ATV

Category: Lajme

  • 2558 gjoba trafiku për 24 orë

    2558 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve janë shqiptuar 2558 gjoba në trafik, raporton EO.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 26 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 28 me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 19 persona, ndërkaq 13 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Rama: Sakrifica e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, themel i lirisë që gëzojmë sot

    Rama: Sakrifica e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, themel i lirisë që gëzojmë sot

    Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27 vjetorit së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të gjitha shkollat e vendit ora e parë mësimore i është kushtuar kësaj ngjarje historike.

    Në kuadër të kësaj, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, dhe udhëheqësi i Sektorit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, Sylë Vitia, kanë mbajtur ligjëratë me nxënës në shkollën fillore “Shkëndija”.

    Kryetari Rama në këtë ligjëratë foli për rendësinë e Epopesë së UÇK-së, sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij si dhe për përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

    “Duke ju falënderuar UÇK-së, komandantit legjendar Adem Jashari sakrificës së madhe të tij, të gjithë familjes Jashari dhe të gjithë burrave e grave tjerë që kanë luftuar ne sot gëzojmë lirinë. Lufta jonë është e drejtë ku na janë bashkuar edhe forcat e tjera të NATO-së. Ata kanë parë që UCK-ja këtë luftë e kanë bërë të drejtë, luftë për lirin, pavarësinë, luftë për të folur gjuhen tonë. Edhe është çliruar vendi ynë dhe kemi krijuar shtetin tonë, pastaj është shpallur pavarësia e Kosovës”, ka thënë ai.

    Vitia në këtë ligjëratë foli për motivet që kanë shtyrë atë t’i bashkohet UÇK-së, i cili shtoi se për të periudha e luftës është periudha me e shenjtë e jetës së tij.

    “Motivi ka qenë liria, arsyeja pse kemi ardhur deri të motivi për të marr pjesë në luftë kanë qenë të shumta, padrejtësitë që na janë bërë, shtypja, represioni, na janë ndalur shkollat. Krejt këto padrejtësi, ato vrasje, ato masakra që kanë ndodh me kanë shtyrë që të bëhem pjesë e UÇK-së. Ajo është periudha më e shenjte e jetës sime, edhe po ti kisha 20 jetë mendoj që nuk do të përjetoja një periudhë me të shenjtë”, ka thënë ai.

  • Arrestohen dy të dyshuar për grabitje të armatosur në Ferizaj

    Arrestohen dy të dyshuar për grabitje të armatosur në Ferizaj

    Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për grabitje të armatosur në Ferizaj.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën, kurse të dyshuarit u arrestuan dje.

    “Ferizaj / 03.03.2025 – 18:15. Lidhur me rastin, si rezultat i angazhimeve policore, më 04.03.2025, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Trump: Do ta kthejmë Kanalin e Panamasë dhe do ta marrim Grenlandën

    Trump: Do ta kthejmë Kanalin e Panamasë dhe do ta marrim Grenlandën

    Presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë një fjalimi maratonik në Kongres se Amerika do ta kthejë Kanalin e Panamasë, do të pushtojë Grenlandën dhe do të vendosë një flamur në Mars.

    Trump premtoi se ShBA-ja do ta rimarrë Kanalin e Panamasë.

    “Administrata ime do ta rimarrë Kanalin e Panamasë dhe ne veçse kemi filluar të punojmë për këtë. Vetëm sot, një kompani e madhe amerikane njoftoi se po blen të dy portet përreth Kanalit të Panamasë.”

    Nëse kjo shitje do të miratohet, mbetet për t’u parë.

    Presidenti panamez Jose Raul Mulino ka thënë vazhdimisht se kanali nuk është në shitje.

    “Kanali është dhe do të mbetet panamez dhe administrata e tij do të mbetet nën kontrollin panamez për sa i përket neutralitetit të përhershëm”, tha Mulino në janar të këtij viti.

    Trump përmendi edhe Grenlandën.

    “Unë kam gjithashtu një mesazh sonte për njerëzit e mrekullueshëm të Grenlandës: Ne mbështesim fuqimisht të drejtën tuaj për të përcaktuar të ardhmen tuaj. Dhe nëse zgjidhni, ne ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Trump.

    Ai tha se Amerika ka nevojë për Grenlandën “për sigurinë kombëtare dhe sigurinë ndërkombëtare”.

    “Mendoj se do ta arrijmë. Në një mënyrë apo tjetër, do ta arrijmë”, tha Trump.

    Trump foli edhe për dëshirën e tij për të nisur një “epokë të artë” të re dhe për të “vendosur flamurin amerikan në Mars”.

  • 27 vjetori i Epopesë, Abdixhiku: Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re

    27 vjetori i Epopesë, Abdixhiku: Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së përkujton sakrificën sublime të familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri.

    Në shkrimin e tij thotë se 27 vjet më parë, Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re.

    “Pikërisht më 5 mars të vitit 1998, forcat policore serbe rrethuan familjen Jashari. Qëndresa e tyre përballë këtyre forcave serbe ishte e pakapërsyeshme, e papërsëritshme. Ajo i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për çlirim!”.

    Ai thekson se sakrifica e familjes Jashari, të prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, është vetë themeli i lirisë të Kosovës, prandaj dhe nuk mund të përshkruhet vetëm me fjalë.

    “Ata u bënë heronjtë tanë, të cilët jo vetëm që luftuan për lirinë e atdheut, por dhanë jetën për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vinin. Vlera e sakrificës së familjes Jashari është e papërsëritshme, unikate, dhe e tillë do të mbetet, e përjetshme në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar”.

    “Pra të kujtosh e shënosh përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës, si dhe përpjekjes së popullit tonë për liri”.

    Abidixhiku tutje thotë se datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri dhe çlirim.

    “Rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, bashkë me Shaban e Hamëz Jasharin si dhe 56 anëtarëve të familjes, ishte kushtrim për tërë popullin, si dhe këmbanë për luftën e përpjekjen e popullit drejt lirisë. Familja Jashari është shembulli më i pastër i asaj që mund të bëjë një popull për lirinë e tij.

    Në këtë ditë, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kujtojmë me krenari dhe nder, të gjithë fëmijët, gratë e burrat që dhanë jetën për lirinë e Kosovës të cilën e gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët anë e kënd Kosovës!”

  • Policia gjermane heton 15 oficerë në skandalin e bisedave raciste në internet

    Policia gjermane heton 15 oficerë në skandalin e bisedave raciste në internet

    15 policë aktivë dhe në pension të Hamburgut janë nën hetim disiplinor për ndarjen e mesazheve raciste dhe pro-naziste në bisedat në internet.

    Pas miratimit të gjykatës, njësia e punëve të brendshme e Departamentit të Policisë së Hamburgut kreu bastisje të njëkohshme në shtëpitë dhe vendet e punës të gjashtë oficerëve aktivë, si dhe në shtëpitë e tre oficerëve në pension.

    Hetuesit sekuestruan në cilësinë e provës pajisje të shumta elektronike.

    Shtatë punonjës të policisë janë pezulluar nga detyra, u janë konfiskuar stemat e shërbimit dhe armët dhe nuk lejohen të hyjnë në objektet e policisë pa arsye të vlefshme.

    “Ne do t’i hetojmë tërësisht këto akuza dhe do të marrim të gjitha masat e nevojshme disiplinore. Çdo formë diskriminimi, glorifikimi i dhunës apo ksenofobia nuk do të pranohet në Policinë e Hamburgut. Policia e Hamburgut qëndron për vlerat e kushtetutës sonë”, tha kreu i policisë së Hamburgut, Falk Schnabel.

    Hetimi rrjedh nga dy raste të veçanta që përfshijnë oficerë të moshës 44 deri në 61-vjeç. Analiza paraprake e bisedave në internet e të dyshuarve zbuloi se ata në biseda private dhe në grup kishin shkëmbyer mesazhe ksenofobike dhe raciste që lavdëronin dhunën dhe në disa raste nacionalsocializmin.

    Schnabel theksoi zero tolerancë të departamentit ndaj ksenofobisë dhe racizmit dhe u bëri thirrje të gjithë oficerëve që të ndërhyjnë në mënyrë aktive sa herë që hasin deklarata në kundërshtim me vlerat demokratike.

    “Për këtë qëllim, viteve të fundit kemi zhvilluar instrumente, përfshirë menaxhimin e ankesave dhe raportimin qendror të ekstremizmit të djathtë, për të hetuar vazhdimisht çdo dyshim. Armiqësia ndaj njerëzimit dhe kushtetutës nuk ka vend tek ne”, tha ai

  • ​Ankandi i tretë i letrave me vlerë mbahet më 12 mars

    ​Ankandi i tretë i letrave me vlerë mbahet më 12 mars

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se më 12 mars 2025 do të mbahet ankandi i tretë për vitin 2025. Në këtë ankand sipas ministrisë do të emetohen Obligacione me maturitet 5 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro.

    Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (5 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi.

    “Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

  • ​Verifikimi i fakteve për fjalimin e Trumpit në Kongres

    ​Verifikimi i fakteve për fjalimin e Trumpit në Kongres

    Presidenti Donald Trump bëri shumë pretendime të pasakta dhe të çorientuara gjatë fjalimit të tij të martën në një seancë të përbashkët të Kongresit. Gënjeshtrat u shtrinë në një gamë të gjerë temash, përfshirë ekonominë, klimën, imigracionin dhe shumë më tepër, raporton CNN.

    Në fjalimin e tij, që zgjati pak më pak se një orë e 40 minuta, Trump gjithashtu bëri disa pretendime të gabuara për paraardhësin e tij, Joe Biden. Ja një verifikim i disa prej deklaratave të Trump-it:

    Trump për Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE)

    Trump pretendoi se Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, iniciativa e udhëhequr nga Elon Musk, ka “gjetur qindra miliarda dollarë” në mashtrime.

    Kjo shifër, e cila nuk është e mbështetur, kërkon kontekst.

    Në ditën kur Trump mbajti fjalimin në Kongres, DOGE pretendoi në faqen e tij të internetit se puna e saj ka kursyer rreth 105 miliardë dollarë për taksapaguesit.
    Por nuk ka ofruar prova për të mbështetur një shifër kaq të lartë.
    DOGE renditi rreth 2,300 kontrata që pretendon se ka anuluar në të gjithë qeverinë federale për një kursim total prej rreth 8.9 miliardë dollarësh. Po ashtu, renditi gati 3,500 grante që pretendon se ka anuluar për një kursim të përgjithshëm prej rreth 10.3 miliardë dollarësh, por nuk ofroi lidhje ose dokumente për këto prerje. Gjithashtu, ajo renditi rreth 660 milionë dollarë në kursime nga anulimi i qirave të qeverisë.

    Shifra e publikuar nga DOGE është prekur nga gabime dhe ka ndryshuar disa herë në javët e fundit për të hequr disa kontrata që ishin identifikuar si të pasakta nga CNN dhe media të tjera – përfshirë një pretendim të mëparshëm se kishte kursyer 8 miliardë dollarë duke anuluar një kontratë që ishte në të vërtetë e vlerësuar deri në 8 milionë dollarë. “Muri i faturave” në faqen e internetit të DOGE përfshinte kontrata që ishin anuluar gjatë administratave të mëparshme presidenciale.

    Musk dhe aleatë të tjerë të Trump-it kanë pretenduar se puna e DOGE është e orientuar për të targetuar shpenzimet, mashtrimet dhe abuzimet. Por DOGE nuk ka publikuar prova që kontratat që ka anuluar ishin mashtruese. Disa nga prerjet janë anuluar pas kritikave.

    Trump për ekonominë

    Pretendimi i presidentit të martën mbrëma se SHBA “do të marrë triliona e triliona dollarë” – një pretendim që ai e ka bërë vazhdimisht në lidhje me planin e tij për të vendosur tarifa mbi importet nga vende të ndryshme, të cilën ai tashmë ka filluar ta bëjë – ka nevojë për kontekst. Tarifat paguhen nga importuesit amerikanë, jo nga eksportuesit e huaj, dhe është e lehtë të gjesh shembuj specifikë të kompanive që kaluan së bashku me koston e tarifave tek konsumatorët amerikanë.

    Trump mbi përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike

    Trump pretendoi se ai e përfundoi “Mashtrimin e Ri të Gjelbër”.

    Ky pretendim është i pasaktë në mënyra të ndryshme. Biden nuk e kaloi “Marrëveshjen e Re të Gjelbër” origjinale, një rezolutë jodetyruese e prezantuar nga demokratët progresivë të Kongresit në vitin 2019 që nuk u kthye kurrë në ligj. Trump nuk e ka përfunduar ende ligjin e madh mjedisor që Biden miratoi, të cilit Trump mund t’i referohet si “Mashtrimi i Ri i Gjelbër”. Trump ka pretenduar më parë se politika kushtonte 9 trilion dollarë, shkruan CNN, përcjell KosovaPress.

    Trump për pikat kufitare dhe emigrantët

    Trump pretendoi se, që kur mori sërish detyrën, ai tashmë ka arritur numrin më të ulët të kalimeve të paligjshme kufitare “të regjistruara ndonjëherë”.

    Ai mund të kishte thënë me saktësi se numri i arrestimeve të Patrullës Kufitare në kufirin jugor në shkurt – muaji i parë i plotë i mandatit të tij të dytë – është më i ulëti në shumë dekada, të paktën nëse është e vërtetë se numri ishte 8,326, siç pretendoi ai në mediat sociale para fjalimit. Por statistikat zyrtare federale tregojnë se kishte më pak takime të Patrullave Kufitare me emigrantë në kufirin jugperëndimor në disa nga muajt e fillimit të viteve 1960.

  • Mbyllet autostrada “Ibrahim Rugova”, rrëshqet dheu në këtë zonë

    Mbyllet autostrada “Ibrahim Rugova”, rrëshqet dheu në këtë zonë

    Për shkak të rrëshqitjes së dheut është mbyllur autostrada “Ibrahim Rugova”, në segmetin e 27-të, në mes të Prizrenit dhe Suharekës.

    Me qëllim të lëvizjes së sigurt të qytetarëve në këtë segment kjo pjesë është bllokuar për qarkullimin e automjeteve deri në pastrimin e dheut të shembur.

    “Ekipet tona të mirëmbajtjes janë në vendin e ngjarjes duke ndërmarrë hapat konkret për lirimin e kësaj pjese të Autostradës në fjalë.

    Lusim të gjithë qytetarët e vendit tonë, që deri në pastrimin e dheut dhe lirimin për qarkullim të këtij segmenti të shfrytëzojnë rrugët alternative.

    Lidhur me pastrimin e dheut nga autostrada do ju njoftojmë me kohë” thuhet në njoftim.

  • Trump nuk tërhiqet nga tarifat, thotë se ShBA-ja është shfrytëzuar për dekada

    Trump nuk tërhiqet nga tarifat, thotë se ShBA-ja është shfrytëzuar për dekada

    Presidenti Trump foli sot për 1 orë e 40 minuta në Kongres lidhur me vizionin e tij mbi ekonominë.

    Në 24 orët e fundit, ai ka vendosur tarifa të reja 25% mbi mallrat nga Kanadaja dhe Meksika dhe ka dyfishuar tarifat mbi produktet kineze në 20%.

    Me këto vende që planifikojnë tarifa reciproke, SHBA po e gjen veten në fillimin e një lufte tregtare.

    Në fjalimin e tij, Trump nuk tërhiqet.

    Ai sulmon BE-në, Indinë, Meksikën dhe Brazilin, duke shtuar se “shumë kombe të tjera” kanë politika tregtare të padrejta ndaj amerikanëve.

    “Kjo po ndodh si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë,” thotë ai, duke theksuar se më 2 prill “tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi”.

    “Çfarëdo që ata të na taksojnë ne, ne do t’i taksojmë ata,” shpjegon ai, duke theksuar se SHBA ka vendosur historikisht tarifa më të ulëta sesa shumë nga partnerët e saj tregtarë.

    “Do të marrim triliona dhe triliona dollarë dhe do të krijojmë vende pune si kurrë më parë”, thotë ai.

    “Na kanë shfrytëzuar për dekada nga çdo vend në Tokë dhe nuk do ta lejojmë më këtë të ndodhë”.