ATV

Category: Lajme

  • Hajnat vjedhin 20 mijë euro në një shtëpi në Graçanicë

    Hajnat vjedhin 20 mijë euro në një shtëpi në Graçanicë

    Një burrë ka raportuar në polici, se persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e tij në Graçanicë ku dhe dyshohet se kanë vjedhur 20 mijë euro të gatshme dhe një revole me leje.

    Policia ende nuk ka arrestuar të dyshuarit, derisa rasti është duke u hetuar.

    “Ankuesi mashkull  kosovar, ka njoftuar se persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e tij dhe nga aty kanë vjedhur 20.000 euro para kesh dhe një revole me leje. Njësitet përkatëse kanë dalë në vend ngjarje. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.

  • Plagosja në Prishtinë, dy të dyshuarit mbeten në arrati

    Plagosja në Prishtinë, dy të dyshuarit mbeten në arrati

    Një incident i rëndë u shënua orët e mbrëmjes e së premtes në lagjen Dardania në Prishtinë, ku pas disa të shtënave me armë, një person mbeti i plagosur. I njëjti u dërgua në QKUK për tretman mjekësor, ku po vazhdon trajtimin e tij.

    Policia rastin e ka cilësuar si “Vrasje në tentativë”, teksa ka bërë të ditur se të dyshuarit janë dy persona të panjohur të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

    Ndërkohë për rastin, dhanë detaje edhe nga Klinika Emergjente e QKUK-së, ku është bërë e ditur se personi i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

    Sipas mjekut kujdestar, Agron Çitaku, atij i janë pastruar katër plaga që ka marrë nga arma dhe më pas është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Ortopedisë, në QKUK.

  • Përfundon procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, KQZ-ja del me njoftim

    Përfundon procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, KQZ-ja del me njoftim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave është përmbyllur në të gjitha qendrat e numërimit.

    Në njoftim thuhet se KQZ ka deklaruar se është ofruar transparencë të plotë të procesit të numërimit duke prezantuar në ekrane punën e çdo ekipi të numërimit, përfshirë pamjen e fletëvotimeve të plotësuara në vendvotime nga votuesit dhe krijimin e formularëve digjital.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të premtën në mbrëmje, më 21 shkurt 2025, është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime më 9 shkurt 2025. Në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar transparencë të plotë të procesit të numërimit duke prezantuar në ekrane punën e çdo ekipi të numërimit, përfshirë pamjen e fletëvotimeve të plotësuara në vendvotime nga votuesit dhe krijimin e formularëve digjital. Gjatë kësaj periudhe, numri i vendvotimeve të rregullta që janë numëruar është 2,533, në të cilat më 9 shkurt 2025 janë mbajtur Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Gjatë kësaj kohe, KQZ ka bërë të ditur se të bëjë edhe përditësimin në faqen e tyre zyrtare https://rezultatet2025.net/
  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me acar të fortë në orët e mëngjesit.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugut, me shpejtësi prej 8-26 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -13 deri në -7°C, ndërsa ato maksimale prej 5 deri në 8°C.

  • Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për një person të plagosur

    Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për një person të plagosur

    Një person dyshohet të ketë mbetur i plagosur, si pasojë e disa të shtënave me armë zjarri, në lagjen Dardania në Prishtinë, mbrëmjen e së premtes.

    Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po heton rastin.

    Lajmi në përditësim…

  • Bie numri i përfituesve të ndihmës sociale në Kosovë, shtohen pensionistët e moshës

    Bie numri i përfituesve të ndihmës sociale në Kosovë, shtohen pensionistët e moshës

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mbi Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin janar 2025, duke evidentuar ndryshime në numrin e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale krahasuar me një vit më parë.

    Sipas të dhënave të ASK-së, numri i përfituesve nga ndihma sociale ka shënuar rënie prej 11.4% krahasuar me janarin e vitit 2024.

    Po ashtu, ka pasur ulje të përfituesve nga disa skema pensionale, duke përfshirë:

    Pensionet e Trepçës – ulje prej 20.5%
    Pensionet invalidore – ulje prej 17.0%
    Pensionet familjare – ulje prej 6.3%
    Kompensimi për personat e verbër – ulje prej 3.1%
    Pensionet për veteranët e luftës – ulje prej 1.8%
    Pensionet për personat me aftësi të kufizuara – ulje prej 1.3%

    Në anën tjetër, disa skema kanë shënuar rritje të përfituesve, përfshirë:

    Ndihma financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara – rritje prej 17.7%
    Pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) – rritje prej 11.6%
    Pensionet për paraplegjikët dhe tetraplegjikët – rritje prej 8.3%
    Kompensimi për punëtorët e arsimit të viteve 1990-1999 – rritje prej 4.7%
    Pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) – rritje prej 3.9%
    Pensionet bazike të moshës – rritje prej 3.8%

    Ky raport reflekton ndryshimet në trendet sociale dhe ekonomike të vendit, duke sjellë në vëmendje uljen e mbështetjes për disa kategori dhe rritjen e ndihmës për grupet në nevojë./Telegrafi/

  • BE-ja do të pezullojë sanksionet ndaj Sirisë

    BE-ja do të pezullojë sanksionet ndaj Sirisë

    Bashkimi Evropian do të pezullojë javën e ardhshme sanksionet ndaj sistemit bankar të Sirisë, sektorëve të energjisë dhe transportit, thanë diplomatët. Ky vendim po bëhet për të ndihmuar në rindërtimin e shtetit pas rrëzimit nga pushteti të Bashar al-Assadit.

    Sundimtarët e rinj të Sirisë kanë kërkuar që Perëndimi të lehtësojë sanksionet ndaj shtetit, që u vendosën për të shënjestruar regjimin e Assadit gjatë luftës civile siriane.

    Por, Evropa dhe fuqitë e tjera kanë hezituar që të bëjnë lëvizje në këtë drejtim pa marrë sinjale të qarta nga sundimtarët e rinj islamistë në Damask nëse ata janë seriozë që të bëjnë një tranzicion gjithëpërfshirës.

    Hapi që pritet të marrë dritën e gjelbër gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel është lëvizje formale, pasi muajin e kaluar blloku u pajtua që të pezullojë sanksionet në fusha kyç.

    Diplomatët thanë më 21 shkurt se sanksionet mund të rivendosen nëse sundimtarët e rinj të Sirisë shkelin premtimet për të respektuar të drejtat e minoriteteve dhe bëjnë kthim prapa në demokraci.

    Kombet e Bashkuara thanë një ditë më parë se me ritmet aktuale të rritjes, Sirisë do t’i duhen më shumë se 50 vjet që të kthehet në nivelin ekonomik që kishte para se të niste lufta civile.

    Shumica e infrastrukturës së Sirisë është shkatërruar dhe ekonomia është shkatërruar po ashtu për shkak të viteve të izolimit ndërkombëtar, pas shtypjes që i bëri Assadi më 2011 opozitës, gjë që nxiti luftën civile, raporton REL.

    BE-ja dhe fuqitë e tjera ndërkombëtare po përpiqen që të kenë ndikim në Siri pas rrëzimit të Assadit, i cili ishte mbështetur nga Rusia dhe Irani.

  • KQZ: Javën e ardhshme nis numërimi i votave të diasporës dhe ato me kusht

    KQZ: Javën e ardhshme nis numërimi i votave të diasporës dhe ato me kusht

    Një proces tjetër numërimi do të nisë gjatë javën që vjen, por tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Fjala është për numërimin e votave me kusht e atyre të ardhura nga jashtë.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pas përfundimit të të gjitha procedurave, që janë skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht, vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës.

    Njoftoi se, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

    I pyetur për procedurat tjera, pas përfundimit të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit, tregoi, materialet zgjedhore të vendvotimeve, ku bëjnë pjesë edhe lista e votuesve në të cilën janë nënshkruar qytetarët që kanë votuar, dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    “Një nga punët që bëhet në këtë qendër është edhe skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2 mijë e 533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve. Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”, sqaroi ai.

    Tutje, Elezi ka treguar se cilat aktivitete po zhvillohen aktualisht nga KQZ-ja.

    “Aktualisht, KQZ është duke bërë vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës. Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48,018 pako, prej të cilave janë aprovuar 45,004, ndërkaq janë refuzuar 3,014. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit, janë dërguar më shumë se një herë, kanë dërguar më shumë se një fletëvotim, etj”, vijoi tutje Elezi për RTKlive.

    Tregoi se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 20 mijë e 938 pako me fletëvotime.

    “Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara. Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike. Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”.

  • Konjufca priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

    Konjufca priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Kryetari Konjufca e falënderoi ambasadorin Hargreaves për vizitën e tij dhe u shpreh se Mbretëria e Bashkuar mbetet një aleat kyç për Kosovën, në aspiratat e saj të integrimeve dhe zhvillimit të gjithanshëm, e në të njëjtën kohë edhe në rrafshin gjeopolitik.

    Në këtë kuadër, bashkëbiseduesit folën edhe për çështjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, por edhe për atë në nivel më të gjerë.

    Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe rreth situatës paszgjedhore në Republikën e Kosovës, nga e cila vijohet me formimin e qeverisë dhe legjislaturës së ardhshme, duke marrë përsipër synimet dhe interesat e vendit tonë.

  • Kurti takoi Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe

    Kurti takoi Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

    Bashkë diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet e fundit në vend. Në mesin e temave të takimit ishin mbarëvajtja e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe përmbyllja e procesit zgjedhor.

    Kryeministri falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin dhe rolin e tij në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në fusha të ndryshme e me interes të përbashkët.

    Gjatë bisedës, kryeministri gjithashtu theksoi takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, me të cilin kishin diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral Kosovë-Turqi, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.