ATV

Category: Lajme

  • Sveçla: Vrasja e policit Lika, sulm ndaj institucioneve të Kosovës

    Sveçla: Vrasja e policit Lika, sulm ndaj institucioneve të Kosovës

    Ministri i Punëve të Brendshme nw detyrw, Xhelal Sveçla, tha se vrasja e policit Muhamed Lika në Kaçanik është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Kosovës, duke shtuar se aparati shtetëror është i mobilizuar të arrestojë dorasin.

    Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se kontributi i rreshterit Lika si në çlirimin e Kosovës, ashtu edhe në garantimin e rendit “do të mbetet shembull për secilin zyrtar policor në shërbim”.

    “Sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Vrasja e mbrëmshme e Rreshterit të Policisë së Kosovës Muhamed Lika ka prekur rëndë secilin prej nesh dhe gjithë Policinë e Kosovës. Që nga momenti që kam marrë lajmin jam në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi”, tha Sveçla.

  • ​Haxhiu iu bën thirrje institucioneve të kryejnë obligimet ndaj personave me ndihmë sociale

    ​Haxhiu iu bën thirrje institucioneve të kryejnë obligimet ndaj personave me ndihmë sociale

    Në konferencën e mbajtur nga Zyra për Qeverisje të Mirë për nder të Ditës Botërore të Autizmit, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe komunave që të kryejnë obligimin që kanë ndaj personave me ndihmë sociale, raporton KosovaPress.

    Ajo theksoi se Ministria e Drejtësisë po vazhdon të merret me reformën për shërbime sociale dhe familjare ne aspektin legjislativ dhe buxhetimit të këtyre shërbimeve me qëllim të krijojë një sistem që ësh gjithëpërfshirës.

    “Në këto tre vitet e fundit Ministria Drejtësisë dhe qeveria e Kosovës ka ndarë 6.3 milionë euro për shërbime sociale dhe familjare. Unë do të doja qe fokusi dhe përkushtimi i nivelit qendror kundrejt shërbimeve sociale dhe familjare ta ketë edhe niveli lokal. Duhet ta them dhe ta përsërisë se kemi shumë sfida në bashkëpunimin me komuna. Kudo që ne kemi shkuar ne vizita, në organizata që veprojnë në komuna në kuadër të Republikës se Kosovës themi se nuk po mbështeten në raport me sfidat që i kanë nga komunat. Është përgjegjësi. Thërras që secili nga institucionet si lokal qendror të kryej obligimet që kanë”, tha Haxhiu.

    Ndërsa, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Harjedini shtoi se së bashku me organizatat e tilla, kanë zhvilluar dhe finalizuar strategjinë nacionale për personat me aftësi të kufizuara. Strategji e cila ka për qëllim gjithë përfshirjen, shërbimet shëndetësore dhe qasjen adekuate te tyre.

    “Ne së bashku kemi zhvilluar dhe kemi finalizuar strategjinë nacionale për personat me aftësi të kufizuara, e cila ka për qëllim gjthëpërfshirjen, shërbimet sociale, arsimim cilësor, shërbimet shëndetësore, qasja adekuate për persona me aftësi të kufizuara dhe shumë objektiva të tjera”, shtoi Hajredini.

    E udhëheqësja e shoqatës “Autizmi” Hatixhe Hoxha ka folur rreth sfidave që kanë personat me autizëm.

    Hoxha, kërkon intervenim të hershëm tek personat me autizëm.

    “Ne edhe sot vazhdojmë që të përballemi me forma dhe vështirësi të ndryshme, si në fushe arsimore, shëndetësore dhe jo vetëm. Vështirësitë vazhdojnë që nga mos njoha e plotë apo e kufizuar, diagnozën e vonuar, mungesë e mbështetës pas kësaj diagnoze që jepet. Vështirësi në akses, në arsim shërbime sociale dhe shëndetësore, tranzicione shumë të vështira. Ne duke i njohur familjet e persona me çrregullim autik, shohim çdo ditë se ata bartin sistematikisht ngarkesa të konsiderueshme emocionale, ekonomike dhe të kujdesit. Dua të nënvizoj nevojën e ngutshme për një trupë multidicilpinare për diagnostfikimin e fëmijëve me autizëm në mosha të hershem. Nevojë për intervenimim e hershme”, u shpreh Hoxha.

    Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

    Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç./kp

  • ​Lammy në Prishtinë, mbështetje për Kosovën dhe thirrje për dialog me Serbinë

    ​Lammy në Prishtinë, mbështetje për Kosovën dhe thirrje për dialog me Serbinë

    Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka kërkuar normalizim dhe paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, raporton KosovaPress.

    Ai gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të mërkurën, tha se shpreson që qeveria e ardhshme të ketë angazhim të fuqishëm në dialog. Kryediplomati britanik, David Lammy në një konferencë për medie pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se vendi i tij është mbështetës i palëkundur i Kosovës dhe një partner kyç. Ndërkaq, nënvizoi nevojën që sa më shpejt të formohet qeveria e re në Kosovë.

    “Duam normalizim të qëndrueshëm dhe paqësor mes Kosovës dhe Serbisë. Mbretëria e Bashkuar është padyshim kontribuues i madh në KFOR, kam vizituar KFOR-in herën e fundit kur kam qenë dhe do ta vizitoj prapë. Është qenësor për sigurinë tuaj dhe shpresoj që qeveria e ardhshme do t’i adresojë nevojat e të gjithë qytetareve, duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, theksoi Lammy.

    Në anën tjetër, nikoqirja e takimit, presidentja Vjosa Osmani, tha se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, pavarësisht obstruksioneve dhe provokimeve nga ana e Serbisë.

    Përkitazi me këtë, Vjosa Osmani tha se është e domosdoshme që Serbia t’i vendosë para përgjegjësisë autorët e aktit të agresionit serb në shtator të vitit 2023, shkruan KosovaPress.

    “Kosova mbetet një palë konstruktive dhe përkushtuar për paqe dhe stabilitet, pavarësisht se vazhdimisht përballemi me obstruksione dhe provokime nga ana e Serbisë, përfshirë edhe sulmet e njëpasnjëshme që kanë filluar vite më herët dhe po vazhdojnë edhe tani. Është e domosdoshme që të ketë llogaridhënie dhe vënie të autorëve para përgjegjësisë nga ana e Serbisë, por fatkeqësisht s’po shohim se s’ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. As sa i përket aktit të agresionit të shtatorit 2023 dhe as sa i përket sulmit të ushtarëve të NATO-s dhe as për veprimet e fundit që kanë ndodhur në veri të vendit”, theksoi Osmani.

    Krahas kësaj, e para e vendit, bëri të ditur se ka propozuar thellimin strategjik të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.

    “Kam bërë propozimin për lidhjen e marrëveshjes për thellimin strategjik të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar që në veçanti do të mbulojë fushën e mbrojtjes dhe fushën e ekonomisë. Sot kemi diskutuar gjerë e gjatë për thellimin e bashkëpunimit strategjik në këto fusha, të cilat pastaj do të vazhdojnë me diskutime ndërmjet dy ekipeve tona. Vlerësoj faktin se keni mirëpritur për zgjerim të partneritetit”, deklaroi Osmani.

    Avancimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve e përmendi edhe sekretari britanik, David Lammy, sidomos në fushën e mbrojtjes, teknologjisë, inovacionit dhe energjisë së pastër.

    Ai theksoi edhe nevojën për progres të Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike.

    “Është e rëndësishme që të shohim Kosovën duke bërë progres në rrugëtimin e saj euro-atlantik që e diskutuam këtë mëngjes. Me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar shpresoj që të anëtarësoheni në Këshillin Evropian. Procesi i Berlinit është i rëndësishëm për t’i lidhur lidhjet brenda këtij rajoni dhe pjesës tjetër të Evropës. Do të bëjmë gjithçka të mundshme për të mbështetur atë progres në muajt e ardhshëm”, theksoi Lammy.

    Kryediplomati britanik ka arritur në Prishtinë të martën mbrëma, ku është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe disa prej anëtarëve të kabinetit të tij.

    Ai po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, ku do të vizitojë edhe vendet të tjera rajonale.

  • Taslakov njofton MPJ-në për ndalimin e automjeteve bullgare në Maqedoni

    Taslakov njofton MPJ-në për ndalimin e automjeteve bullgare në Maqedoni

    Kryetari i Komitetit Parlamentar për Politikat për Bullgarët Jashtë, Stojan Taslakov, ka kërkuar formalisht nga Ministria e Punëve të Jashtme një raport mbi ndalimin e më shumë se 20 automjeteve me targa bullgare nga policia në Kavadarci, Maqedoni e Veriut, njoftoi Komiteti të mërkurën.

    Kërkesa kërkon informacion mbi bazat ligjore të ndalimit, numrin e saktë të automjeteve të përfshira dhe veprimet diplomatike të ndërmarra për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve bullgarë, shkruan agjencia bullgare e lajmeve BTA, transmeton KP.

    Një përgjigje pritet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, e cila mund të kërkojë gjithashtu një qëndrim zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Do të kërkohet gjithashtu një reagim në nivelin e Bashkimit Evropian për të parë nëse parimet themelore të Marrëveshjes për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve fqinje po shkelen.

    Kryetari i Komitetit shprehu shqetësimin se rastet në të cilat po shkelen të drejtat e qytetarëve bullgarë janë në rritje në Maqedoninë e Veriut dhe madje edhe deputetëve u është mohuar hyrja në vend.

    Taslakov theksoi se, nëse masat e nevojshme dhe të duhurat nuk merren në kohë dhe nuk i jepet fund gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimit nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ekziston një rrezik i madh që të drejtat e qytetarëve bullgarë të shkelën përsëri dhe përsëri, duke vënë në dyshim parimet e sundimit të ligjit dhe vlerat evropiane në rajon.

  • Osmani: Dezinformimi, sfidë por edhe rrezik real për Kosovën

    Osmani: Dezinformimi, sfidë por edhe rrezik real për Kosovën

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuse, BIRN Kosova kanë publikuar raportin rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, raporton KosovaPress.

    Në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se dezinformimi është më shumë se thjeshtë përmbajtje mashtruese. Ai shtoi se dezinformimi përbënë një kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë thelbin e demokracisë.

    Orav tha se çdo individ mund të bëhet objektiv i manipulimit të informacionit.

    Ndër të tjera, Orav potencoi se raporti në fjalë zbulon se narrativat dezinformuese që u përhapën jo vetëm nga aktorët politikë vendorë, por edhe nga forca të jashtme, me qëllimin për të destabilizuar besimin e publikut në procesin zgjedhor të Kosovës.

    Orav tha se Bashkimi Evropian mbetet thellësisht i përkushtuar në mbështetjen e lirisë së medias, gazetarisë së bazuar në fakte dhe përpjekjeve për të luftuar dezinformimin.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dezinformimi nuk është vetëm sfidë por rrezik real për shtetin tonë. Ajo shtoi se gazetaria qytetare e ndihmuar nga teknologjia dhe Intelegjenca Artificiale e kanë bërë verifikimin e fakteve më sfidues, raporton KosovaPress.

    Sipas saj ne nuk duhet të leojmë të jemi të manipuluar, derisa potencoi se pa të vërtetën nuk mund të kemi demokraci të mirëfilltë dhe shoqëri të sukseshme.

    Osmani theksoi se Serbia dhe Rusia kanë promovuar dezinformimin për ta minuar procesin e demokracisë në Kosovë dhe nxitjen e tensioneve në rajon.

    Ndërkaq, të gjeturat kryesore të raportit rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë i shpalosi Kreshnik Gashi nga BIRN Kosovo.

    Ai thekson se zgjedhjet në Kosovë u karakterizuan me gjuhë të urrejtjes dhe dezinformata nga Kremlini dhe Serbia.

    Po ashtu, Gashi tha se pati gjuhë të urrejtjes dhe dehumanizim për kundërshtarët politik brenda vendit.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit sipas këtij raporti pati përdorim të lartë të rrjeteve sociale në multiplifikimin e gjuhës së urrejtjes dhe narrativave dezinformiese.

    Rritje të përdorimit të inteligjencës artificiale në dezinformim, prani të influencës kineze në artikuj të sponzorizuar e transparencë e ulët e financimit të fushatës, janë ndër karakteristikat e zgjedhjeve paralmentare sipas Gashit.

  • Vrasja e rreshterit policor, kryetari i Kaçanikut jep detaje

    Vrasja e rreshterit policor, kryetari i Kaçanikut jep detaje

    Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka deklaruar se nuk i di motivet e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika i cili u vra mbrëmë pranë banesës së tij në këtë komunë, raporton KosovaPress.

    Kryetari Ilazi para medieve tha se deri tani nuk dihet kush është kryesi i kësaj vrasje, dhe as motivi, por shtoi se organet e hetuesisë po vazhdojnë hetimet.

    “Deri më tani nuk kemi informacione se cili është kryesi i aktit megjithatë organet e drejtësisë janë duke e bërë punën e tyre dhe shpresojmë se në momentin kur kemi informacione më të sakta do t’ua japin edhe medieve”, tha ai.

    Ilazi tha se meqenëse kjo komunë konsiderohet e qetë, “është shokuar me vrasjes e rreshterit policor”.

    Ai shton se rreshterin policor, Muhamed Lika e ka njohur si një njeri të edukuar dhe se nuk ka dëgjuar se kishte ndonjë shqetësim me dikë.

    “Meqenëse komuna e Kaçanikut ka qenë një komunë mjaftë e qetë prej këtyre rasteve një rast që na ka shokuar të gjithëve dhe nuk i dimë ende motivet se si ka ndodhur ky rast. Por, megjithatë po presim të dhënat zyrtare që do të vijnë dhe atëherë do të kemi informacione të plota…edhe ata nuk kanë asnjë lloj piste hetimi deri tani po flas nga fjalët e komandantit të Policisë, megjithatë organet e hetuesisë janë duke e bërë punën e vetë… Për mua është një çudi një rast i tillë sepse ka qenë një zyrtar policor dhe person dhe njeri mjaftë i edukuar dhe absolut nuk kemi dëgjuae asnjë rast të vetëm të shqetësimit që ka ndodhur nga ai . Për ata për neve ka qenë një rast i befasishëm”, theksoi ai.

    I pari i komunës së Kaçanikut tha se nuk ka informacione nëse janë duke u bërë patrullime në këtë qytetet pas rastit të mbrëmshëm.

    “Ndoshta që rasti është ende në hetuesi nuk kemi ndonjë urdhër apo së paku informacion që patrullat e policisë janë ne vendet e patrullimit”, theksoi ai.

    Kryetari Ilazi tha se ndonëse ende nuk dihet se kur do të varroset rreshteri policor, ai tha se do ta varrosin në varrezat e dëshmorëve në këtë komunë.

    Rreshteri policor, Muhamed Lika është vrarë mbrëmë rreth orës 23:00 me armë zjarri në afërsi të banesës së tij në Kaçanik. Ndërkohë, i dyshuari për rastin akoma është në arrati.

  • 10 hapat deri në konstituimin e Kuvendit

    10 hapat deri në konstituimin e Kuvendit

    Gazetari Haris Ademi, në rubrikën “Navigim” të emisionit COMPASS, ka sqaruar procesin që çon drejt konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nga ana e KQZ-së.

    Ai ka ndarë me publikun 10 hapat kyç që duhet të ndiqen deri në mbajtjen e seancës konstituive, të paraparë për datën 15 prill.

    Sipas Ademit, gjithçka fillon me një seancë të jashtëzakonshme, e cila, ndonëse procedurale, është vendimtare për funksionimin institucional pas zgjedhjeve. Përgatitjet paraprake bien mbi Kryetarin e legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufca, i cili duhet të organizojë një takim me përfaqësuesit e partive, ndërsa vetë seancën do ta drejtojë deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga më i riu.

    Më pas, krijohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, i cili duhet të raportojë për vlefshmërinë e mandateve, para se deputetët të japin betimin solemn.

    Procesi vijon me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve, përfshirë përfaqësues nga partitë kryesore dhe komunitetet jo-shumicë, ndërkohë që nuk ka një afat të përcaktuar për përmbylljen e këtij procesi, duke e lënë mundësinë e zvarritjeve të hapur.

    Për më shumë, shikoni videon e plotë më poshtë ku Haris Ademi shpjegon 10 hapat drejt konstituimit të Kuvendit:

  • Sot varroset rreshteri i Policisë që mbeti i vrarë në Kaçanik

    Sot varroset rreshteri i Policisë që mbeti i vrarë në Kaçanik

    Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmë qytetin e Kaçanikut, ku rreshteri i Policisë, Muhamed Lika, u qëllua me armë zjarri para banesës së tij dhe për pasojë humbi jetën.

    Lika u qëllua me armë në rrethana që ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa ekipet hetimore po punojnë për të ndriçuar rastin dhe për të kapur autorin e krimit.

    Policia e Ferizajt ka dalë me një deklaratë zyrtare, duke konfirmuar se i dyshuari për vrasjen është në arrati dhe se operacionet për kapjen e tij janë duke vazhduar me intensitet të lartë.

    Ndërkohë, familja ka njoftuar se Muhamed Lika do të varroset sot, pas namazit të ikindisë, në fshatin Shtrazë të komunës së Kaçanikut.

    LEXO EDHE:

    Pamje nga vendi i vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, policia vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes

  • Zyrtari i NATO-s: Nuk do të lejojmë të rrezikohet siguria në Ballkanin Perëndimor

    Zyrtari i NATO-s: Nuk do të lejojmë të rrezikohet siguria në Ballkanin Perëndimor

    “Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor tregon se rajoni është ende lartë në agjendën e NATO-s dhe se ai është i rëndësisë së madhe strategjike, gjë që u përsërit nga liderët tanë në Samitin e korrikut të kaluar”, ka thënë një zyrtar i lartë i NATO-s në Bruksel para takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s që fillon nesër.

    Ai ka thënë se siguria e Ballkanit Perëndimor është e një rëndësie jetike për stabilitetin e Aleancës dhe ne nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet, transmeton Paparaci.

    Ai ka përkujtuar se këtë javë ministrat e jashtëm do të takohen për të diskutuar për vazhdimin e përgatitjeve për Samitin e NATO-s në Hagë, në fund të qershorit.

    “Ata pritet të ndajnë pikëpamjet se si të ruajnë vrullin në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe se si të rivendosin prodhimin industrial në sektorin e mbrojtjes. Ne gjithashtu presim që ata të paraqesin pikëpamjet mbi mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën dhe se si do të zhvillojmë më tej bashkëpunimin tonë tashmë të vendosur mirë për çështje me interes të ndërsjellë dhe në disa fusha me partnerë nga rajoni Indo-Paqësor (Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Republika e Koresë)”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.

    Ai ka thënë se takimi i kësaj jave i ministrave të jashtëm të NATO-s vjen disa javë pas dy vizitave të rëndësishme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Ai vizitoi Sarajevën dhe, së bashku me Këshillin e Aleancës, personelin tonë në Kosovë që shërben në KFOR dhe Ekipin Këshillues për Ndërlidhje të NATO-s (NALT). Të dyja vizitat përfaqësonin një tjetër demonstrim të prekshëm se Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e NATO-s, ky është një rajon me rëndësi strategjike, siç u përsërit nga liderët tanë perëndimor në samitin tonë të sigurisë dhe ne nuk do të lejojmë që ai të rrezikohet”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

  • Mitsotakis: Greqia fillon modernizimin më të madh në histori të mbrojtjes

    Mitsotakis: Greqia fillon modernizimin më të madh në histori të mbrojtjes

    Anëtarja e NATO-s, Greqia, do të shpenzojë 25 miliardë euro për rinovimin më të rëndësishëm të mbrojtjes në historinë e saj moderne, njoftoi sot kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

    “Në një botë që po ndryshon me ritme të paparashikueshme dhe në një mjedis ndërkombëtar të pasigurt, Greqia ka 25 miliardë euro për të kryer rinovimin e forcave të armatosura, më i rëndësishmi në historinë moderne të vendit”, tha ai në parlament.

    Duke folur në parlament për të paraqitur planin e ri të armatimeve, kryeministri Mitsotakis tha se “projekti më emblematik” i planit do të jetë një sistem i mbrojtjes ajrore, i quajtur “Mburoja e Akilit”.

    Siç shpjegohet nga ”Kathimerini”, ”Mburoja e Akilit” përbëhet nga teknologji antidronë, kundërajrorë dhe raketa balistike dhe pritet të prodhohet nga kompanitë izraelite të mbrojtjes.

    Projekti, i vlerësuar të kushtojë 2,8 miliardë euro, përfshin blerjen e sistemeve të raketave tokë-ajër me rreze të lartë, të mesme dhe të shkurtër (HSAM, MSAM) së bashku me një rrjet të sofistikuar radarësh për zbulimin dhe klasifikimin e kërcënimeve ajrore.

    Njoftimi i sotëm i Mitsotakis pason takimin e tij në Jerusalem të dielën e kaluar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me të cilin ai diskutoi projektet e mundshme të prodhimit të përbashkët të armëve midis vendeve të tyre.

    Bashkëpunimi do të përfshijë kompani izraelite në këtë sektor, duke përfshirë IAI, ”Rafael” dhe ”Elbit”.