ATV

Category: Lajme

  • Nis fushata kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk mund të përballohet rritja e çmimeve

    Nis fushata kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk mund të përballohet rritja e çmimeve

    Pak orë pasi ZRRE-ja njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind duke filluar nga muaji prill, ka nisur një fushatë kundër këtij propozimi.

    “Asnjecentmeshume” është slogani i kësaj fushate që do të nisë për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.

    Iniciatori i kësaj fushate është Luan Hasanaj, i cili tha se shumica e qytetarëve nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve.

    “Miq, po e nisim një fushatë #ascnjecentmeshume për të e kundërshtuar propopzimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Arsyet janë të bollshme, secili prej nesh i dinë. Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk mund të e përballojnë rritjen e çmimeve”, ka thënë Hasanaj.

    Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

    Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

  • Sot shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Sot shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot t’i shpall rezultatet përfundimtare, pasi deri sot ato ishin preliminare.

    Gjykata Supreme ka marrë vendimin për ankesën e fundit të parashtruar nga Partia Demokratike e Ashkalinjëve (PDAK)-LPB.

    Supremja ka refuzuar ankesën e PDAK-së lidhur me manipulimet e votave me postë, duke e quajtur edhe si të “pathemeltë”.

    Pas që kjo ishte ankesa e fundit në Supreme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, iu hap rruga për t’i shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

    Në një njoftim të lëshuar nga KQZ, u bë e ditur se sot do ta bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    “Mund t’iu konfirmoj se të shtunën, më 15 mars 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025” – ka thënë ai.

  • Përmes kërkesave të vazhdueshme për falje, 22 të burgosur në Kosovë kanë kërkuar amnisti nga presidentja

    Përmes kërkesave të vazhdueshme për falje, 22 të burgosur në Kosovë kanë kërkuar amnisti nga presidentja

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Lirinë e privuar e kërkojnë me falje.
    22 të burgosur që vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës, kanë kërkuar amnisti nga presidentja që nga janari e deri tash.

    Ani pse presidentja Vjosa Osmani, e shfrytëzoi fare pak këtë të drejtë kushtetuese deri tash, nga Shërbimi Korrektuese, presin që presidenca të jetë më aktive, për shumë arsye.

    “Po presim që të ketë rezultate pozitive sepse në rastet kur personat kanë sjellje pozitive, kanë marrë pjesë në programe rehabilituese, janë shfrytëzues të vikendit, janë barrë për shërbimin korrektues”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i ShKK-së, Ismail Dibrani.

    Hezitimin e presidentes për t’i falë disa të burgosur, thonë se nuk po kuptojnë, as nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

    “Nuk e shoh të logjikshme që e themelon vetë komisionin, komisioni ia dërgon propozimet, ndërkaq nuk i beson vlerësimit të komisionit. Në anën tjetër është e drejtë e të burgosurve që të presin mëshirë nga shteti”, tha Behxhet Shala nga KMDLNj.

    Aktualisht në të gjitha burgjet apo qendrat korrektuese dënimin e vuajnë 1720 persona por nga KMDLNj-ja thonë se shumica prej tyre meritojnë lirimin.

    Sidoqoftë për një të burgosur shteti paguan mbi 800 euro në baza mujore, teksa për një vit, të burgosurit shtetit i kushtojnë afër 1.4 milion euro.

  • 75 premtime të fushatës së kryetarit aktual Përparim Rama, nuk kanë nisur ende të realizohen

    75 premtime të fushatës së kryetarit aktual Përparim Rama, nuk kanë nisur ende të realizohen

    PËRGATITI:DIELLËZA KRASNIQI

    Nga 206 premtimet e fushatës zgjedhore, Përparim Rama dhe kabineti i tij udhëheqës në Prishtinën, nuk i kanë nisur ende 75 prej tyre.

    Në premtimet e tij të bëra 4 vjet më parë, ishte edhe ndërtimi I një shkolle në lagjen Kodra e Trimave. Mirëpo, as për këtë projekt nuk është bërë asnjë lëvizje.
    Në listë është edhe një tjetër projekt infrastrukturor, në një tjetër zonë të kryeqytetit.

    Ndërtimi I rrugës nga gjimnazi Sami Frasheri ne drejtim te tregut te gjelbert, projekt ky që parashihte përfshirjen e rrjetit të ujësjellësit atë të kanalizimit si dhe infrastrukturën elektrike edhe telekomunikuese nuk ka filluar ende.

    Komuna e Prishtinës ka vendosur të mos kthejë përgjigje për ATV-në, të premten, lidhur me këto projekte.

    Ndërsa opozita ka akuza për mënyrën e qeverisjes së Ramës.

    “Ne bëjmë thirrje kryetarit mos te ankohet mos te gjunjë fajin te opozita po le te punoj edhe pse ska ma kohe me ni fjale qeverisja Rama nuk është përparim por është prapakthim’’, tha asamblisti në LV, Besart Krasniqi.

    Disa qytetarë thonë se do të duhej që këto punë të kryheshin më shpejt.

    ‘’50 me 50 as qe ka ba pune të mdhaja as t vogla , nuk është punu qysh duhet për popull ma tepër ka punu për interesa te veti se për popull’’, deklaroi një qytetar.

    ‘’Na sjena t kënaqtë as me ni qeveri deri tash as me Perparimin aj mashum I ka ba do bllokada do pune t vogla I ka kry po nuk shihen me sy , jo sa ka premtu ky ka pas premtime t mdhaja’’, tha një tjetër qytetar.

    Në anën tjetër, pushteti në Prishtinë në vazhdimësi është ankuar ndaj atij qendror, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, për pengesa në realizim të projekteve.

    Një përplasje e tillë ndodhi edhe së fundmi, kur u ndaluan punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

  • Komunat hapin tenderë tetë muaj para përfundimit të mandatit të kryetarëve

    Komunat hapin tenderë tetë muaj para përfundimit të mandatit të kryetarëve

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Që nga ri-funksionalizimi në platformën e-prokurimi dominojnë procedurat e nisura nga komunat.

    Të mërkurën e 14 marsit, komuna e Podujevës, publikoi njoftimin për kontratë, për ndërtimin e pishinës gjysmë-olimpike në Podujevë, me vlerë prej 4 milionë euro.

    Një ditë më herët, komuna e Ferizajt po ashtu njoftoi se ka nisur procedurat e prokurimit, për ndërtimin e qendrës multifunksionale, me vlerë prej 3.3 milionë euro.

    Ndërsa, Gjakova nisi procedurën për rikonstruktimin e një rruge, në vlerë prej 640 mijë euro. Këto në fakt ishin vetëm disa nga projektet me vlerë më të madhe, derisa janë dhjetëra të tjera me shuma më të vogla.

    Fillimi I procedurave për projektet që konsiderohen me rëndësi, sipas njohësve të punës së nivelit lokal, tregojnë joseriozitet në raport me besimin e qytetarëve.

    “Është vërejtur se autoritete kontraktuese/komunat kanë rritur numrin e procedurave të prokurimit. Kjo është shqetësuese për shoqërinë civile, sepse ata kur zhvillojnë projekte të rëndësishme në fund të mandatit, tregon qasjen e tyre, rreth përgatitjen e tyre për të zhvilluar një fushatë në vititn e fundit të mandatit”, tha Kenan Gashi nga AVONET.

    Po ashtu fillimi i projekteve vetëm disa muaj para përfundimit të mandatit, vlerësohet se krijon pasiguri nëse do të përfundohen.

    “Kto praktika janë potencial edhe për një proces të padrejtë, që rrezikon cilësinë e projekteve. Këto planifikime shpeshherë nuk përkojnë me kërkesat e qytetarëve”, deklaroi tutje Gashi.

    Zgjedhjet komunale do të zhvillohen në nëntor të këtij viti.

  • Fshati Cërnillë në Ferizaj tashmë më shumë se një muaj pa ujë, banorët detyrohen të gjejnë alternativa që të furnizohen me ujë

    Fshati Cërnillë në Ferizaj tashmë më shumë se një muaj pa ujë, banorët detyrohen të gjejnë alternativa që të furnizohen me ujë

    PËRGATITI: SARA MULLIQI

    Qe më shumë se një muaj, asnjë pikë uji nuk rrodhi nga ujësjellësi në fshatin Cërnillë të Ferizajt.

    Sikur familja Morana, edhe të tjerat po duhet të gjejnë tjera alternativa që të furnizohen.

    “Marrim ujë nëpër markete për pije. Për pastrim si më përpara me hidrofora e kësi sende… Ende e kemi problem për ujë sepse s’kemi ujë, vetëm përmes bunarëve, por nuk është i pastër për pije”, deklaroi Naim Morana, banor i Cënillës.

    Kryetari i fshatit, Agon Zhinipotoku, e cilëson alarmante këtë gjendje, për të cilën ankohet se institucionet nuk kanë gjetur zgjidhje.

    “Puna e ujit të pijes nuk është aq problem, se çdo ditë dikush qarkullon me veturë në qytet, mirëpo problemi që njerëzit kanë bagëti, kanë pastrim të shtëpive, rrugëve të gjitha që janë këtu, domethënë është një gjendje tejet alarmante me mbet një fshat pa ujë”, tha Zhinipotoku.

    Komuna e Ferizajt thotë se nuk ka kompetencë në këtë çështje, meqë punët e veta i ka kryer para 11 vjetësh.

    “Ajo çka ka qenë në domenën e Komunës së Ferizajit sa i përket problematikës në fjalë dhe investimit në fshatin Cërnillë, mund të themi në vitin 2012-2013 vetëm rrjeti i ujësjellësit është përfunduar sa i përket këtij lokaliteti”,  deklaroi Selim Marevci zëdhënës në Komunën e Ferizajt.

    Ndërkaq Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” arsyetohet se janë në proces të prokurimit për blerjen e një pompe të re të ujit për Cërnillën.

    “Për ta rritur kapacitetin e ujit ne kemi hapur një pus (bunar) të ri dhe jemi munduar të funksionalizojmë duke vendosur një pompë, mirëpo nuk ka qenë e përshtatshme për këtë pus. Tani jemi në proces të prokurimit për blerjen e një pompe tjetër adekuate.”, tha Valdet Syla, menaxher operativ KRU“Bifurkacioni”

    Mirëpo banorët duan zgjidhje të shpejtë, sepse thonë se kjo periudhë një muaj pa ujë ua ka vështirësuar jetën.

  • Nesër pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Nesër pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    34 ditë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, në mbledhjen e së shtunës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i shpall rezultatet përfundimtare.

    Të enjten, iu hap rruga kësaj procedure, pas vendimit të Gjykatës Supreme për ankesën e fundit lidhur me votat me postë.

    Por monitorues të zgjedhjeve thonë se shpallja e rezultateve do të mund të ndodhte më herët. Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se procesi i numërimit të votave ka marrë shumë kohë.

    “Ani pse dita e zgjedhjeve po shkon shumë mirë, ajo që po i len shije të keqe këtij procesi është numërimi i votave, sepse po ka problem edhe me komisionarët të cilët KQZ-ja i përzgjedh për numërim…”, tha Vullnet Gugaqku nga KDI-ja.

    Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, sipas Ligjit për Zgjedhjet, partitë mund të ankohen sërish brenda 48 orëve, ndërkaq Panelin për Ankesa dhe Parashtresa ka kohë për  përgjigje brenda 96 orëve.

    Nëse pas kësaj nuk ka ankesa, KQZ mund t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve si hap i fundit i këtij procesi.

  • Projekti për përzgjedhjen e mjekut familjar sipas Ministrisë së Shëndetësisë parashihet të vazhdojë

    Projekti për përzgjedhjen e mjekut familjar sipas Ministrisë së Shëndetësisë parashihet të vazhdojë

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Në fillim për disa muaj qe pilot-projekt vetëm në katër komuna. Më pas projekti për Përzgjedhjen e mjekut familjar u zgjerua në tërë vendin dhe synohej të zgjaste 100 ditë.

    Megjithatë qytetarët në shumë komuna ende po përballen me probleme sa i përket aplikimit në E-Kosova. Nga komuna e Drenasit madje kërkuan hapjen e një zyre mbështetëse për qytetarët.

    “Ajo zyre me kon mbështetëse i qytetarëve që me u regjistrua nëse nuk munden me u regjistrua online, se shumë prej tyre ndoshta nuk din me u regjistruar në E-Kosova, dikush s’ka telefon hiç…”, u pergjigj Ismet Bogiqi, drejtor i QKMF-së në Drenas.

    Por nga Ministria e Shëndetësisë iu është thënë se po punohet në këtë drejtim.
    Nga dikasteri përmes një përgjigje për ATV thanë se procesi është planifikuar të përfundojë deri në fundvit.

    “Procesi i përzgjedhjes së mjekut familjar ende nuk është përmbyllur. Sipas Planit të Veprimit, ky proces do të vazhdojë deri në fund të vitit 2025″, deklaruan nga MSh-ja.

    E me ritmin që është duke shkuar ky proces, njohësit janë skeptik që mund të ketë sukses deri në afatin e paraparë.

    “S’mundet me përfundu deri atëherë me të gjitha problemet që po paraqiten. Kemi edhe probleme të shumta teknike. Mbi të gjitha MSH-ja duhet të bëjë edhe fushata vetdijesuese dhe të i njoftoj më shumë qytetarët për rëndësinë që e ka përzgjedhja e mjekut familjar.”, tha njohësi i shëndetësisë, Bujar Vitia.

    Deri më tani as numri i qytetarëve që bënë përzgjedhjen nuk është aq i lartë.

    Përmes platformës E-Kosova, sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë aplikuar vetëm 14 mijë qytetarë.

  • Vazhdon gjykimi ndaj Dejan Pantiq për sulm ndaj KKZ-ve në Mitrovicën e Veriut

    Vazhdon gjykimi ndaj Dejan Pantiq për sulm ndaj KKZ-ve në Mitrovicën e Veriut

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Jovica Rakiq, që ishte pjesë e ekipit mjekësor në autoambulancën, që u pa kur u sulmua zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, ka pranuar se atë ditë kishin pranuar thirrje fiktive, pasi nuk kishte pasur të lënduar.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të gjykatës, dëshmitari tha se Qendra e Mjekësisë Familjare udhëhiqet nga strukturat paralele.

    Rakiq, ndër të tjera deklaroi se nga vendi i ngjarjes ishin larguar për dhjetë sekonda

    Sipas aktakuzës gjatë sulmit, u përdor një autoambulancë për bartje të granatave të dorës, të cilat i mori Milun Millenkoviq. E Rakic, kur u pyet nga mbrojtja e Lunes, mohoi të ketë pasur çanta ndonjë gjë tjetër pos pajisjeve mjekësore.

    Ndërkohë, gjatë kësaj seance me pyetjet e mbrojtjes u ballafaqua pjesëtari i PK-së, Idriz Idrizi, që ishte në detyrë më 6 dhjetor të 2022-s.

    Idrizi, kishte thënë se sulmi u udhëhoq nga Millun Millenkoviq, i njohur me nofkën Llune, e situata monitorohej nga Aleksandër Vlajic, i cili nga PSRK-ja është duke u hetuar edhe për spiunazh.

    Gjykimi në këtë rast do të vazhdoj gjatë majit.

  • Shoferët e autobusëve të linjës Podujevë – Prishtinë e kanë vazhduar edhe sot protestën para Komunës së Prishtinës

    Shoferët e autobusëve të linjës Podujevë – Prishtinë e kanë vazhduar edhe sot protestën para Komunës së Prishtinës

    PËRGATITI: BESMIRE KLUNA

    Për rreth një orë, Muhamet Demiri priti në stacion të Xhamia e Llapit për të shkuar në Podujevë.

    Ai e kritikon vendimin e marrë nga Komuna e Prishtinës që autobusët e linjës Podujeve-Prishtinë të mos hynë në kryeqytet.

    ‘’Është një prej gjërave me të këqija që mund të ju ndodh qytetarëve me I la në breznicë e me ardh kah, nuk edi as vet nuk edi, past diçka privat, po me duhet me shku në Gjykatë, po është shpenzim’’, tha Demiri.

    Udhëtarët në këtë relacion ankohen se po dëmtohen edhe financiarisht meqë taksitë, për më tepër ilegalë, kushtojnë dyfish më shumë.

    ‘’Po I shoh taksistat me ata furgonat po vin po I marrin njerëzit me ka 2 euro po I marrin për një udhëtim që është dyfyshi. Jam duke shkuar në një promovim të një libri mund të shkoj ose të mos shkoj por njerëzit që kanë punë çdo ditë ju bjen që gati krejt paga të ju shkoj në udhëtim’’, u përgjigj Shaban Pllana, qytetar.

    Në anën tjetër pronarët e autobusëve të kësaj linje protestën para komunës e vazhduan edhe këtë të premte.

    ‘’Në rast se do me thanë kryhet puna në këtë drejtim edhe anulojnë vendimin na menjëherë I largojmë autobusat dhe përfundon greva, përndryshe nuk përfundon’’, tha Sadat Kurtolli, shofer i autobusit në linjën Podujeve – Prishtinë.

    Sipas Komunës se Prishtinës, vendimi për ndalimin e hyrjes të autobusëve në qendër është marrë për ta liruar trafikun e ngarkuar.