ATV

Category: Lajme

  • Të gjithë në Prekaz, qytetarët e quajnë pikënisje të lirisë

    Të gjithë në Prekaz, qytetarët e quajnë pikënisje të lirisë

    Pikënisje e lirisë. Kështu e konsiderojnë Prekazin, qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare. Për çdo mars, ky fshat pret vizitorë të shumtë të cilët nderojnë heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe familjes së tij, shkruan KosovaPress.

    Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit.

    Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – manifestim që mbledh në Prekaz qytetarë, organizata e përfaqësues të institucioneve, shkruan KosovaPress.

    Qytetarët të cilët bënë homazhe të mërkurën thanë se familja Jashari është ajo që e solli lirinë e Kosovës.

    Në mesin e vizitorëve, ishte edhe Xhevahir Xhemshiti nga Vitia, i cili kishte qenë ushtar i Brigadës 138.

    Xhemshiti, rrëfeu se ditën kur kishte filluar lufta në Drenicë, së bashku me familjen e tij, u nis që të ndihmonte familjen Jashari, por u ndaluan në Prishtinë nga disa persona, shkaku i rrezikshmërisë.

    “Është krenari dhe mërzi, për atë se çka ka ndodhur këtu, por tash ndihemi krenarë, që e gëzojmë këtë liri, falë këtyre jemi këtu. Këta janë pikënisja e gjithë lirisë. Unë atë ditë, kur ka ndodhur masakra, luftimi në Drenicë, jam nisur me iu bashkëngjitë me gjithë dajtë dhe dajën e dajës së babait, jemi nisur deri në Prishtinë, por kur kemi mbërri aty nuk na kanë lejuar disa persona, na kanë thënë vazhdoni tutje se jeni në rrezik”, tha Xhemshiti.

    Ndërkaq, Iliri nga Çamëria, u shpreh për KosovaPress se është fat i madh në këtë shekull “kur po sulmohet nacionalizmi dhe patriotizmi” shqiptarët të kenë heronj të tillë që i kujtojnë.

    “Drenica dhe familja Jashari, sidomos për ne nga Çamëria është një inspirim shumë i madh shpirtëror. Është një ringjalle ose një lindje, e aspiratave tona kombëtare të katër vilajeteve. Ne epiriotët e Çamërisë, e kemi shumë për zemër Dardaninë, unë nuk mund t’i them dot Kosovë… Është fat i madh, në këtë shekull të ri që jemi futur, kur po sulmohet nacionalizmi dhe patriotizmi, ne kemi heronj të tillë, që na tregojnë ku duhet të ecim, të ringjallemi dhe të respektojmë traditën tonë…dikur ju e shikonit inspirimin tek ne mëma Shqipëri, kurse tash ne po shohim inspirimin në Dardani”, u shpreh ai, shkruan KosovaPress.

    E anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Skenderaj, Agron Kajtazi, i cili kishte ardhur me anëtarë të organizatës, shtoi se këto tre data që duhet mbajtur mend janë mobilizimi, apo mbjellja e dashurisë për atdhe.

    “5,6 dhe 7 marsi është mobilizimi, apo ajo mbjellja e dashurisë për atdhe, rrokja e pushkës e shumë luftëtarëve gjithandej trojeve”, shtoi Kajtazi.

    E Rexhep Alija nga Mitrovica tha se “në ketë tokë ka lindur liria e gjithë shqiptarisë”.

    “Këtu ka lindur liria e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë. Dhimbja ekziston, por është edhe krenaria mbasi këtu lindi liria”, vijoi Alija.

    Sulmit të marsit në familjen Jashari i kishte mbijetuar vajza e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila pa tmerrin derisa po i vriteshin anëtarët e familjes.

  • ​Liderët e BE-së do të takohen për një samit të posaçëm për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën

    ​Liderët e BE-së do të takohen për një samit të posaçëm për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën

    Liderët e Bashkimit Evropian nesër do të takohen në një samit të posaçëm të Këshillit Evropian për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën.

    “Liderët e BE-së do të diskutojnë se si BE-ja mund të mbështesë më tej Ukrainën dhe parimet që duhet të respektohen në vazhdim”, njoftoi Këshilli Evropian, transmeton AA.

    Në këtë kontekst, theksohet më tej se ata do të shkëmbejnë pikëpamje mbi kontributet evropiane për garancitë e nevojshme të sigurisë që kërkohen për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.

    Në takim është ftuar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Këshilli Evropian njoftoi se takimi do të bazohet në takimin e 3 shkurtit në Bruksel, kur liderët “diskutuan se si të forcohet mbrojtja evropiane në aspektin e aftësive kolektive, financimit dhe partneriteteve strategjike”, përcjell KosovaPress.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ftoi liderët e BE-së në takimin e 27 shkurtit.

    Liderët evropianë janë përpjekur të forcojnë mbrojtjen e tyre dhe të mbështesin Kievin, derisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i avancoi drejtpërdrejtë negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj trevjeçare me Ukrainën.

    Trump gjithashtu ka pezulluar dërgimin e të gjithë ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, pas konfrontimit të tij me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

    Dje, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen prezantoi një plan për të mobilizuar rreth 800 miliardë euro për mbrojtjen e Evropës dhe për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes urgjente ushtarake për Ukrainën. Propozimi me 5 pika siç duket do të diskutohet në takimin e nesërm.

  • Delegacioni kosovar konfirmon heqjen e Kosovës nga agjenda e Komitetit Politik të KiE-së

    Delegacioni kosovar konfirmon heqjen e Kosovës nga agjenda e Komitetit Politik të KiE-së

    Kërkesa e Kosovës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u hoq nga rendi i ditës, konfirmoi delegacioni i Kosovës pranë KiE-së.

    Kjo kërkesë ishte në rendin e ditës së takimit të Komitetit, i cili po mbahet në Paris.

    Ariana Musliu Shoshi – pjesë e delegacionit të Kosovës – tha se, me kërkesë të kryetarit të Grupit të Partisë Popullore Evropiane, Pablo Hispan, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës.

    Musliu Shoshi e cilësoi këtë si “një zhvillim të papritur”.

    “Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, shkroi ajo në Facebook.

  • Kurti në kazermën “Adem Jashari”: Kosova nuk ka pasur asnjëherë ushtri më të armatosur se sot

    Kurti në kazermën “Adem Jashari”: Kosova nuk ka pasur asnjëherë ushtri më të armatosur se sot

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë ushtri më të armatosur dhe të pajisur se sot, raporton KosovaPress.

    Në shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kurti tha se rreshtimi i kuadrateve ka traditën nga 6 marsi i vitit 1999.

    “Që nga çlirimi i atdheut tonë në qershor 1999 dhe deri më sot e tutje një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë së fituar me gjakun e dëshmorëve dhe martireve të popullit tonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet fuqizimi i ushtrisë së Kosovë, sot me ngazëllim mund të konstatoj se qysh nga viti 1989 kur Adem Jashari me shok filluan të flasin e të punojnë për në ushtri të Kosovës dhe deri sot kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më të armatosur, me ta pajisur dhe më të trajnuar se sa sot”, deklaroi ai, transmeton KosovaPress.

    Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

    Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt, raporton KosovaPress.

  • ​Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” bën thirrje për protestë më 8 mars

    ​Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” bën thirrje për protestë më 8 mars

    “Kur shteti s’na mbron, revoltohemi” shkruan në banerin që kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka lëshuar sot nga ndërtesa e “Reporting House”, për çka u bë thirrje për protestë më 8 mars. Derisa motivi kryesor i kësaj proteste sipas këtij kolektivi është lufta kundër dhunës.

    Aktivistja Latra Demaçi tha se dhuna ushtrohet nga patriarkati, kapitalizmi racist, pabarazitë globale dhe ideologjitë që sipas saj cilësojnë disa trupa dhe mendje si “të paaftë”, shkruan KosovaPress.

    Ajo përmendi disa raste të vrasjeve dhe dhunës ndaj grave në Kosovë, duke thënë se janë pasoja tragjike të patriarkatit.

    “Marsi po afron e ne rikujtohemi se lufta kundër dhunës strukturore e të përditshme vazhdon. Rikujtohemi se dhuna ushtrohet njëkohësisht nga patriarkati, kapitalizmi racist, pabarazitë globale dhe ideologjitë që cilësojnë disa trupa dhe mendje si të paaftë. Vetëm gjatë kohëve të fundit jemi përballur me: Vrasjen e Erona Çoklit nga ish-burri i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj në prill të vitit të kaluar, vrasjen e Gjuljeta Ukellës nga burri i saj në Pejë vetëm 5 ditë më vonë, vrasjen e gruas nga burri i saj në Graçanicë dhe tentimin për vrasje të gruas në Fushë Kosovë. Ndëshkimin e punëtoreve teknike të Kuvendit të cilat grevuan për paga dhe kushte dinjitoze të punës, amnistimin e dhunës në familje për hir të spektaklit televiziv e jo vetëm…Këto nuk janë raste të izoluara, por pasoja tragjike të patriarkalitetit që mundëson dhunën fizike, emocionale, seksuale e ekonomike që ushtrohet mbi gratë në përditshmëritë tona private dhe publike”, shtoi Demaçi.

    Demaçi bëri thirrje për protestë dhe marshim më 8 mars në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

    Ajo tha se kjo datë “le të jetë për solidaritetin, jetën dhe përkujdesjen për njëra-tjetrën”, duke u thirrur në protestë për dinjitet, siguri dhe mirëqenie të të gjitha grave dhe vajzave.

    “Ky 8 Mars le të jetë për solidaritetin, jetën dhe përkujdesjen për njëra-tjetrën. Këtë 8 mars, ejani të ri zotohemi, të protestojmë e të marshojmë për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e të gjitha grave dhe vajzave. Të protestojmë për çrrënjosjen e të gjitha sistemeve të shtypjes në Kosovë dhe për të gjithë popujt. Të marshojmë të zemëruara dhe të zemëruar kundër kulturës së përdhunimit, cenueshmërisë së shtëpive dhe dhunës ndaj trupave dhe mendjeve me aftësi të kufizuara. Marshojmë për grevat si revoltë kundër kapitalizmit neoliberal. Marshojmë për drejtësi, për gratë rome, ashkalike e egjiptiane, ashtu siç ato e përcaktojnë lirinë e tyre. Për gratë trans e queer në shumëllojshmërinë e tyre. Për gratë myslimane që bartin besimin e tyre dukshëm. Marshojmë kundër kolonializmit, gjenocidit e luftës. Për një Palestinë, Kongo, Sudan e botë të lirë. Revoltën për njëra-tjetrën. Nga ora 12:00 në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, ky 8 mars le të jetë për solidaritetin, jetën, përkujdesjen, për njëra-tjetrën”, potencoi ajo.

    Këtë organizmin kolektivi “Marshojmë s’festojmë” e bëri në kuadër të aktiviteteve të marshit për 8 mars./kp

  • ShBA-ja ndalon ndihmën e inteligjencës për Ukrainën

    ShBA-ja ndalon ndihmën e inteligjencës për Ukrainën

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanl ndaluar ndihmën e inteligjencës së saj për Kievin në një lëvizje që mund të dëmtojë seriozisht aftësinë e ushtrisë ukrainase për të sulmuar forcat ruse, ka raportuar “The Financial Times” të mërkurën, duke cituar zyrtarë të familjarizuar me këtë çështje.

    Dokumenti ka përmendur se vendimi ka ardhur pasi SHBA-ja ka suspenduar ndihmën ushtarake për Ukrainën në fillim të javës.

    Kjo mund të ndikojë në aftësitë e Ukrainës për t’u përballur me sulmet ruse.

    SHBA-ja ka ndalur ndihmën ushtarake pas përplasjes së presidenti Donald Trump pati me homologun ukrainas Vlodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

    Që atëherë, Zelensky ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi në Zyrën Ovale dhe është shprehur i gatshëm të negociojë për marrëveshjen e paqes – diçka që është mirëpritur nga Trumpi.

  • Osmani: Prekazi ishte kështjellë e lirisë, ndërsa familja Jashari themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës

    Osmani: Prekazi ishte kështjellë e lirisë, ndërsa familja Jashari themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në ceremoninë e Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, të mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Nga atje, presidentja ka thënë se marsi në Kosovë nuk është vetëm një muaj në kalendar, por siç u shpreh ajo, një kujtesë e përhershme e sakrificë dhe e heroizmit.

    “Marsi në Kosovë nuk është thjeshtë një muaj në kalendar, por një kujtesë e përhershme e sakrificë dhe e heroizmit. Në këtë muaj kujtojmë Epopenë e lavdishme të luftës së UÇK-së, përkulemi me respekt para dëshmorëve të kombit, kujtojmë martirët e rënë në masakra dhe nderojmë heronjtë që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë”, ka potencuar ajo.

    Osmani ka theksuar se familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës dhe siç u shpreh, një monument i gjallë i sakrificës dhe heroizmit.

    “Sot kujtojmë me krenari komandantin legjendar, Adem Jashari, familjen e tij heroike dhe të gjithë luftëtarët që i dolën zot atdheut, duke e paguar lirinë me jetën e tyre.

    Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, Prekazi ishte një kështjellë e lirisë, ishte një fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë dhe i tillë mbetet edhe sot. Familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës, një monument i gjallë i sakrificës dhe heroizmit të pashoq”, ka thënë mes tjerash presidentja Osmani.

  • Gjenden eshtra në fshatin Obranqë të Podujevës, dyshohet se mund të jenë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës

    Gjenden eshtra në fshatin Obranqë të Podujevës, dyshohet se mund të jenë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës

    Sot gjatë gërmimeve në fshatin Obranqë, Komuna e Podujevës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës, kanë hasur në eshtra që dyshohet se mund të jenë të personave nga lista e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se aktualisht, eshtrat e gjetura janë duke u ekzaminuar nga ekspertët e IML-së, me qëllim të identifikimit të saktë.

    “Këto gërmime u realizuan në bazë të informacionit që qytetarët kishin ndarë në fund të muajit janar, për çka ju jemi mirënjohës”, bëhet e ditur në njoftim.

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shpreh përkushtimin e tij të vazhdueshëm në zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur dhe inkurajon qytetarët të vazhdojnë të ofrojnë informacione të vlefshme.

  • Regjistrohen mbi 230.000 votues nga diaspora për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri

    Regjistrohen mbi 230.000 votues nga diaspora për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) njoftoi të mërkurën se 232.000 votues jashtë vendit janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri.

    Kjo është hera e parë që diaspora shqiptare voton në zgjedhje parlamentare në Shqipëri.

    Mesnata e së martës ishte afati i fundit i vendosur nga KQZ-ja për regjistrimin e votuesve nga jashtë.

    Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, edhe 20.000 kërkesa janë duke u shqyrtuar për të parë nëse dokumentacioni është i rregullt. Komisioni ka pesë ditë kohë për shqyrtimin e tyre dhe për ta shpallur numrin përfundimtar të votuesve nga jashtë.

    KQZ-ja i pranoi në përgjithësi 294.025 kërkesa, por rreth 42.000 prej tyre janë hedhur poshtë, për shkak të parregullsive në dokumentet e paraqitura, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Numri më i lartë i votuesve nga jashtë u regjistrua në Itali, rreth 148.000, pastaj në Greqi rreth 103.000, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Francë, Belgjikë etj.

    Nga Kosova janë regjistruar 215 votues. Nga rreth 30 shtete, përfshirë këtu edhe territorin palestinez, ka pasur vetëm nga një kërkesë.

    Sipas një raporti të Institutit të Statistikave në vitin 2020, numri i asaj që njihet si “diaspora e re”, apo imigrantët e larguar gjatë viteve ‘90 nga Shqipëria, ka arritur në rreth 1.68 milionë.

    Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në opozitë kërkuan të shtyhej afati për regjistrimin e votuesve nga jashtë, ndërsa Partia Socialiste në pushtet kërkoi shtyrje afati vetëm për ata votues, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.

    Megjithatë KQZ-ja vendosi të mos ketë shtyrje të afatit, pasi do të ndërlikonte procesin e shpalljes së listës dhe rishikimit të saj nëse do të jetë e nevojshme. Ajo pritet ta publikojë listën e votuesve nga jashtë më 9 mars. Regjistrimi për diasporën nisi më 11 janar.

    Si do të votojë diaspora shqiptare?
    Fletëvotimet do t’iu dërgohen votuesve nga jashtë përmes operatorëve ndërkombëtarë të postave që kanë degë në Shqipëri, dhe më pas votat e tyre do të sillen në Shqipëri. Shpenzimet për këtë proces përballohen nga buxheti i shtetit.

    Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se vota nga jashtë do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

    “Matematikisht janë 23-25 mandate që mund të ndikohen prej votave nga jashtë”, tha Celibashi.

    Për zgjedhjet e 11 majit janë regjistruar 51 subjekte politike, ndërsa kanë paraqitur kërkesë për regjistrim tre koalicione parazgjedhore.

    Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” udhëhiqet nga Partia Demokratike e Sali Berishës dhe ka në përbërjen e saj Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe 24 aleatë të tjerë.

    Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”, ku bëjnë pjesë dy parti të drejtuara nga ish-përfaqësues të Partisë Demokratike. Koalicioni tjetër është “Nisma Shqipëria Bëhet”, që ka në përbërje parti të reja që vijnë nga shoqëria civile.

    Në këto zgjedhje, Partia Socialiste në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon mandatin e katërt, ndërsa demokratët kërkojnë ndryshim politik dhe rikthimin në pushtet pas 12 vjetësh në opozitë./REL/

  • Fillon ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”

    Fillon ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”

    Ka filluar ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën Adem Jashari në Prishtinë, me rastin e 27 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në këtë organizim janë duke marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, Rifat Jashari, ambasador të akredituar në Kosovë, e personalitete të ndryshme.

    Ceremonia ka filluar me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar, ku më pastaj u bënë homazhe të obelisku i UÇK-së në kazermë.