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

  • “Disa fëmijë që nuk i dëgjojnë sugjerimet e nanës”, Peci e sqaron me një shembull raportin e Kurtit më SHBA-në

    “Disa fëmijë që nuk i dëgjojnë sugjerimet e nanës”, Peci e sqaron me një shembull raportin e Kurtit më SHBA-në

    Kryetari i partisë “Guxo”, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, përdori një shembull për të shpjeguar raportin e kryeministrit Albin Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar si një marrëdhënie në mes të një nëne dhe fëmijës së saj.

    Ai tha se vërejtjet e SHBA-së ndaj qeverisë së Kosovës duhet të shihen si këshilla nga një nënë për fëmijën e saj, me qëllim zhvillimin dhe përparimin e tij.

    “Edhe nana e qorton fëmijën e vet, kujdes se po rrëzohesh, kujdes se po lëndohesh sepse ka dëshirë me e pa të zhvillumë, të përparumë. Vërejtjet nga SHBA i shoh në funksion të nanës për fëmijën e tij për me u zhvillu”, tha Peci.

    Ai tha se ndonjëherë fëmijët që nuk ndjekin gjithmonë këshillat e nënës dalin të jenë më të suksesshëm.

    “Përkundër që nana e ka ndjeshmërinë ma të shenjtë ndaj fëmijës, nganjëherë disa fëmijë që munden mos me i ndjekë sugjerimet e nanës, zakonisht janë edhe ma të suksesshëm”, tha Peci.

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Dënimet e PZAP-së ndaj partive politike, Peci: Është vlerësim i gjithsecilit të përdor një gjuhë proporcionale me diskursin e përgjithshëm

    Dënimet e PZAP-së ndaj partive politike, Peci: Është vlerësim i gjithsecilit të përdor një gjuhë proporcionale me diskursin e përgjithshëm

    Kryetari i partisë “Guxo”, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se dënimet e shqiptuara nga PZAP ndaj partive politike janë rezultat i diskursit të përgjithshëm të fushatës, e cila shpesh shoqërohet me entuziazëm dhe adrenalinë.

    Ai tha se fushata zgjedhore rrit tensionet dhe shpesh gjuha e përdorur nga kandidatët është në përputhje me atmosferën e përgjithshme politike.

    “Nuk e di sa, e di që mekanizmi adekuat i ka shqiptu disa gjoba për shumicën e partive politike, nuk e di saktë se cila shuma, por mendoj që në raste të tilla fushata rrit adrenalinën, mandej ndoshta është vlerësim i gjithsecilit që thjesht të përdor një gjuhë që, nëse mundem ta quajt këtë zhargonin e sigurisë, është proporcionale me diskursin e përgjithshëm”, tha Peci.

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Peci: Për mua – PDK, LDK, AAK e NISMA janë shqiptarë

    Peci: Për mua – PDK, LDK, AAK e NISMA janë shqiptarë

    Kryetari i partisë “Guxo”, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe NISMA, pwr atw janw shqiptarw, por kritikoi qëndrimet e tyre për bashkëpunim me elementë të caktuar politikë.

    Ai tha se, megjithëse këto parti janë shqiptare, disa prej tyre mbështesin ide që, sipas tij, shkojnë përtej interesave shtetërore.

    “Deklaratën e Glaukut nuk e kam dëgju. Koalicioni që tashmë dihet, PDK, LDK, AAK, NISMA, bashkë me ta ka pasë deklarime edhe nga eksponentë të Listës Serbe që kemi me rrëzu pushtetin në Prishtinë. Unë nuk them që, se edhe për mu edhe PDK edhe LDK edhe AAK edhe NISMA janë shqiptarë, por ata mendojnë se duhet me vazhdu me ju jep diçka edhe ekstremizmave, unë nuk mendoj kështu”, tha Faton Peci.

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: