ATV

Category: Lajme

  • Vrasja e Triumf Rizës, i akuzuari Rrahim Abdullahu deklarohet i pafajshëm

    Vrasja e Triumf Rizës, i akuzuari Rrahim Abdullahu deklarohet i pafajshëm

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, këtë të premte, i akuzuari Rrahim Abdullahu është deklaruar i pafajshëm për akuzën se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Ilir Abdullahun, kanë vrarë ish-policin Triumf Riza.

    Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas njoftimit të kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, i cili njoftoi se është bërë bashkimi i procedurës për të njëjtin me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Tutje, seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse, nga palët në këtë procedurë.

    Prokurorja e rastit Arberesha Raça – Shala, deklaroi se Prokuroria Speciale konsideron dhe është fuqishëm e bindur se me provat që do administrohen në procedurë penale do të vërtetohet në tërësi ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës gjendja faktike dhe gjendja juridike, përkatësisht përcaktimi ligjor i veprës penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

    “Andaj, konsideroj që pas mbajtjes së seancave të shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të provave materiale, gjykata do merr vendim me të cilin të pandehurit do t’i shqiptoj sanksionin penal të parashikuar në Kodin Penal”, tha prokurorja Shala.

    Edhe babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza, në fjalën hyrëse theksoi se dy të akuzuarit ishin persona recidivist dhe sipas tij e kishin përcjellë djalin e tij, tani të ndjerin Trium Riza.

    Fjalën hyrëse para trupit gjykues e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Abdullahu, avokati Ramë Dreshaj, i cili ndër të tjera theksoi se konsideron se me administrim të provave të propozuara nga prokuroria, kur të analizohen nga trupi gjykues do të sjellin një vendim jo tjetër por lirues, nga fakti se aktakuza sipas tij është në ‘këmbët e qelqit’.

    “Mund të deklaroj lirshëm se kjo aktakuzë është e përpiluar në bazë të thashethemeve”, tha ai

    Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Rrahim Abdullahu, avokati Xhemajl Ademi deklaroi se aktakuza nuk ka mbështetje në prova të ligjshme dhe se e njëjta sipas tij është e ndërtuar mbi bazën e deklaratave të dëshmitarëve që disa herë i kanë ndryshuar.

    Ndërsa, vetë i akuzuari Rrahim Abdullahu deklaroi se pajtohet me deklarimet e mbrojtësit të tij, duke shtuar ndër të tjera se me tani të ndjerin Triumf Rizën nuk kishe pasur punë asnjëherë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

    Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

    Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

    Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

    Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

    Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

    Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

    Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

    Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.

  • 12 të vrarë në sulmet në Ukrainë ndërsa Shtëpia e Bardhë i kërkon Zelenskyt të arrijë marrëveshje për mineralet

    12 të vrarë në sulmet në Ukrainë ndërsa Shtëpia e Bardhë i kërkon Zelenskyt të arrijë marrëveshje për mineralet

    Dymbëdhjetë civilë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën gjatë ditës së kaluar në sulmet ruse, sipas zyrtarëve ukrainas.

    Dhjetëra shtëpi u dëmtuan dhe infrastruktura u godit në rajonet Donetsk, Kherson, Nikopol dhe Zaporizhzhia, thonë zyrtarët lokalë.

    Ndërkohë Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të arrijë një marrëveshje për aksesin e SHBA-së në mineralet kritike të Ukrainës në këmbim të ndihmës, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Shtetet e Bashkuara po kundërshtojnë ta quajnë Rusinë “agresore” në një deklaratë të G7 për të shënuar përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës, thonë raportet.

  • Të hënën bllokohet përsëri rruga Kijevë-Dollc, realizohet minimi i tetë

    Të hënën bllokohet përsëri rruga Kijevë-Dollc, realizohet minimi i tetë

    Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se të hënën në trasen e zgjerimit të rrugës nacionale N9.1 Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc do të realizohet minimi i masave shkëmbore.

    Për këtë, do të bëhet ndërprerja e qarkullimit të trafikut nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik, nga ora 15:00 deri në pastrimin dhe hapjen e rrugës.

    “Ju njoftojmë më 24.02.2025 E hënë), në trasen e Zgjerimit të Rrugës Nacionale N9, Segmenti Kijevë-Dollc LOT-3, do të realizohet minimi Nr.8  i masave shkëmbore per zgjerimin e rrugës. Me këtë rast do të bëhet ndërprerja e qarkullimit të trafikut nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik. Ndërprerja e trafikut do të bëhet në intervalin kohorë: nga ora 15:00 deri në pastrimin dhe hapjen e rrugës”, thuhet në njoftim.

  • “Ushtrim i ndikimit”, paraburgim ndaj të dyshuarit në Ferizaj – kërkoi 40 mijë euro që të ndikojë në vendimmarrjen e zyrtarëve

    “Ushtrim i ndikimit”, paraburgim ndaj të dyshuarit në Ferizaj – kërkoi 40 mijë euro që të ndikojë në vendimmarrjen e zyrtarëve

    Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën ushtrimi i ndikimit.

    Gjykata bën të ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Sahit Krasniqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 17 mars 2023 në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejt A.L ka kërkuar para për vete që të ushtroj ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.

    “…në atë mënyrë që pas arrestimit të të pandehurit E.S., dhe caktimit të paraburgimit nga ana e gjykatës, është takuar me vëllain e të pandehurit G.Z., prej të cilit ka kërkuar 40.000 euro para, që të ushtroj ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtar, gjyqtar e prokuror për ta liruar nga paraburgimi të pandehuri E.S., i cili gjendej në Q.P.Gj sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar se do të ketë kryer veprën penale ‘fajdeja’, ‘shmangia nga tatimi’”, thuhet në njoftim.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

    Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/

  • ​Sot përfundon numërimi i votave për deputetë në Prishtinë

    ​Sot përfundon numërimi i votave për deputetë në Prishtinë

    Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.

    Ky proces në sallën “1 Tetori” në kryeqytet, pritet të përfundojë sot. Ndërkohë që janë bërë dhjetë ditë prej kur ka nisur procesi i numërimit të votave në ketë qendër komunale.

    Pas numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në QNR do të nis numërimi i votave me kusht, të diasporës dhe atyre me nevoja të veçanta.

    Nga 258 kuti të votimit të rregullta, 13 janë në proces të numërimit, gjashtë janë të papërfunduara edhe shtatë tjera janë në proces të numërimit.

    Këto informacione i ka bërë të ditura kryesuesja e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtinë, Fatmire Bajrami. Sipas saj, gjithçka po vijon sipas procedurave të miratuara nga KQZ dhe se nuk ka parregullsi dhe shpërputhje nga vendvotimet nga ekipet në QKN.

  • Hasani në takim me Berset kërkon anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Hasani në takim me Berset kërkon anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka mirëpritur në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, me të cilin ka biseduar mbi integrimin e Shqipërisë, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, mbështetjen ndaj Ukrainës dhe anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Në lidhje me këtë të fundit, Hasani ka nënvizuar se anëtarësimi duhet të ndodhë sa më shpejt, ndërsa garantoi mbështetjen e Shqipërisë në këtë proces.

    “I lumtur të mirëprisja sot Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, një vizitë veçanërisht simbolike pasi viti 2025 përkon edhe me 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

    Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e saj për Ukrainën.

    Gjithashtu gjeta rastin t’i nënvizoj Berset se anëtarësimi mëse i merituar i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj saj, duke e parë si një pikë kyçe për stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Hasani.rtsh

  • Policia parandalon një rast të kontrabandës në Han të Elezit

    Policia parandalon një rast të kontrabandës në Han të Elezit

    Njësitë patrulluese të Policisë Kufitare nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare, Hani i Elezit, kanë parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Sipas njoftimit të policisë bëhet e ditur se rreth orës 03:20 të mëngjesit, njësitë patrulluese kanë arritur të lokalizojnë dhe ndalojnë tri automjete në fshatin Seqishtë, Han i Elezit, me të cilat po kryhej kontrabanda e mallrave.

    “Gjatë kontrollit, në këto automjete janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme komerciale, përfshirë veshmbathje, bizhuteri, aksesorë, mjete pune dhe shumë artikuj të tjerë, të cilët dyshohet se po kontrabandoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.

    Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar tre persona të dyshuar: M.B., 23 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut, A.N., 32 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe I.L., 19 vjeç, shtetas i Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa mallrat e kontrabanduara dhe automjetet janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor në Han të Elezit.

    “Policia Kufitare vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke siguruar një kufi të sigurt dhe të kontrolluar”, thuhet në njoftim.

  • Ministri Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Tajvan

    Ministri Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Tajvan

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po merr pjesë në Forumin e Sigurisë të zhvilluar në Taipei të Tajvanit.

    Maqedonci mori pjesë në panelin e titulluar “Partneriteti = Demokracia”.

    “Së bashku me Dr. Tamara Wittes, Presidente e ‘National Democratic Institute’, si dhe Jack McCain nga ‘McCain Institute’, bashkëbiseduam për mjedisin global të sigurisë, kërcënimet ndaj vlerave demokratike dhe rrugën përpara në fuqizimin e partneritetit ndërmjet vendeve demokratike të botës.

    Para audiencës, në Taipei prezantova për progresin Republikës së Kosovës në ndërtimin e një demokracie funksionale, ndërsa theksova faktin që ky progres është rezultat i partneritetit të shtetit tonë me vendet e botës demokratike, që na kanë dhënë përkrahje”, shkruan Maqedonci.

    Ai theksoi se ruajta e vlerave demokratike përballë ngritjes së regjimeve autokratike nëpër botë, e ka të domosdoshme kultivimin e partneritet dhe aleancave mes shteteve që besojnë te demokracia dhe gjithë çfarë përfaqësojnë shoqërinë demokratike. /Telegrafi/

  • Sulmi ndaj prokurorit Buzhala, Prokuroria kërkon paraburgim për dyshuarin

    Sulmi ndaj prokurorit Buzhala, Prokuroria kërkon paraburgim për dyshuarin

    Gjatë ditës së djeshme është sulmuar fizikisht prokurori në Prokurorinë Themeloren në Pejë, Ramiz Buzhala.

    Për rastin, Prokuroria Themelore në Pejë është duke përpiluar kërkesën për caktim të masës së paraburgimit për të dyshuarin, i cili që gjatë marrjes në pyetje në prokurorin e shtetit, ka fyer dhe kërcënuar prokurorin Buzhala.

    “Është duke u përpiluar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit që ka kanosur dje gjatë punës zyrtare prokurorin e shtetit”, ka thënë Shkodran Nikçi për Insajderin.

    Rasti është raportuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti gjatë marrjes në pyetje në prokurorin e shtetit, ka fyer dhe kërcënuar prokurorin dhe bashkëpunëtorin e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”, bënte me dija Policia.

    Ky sulm është dënuar nga KPK dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

  • Mbyllen katër Qendra serbe për punë sociale në veri, dyshohet se “shkelën vullnetin e votuesve”

    Mbyllen katër Qendra serbe për punë sociale në veri, dyshohet se “shkelën vullnetin e votuesve”

    Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion ku i ka mbyllur objektet e Qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb. Kjo ka ardhur për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

    Policia ka thënë përmes një njoftimi se është duke kontrolluar objektet e kësaj Qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – pasi ka dyshime për “veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se është duke u zhvilluar një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.

    “Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, ka thënë Elshani.

    Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

    Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.