ATV

Category: Lajme

  • Kurti i kërkon BE-së t’i përgjigjet vullnetit të popullit të Kosovës për anëtarësim

    Kurti i kërkon BE-së t’i përgjigjet vullnetit të popullit të Kosovës për anëtarësim

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i përgjigjet vullnetit të qytetarëve të Kosovës për integrim evropian duke avancuar vendin drejt statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.

    Këtë kërkesë Kurti e bëri gjatë takimit me drejtoreshën për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë.

    Sipas Kurtit, Bashkimi Evropian mbetet një partner i rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës, ndërsa anëtarësimi në BE është synim strategjik i vendit.

    “Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, ka shkruar Kurti.

    Ai theksoi se Kosova vazhdon të renditet ndër vendet më të avancuara në rajon në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, të drejtave politike dhe lirive civile, si dhe në indeksin e zgjedhjeve dhe demokracive liberale.

    Gjatë takimit me Supertin u diskutua edhe për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, integrimin e Kosovës në zonën “Roam Like at Home”, Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe përfaqësimin e barabartë, si dhe për zhvillimin e infrastrukturës, tregtisë, digjitalizimit dhe arsimit.

  • E rëndë në Ferizaj: 71-vjeçarja bie në bunar dhe humb jetën, trupi nxirret nga zjarrfikësit

    E rëndë në Ferizaj: 71-vjeçarja bie në bunar dhe humb jetën, trupi nxirret nga zjarrfikësit

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së martës në fshatin Koshare të Ferizajt, ku një grua 71-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë në një bunar.

    Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 13:00.

    “Sot rreth orës 13:00, Stacioni Policor në Ferizaj ka pranuar një informatë se një person i gjinisë femërore kishte rënë në një pus (bunar) në fshatin Koshare. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policët e stacionit, hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë. Një njësi e Brigadës së Zjarrfikësve ka ndërhyrë aty dhe ka nxjerrë trupin nga pusi. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës së Ferizajt, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, 71 vjeçe”, deklaroi Veseli.

    Sipas Policisë, për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore.

    Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.

  • Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë del me njoftim të rëndësishëm për legalizimin e dokumenteve

    Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë del me njoftim të rëndësishëm për legalizimin e dokumenteve

    Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë njoftuar se duke filluar nga 1 korriku 2026, Ambasada do të zgjerojë shërbimet e saj për të legalizuar certifikatat e gjendjes civile , siç janë certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes të lëshuara për ngjarje që kanë ndodhur para 19 shkurtit 2013, datës kur Kosova prezantoi regjistrin e saj qendror civil.

    Ambasada potencon se është e rëndësishme të theksohet se data e lëshimit të këtyre dokumenteve nuk ndikon në të drejtën për legalizim.

    Certifikatat duhet të jenë origjinale me një vulë paraprake të vlefshme nga Ministria e Brendshme e Kosovës dhe jo më të vjetra se 6 muaj.

    “Pse është e rëndësishme kjo? Legalizimi siguron njohjen e drejtpërdrejtë të këtyre dokumenteve brenda sistemit ligjor gjerman, duke përmirësuar proceset administrative si regjistrimet e martesës ose aplikimet për vizë”, njofton Ambasada.

    Gjithashtu njoftojnë se duke filluar nga 1 shtatori 2026, seksioni i vizave i ambasadës do të pranojë vetëm të dhënat jetësore të Kosovës në formë të legalizuar, pavarësisht se kur ka ndodhur ngjarja.

  • FSK i bashkohet operacionit të kërkim-shpëtimit për personin e zhdukur në Liqenin e Batllavës

    FSK i bashkohet operacionit të kërkim-shpëtimit për personin e zhdukur në Liqenin e Batllavës

    Ekipi i Kërkim-Shpëtimit në ujëra i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i është bashkuar operacionit për gjetjen e personit të zhdukur në Liqenin e Batllavës.

    Lajmi e ka konfirmuar Vëllazërim Qerimi nga FSK-ja i cili tha se pas pranimit të informacionit ekipi i kërkim-shpëtimit do të nisë operacionin për lokalizimin e personit të raportuar të zhdukur.

    “Ekipi i Kërkim Shpëtimit të FSK-së për ujëra ka intervenuar pas marrjes së informacionit të Qendrës së Sigurisë së Kosovës janë duke vepruar atje në terren”, tha Qerimi.

    Ndërkaq, nga Policia e Kosovës thanë për Telegrafin menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit.

    “Rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit”, tha Enis Pllana nga Policia e Kosovës.

  • Kosova mungon në Samitin në Ankara, NATO jep sqarimin zyrtar

    Kosova mungon në Samitin në Ankara, NATO jep sqarimin zyrtar

    NATO është deklaruar për interesimin që po ndodh në Kosovë lidhur me mospjesëmarrjen e vendit në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, duke bërë të ditur se programi i samitit është i përqendruar te 32 shtetet aleate dhe një numër i kufizuar partnerësh.

    Në një përgjigje për Telegrafin, një zyrtar i NATO-s tha se temat kryesore të samitit do të jenë investimet në mbrojtje, rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.

    “Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara këtë korrik janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në përgjigje shkruan Telegrafi.

    Zyrtari i NATO-s rikujtoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas të cilit fokusi i aleancës mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare.

    “Detyra përpara është e qartë: të shndërrohen angazhimet e Aleatëve në rezultate konkrete. Rritja e investimeve, prodhimi industrial dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën. E gjithë kjo kontribuon në një NATO më të fortë dhe siguri më të madhe për të gjithë ne”, kishte deklaruar Rutte.

    Sipas NATO-s, programi i samitit do të përfshijë takimin e 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe angazhime me disa partnerë të Aleancës.

    “Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, Indo-Paqësorin dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit”.

    Ndonëse Kosova nuk është pjesë e listës së pjesëmarrësve në samit, NATO thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se angazhimi për sigurinë në rajon vazhdon të jetë i pandryshuar.

    “Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie”, thuhet në përgjigje.

    Në të njëjtën përgjigje, NATO nënvizon se misioni i KFOR-it vazhdon të ketë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, nën një mandat afatgjatë të OKB-së, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian. Siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

    Përgjigjja e NATO-s vjen pas diskutimeve dhe reagimeve të shumta në Kosovë lidhur me faktin se vendi nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të Samitit të NATO-s në Ankara.

  • Një muaj paraburgim ndaj 24-vjeçares që dyshohet për vrasjen në Ferizaj

    Një muaj paraburgim ndaj 24-vjeçares që dyshohet për vrasjen në Ferizaj

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen në Ferizaj.

    Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, të dyshuarës masa e paraburgimit mund t’i zgjatë deri më 29 korrik 2026.

    Kjo masë u caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Ndryshe, sipas pas kërkesës së Prokurorisë për caktim të paraburgimit thuhet se më 28 qershor 2026, rreth orës 22:40, në Ferizaj, rruga “Sejdi Sejdiu”, përkatësisht në objektin banesor, të marrë me qira nga babai i të pandehurës M.B., e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H.

    Sipas kërkesës, thuhet se tani i ndjeri kishte shkuar në banesën në të cilën ndodhej e pandehura, dhe gjatë qëndrimit në banesë, pas një mosmarrëveshje dhe përleshjeje fizike në mes tyre, e pandehura merr armën e zjarrit nga tani i ndjeri dhe shtie një herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vend ngjarje

    Me këto veprime, ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Këshilli i Bashkësisë Islame të Gorës dënon ashpër vrasjen e imamit Gazmen Tairovci

    Këshilli i Bashkësisë Islame të Gorës dënon ashpër vrasjen e imamit Gazmen Tairovci

    Këshilli i Bashkësisë Islame i Rajonit të Gorës ka reaguar pas vrasjes së imamit Gazmen Tairovci, duke shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e tij dhe duke u bërë thirrje institucioneve që ta zbardhin sa më shpejt rastin.

    “Me pikëllim të thellë dhe mosbesim morëm lajmin për ngjarjen tragjike, vrasjen dhe ndarjen nga kjo botë të imamit tonë të nderuar, Gazmen Tairovci”, thuhet në deklaratë.

    Këshilli u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, xhematit dhe të gjithë besimtarëve që e kanë njohur të ndjerin, duke lutur Allahun që ta mëshirojë, t’ia falë gabimet dhe ta shpërblejë me Xhenetin, ndërsa familjes t’i dhurojë durim dhe forcë.

    Në reagim, KBI dënon ashpër aktin e vrasjes dhe kërkon nga organet kompetente që të hetojnë plotësisht ngjarjen.

    “Njëkohësisht e dënojmë këtë akt të ulët dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që, sa më shpejt, të zbardhin plotësisht të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend”, thuhet në deklaratë.

    Këshilli u ka bërë thirrje gjithashtu besimtarëve dhe opinionit publik që të tregojnë maturi, të mos përhapin informacione të paverifikuara dhe të respektojnë privatësinë e familjes së të ndjerit.

    Në deklaratë sqarohet se, sipas informacioneve që disponon KBI, “vrasja ka ndodhur për arsye private dhe si pasojë e një mosmarrëveshjeje private”, duke theksuar se “ky rast i rëndë nuk ka pasur asnjë prapavijë fetare dhe nuk lidhet në asnjë mënyrë me kryerjen e detyrave fetare që imami i ndjerë ushtronte në fshatin Zlipotok”.

    Në fund të reagimit, KBI i Rajonit të Gorës lutet që Allahu ta shpërblejë të ndjerin Gazmen Tairovci me Xhenetin e përhershëm dhe familjes së tij t’i japë sabër.

    Imami i fshatit Zlipotok të Dragashit, Gazmen Tairovci dyshohet se është therur për vdekje për shkak të një prone, konkretisht për prerjen e barit që i takonte të dyshuarit, Beshir Hamza.

  • Kurti takon drejtoren për Zgjerim të BE-së për Ballkanin Perëndimor: BE-ja duhet t’i përgjigjet Kosovës me vullnet për anëtarësim

    Kurti takon drejtoren për Zgjerim të BE-së për Ballkanin Perëndimor: BE-ja duhet t’i përgjigjet Kosovës me vullnet për anëtarësim

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtoren për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, në vizitën e saj të parë në Republikën e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Kosova është “lidere rajonale në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike, liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve dhe demokracive liberale”. Ai tha se vendi ka shënuar përparim në reformat europiane, është plotësisht “i linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian”, si dhe “ka regjistruar rritje të vazhdueshme ekonomike”.

    Sipas Kurtit, për herë të parë pas 15 vjetësh, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë larguar Kosovën nga listat e vendeve të brishta dhe të ndikuara nga konfliktet.

    “Bashkimi Evropian është kontribues i madh në zhvillimin e Republikës sonë, ndërsa anëtarësimi është qëllimi dhe e ardhmja e Kosovës. Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave, janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, shkroi Kurti.

    Gjatë takimit, Kurti tha se u diskutua për “Planin e Rritjes, integrimin në zonën ‘Roam Like at Home’, Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe përfaqësimin e barabartë, sikurse edhe infrastrukturën, tregtinë, digjitalizimin e arsimin”.

  • Ulja emergjente në Prishtinë e avionit, dyshohet se një shqiponjë u fut në një nga motorët

    Ulja emergjente në Prishtinë e avionit, dyshohet se një shqiponjë u fut në një nga motorët

    Një fluturim i kompanisë EasyJet, i planifikuar nga Prishtina drejt Berlinit, është detyruar të kryejë ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi dyshohet se një shqiponjë ka goditur njërin nga motorët e avionit menjëherë pas ngritjes.

    Sipas një pasagjeri që ndodhej në bord, zogu dyshohet se hyri në motor, duke shkaktuar dëmtim të turbinës. Pas incidentit, avioni qëndroi rreth 20 minuta në ajër, ndërsa ekuipazhi vendosi ta rikthente në mënyrë të sigurt në aeroportin e nisjes.

    Avioni u ul pa incidente, ndërsa fluturimi drejt Berlinit u anulua.

    Pasagjeri ka vlerësuar profesionalizmin e pilotit dhe ekuipazhit, duke theksuar se situata u menaxhua me qetësi dhe se ulja u realizua në mënyrë të sigurt.

    Deri më tani, kompania EasyJet dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shkaqet e incidentit./Albinfo.ch

  • I la fëmijët të mbyllur në veturë në vapë, nëna gjobitet me 300 euro në Prizren

    I la fëmijët të mbyllur në veturë në vapë, nëna gjobitet me 300 euro në Prizren

    Një grua është gjobitur me 300 euro në Prizren pasi që i kishte lënë fëmijët e mitur të mbyllur në veturë në parkingun pranë një qendre tregtare.

    Sipas policisë, fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia.

    “Më datë 27.06.2026, rreth orës 17:50, Policia ka pranuar informacion se në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren ndodheshin disa fëmijë të mbyllur brenda, të rraskapitur nga i nxehti, duke qenë se temperaturat ishin shumë të larta. Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe me ndihmën e shufrës metalike ka hapur automjetin. Fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia”.

    Sipas njoftimit, në vendngjarje është paraqitur edhe e ëma e tyre. Për shkak të moskujdesit ndaj të fëmijëve, policia i ka shqiptuar gjobë prej 300 euro, sipas kundërvajtjes “Moskujdes ndaj të miturit”.

    “Duke marrë parasysh se tani në stinën e verës temperaturat janë shumë të larta, Policia apelon për kujdes të shtuar, sidomos ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave të sëmurë. Në asnjë rast nuk duhet të lihen fëmijët të mbyllur në automjet, pasi pasojat mund të jenë fatale”, tha policia në njoftim.