ATV

Category: Lajme

  • Parandalohet futja e telefonave të kontrabanduar në Burgun e Dubravës

    Parandalohet futja e telefonave të kontrabanduar në Burgun e Dubravës

    Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur se ka parandaluar një tentim për futjen e kontrabandës në Qendrën Korrektuese të Dubravës gjatë një kontrolli rutinor të një vizitori.

    Sipas njoftimit të SHKK-së, gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët korrektues kanë gjetur të kamufluara në trupin e vizitorit dy telefona mobilë, një kartelë SIM dhe dy kabllo mbushëse.

    Pajisjet e gjetura janë konfiskuar menjëherë, ndërsa vizita është anuluar.

    SHKK ka bërë të ditur se ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë procedurat e mëtejshme në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

    Shërbimi Korrektues ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe integritetit brenda institucioneve korrektuese.

  • Rashiq: Formimi i institucioneve të bëhet në një “pako”, të mos lihet hapësirë për bllokada

    Rashiq: Formimi i institucioneve të bëhet në një “pako”, të mos lihet hapësirë për bllokada

    Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është partneri i parë me të cilin synon të bisedojë për formimin e institucioneve të reja, por ka kërkuar që procesi të mos kufizohet vetëm te zgjedhja e qeverisë, por të përfshijë edhe një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Rashiq tha se rezultatet zgjedhore duhet të respektohen, ndërsa theksoi se pas katër palë zgjedhjeve është koha që partitë politike shqiptare të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund krizave institucionale.

    “Shikoni, normale, kam thënë edhe më herët, normale që Lëvizja Vetëvendosje është adresa e parë. Jo vetëm për shkak të eksperiencës që kemi pasur tre-katër vitet e fundit, por për shkak se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 53 ulëse në Kuvend nga 100 që janë dedikuar për shqiptarët. Prandaj një shumicë të deputetëve shqiptarë, dhe në atë aspekt duhet respektuar këtë fakt dhe normale që adresa e parë është në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje. A me të vërtetën kur vjen koha që të bisedojmë unë do të kem do propozime për një fuqizim ose një përmirësim eventual të komunikimit dhe marrëdhënieve, në veçanti të bashkëpunimit, sepse gjithmonë mundet më mirë. Dhe të thuhet ajo unë e shoh hapësirë shumë që të bëhet një përmirësim në atë drejtim”, tha ai.

    Rashiq tha se bashkëpunimi me Vetëvendosjen duhet të jetë proaktiv dhe të përfshijë edhe propozimet e partive të komuniteteve.

    “Prandaj, është adresa e parë Lëvizja Vetëvendosje, por gjithqysh jo vetëm për një bashkëpunim pasiv, por në këtë rast për një bashkëpunim i cili do të jetë në mënyrë që propozimet tona, në veçanti jo vetëm unë si kryetar i një partie të vogël, por gjithashtu dhe kolegët e mi nga radhët e komuniteteve, t’i prezantojmë dhe t’i propozojmë ide të cilat po konsiderojmë që do të jenë në favor të krijimit të institucioneve. Prandaj, siç thashë, jo një bashkëpunim pasiv, por kisha thënë një bashkëpunim proaktiv ku edhe idetë tona duhet të merren parasysh dhe si të tilla t’i implementojmë së bashku”, tha ai, për Ekonomia Online.

    Ai u shpreh se do t’i kërkojë Vetëvendosjes të ndërmarrë iniciativa për të arritur konsensus me partitë shqiptare, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit.

    “Po ende s’kemi formuar grupin, prandaj unë flas në emrin tim personal, nuk e flas në emër të grupit sepse ende nuk e kemi grupin. Unë së pari do të kërkoj prej kryeministrit në këtë radhë, ose Vetëvendosjes, që ta përdorin çdo formë të iniciativave të cilat mund të na sjellin deri në një bashkëpunim, në veçanti me partitë shqiptare sa i përket përzgjedhjes së presidentit, sepse konsideroj që kjo është çelësi, të them ashtu, ose një pikë potencialisht e dobët në krejt këtë procesin që e kemi tash pas zgjedhjeve. Dhe unë vetë kam me i kërku prej palëve që ta bëjmë një planifikim gjithëpërfshirës. Mos të jetë vetëm fazë pas faze, ose të krijohet një pjesë e institucioneve pa pasur plan çfarë bëhet me institucionet e tjera. Sepse, të përkthehet në një fjalë më popullore, është shumë e rëndësishme që të kemi krejt një pako, se mos t’ua mundësojmë armiqve të institucioneve të Kosovës që të ndikojnë prapë me do presione ose manovrime të cilat gjithqysh do të na sjellshin deri në një situatë shumë të keqe, sigurisht që kemi pasur deri më tani”, tha ai.

    Sipas Rashiqit, partitë politike duhet të shmangin një tjetër vit të humbur për shkak të krizës politike.

    “Unë shumë mbështetem në konstatimet strategjike që i bën Bashkimi Evropian. Pasi që konstatojmë që BE-ja është një cak i pashmangshëm, i vetmi cak që duhet ta kemi të gjithë ne politikanët dhe të gjitha sistemet në Ballkan, atëherë fjalët e tyre, kur thanë që viti 2025 ka qenë vit i humbur, mua personalisht më kanë prekur, sepse nuk po dëshiroj që ne si institucione të kemi vite të humbura për shkak të krizave politike. Prandaj, ta shmangim konstatimin e radhës që edhe viti 2026 të konsiderohet vit i humbur. Hajde ta bëjmë një pako të përcaktimit të institucioneve ose të metodave të përzgjedhjes së përfaqësuesve brenda këtyre institucioneve dhe pastaj votojmë çka do”, tha ai.

    Ai u bëri thirrje partive politike të lënë anash përplasjet dhe të bashkëpunojnë.

    “Të gjithë institucionet. Kisha thënë se të gjitha partitë politike, unë e kuptoj në veçanti nga radhët e partive politike shqiptare, që është krijuar një animozitet i cili me të vërtetën ndonjëherë mua po më duket shumë absurd, por megjithatë fakti është që ka një animozitet i cili është psikologjik në masë më të madhe, por gjithashtu na krijon problem. Ju keni këtë fjalë që thotë ‘për inat’, por me të vërtetën po e vuajnë qytetarët. Dhe unë nuk jam njeri i tillë, unë gjithmonë kam qenë për marrjen e përgjegjësisë dhe me tolerancë. Demokracia do të thotë që edhe ju ta keni të drejtën, jo vetëm unë. Prandaj duhet të jemi diku në mes të bindjeve ku po na duhet të bashkëpunojmë”, tha ai.

    I pyetur nëse do të jetë sërish pjesë e qeverisë si ministër, Rashiq tha se Kushtetuta parasheh përfaqësimin e komunitetit serb në ekzekutiv, ndërsa përzgjedhja i takon partive shqiptare.

    “Pa shikoni, nëse në këtë rast, ju e dini që Kushtetuta parasheh që së paku një ministër nga komuniteti serb duhet të jetë aty. Dhe nëse hipotetikisht nuk ka, për shembull, në votimin e qeverisë, atëherë një votim i tillë, pa ministër nga komuniteti serb, nuk do të ishte ligjor. Prandaj, është e pashmangshme, e tash përzgjedhja e partive shqiptare në këtë rast, të cilat duhet të marrin përgjegjësi, a do ta përzgjedhin mua si i vetmi jashtë Listës Serbe ose Listën Serbe, kjo është vendimi i tyre”, tha ai.

    Në fund, Rashiq tha se dështimi për të formuar institucionet do të ishte i pajustifikueshëm.

    “Po të them të vërtetën, nëse nuk ka zgjidhje tani, atëherë me të vërtetën ne politikanëve po na duhet një ligj i veçantë, një komision i veçantë, ku psikiatri duhet me qenë kryesues i komisionit. Me të vërtetë nuk ka një shpjegim tjetër, sepse kjo për mua do të ishte personalisht një dështim i sistemit në të cilin besoj tash e 20 vjet. Por ju kujtoj që në janar i kam mbushur 20 vjet që merrem me politikë dhe unë besoj që sistemi ka një perspektivë, por ky faktori i kapaciteteve njerëzore është gjithmonë sfidues për ne”, tha ai.

  • IKShPK apelon për vaksinim: Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze

    IKShPK apelon për vaksinim: Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka thënë se fruthi është një sëmundje ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze, por mund të parandalohet përmes vaksinimit.

    Përmes, një postimi në rrjetin social Facebook, IKSHPK ka njoftuar se ka përgatitur përgjigje për pyetjet më të shpeshta rreth fruthit dhe vaksinës MMR.

    Postimi i plotë:

    Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze, por mund të parandalohet në mënyrë efektive përmes vaksinimit.

    Për të ndihmuar prindërit dhe kujdestarët të marrin informata të sakta dhe të bazuara në evidencë shkencore, IKShPK ka përgatitur përgjigje për pyetjet më të shpeshta rreth fruthit dhe vaksinës MMR.

    Në këtë material do të gjeni informata për:

    • si përhapet fruthi;

    • simptomat dhe komplikimet e tij;

    • sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës MMR;

    • orarin e vaksinimit sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë;

    • sqarime mbi mitet dhe keqinformimet më të shpeshta lidhur me vaksinën MMR.

    Ju ftojmë ta lexoni materialin dhe ta ndani me familjarët dhe miqtë, në mënyrë që sa më shumë prindër të informohen drejt dhe të kontribuojmë së bashku në mbrojtjen e fëmijëve dhe të komunitetit nga fruthi.

  • 12 ushtarakë të FSK-së përfundojnë trajnimin për sistemet moderne të komunikimit

    12 ushtarakë të FSK-së përfundojnë trajnimin për sistemet moderne të komunikimit

    Dymbëdhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses “Kursin e Komunikimit Niveli 2”, duke avancuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në përdorimin e sistemeve moderne të komunikimit ushtarak “Harris”.

    FSK ka bërë të ditur se gjatë këtij trajnimi, kursantët janë aftësuar në konfigurimin, instalimin, programimin dhe funksionalizimin e sistemeve të komunikimit “Harris”, të cilat përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të vendeve partnere.

    Sipas njoftimit, pjesëmarrësit kanë zhvilluar aftësi praktike për përdorimin e këtyre sistemeve, të cilat mundësojnë komunikim të sigurt, të besueshëm dhe efikas gjatë operacioneve ushtarake, ushtrimeve dhe aktiviteteve të ndryshme taktike.

    “Sistemet Harris përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të vendeve partnere dhe kontribuojnë në ndërveprueshmërinë ndërmjet njësive dhe partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Forca e Sigurisë së Kosovës theksoi se realizimi i këtij kursi është një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit të komunikimit, si dhe në forcimin e aftësive operacionale, duke siguruar mbështetje më efikase për komandimin dhe kontrollin në të gjitha nivelet e operacioneve.

  • Në Monako nis kërkimi pas plagosjes së një oligarku ukrainas dhe familjes së tij me bombë

    Në Monako nis kërkimi pas plagosjes së një oligarku ukrainas dhe familjes së tij me bombë

    Një kërkim njerëzish është duke u zhvilluar në Francën jugore pasi një bombë me pako shpërtheu në një ndërtesë banimi në Monakon fqinje, duke plagosur rëndë një biznesmen të pasur ukrainas.

    Vadym Yermolaiev, gruaja e tij dhe djali i tyre 13-vjeçar u plagosën të gjithë në sulm, raportojnë mediat franceze, dhe po trajtohen në një spital në Nisë. Yermolaiev dhe partnerja e tij janë në gjendje kritike, thonë ata.

    Shpërthimi ndodhi pak para orës 21:00 në një ndërtesë apartamentesh në Rue Révérend Père Louis Frolla, pranë kufirit me Francën.

    Qeveria e Monakos tha se shpërthimi u shkaktua nga një bombë me pako, transmeton Telegrafi.

    Ministri i shtetit të Monakos, Christophe Mirmand, i tha transmetuesit francez BFM TV se i dyshuari “duket se është larguar për në Francë”.

    Qeveria e Monakos tha se një i dyshuar u pa në një sistem mbikëqyrjeje me video duke ikur drejt komunës franceze Beausoleil në këmbë pas shpërthimit, ku tani ka një përpjekje të madhe policore për ta gjetur atë.

    Pamjet e kamerave të sigurisë të momenteve para sulmit treguan një burrë që hidhte një çantë shpine në hollin e një ndërtese pak para shpërthimit, raportoi gazeta franceze Le Figaro.

    Mirmand i tha agjencisë së lajmeve AFP se pajisja shpërthyese dukej se përmbante bulona dhe fishekë.

    Më shumë se 100 policë dhe personel emergjence u vendosën në vendin e shpërthimit të hënën në mbrëmje.

    Harri Richie, e cila jeton rreth 100 metra larg ndërtesës së synuar, i tha BBC-së se dëgjoi një “shpërthim tepër të lartë” rreth orës 21:00 nga parkingu nëntokësor ku ndodhej.

    Pastaj ajo u ngjit në apartamentin e saj në katin e 11-të, ku tha se pa shërbimet e emergjencës “duke nxjerrë dy persona [nga ndërtesa] që dukeshin rëndë të plagosur”.

    Shërbimet e emergjencës mbërritën rreth pesë minuta pas shpërthimit, tha ajo, duke shtuar se kishte një helikopter sipër kokës gjatë gjithë natës së hënë.

    “Kjo është hera e parë në histori, sipas njohurive të mia, që një akt i tillë ka ndodhur në principatë”, tha Mirmand, kreu i qeverisë së Monakos.

    Princi Albert II i Monakos e përshkroi incidentin si një “krim të shëmtuar” dhe “një tronditje për të gjithë komunitetin e Monakos”.

    Ai tha se “të gjitha shërbimet shtetërore përkatëse janë duke u mobilizuar aktualisht” në bashkëpunim me autoritetet përkatëse franceze.

    Yermolaiev është një zhvillues i pasur 58-vjeçar i pasurive të patundshme nga Dnipro, qyteti i katërt më i madh i Ukrainës, i cili ka jetuar në Monako.

    Ai tani është shtetas qipriot pasi hoqi dorë nga shtetësia e tij ukrainase në vitin 2019.

    Ai ka interesa të mëdha në biznesin e verës dhe alkoolit në Krimenë e aneksuar nga Rusia, dhe që nga viti 2023 ka qenë subjekt i sanksioneve të vendosura nga qeveria në Kiev.

    Ai u emërua ukrainasi i 39-të më i pasur nga revista Forbes në vitin 2020, me një pasuri prej 230 milionë dollarësh. /Telegrafi/

  • Çdo qytetar i moshës madhore në Maqedoni mund të bëhet dhurues organesh, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore

    Çdo qytetar i moshës madhore në Maqedoni mund të bëhet dhurues organesh, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore

    Çdo qytetar madhor do të mund të deklarohet personalisht nëse, pas vdekjes, dëshiron të jetë dhurues i organeve – përmes një deklarate te mjeku i tij amë. Me këtë zgjidhje, Kuvendi, me 58 vota “pro” dhe 6 “kundër”, miratoi ndryshimet në Ligjin për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi, duke ndryshuar qasjen ndaj dhurimit të organeve dhe transplantimit në vend.

    Zgjidhja e re ligjore parashikon që deklarata të regjistrohet përmes një moduli të veçantë digjital në sistemin “Termini im”, ndërsa qytetarët në çdo moment do të mund ta ndryshojnë ose ta tërheqin vendimin e tyre. Sipas arsyetimit të ndryshimeve, qëllimi është të sigurohet shprehje më e qartë e vullnetit personal, besim më i madh në sistem dhe informim më i mirë për dhurimin e organeve.

    Duke e arsyetuar ligjin para deputetëve, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se transplantimi nuk është vetëm një procedurë mjekësore, por edhe çështje e solidaritetit njerëzor dhe e shpresës.

    “Transplantimi nuk është vetëm një procedurë mjekësore, por është jetë, shpresë dhe mundësi që një njeri, edhe pas vdekjes së tij, të vazhdojë të jetojë përmes jetës së dikujt tjetër”, deklaroi Aliu.

    Ai theksoi se ndryshimet nuk kufizohen vetëm në rregulla administrative, por përfaqësojnë një mesazh për mënyrën se si po ndërtohet sistemi shëndetësor.

    “Ndryshimet që propozojmë nuk janë vetëm juridike dhe administrative, por janë një mesazh se sistemi ynë shëndetësor po ndërtohet mbi dinjitetin e njeriut, solidaritetin dhe respektimin e vullnetit personal”, theksoi Aliu.

    Përveç mundësisë për deklarim personal, ligji parashikon edhe zgjerimin e rrethit të dhuruesve të mundshëm të gjallë – deri në shkallën e katërt të farefisnisë. Çdo rast do t’i nënshtrohet vlerësimit nga një Komision Etik, i cili duhet të konfirmojë se vendimi është vullnetar dhe pa rrezik për keqpërdorim apo tregti me organe.

    Ministri theksoi gjithashtu se regjistrimi digjital do të ketë edhe një rol më të gjerë shoqëror – shteti më në fund do të ketë një pasqyrë më të qartë për interesimin e qytetarëve për dhurimin e organeve dhe për zonat ku ka nevojë për edukim shtesë dhe ndërtim të besimit. Në këtë drejtim, Aliu paralajmëroi se do të japë edhe shembull personal, duke thënë se sapo sistemi të fillojë të zbatohet, ai do të jetë i pari që do të regjistrohet si dhurues i organeve.

    Me miratimin e këtij ligji, dhurimi i organeve fiton një kornizë më të qartë juridike dhe teknike, por vendimi përfundimtar mbetet në dorën e vetë qytetarit.

  • BE i jep Ukrainës 3.9 miliardë euro për dronë

    BE i jep Ukrainës 3.9 miliardë euro për dronë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha sot se Bashkimi Evropian (BE) ka ndarë 3.9 miliardë euro për blerjen e dronëve për Ukrainën.

    “3.9 miliardë euro janë ndarë për blerjen e teknologjive të përparuara të dronëve për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës”, shkroi ajo në rrjetin social X.

    Ajo vlerësoi se “shpikësia ukrainase është në thelb të aftësisë së saj për t’i rezistuar një pushtimi të madh të udhëhequr nga Rusia” që nga 24 shkurti 2022.

  • Ilir Ferati merr një vendim për sezonën verore, lehtësira për mërgimtarët

    Ilir Ferati merr një vendim për sezonën verore, lehtësira për mërgimtarët

    Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka marrë vendim për lirimin e hapësirave të jashtme të shkollave për t’u shfrytëzuar si parkingje gjatë sezonit veror.

    Sipas Vendimit 01.Nr.822/2026, të datës 30 qershor 2026, hapësirat e jashtme të shkollave që kanë kapacitete të mjaftueshme do të vihen në dispozicion për parkimin e automjeteve, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe menaxhimit të fluksit të shtuar të bashkatdhetarëve që vijnë nga diaspora gjatë muajve të verës.

    Me këtë vendim obligohen drejtorët e institucioneve arsimore që të lejojnë shfrytëzimin e oborreve dhe hapësirave të jashtme të shkollave për parkingje.

    Vendimi hyn në fuqi më 1 korrik 2026 dhe do të zbatohet deri më 31 gusht 2026.

    Kryetari Ilir Ferati ka theksuar se masa synon të lehtësojë qarkullimin dhe të krijojë më shumë hapësira parkimi gjatë periudhës kur Istogu përballet me numër të shtuar të vizitorëve nga diaspora.

  • Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional

    Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas Samitit të NATO-s në Ankara, duke vlerësuar se Kosova është penalizuar me mosmarrjen e ftesës për të marrë pjesë.

    Sipas Hazirit, mungesa e ftesës është pasojë e krizës së brendshme politike dhe mungesës së stabilitetit institucional.

    “Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s në Ankara. Pa dyshim, mosardhja e ftesës ndodhi si pasojë e mungesës së stabilitetit institutucional”, ka shkruar Haziri.

    Ai ka shtuar se zhvillimet ndërkombëtare po ecin me ritëm të shpejtë, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me kriza të brendshme.

    “Bota po ndryshon, por jo ne. Në qarkun e mbyllur vicioz e me kriza politike”, është shprehur ai.

    Haziri u bëri thirrje akterëve politikë për reflektim dhe bashkëpunim, duke theksuar se vetëm përmes proceseve politike mund të arrihet normalizimi dhe stabiliteti institucional.

    “Është koha e fundit për reflektim të thellë. Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën. Republika mbi të gjithë!”, përfundoi Haziri. /Telegrafi/

  • ShBA-të do të qëndrojnë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike, thotë gjenerali amerikan

    ShBA-të do të qëndrojnë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike, thotë gjenerali amerikan

    Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah aleatëve të tyre evropianë në mbrojtjen e vendeve baltike, tha të martën komandanti amerikan i forcave tokësore të NATO-s në Evropë, ndërsa aleanca caktoi një seli shtesë në rajon.

    “Ju jeni gati të bëni më shumë dhe fjalët t’i pasoni me vepra, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë aty përkrah jush”, tha gjenerali amerikan Chris Donahue në një ceremoni në qytetin estonez të Valgës.

    “Kështu ndërtohet parandalimi: Jo me fjalë nga një podium, por me çizme në baltë”.

    Donahue, i cili do të heqë dorë nga posti i tij të enjten, shërben edhe si shef i ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë.

    Trupat e NATO-s në shtetet baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, dhe në Poloninë veriore, deri më tani kanë qenë nën komandën e një selie të vetme shumëkombëshe me seli në qytetin veriperëndimor polak të Szczecin.

    Krijimi i një zone të dytë komande i lejon aleancës t’u kushtojë më shumë trupa shteteve baltike. Për momentin, dy divizione shumëkombëshe në Estoni dhe Letoni do të jenë nën komandën e Korpusit Gjerman-Holandez me bazë në qytetin gjerman të Muensterit.

    NATO ka thënë se Rusia, e cila pushtoi Ukrainën në vitin 2022, mund të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë në territorin aleat që në vitin 2029 nëse vazhdon të armatoset siç është tani. Kremlini i mohon këto plane.

    Presioni mbi Evropën për të rritur mbrojtjen e saj është shtuar pas kritikave nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili akuzon bllokun se nuk po përdor peshën e tij ushtarake.