ATV

Category: Lajme

  • Mbi 4 mijë të porsalindur janë testuar në kuadër të Skriningut Neonatal, konfirmohen tri raste pozitive

    Mbi 4 mijë të porsalindur janë testuar në kuadër të Skriningut Neonatal, konfirmohen tri raste pozitive

    Klinika e Neonatologjisë njofton se Programi i Skriningut Neonatal po vazhdon të zbatohet me sukses, duke mundësuar zbulimin e hershëm të sëmundjeve të lindura metabolike dhe gjenetike tek të porsalindurit.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se programi ka filluar më 9 tetor të vitit të kaluar si projekt i Ministrisë së Shëndetësisë, me mbështetjen e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    “Deri më tani janë realizuar rreth 4,146 testime, ndërsa janë identifikuar 16 raste të dyshimta që janë nën mbikëqyrje dhe 3 raste të konfirmuara pozitive, prej tyre 2 me Fibrozë Cistike dhe 1 me Fenilketonuri”, thuhet në njoftim.

    Tutje siç thuhet në njoftim skriningu neonatal është një test i thjeshtë, i sigurt dhe i shpejtë, i cili mundëson identifikimin e sëmundjeve që nuk shfaqin simptoma në ditët e para të jetës, duke krijuar mundësi për trajtim në kohë dhe parandalimin e komplikimeve serioze.

    “Pas fillimit të zbatimit në QKUK, programi është zgjeruar edhe në spitalet rajonale në Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Prizren dhe Pejë, ndërsa së shpejti do të nisë edhe në Ferizaj dhe Vushtrri, me qëllim që çdo i porsalindur në Kosovë të ketë qasje në këtë shërbim jetik”, thuhet në njoftim.

    Ndëkaq, Klinika e Neonatologjisë vazhdon angazhimin për zhvillimin e Programit të Skriningut Neonatal, duke synuar që përmes diagnostikimit të hershëm të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit të të porsalindurve, përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe forcimin e kujdesit shëndetësor në vend.

  • Alarm në Liqenin e Batllavës: Një person hyri në ujë dhe nuk doli më – nisin kërkimet

    Alarm në Liqenin e Batllavës: Një person hyri në ujë dhe nuk doli më – nisin kërkimet

    Një person dyshohet se është zhdukur në Liqenin e Batllavës.

    Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 13:00 është pranuar një informatë se ai ka hyrë në ujë dhe më pas nuk është parë të dalë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana i cili tha se menjëherë pas pranimit të njoftimit, policia ka angazhuar njësitë relevante, si dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, për të bërë lokalizimin e personit.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është ende në zhvillim, ndërsa për rastin priten informacione të tjera në vazhdim.

  • OKB: Epidemia e Ebolës mund t’i kushtojë Afrikës deri në 3.6 miliardë dollarë

    OKB: Epidemia e Ebolës mund t’i kushtojë Afrikës deri në 3.6 miliardë dollarë

    Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se shpërthimi aktual i Ebolës mund t’i kushtojë ekonomisë afrikane deri në 3.6 miliardë dollarë dhe të shkatërrojë qindra mijëra vende pune, duke u përshkallëzuar në një krizë serioze zhvillimi.

    “Nëse kemi burimet dhe ndërmarrim hapa, mund ta përmbajmë këtë epidemi dhe të parandalojmë humbje të mëtejshme”, tha Damien Mama, Përfaqësues i Përhershëm i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Republikën Demokratike të Kongos.

    Ai theksoi se përndryshe kriza shëndetësore mund të shndërrohet në një krizë zhvillimi shumë më të thellë dhe të zgjatur në të gjithë rajonin, por edhe në nivelin e të gjithë kontinentit, raporton Reuters.

    Republika Demokratike e Kongos tha se numri i rasteve të konfirmuara të Ebolës në vend kishte arritur në 1,307, përfshirë 377 vdekje.

    Sipas të dhënave zyrtare, raste të infeksionit u regjistruan në provincat Ituri, Kivu Veriore dhe Kivu Jugore.

    Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se rreziku i përhapjes së mëtejshme ndërkombëtare të sëmundjes vlerësohet si i ulët për momentin, por theksoi se situata kërkon monitorim të kujdesshëm.

  • Harta e të nxehtit në Europë, qendra e Shqipërisë e “përvëluar”

    Harta e të nxehtit në Europë, qendra e Shqipërisë e “përvëluar”

    Qendra e Shqipërisë po shfaqet si zona më e goditur nga vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën, me temperatura maksimale që, sipas hartës së publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), i përkasin kategorive më të larta të rrezikut, mbi 35 gradë Celsius dhe në disa zona pranë kufirit të 40 gradëve.

    Hartat më të fundit të OBSH-së për temperaturat maksimale në Rajonin Europian, të bazuara në të dhënat e 23 qershorit 2026, tregojnë se Shqipëria renditet mes vendeve më të nxehta të kontinentit. Ndërsa zonat bregdetare dhe ato malore paraqiten me temperatura disi më të moderuara, pjesa qendrore e vendit, që përfshin rajonet e Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe Lushnjës, është e mbuluar nga ngjyrat portokalli të errët dhe të kuqe, të cilat në hartën e OBSH-së përfaqësojnë temperaturat më të larta.

    Interpretimi i hartës tregon se Shqipëria ndodhet në të njëjtin brez të nxehtësisë me pjesë të Greqisë, Italisë jugore dhe Ballkanit jugor, ndërsa vetëm zona të Spanjës, Francës jugore dhe disa pjesë të Turqisë paraqiten me intensitet edhe më të lartë.

    Europa po digjet

    Sipas raportit të OBSH, vala e të nxehtit që po përfshin Europën po lë pasoja të rënda. Njerëzit po hasin vështirësi për të fjetur. Repartet e urgjencës po mbushen me pacientë, ndërsa shërbimet e ambulancës po regjistrojnë numër rekord thirrjesh. Në Francë, thirrjet për urgjencë mjekësore janë rritur deri në 50% në disa qytete. Në Londër, java e kaluar shënoi numrin më të lartë të thirrjeve për raste kërcënuese për jetën që shërbimi i ambulancës ka regjistruar ndonjëherë brenda një dite të vetme. Sistemi spanjoll i monitorimit të vdekshmërisë ka vlerësuar tashmë mbi 300 vdekje të tepërta të lidhura me të nxehtin brenda vetëm pak ditësh. Italia raportoi pesë viktima në 24 orë.

    Europa po ngrohet me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se mesatarja globale. Valët e të nxehtit nuk janë më ngjarje të rralla apo të pazakonta. Ato janë shndërruar në kriza të përsëritura, që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më shumë. Çdo verë që nuk përgatitemi për to, paguhet me jetë njerëzish.

    Megjithatë, ka një arsye për optimizëm: masat parandaluese funksionojnë. Kjo dihet sepse rezultatet mund të maten. Vlerësimet tregojnë se numri i vdekjeve të lidhura me të nxehtin në Europë gjatë vitit 2023 do të kishte qenë rreth 80% më i lartë nëse nuk do të ishin zbatuar masat e përshtatjes që janë tashmë në fuqi. Për personat mbi moshën 80-vjeçare, numri i viktimave mund të kishte qenë dyfish më i lartë. Planet e veprimit për mbrojtjen e shëndetit nga të nxehtit, sistemet e paralajmërimit të hershëm, hapësirat për freskim dhe mbështetja për grupet më të rrezikuara nuk janë thjesht procedura administrative. Ato po shpëtojnë jetë çdo ditë dhe duhet të zbatohen më gjerësisht në të gjithë Rajonin Europian.

    Çfarë mund të bëni sot, sipas OBSH

    Nëse nuk keni kondicioner – dhe shumica e njerëzve në Europën Veriore nuk kanë – këshillat janë të thjeshta dhe me kosto të ulët. Mbani të mbyllura perdet dhe grilat gjatë ditës për të penguar hyrjen e nxehtësisë. Hapni dritaret gjatë natës, kur temperaturat bien. Pini ujë përpara se të ndieni etje dhe shmangni pijet me sheqer, alkoolin dhe pijet me kafeinë. Evitoni ekspozimin në diell gjatë orëve të mesditës. Gjithashtu, kontaktoni fqinjët dhe të afërmit e moshuar. Një telefonatë nuk kushton asgjë, por mund të shpëtojë një jetë. Rreth 60% e pacientëve të shtruar në spital pas vizitave në urgjencë gjatë kësaj vale të të nxehtit janë persona 75 vjeç e lart. Shumë prej këtyre shtrimeve mund të ishin parandaluar.

    Çfarë po bëjnë qytetet dhe qeveritë – dhe çfarë duhet bërë më tej

    Sipas OBSH-së, disa vende dhe qytete po tregojnë se si duket një përgatitje e mirë. Barcelona ka zgjeruar këtë verë rrjetin e strehëve klimatike në më shumë se 500 hapësira, përfshirë biblioteka, qendra komunitare, parqe dhe farmaci. Parisi ka aktivizuar regjistrin për kontrollin e mirëqenies së të moshuarve dhe personave në nevojë, ndërsa ka kufizuar shitjen publike të alkoolit për të ulur presionin mbi shërbimet e urgjencës. Italia ka vendosur kufizime për punën në ambient të hapur gjatë orëve më të nxehta të ditës në disa rajone, duke parashikuar edhe skema kompensimi që punëtorët të mos humbasin të ardhurat. Këto janë vetëm disa shembuj të masave praktike dhe të zbatueshme në shkallë të gjerë. Çdo qytet në Europë duhet të ketë një plan të ngjashëm.

    Edhe spitalet po përballen me presion të jashtëzakonshëm, jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, por edhe nga vetë temperaturat ekstreme. Sistemet e ftohjes po dështojnë, pajisjet mjekësore po shfaqin probleme funksionimi, ndërsa stafi shëndetësor po punon i rraskapitur, pasi temperaturat gjatë natës nuk bien mjaftueshëm për të siguruar pushim normal. Në disa raste, repartet spitalore janë përshkruar si të papërshtatshme për të ofruar shërbimin e nevojshëm në kushte të tilla.

  • Gjykimi për kanosje në objektin e Qeverisë, i dëmtuari thotë se ishte kanosur gjatë një takimi zyrtar

    Gjykimi për kanosje në objektin e Qeverisë, i dëmtuari thotë se ishte kanosur gjatë një takimi zyrtar

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit për kanosje Isa Hajdari- drejtor i Zyrës së Prokurimit në Zyrën e Kryeministrit, të martën u dëgjua i dëmtuari-dëshmitari Flamur Salihu, ish-drejtor i Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit. Salihu deklaroi se rasti kishte ndodhur në zyrën e Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë një takimi zyrtar dhe ndër fjalët e adresuara ndaj tij ishin edhe “Kur del jashtë ki me pas problem me mu”.

    Në fjalë hyrëse, prokurori Malart Kuçi deklaroi se konsideron që në këtë çështje penale ka prova të mjaftueshme me anë të së cilave do vërtetohet gjendja faktike, duke propozuar që Gjykata të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Edhe i dëmtuari Flamur Salihu deklaroi se mbështet fjalën e prokurorit.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Isa Hajdari, avokait Hajzer Salihu, deklaroi se përmes provave nuk vërtetohet se i mbrojturi i tij ka kanosur të dëmtuarin, duke shtuar se i gjithë dispozitivi dhe arsyetimi i aktakuzës mbështeten vetëm në deklaratën e të dëmtuarit.

    Avokati Salihu i propozoi Gjykatës të nxjerrë aktgjykim lirues në mungesë të provave.

    Më pas, vazhdoi me dhënien e dëshmisë i dëmtuari Salihu, i cili deklaroi se rasti kishte ndodhur gjatë një takimi zyrtar me të pandehurin në zyrën e Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit lidhur me problemet në menaxhimin e ueb-faqes zyrtare nga operatori ekonomik.

    Ai tha se i akuzuari kishte hezituar të ndërmarrë masa ndaj operatorit ekonomik, dhe sipas tij për këtë çështje kishte lindur mosmarrëveshja dhe kërcënimi.

    Sipas tij, i akuzuari kishte pasur qasje të papërshtatshme ndaj tij gjatë mbledhjes, duke iu adresuar me “Shihemi mas ktuhit” dhe “Kur del jasht ki me pas problem me mu, nuk kom çka diskutoj ktu me ty”.

    I dëmtuari tha se kishte kërkuar nga sekretari t’i menaxhojë këto raste, dhe se Sekretari kishte filluar të komunikojë me të akuzuarin, por pastaj ky i fundit ishte larguar nga zyra.

    Gjithashtu, i dëmtuari Salihu deklaroi se kishte vazhduar të shprehë shqetësimin e tij tek sekretari.

    Më tej, Salihu deklaroi se pasi kishte dalë në korridor, i akuzuari ishte duke e pritur tek shkallët dhe i ishte drejtuar me “Kom me ta tregu qejfin” duke bërë një gjest me laps.

    Sipas tij, në këtë kohë në afërsi ishte një polic. Tha se e kishte konsideruar të arsyeshme ta raportojë rastin tek policia menjëherë.

    Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Arben Krasniqi, i cili deklaroi se atëkohë ishte ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm pranë Zyrës së Kryeministrit, dhe se rasti kishte ndodhur gjatë një takimi lidhur me një kontratë për mirëmbajtjen e ueb-faqes dhe pakënaqësive me operatorin ekonomik.

    Dëshmitari Krasniqi deklaroi se gjatë takimit kishte debate në mes të akuzuarit Hajdari dhe të dëmtuarit Salihu, dhe kishte mospajtime rreth kontratës së lartcekur, mirëpo se nuk i kujtohet se çka konkretisht ishte debatuar.

    Ai tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe se i akuzuari i ishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët “O shqiptar a merr vesh ti” dhe “Hajt se shihemi jashtë, e sheh kush jam unë”.

    Krasniqi deklaroi se këto fjalë i kishte konsideruar ofenduese dhe të papërshtatshme për institucionin, dhe ia kishte tërhequr vërejtjen të akuzuarit.

    Ai shtoi se nuk qëndron pranë vlerësimit që kishte dhënë për të akuzuarin në deklaratën e dhënë në Polici, kur e kishte quajtur të pamatur, duke shtuar se ishte vetëm perceptim momental.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Isa Hajdari akuzohet se më 4 gusht 2022, në Objektin e Kryeministrisë në Prishtinë, gjatë një takimi zyrtar, për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me punët zyrtare, ka kanosur të dëmtuarin Flamur Salihaj përmes fjalëve “se me ty nuk flas dhe nuk takohemi por shihemi jashtë dhe se do të tregoj qefin kur të takoj personalisht”.

    Aktakuza thotë se pas disa minutave, i akuzuari Hajdari ka pritur të dëmtuarin në mes shakllëve të katit të dytë dhe të tretë, duke e kanosur përsëri me fjalët “se duhet të ketë kujdes kur të takohen” dhe “hiq mos ke merak se del najher prej k’tuhit”, duke shkaktuar tek i dëmtuari frikë dhe ndjenjë të pasigurisë.

    Me këtë, i akuzuari Isa Hajdari akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

  • Kusari: RTK duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje

    Kusari: RTK duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje

    Juristja e medias Flutura Kusari, ka reaguar lidhur me dorëheqjen e gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës.

    Ajo, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Radio Televizioni i Kosovës duhet ta ndërrojë emrin, duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje ose Mikrofoni i Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Ky televizion aktualisht e ka vetëm një mision: të transmetojë propagandë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe njerëzve të saj. Këtë, sipas meje, e bën duke ushtru presion të paprecedent ndaj gazetarëve”, ka thënë ajo.

    Postimi i saj i plotë:

    Radio Televizioni i Kosovës duhet ta ndërrojë emrin, duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje ose Mikrofoni i Lëvizjes Vetëvendosje!

    Ky televizion aktualisht e ka vetëm një mision: të transmetojë propagandë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe njerëzve të saj. Këtë, sipas meje, e bën duke ushtru presion të paprecedent ndaj gazetarëve.

    Sot, gazetarja Arlinda Sejda japi dorëheqje nga RTK.

    Arlindën e takova në shenjë solidariteti dhe i thashë: bravo për vendimin dhe nuk je vetëm!

    Me japë dorëheqje prej punës është një prej vendimeve më të vështira, sidomos kur asaj pune ja ke kushtu më shumë se një dekadë të jetës tënde.

    Unë, personalisht, do ta dokumentoj këtë rast dhe atë që e konsideroj si terror politik në RTK në çdo platformë vendore, rajonale, ndërkombëtare dhe globale.

    Marre për Lëvizjen Vetëvendosje. Marre! Turp, turp, turp!

  • Vdekja e Rexhep Gashit në Morinë, BSPK: Duhet mbrojtje ligjore dhe institucionale për policët

    Vdekja e Rexhep Gashit në Morinë, BSPK: Duhet mbrojtje ligjore dhe institucionale për policët

    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shprehur dhimbje të thellë për vdekjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Rexhep Gashi, i cili humbi jetën pasi u godit nga një veturë në Pikën Kufitare në Morinë.

    Në një komunikatë për media, BSPK i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Ndër të tjera, BSP i jep mbështetje të plotë Sindikatës së Policisë së Kosovës në shqetësimet e saj të vazhdueshme lidhur me mungesën e një mbrojtjeje të plotë ligjore, institucionale dhe sociale për punonjësit e Policisë së Kosovës.

    “Është e papranueshme që ata që çdo ditë mbrojnë rendin kushtetues, sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve të mbeten pa mekanizma të mjaftueshëm mbrojtës për jetën, për shëndetin dhe për sigurinë e tyre në vendin e punës. Çdo humbje e jetës në krye të detyrës duhet të shërbejë si alarm për institucionet përgjegjëse”, thuhet në komunikatë.

    BSPK thekson se nuk mjaftojnë deklaratat e dhimbjes pas tragjedive dhe se përgjegjësia shtetërore fillon shumë më herët, dhe ajo duhet të fillojë me krijimin e një infrastrukture ligjore dhe institucionale që garanton kushte të sigurta pune, mbrojtje juridike efektive për zyrtarët policorë, trajtim të veçantë të rrezikut profesional dhe përkujdesje të dinjitetshme për familjet e tyre në rastet kur ata plagosen ose bien në krye të detyrës.

    “BSPK rikujton se siguria në punë është një e drejtë themelore e çdo punëtori, ndërsa për punonjësit e Policisë kjo e drejtë merr një dimension edhe më të lartë, se ata përballen çdo ditë me rreziqe që tejkalojnë çdo profesion tjetër në shërbim publik. Një shtet që kërkon përkushtim maksimal nga policët e tij ka detyrim të garantojë mbrojtjen maksimale për ta”.
    Në fund, BSPK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që, përveç zbardhjes së plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike, të ndërmarrin pa vonesë nisma konkrete për plotësimin e kuadrit ligjor që garanton mbrojtje më të madhe për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, siguri më të lartë në vendin e punës, mbështetje të plotë shëndetësore e sociale dhe trajtim dinjitoz për familjet e tyre kur ata sakrifikojnë jetën në shërbim të Republikës.

    “BSPK do të qëndrojë përkrah Sindikatës së Policisë së Kosovës në çdo nismë që synon mbrojtjen e të drejtave, të dinjitetit dhe të sigurisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Mbrojtja e policit nuk është privilegj, ajo është detyrim i shtetit. Se vetëm polici i mbrojtur mund ta mbrojë me dinjitet qytetarin, ta mbrojë ligjin dhe kësisoj ta mbrojë vetë shtetin”.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për zjarrvënie në Drenas

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për zjarrvënie në Drenas

    Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Drenas, me autorizim nga prokuroria kompetente, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët.

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një personi të dyshuar, i cili shihet në fotografinë e siguruar nga autoritetet (e bashkangjitur në njoftimin zyrtar).

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky person kërkohet për përfshirje në veprën penale “Zjarrvënie”.

    Për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit të dyshuar, ju lutemi të kontaktoni menjëherë Policinë e Kosovës përmes këtyre kanaleve: Telefon: 192 dhe E-mail: [email protected]

    Policia falënderon paraprakisht qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në rritjen e sigurisë publike dhe zbardhjen e këtij rasti.

  • Përplasja me policinë para kuvendit, dalin pamjet e arrestimit të Dritan Goxhaj

    Përplasja me policinë para kuvendit, dalin pamjet e arrestimit të Dritan Goxhaj

    Dritan Goxhaj ndërkohë që ishte i shoqëruar nga policia gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit ka folur duke thënë se “këta janë provokatorët e Ramës”.

    I pyetur nga gazetarët për arsyen e shoqërimit, Goxhaj, ndërsa ndodhej me pranga dhe i shoqëruar nga dy efektivë policie, deklaroi: “Për arsye se i thosha protestuesve ‘jo me policinë’. Këta janë provokatorët e Ramës.”

    Shoqërimi i tij ndodhi gjatë tensioneve të krijuara jashtë Parlamentit, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

    Pas shoqërimit të Goxhajt dhe një personi tjetër, protestuesit kanë marshuar drejt drejtorisë së Policisë Tiranë për të kërkuar lirimin e tyre.