ATV

Category: Lajme

  • Grenell thotë se Smith e ngriti aktakuzën ndaj Thaçit, pasi kishte marrë informata të ndjeshme nga zyrtari amerikan

    Grenell thotë se Smith e ngriti aktakuzën ndaj Thaçit, pasi kishte marrë informata të ndjeshme nga zyrtari amerikan

    Emisari amerikan për Misione të Veçanta, Richard Grenell, ka shkruar përsëri për Jack Smith dhe aktakuzën që prokurori amerikan ka ngritur në vitin 2020 ndaj Hashim Thaçit, atë kohë president i Kosovës.

    Grenell ka përmendur Bruce Schwartzin, një zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë me të drejtë qasjeje në informacione sensitive, të cilit Grenell thotë se i kishte treguar privatisht informacione për negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë që po zhvilloheshin në atë kohë rreth Marrëveshjes së Washingtonit.

    Emisari amerikan thotë se Schwartz “ka minuar Donald Trumpin dhe politikën e Jashtme”, duke i ndarë ato informacione me prokurorin amerikan, Jack Smith, dhe shton se ky i fundit “ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit për atë arsye”.

    “Ai duhet të hetohet dhe gjykohet”, ka thënë Grenell.

  • Arrestohet shoferi serb që u fut sot në turmën e njerëzve në Beograd dhe goditi 3 persona me makinë

    Arrestohet shoferi serb që u fut sot në turmën e njerëzve në Beograd dhe goditi 3 persona me makinë

    Një person me inicialet Z.M (1975) është arrestuar nga policia serbe pasi në lagjen “Bele Vode” të Beogradit me veturën e tij BMW ka hyrë në turmën e protestuesve dhe ka goditur tre prej tyre.

    Personat e lënduar janë dërguar në Qendrën Emergjente për ndihmë të mëtejshme, shkruan Danas.

    Sipas njoftimit të policisë serbe, “Shoferi ka bërë rezistencë aktive, por është nënshtruar dhe arrestuar nga efektivët e policisë”.

    LEXONI EDHE:

    Protesta masive sot në Beograd, Vuçiq: Kushdo që shkakton trazira do të arrestohet

     

  • KQZ-ja mban mbledhje në 16:00, në rend të ditës shpallja e rezultateve përfundimtare të 9 shkurtit

    KQZ-ja mban mbledhje në 16:00, në rend të ditës shpallja e rezultateve përfundimtare të 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pritet t’i shpall rezultate përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se mbledhja ku do të shpallen këto rezultate do të mbahet në ora 16:00.

    “Ju njoftoj se sot (e shtunë, 15 mars 2025, ora 16:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025”, ka thënë Elezi.

  • Pushkë dhe fishekë, policia sërish konfiskon sasi të armatimit në Banjskë

    Pushkë dhe fishekë, policia sërish konfiskon sasi të armatimit në Banjskë

    Një gruaje në fshatin Banjskë të Zveçanit i janë gjetur pushkë, fishekë, çantë ushtrie e gjësende të tjera.

    Policia ka sekuestruar provat.

    Pas intervistimit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

    “Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarës femër kosovare, i janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë Karabinë, një pushkë gjuetie, 71 fishekë, dy rrethore për municion, një çantë ushtrie, një futrollë për pushkë dhe pajisje për pastrimin e armëve”.

    “E dyshuara është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Protestat në Beograd, Daçiq: 13 persona u arrestuan gjatë natës

    Protestat në Beograd, Daçiq: 13 persona u arrestuan gjatë natës

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se 13 persona janë arrestuar mbrëmë gjatë natës në Beograd.

    Beogradi mbrëmë mirëpriti çiklistët dhe kolonat e këmbësorëve studentë nga disa qytete dhe rajone të Serbisë, të cilët morën pjesë në maratonën shumëditore “Marshimi për Serbinë” për të arritur në një tubim të madh në Beograd të paralajmëruar për sot.

    “Është në interesin tonë të garantojmë sigurinë dhe shërbimet e sigurisë së studentëve në bllokadë kanë një përgjegjësi të madhe dhe duhet të bashkëpunojnë me policinë në terren”, tha për RTS Daçiq.

    “Ka pasur disa incidente gjatë natës, 13 persona janë ndaluar. Askush nuk lejohet të rrahë të tjerët, askush nuk lejohet të pushtojë institucionet”, tha Daçiq.
    Një tubim i madh protestues nën sloganin“15 për 15”, i thirrur nga studentët do të zhvillohet nga ora 16:00 në Beograd.

    “Pra, kjo është vetëm pjesa e fundit e të gjitha aktiviteteve që kemi pasur. Ne lëshuam një deklaratë sonte, megjithëse studentët shpallën përfundimin në një kohë të caktuar. Por ka grupe të ndryshme që nuk mund të thuash as kujt i përkasin”, tha Daçiq.

    Ai thekson se gjatë gjithë natës kanë pasur probleme me këto grupe dhe ka pasur disa incidente.

    “Ka pasur disa incidente gjatë natës. Mendoj se 13 persona u ndaluan. Disa njerëz u ndaluan për prishje të rendit publik. Të gjitha këto incidente u drejtuan drejt Parkut të Pionierëve. Shumica e traktorëve u dëmtuan. Kishte tentativa për t’i vënë flakën atyre traktorëve. Nëse bëhej fjalë për ndezjen e zjarrit në kuptimin fizik të fjalës, ishte përpjekja për t’i vënë zjarrin duke u përmbysur traktori, duke u shtyrë në rrugë, duke qëlluar në pjesëmarrësit e tubimit në Parkun e Pionierëve, duke gjuajtur në polici”, theksoi Daçiq.

    Në Parkun e Pionierëve po zhvillohet një kundër-protestë nga disa studentë që kanë dalë kundër protestave që po mbahen në Beograd tash e një kohë për incidentin që ndodhi në stacionin e trenit në Novi Sad ku nga shembja e një strehe betoni vdiqën 15 veta.

    Protesta masive sot në Beograd, Vuçiq: Kushdo që shkakton trazira do të arrestohet

  • Starmer thotë se Putini nuk e ka seriozisht arritjen e paqes në Ukrainë

    Starmer thotë se Putini nuk e ka seriozisht arritjen e paqes në Ukrainë

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar të shtunën se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e ka seriozisht arritjen e paqes. Deklarata e tij erdhi para takimit virtual me liderët e tjerë evropianë për të biseduar rreth Ukrainës, raporton BBC.

    Afërsisht 25 liderë pritet të marrin pjesë në takimin virtual, ndërkaq Starmer ka thënë se Putini nuk duhet të lejohet “të bëjë lojëra” me armëpushimin e propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

    Takimi virtual që do të zhvillohet më vonë është tubimi më i fundit i të ashtuquajturit “koalicioni i të vullnetshmëve” – i emërtuar si i tillë kur liderët evropianë vizituan Londrën në fillim të këtij muaji.

    Ka pasur disa zhvillime të rëndësishme që nga ajo kohë, përfshirë një armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA-ja, i mbështetur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, por ende pa një përgjigje përfundimtare nga Putini.

    Pavarësisht ngërçit aktual, presidenti Trump ka shprehur optimizëm për një marrëveshje, duke thënë se ka pasur diskutime “të mira dhe produktive” me Putinin të enjten.

    LEXONI EDHE:

    Trump thotë se ShBA-ja pati bisedime produktive me Putinin për luftën në Ukrainë

  • Prizren, gjendet i vdekur një burrë në vendin e tij të punës

    Prizren, gjendet i vdekur një burrë në vendin e tij të punës

    Një burrë është gjetura pa shenja jete në vendin e tij të punës gjatë mesnatës në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se i ndjeri ishte sigurim fizik.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin Mjekësor Ligjor për obduksion.

  • Maqedonci: Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s

    Maqedonci: Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s

    Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri me kapacitete të plota është duke u bërë më shpejt seç ka qenë e planifikuar, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Ministri konfirmon se numri i pjesëtarëve të FSK-së tashmë ka kaluar 4.300 dhe se, brenda vitit të ardhshëm, pritet të arrijë mbi 5.000.

    FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri që nga viti 2018.

    Në fund të tranzicionit, më 2028, ajo parashihet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë – prej tyre 5.000 aktivë, të tjerët rezervistë.

    “Objektivat tona po realizohen më shpejt seç ka qenë e planifikuar fillimisht – gjë që tregon përkushtimin tonë ndaj zhvillimit të FSK-së”, thotë Maqedonci për Radio Evropa e Lirë.

    Sipas tij, forca ushtarake është duke u ngritur sipas standardeve të NATO-s – aleancës 32-anëtarëshe, ku Kosova mëton të anëtarësohet.

    Ai thotë se pjesëtarët e saj janë duke u trajnuar në akademitë ushtarake të NATO-s dhe duke zbatuar doktrinën e saj.

    Për më tepër, shton Maqedonci, “të gjitha blerjet tona ushtarake realizohen nga vendet anëtare të NATO-s”.

    “Ky është një standard, i cili garanton pajisje cilësore dhe përputhshmëri të plotë me sistemet e aleancës”, thekson ai.

    Sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ministri vlerëson se Kosova ka kapacitete shumë më të avancuara, krahasuar me disa vite më parë.

    Për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, ai nuk jep detaje se çka prej armatimit posedon vendi, por, mes tjerash, përmend “një flotë të dronëve Bayraktar” dhe “sisteme të tjera të fluturakeve pa pilotë”.

    “Ne kemi prokuruar sisteme të ndryshme nga vende të ndryshme dhe disa prej tyre janë të përafërta me Javelin-in”, thotë Maqedonci, duke iu referuar sistemit kundërajror amerikan, i cili ka aftësi të avancuara kundër mjeteve të blinduara.

    Vitin e kaluar, Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve të tillë dhe Maqedonci thotë se, aktualisht, është duke u bërë pagesa e tyre.

    “Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së i ka zbatuar të gjitha procedurat e prokurimit dhe ne jemi tashmë në fazën e ekzekutimit të pagesave. Gjatë këtij viti, pritet të arrijë një sasi e konsiderueshme e këtyre raketave”, thotë ministri Maqedonci.

    Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

    Në këtë organizatë, ku vendimet merren në mënyrë unanime, janë katër vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania.

    Por, Maqedonci thotë se “shumica e vendeve anëtare të NATO-s e njohin FSK-në me mandatin e saj ushtarak”.

    “Ne po punojmë që në të ardhmen e afërt, NATO-ja t’i njohë ndryshimet tona ligjore – çfarë do të mundësonte edhe një përfshirje më të madhe të FSK-së në operacionet e përbashkëta të NATO-s”, thotë ai.

    “Për ne është thelbësore që SHBA-ja – si partneri ynë kryesor strategjik – së bashku me vendet kryesore të NATO-s, të kontribuojnë në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse”, shton ministri kosovar i Mbrojtjes.

    Praninë e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë, ai e përshkruan si një faktor kyç në “zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit”.

    “Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe t’i bashkërendojmë veprimet tona me KFOR-in dhe NATO-n për të siguruar zhvillimin e duhur të sektorit të mbrojtjes”, thekson ai.

    Në vazhdën e zhvillimeve të fundit gjeopolitike, ministri thotë se për katër vjetët e ardhshëm, parashikohet një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh për mbrojtjen e Kosovës.

    Edhe në katër vjetët e kaluar, buxheti për këtë sektor ka shkuar duke u rritur – nga 67.3 milionë euro në vitin 2021, në 207.8 milionë euro këtë vit.

  • Trump thotë se ShBA-ja pati bisedime produktive me Putinin për luftën në Ukrainë

    Trump thotë se ShBA-ja pati bisedime produktive me Putinin për luftën në Ukrainë

    Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i ka vlerësuar si “të mira dhe produktive” bisedimet e zhvilluara me presidentin rus, Vladimir Putin mbi marrëveshjen e armëpushimit të propozuar nga ShBA-ja në Ukrainë.

    Kjo vjen pasi Putini dhe i dërguari i ShBA-së, Steve Witkoff, u takuan në Moskë të enjten në mbrëmje, pas së cilës Kremlini tha se ndante “optimizmin e kujdesshëm” të SHBA-së mbi një proces paqeje.

    Trump tha në një postim të Truth Social se bisedimet dhanë “një shans shumë të mirë që kjo luftë e tmerrshme, e përgjakshme më në fund mund të marrë fund”.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, megjithatë, akuzoi Putinin se po përpiqet të zvarritë bisedimet për të vazhduar luftën, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer tha se presidenti rus nuk mund të lejohet të “luaj lojëra” me propozimet e armëpushimit.

    Në fillim të kësaj jave, Ukraina pranoi marrëveshjen e armëpushimit të propozuar nga ShBA-ja, për të cilën Rusia ende nuk ka rënë dakord.

    Të enjten, Putin kishte thënë se ideja e një armëpushimi ishte “e drejtë dhe ne e mbështesim atë… por ka nuanca” dhe ai vendosi një sërë kushtesh të vështira për paqen, një përgjigje e quajtur “manipuluese” nga Zelensky, shkruan BBC.

  • Protesta masive sot në Beograd, Vuçiq: Kushdo që shkakton trazira do të arrestohet

    Protesta masive sot në Beograd, Vuçiq: Kushdo që shkakton trazira do të arrestohet

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë iu drejtua publikut një ditë para protestës së madhe të paralajmëruar për sot në Beograd në lidhje me planet e supozuara “për të provokuar konflikt gjatë demonstratave”.

    Vuçiq tha se shteti serb do të sigurojë burime që, siç ka theksuar ai, tubimi i paregjistruar të vazhdojë në mënyrë paqësore.

    Sipas tij, kushdo që sulmon pjesëmarrësit në demonstrata do të arrestohet, si dhe kushdo që sulmon dikë tjetër apo ndonjë institucion, siç shkruan mediumi publik serb “RTS”.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të qëndrojnë të qetë. U kërkoj prindërve, pasi kemi shumë indikacione, shumë grupe që paralajmërojnë dhunë, të mos i nxjerrin fëmijët në rrugë nëse nuk duhet. Po flas vetëm për fëmijët, që askush të mos thotë se po i pengojmë të tjerët të vijnë. Dhe sigurisht që do të sigurohemi që të garantojmë paqen, sigurinë për të gjithë”, tha Vuçiq në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve.

    Ai paralajmëroi dhe kërkoi nga ata që mendojnë se po sulmojnë ata që mendojnë ndryshe, veçanërisht fëmijët në parkun Pionieri, veçanërisht institucionet, “të mos e bëjnë këtë”.

    “Jo pse kam frikë se mos bëjnë diçka, as më së paku, dhe këtë po jua them një ditë më parë. Këtë po ju kërkoj për hir tuaj, sepse nesër do të më luteni për falje. Nuk do të ketë falje, atë gabim të madh e kam bërë një herë”, tha ai.

    Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit mbrëmjen e së premtes për t’i mirëpritur studentët që po mbërrijnë në kryeqytetin e Serbisë në këmbë nga skajet e largëta të Serbisë.

    Ndërkaq, një kundër-protestë është organizuar në Parkun e Pionierëve në mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, ku janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve. Ata kanë vendosur traktorë përreth tyre.

    Për këtë, Vuçiq iu tha se ata duhet “të përpiqen të kuptojnë se ne duhet të jetojmë me njëri-tjetrin, pavarësisht nga mendimet e ndryshme”.

    Protestat në Beograd shpërthyen pas incidentit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024 ku humbën jetën 15 njerëz.

    Studentët në këto protesta po kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e tyre dhe po protestojnë kundër korrupsionit.