ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Paga minimale që nga sot 500 euro, përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat

    Kurti: Paga minimale që nga sot 500 euro, përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 500 eurosh, duke e cilësuar këtë si një sukses të qeverisë së tij.

    Ai theksoi se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, ndërsa gjatë mandatit të qeverisë së tij, sipas tij, ajo është rritur katër herë, nga 130/170 euro në 250 euro, më pas në 350, 425 dhe tashmë në 500 euro.

    Kurti u shpreh se nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat, duke shtuar se me qeverisjen e tij është arritur trefishimi i pagës minimale.

    “Pra, për më shumë se një dekadë para qeverisjes tonë paga minimale ishte e ultë dhe e pandryshueshme. Ndërkaq për më pak se gjysmë dekade me ne, kemi trefishim të pagës minimale. Rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Republikës sonë do ta përcjellim gjithnjë me shtim të mirëqenies për të gjithë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Djali i Jakup Krasniqit: Vërtet na janë vjedhur 2049 ditë, por nuk do të mund të na e vjedhin kurrë të vërtetën

    Djali i Jakup Krasniqit: Vërtet na janë vjedhur 2049 ditë, por nuk do të mund të na e vjedhin kurrë të vërtetën

    Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi ka reaguar përmes Facebook rreth mbajtjes në Hagë të ish-ushtarëve të UÇK-së.

    Përmes një postimi në Facebook, deputeti i PDK-së tha se nga 4 nëntori i vitit 2020 kanë kaluar 2049 ditë.

    Ai i cilësoi këto ditë si ‘të vjedhura’, teksa shtoi se pritjes po i vie fundi.

    “Vertet na jane vjedhur 2049 dite, por nuk do të mund të na e vjedhin kurrë të vërtetën. E ndersa pritjes po i vie fundi, kam vetem nje gje per te thene: Çlirimtarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten heronj”, ka shkruar ai.

  • Ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj gruas së tij, arrestohet burri në Klinë

    Ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj gruas së tij, arrestohet burri në Klinë

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar një person në Klinë, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj gruas së tij.

    Në raport shtohet edhe se, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe se, pas intervistimit ajo është dërguar te familja e saj.

    ‘’DHUNË NË FAMILJE

    Klinë 30.06.2026 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij. Si pasojë e dhunës, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit është dërguar te familja e saj, kurse i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt’’, thuhet në raport.

  • Tërmet mes Kosovës dhe Serbisë, njoftohet për magnitudë prej 3.8 ballë

    Tërmet mes Kosovës dhe Serbisë, njoftohet për magnitudë prej 3.8 ballë

    Një tërmet me magnitudë 3.8 ka lëkundur Kosovën pak minuta më parë.

    Sipas të dhënave të EMSC-së, tërmeti ishte me magnitudë 3.8 dhe u regjistrua në orën 09:46.

    Epiqendra ishte në rajonin kufitar mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, rreth 9 kilometra në jug të Leskovacit, në jug të Serbisë, ndërsa thellësia e tij ishte 5 kilometra.

    Lëkundjet janë ndier edhe në disa pjesë të Kosovës. Deri më tani nuk ka raportime për dëme materiale apo persona të lënduar.

  • Grabitën me thikë dy braziliane dhe një rumun, arrestohen dy persona në Prishtinë

    Grabitën me thikë dy braziliane dhe një rumun, arrestohen dy persona në Prishtinë

    Në rrugën “Ymer Aliu” në Prishtinë, të martën rreth orës 22:20, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin për grabitje.

    Sipas policisë, të dyshuarit, nën kërcënimin e thikës, u kishin marrë tre viktimave, dy femrave braziliane dhe një mashkulli rumun dy telefona celularë, 1500 euro dhe disa bizhuteri, para se të largoheshin në drejtim të panjohur.

    Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar dy telefonat e grabitur, një pjesë të parave, bizhuteritë si dhe dy thika që dyshohet se janë përdorur në rast.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • MINT publikon çmimet e derivateve për sot, nafta 1.39 euro për litër

    MINT publikon çmimet e derivateve për sot, nafta 1.39 euro për litër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për sot.

    Sipas vendimit të MINT-it, çmimet maksimale janë:

    Nafta (dizel): 1.39 euro për litër

    Benzina: 1.35 euro për litër

    Gasi: 0.68 euro për litër

    Ministria ka bërë të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

    Qytetarëve u bëhet thirrje që çdo ankesë lidhur me zbatimin e çmimeve t’i adresojnë në adresën elektronike [email protected] ose përmes numrit pa pagesë 0800 11000.

  • Kurti: Kosova mirënjohëse për SHBA-në dhe aleancën e pazëvendësueshme

    Kurti: Kosova mirënjohëse për SHBA-në dhe aleancën e pazëvendësueshme

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar kontributin amerikan në lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.

    Në një postim pas pjesëmarrjes në shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Kurti ka përkujtuar vlerat themelore të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së.

    “Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit,” ka shkruar Kurti.

    Ai theksoi se populli i Kosovës për një kohë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta, ndërsa ka shtuar se përvoja e Kosovës është e lidhur ngushtë me mbështetjen amerikane.

    “Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane,” ka deklaruar ai.

    Kurti gjithashtu u shpreh mirënjohës për SHBA-në, duke theksuar se Kosova mbetet falënderuese për “ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme” me Shtetet e Bashkuara.

  • Zjarr në Prishtinë, nuk raportohet për të lënduar

    Zjarr në Prishtinë, nuk raportohet për të lënduar

    Sot rreth orës 06:00 është raportuar për një zjarr në rrugën “Sylejman Vokshi” në Prishtinë.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana.

    Sipas tij, policia menjëherë pas pranimit të informatës ka dalë në vendin e ngjarjës, si dhe ekipet e zjarrfikësve të cilat kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

    “Rreth orës 06:00, është raportuar për një zjarr në rrugën ‘Sylejman Vokshi’ në Prishtinë. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilat kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Sipas informacioneve fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa si pasojë e zjarrit janë dëmtuar dy vetura”, tha Pllana.

    Aktualisht, hetuesit policorë janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

  • Nis faza vendimtare për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, paneli i KPK-së harton pyetjet

    Nis faza vendimtare për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, paneli i KPK-së harton pyetjet

    Paneli Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka filluar përgatitjen e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve për këtë pozitë.

    Paneli, i kryesuar nga Arian Gashi dhe i përbërë nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati, po e zhvillon këtë proces në prani të monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës dhe besueshmërisë.

    Sipas njoftimit, “tre orë para fillimit të intervistave, Paneli Vlerësues është duke përgatitur pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit”.

    Intervistat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit pritet të fillojnë në ora 11:00. Në garë janë pesë kandidatë, mes tyre prokurorë nga departamente të ndryshme të Prokurorisë Speciale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në lidhje me procesin, kryesuesi i Panelit Vlerësues, Arian Gashi, ka theksuar se “procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke siguruar trajtim të barabartë për secilin kandidat.”

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të informojë opinionin publik dhe mediat për ecurinë e procesit, duke theksuar përkushtimin ndaj parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë dhe integritetit institucional.

  • Kurti: Këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, i erdhi ndihma amerikane

    Kurti: Këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, i erdhi ndihma amerikane

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mori pjesë në kremten e djeshme të Ambasadës së SHBA-së, për nder të 250-vjetorit të pavarësisë.

    Duke ndarë fotografi nga pritja dhe nën shoqërinë e të ngarkuarës me punë në ambasadë, Anu Prattipati, Kurti shkroi se jetësimi i vlerave të jetës, lirisë dhe lumturisë së popullit tonë, janë të lidhura me SHBA-në.

    “Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme”, shkroi Kurti.

    Postimi i plotë:

    250 vjet!

    Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit.

    Derisa bota e civilizuar është frymëzuar nga këto vlera, populli ynë për kohë shumë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta. E në këtë mes, përjetimi ynë është unik sepse për ne jetësimi i këtyre vlerave dhe të drejtave është i lidhur ngushtë me ShBA-të. Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane.

    Mbrëmë isha i nderuar të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së ShBA-ve në ambasadën amerikane në kryeqytetin e Republikës sonë. Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme.”