Anëtari i AAK-së, Arton Demhasaj, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj partive opozitare, duke thënë se është e paarsyeshme të pritet bashkëpunim pas fyerjeve publike ndaj tyre.
Ai tha se është e pakuptimtë që LDK-ja dhe PDK-ja të kenë gatishmëri për bisedime me një subjekt që i ka ofenduar vazhdimisht gjatë qeverisjes.
“Pse duhet PDK-ja dhe LDK-ja me pasë gatishmëri me u ulë me diskutu me dikën që të ka quajtë ‘hajvan’ dhe ‘hajvana’, ose për katër vjet të qeverisjes, në ato vitet e tyre propaganduese, mashtruese e populliste, që vazhdimisht i kanë bo, madje edhe ndaj kryetarit të LDK-së, i cili thjesht nuk ka, si të themi, as hise në qeverisjen e kalume që këta e kanë ataku”, deklaroi Demhasaj.
Deklaratën e plotë të Arton Demhasajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Politikologu Lirim Krasniqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se krijimi i Qeverisë varet nga mënyra se si do të konstituohet Kuvendi, dhe sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka dy rrugë të mundshme përpara.
Ai tha se skenari i parë është që Vetëvendosje të krijojë qeveri me minimumin prej 61 deputetësh, gjë që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit pa vonesa.
“E para është nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta krijojë qeverinë me minimumin e nevojshëm prej gjashtëdhjetë e një deputetësh. Në atë rast ka shumë gjasa që të konstituohet Kuvendi, sepse i duhen vetëm dy deputetë për t’i bërë gjashtëdhjetë e një vota”, tha Krasniqi.
Skenari i dytë, sipas tij, do të kërkonte një koalicion të gjerë që përfshin edhe çështjen e Presidentit, dhe për këtë arsye procesi mund të zvarritet.
“Skenari tjetër varet nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta bëjë qeverinë me një shumicë pak më të madhe, e cila do të përfshinte edhe çështjen e Presidentit pas disa muajsh. Për arritjen e kësaj duhet një koalicion i madh me njërën prej partive opozitare të mëdha, që është ose LDK-ja, ose PDK-ja. Unë mendoj që Vetëvendosje do ta zhagisë procesin, nëse synon një koalicion të madh, derisa në një mënyrë t’i lodhë dy partitë e mëdha opozitare”, deklaroi Krasniqi.
Deklaratën e plotë të Lirim Krasniqit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Anëtari i AAK-së, Arton Demhasaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova po humb kohë të çmuar në krijimin e institucioneve, dhe kjo, sipas tij, është në dëm të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ai tha se Kuvendi është dashur të konstituohej shumë më herët, ndërsa shtyrja e seancës për shkak të mungesës së shumicës është e papranueshme.
“Me 15 prill seanca duhet me u konstituu, sepse nuk ka asnjë arsye për mos me qenë e konstitu. Sa më shumë që humbim kohë, qysh humbëm me rezultatin zgjedhor, tash me konstituimin e Kuvendit dhe me krijimin e Qeverisë, Kosova veç humb kohë. Nëse ka tendenca politike për me e shty seancën për shkak të mungesës së numrave për të kriju shumicën, kjo shkon pa fije dyshimi në dëm të Kosovës”, deklaroi Demhasaj.
Sipas tij, Kuvendi nuk duhet të lidhet me formimin e Qeverisë, dhe proceset nuk guxojnë të ngatërrohen për interesa politike.
“Në asnjë rrethanë nuk duhet me u lidhë konstituimi i Kuvendit me zgjedhjen e Qeverisë. Në rast se partia e parë s’i ka numrat për me bo Qeverinë, nuk duhet me u prolongu seanca për me ble kohë. Partia e parë ka pasë kohë me negociu qysh prej dhjetë shkurtit”, shtoi Demhasaj.
Deklaratën e plotë të Arton Demhasajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është e pakuptimtë që në Kosovë rritet çmimi i energjisë elektrike, ndonëse vendi ka rezerva të mëdha të thëngjillit.
Sipas tij, Kosova është e dyta në Evropë dhe e katërta në botë për sasinë e rezervave të thëngjillit, ndaj çmimi i rrymës nuk do të duhej të rritej.
“Është shumë e çuditshme qysh ngritet çmimi i energjisë elektrike kur ne flejmë në thëngjill, kur Kosova është vendi i dytë në Evropë”, tha Misini.
Ai tha se në vendet e tjera evropiane, çmimet e energjisë kanë rënë ndjeshëm që nga janari i vitit të kaluar.
“Global Price Energy Index tregon një balancim të çmimit të energjisë elektrike në botë. Në Zvicër, për shembull, nga një janari çmimi i energjisë hidrike është zvogëlu për dhjetë përqind. Ndërsa tek ne, shihet tendencë për rritje”, shtoi Misini.
Deklaratën e plotë të Shkumbin Misinit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Komuna e Prishtinës u akuzua që projekte gjigande e të rëndësishme për kryeqytetin i filloi pa leje paraprake.
Ministria e Kulturës më së shumti pati kritika rreth projektit në sheshin “Xhorxh Bush”, punimet për të cilin u pezulluan para pak javësh. Sekretari i Ministrisë, Bislim Bislimi, përmendi edhe disa projekte të tjera, që sipas tij, kanë filluar pa leje, pavarësisht se janë hapësira të mbrojtura me ligj.
“Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në projektin e lidhjes së lagjes “Arbëria” me plafonë e Pallatit të Rinisë, është rasti i parë. Zhvillimi i projektit, prokurimit të tij në projektin e rrugës “Agim Ramadani”, zhvillimi i projektit prokurimit të tij dhe nisja e punës në rrugën “Rexhep Luci” – të gjitha këto ndërhyrje janë pa leje të shkruar”, tha Bislimi.
Ndërsa, në kohën kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte bërë publik kallëzimin penal ndaj inspektorit që ndërpreu punimet, drejtori I inspektoratit Imer Hakaj, përmes një postimi në Facebook kishte ofruar dorëheqje.
Dorëheqja, që nuk iu pranua nga ministri, Hakaj thotë se i erdhi nga presioni.
“Kërkesa ime zyrtare për largim nga pozita e drejtorit të inspektoratit ka qenë shkak i presionit i tejkalimit të kompetencës së kryetarit të komunës dhe drejtorëve kompetentë ndaj Inspektorit të trashëgimisë kulturore, dhe jam munduar dhe mundohem prapë të qëndroj në atë pikë për shkak se tash me ligjin për inspektime, unë jam përgjegjës për çdo tejkalim”, tha Hakaj.
Përplasjet mes komunës së Prishtinës e Ministrisë së Kulturës kulmuan pikërisht pas pezullimit të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.
Tashmë dy palët kanë dorëzuar kallëzime penale me qëndrimet e tyre, në organet kompetente.
Gati 15 muaj që nga ky deklarim s’u bë asnjë hap konkret në jetësimin e këtij programi.
Kjo ishte vetëm një prej 7 pikave që Komandantja supreme e FSK-së, presidentja Vjosa Osmani, pati përmendur në programin për forcimin e Ushtrisë.
Programi parashihte edhe pagesat e shtesave në paga për rrezikshmëri, pagesat e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, sigurimi shëndetësor e disa të tjera. E nga presidenca as pas disa ditë pritjeje nuk treguan, nëse është ndërmarrë diçka në këtë aspekt.
Megjithatë nevoja për to mbetet jetike, sipas njohësve të fushës, pavarësisht premtimeve që i konsiderojnë popullsite.
“Forca sigurisë së Kosovës në planin e saj 10 vjeçar nuk ka të paraparë ndërtimin spitalit ushtarak por vetëm ka ngritjen e kapaciteteve brenda kësaj komponente ushtarake në kuadër të FSK-së, por që duhet të kemi parasysh që në afatin pas planit gjithëpërfshirës të planifikojmë në planin strategjik nacional edhe ndërtimin e spitalit ushtarak”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Pasi tha se institucionet e sigurisë kanë ligje të mira në bazë të cilave duhet të veprojnë, profesori i kriminalistikës Mensut Ademi, theksoi se problem mbetet zbatimi i tyre.
“Me këto popullizma nuk kemi arritur asnjëherë që të ti zbatojmë këto ligje. FSK-ja duhet të pajiset dhe të krijohet infrastruktura dhe pajisjet qoftë medicinale dhe qoftë ato ushtarake dhe ne kemi çaluar në fazën e dytë. Ne mund të kemi infrastrukturë dhe pajisje dhe kemi çaluar tek resurset njerëzore”, tha Ademi.
Së fundmi Forcës së Sigurisë iu shtuan edhe 344 ushtarë të rinj, derisa me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë.
Me “Kosova dhe Metohija” në Serbi gjithmonë i referohen Republikës së Kosovës.
Por, me këtë term, iu referuan vendit edhe në një institucion që konsiderohet të jetë i saj, respektivisht Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në Hagë.
Në një dokument të muajit shkurt 2023, përshkruhet se duke iu drejtuar Sefer Goxhulit, njëri nga dy hetuesit e ZPS-së të cilët po e intervistonin e përmendën emrin për çka i intervistuari ishte ankuar më pas, përmes avokatit të popullit.
“Në fillim të intervistës, njëri prej punonjësve, gjatë leximit të një dokumenti, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët ‘Kosovo i Metohija’ (‘Kosovë dhe Metohi’. Në atë moment, ankuesi nuk ngriti ndonjë kundërshtim dhe shqetësim në lidhje me përdorimin e shprehjes ‘Kosovë dhe Metohi’, pasi u këshillua të mos e bënte këtë nga mbrojtësi i tij. Megjithatë, në fund të intervistës, ai shprehu shqetësimin e tij për përdorimin e kësaj shprehjeje në dokumentacion”, thuhet në ankesën e Avokatit të Popullit.
Në përgjigjen ndaj ankesës, ZPS aso kohe kishte pranuar se hetuesi e kishte përdorur termin, por gabimisht. Por, Goxhuli, po në atë ankesë, shprehej i bindur se nuk ishte vetëm lëshim.
Ankuesi gjithashtu pretendon se përdorimi i termit nuk ishte thjesht rezultat i një gabimi gjuhësor nga ana e përfaqësuesit të ZPS-së, dhe vë në dukje faktin se përfaqësuesi në fjalë po e lexonte nga një dokument ku përdorej termi.
Me apo pa qëllim, përdorimi i këtij termi sipas njohësve të punës së këtij institucioni, konsiderohet shkelje e rëndë.
“E konsideroj si një skandal, dhe si një tendencë për ta zhvleftësuar sistemin juridik të Kosovës. Konsideroj që Institucionet e Kosovës, qeveria që do themelohet, se kjo që ishte nuk interesohej, do duhej t’ia shkruante një letër, kryetares së dhomave të specializuara”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat.
Kjo shpërfaq edhe diçka tjetër, thotë një tjetër avokat.
“Është e papranueshme dhe e pafalshme. Kjo shpërfaqë faktin se prapa këtij procesi qëndron Serbia”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Sefer Goxhuli, në kohën kur u intervistua, siç kupton ATV, ishte shef i një departamenti në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Qysh në fillim tabela informon se segmenti I magjistrales që lidh Mitrovicën me Prishtinën nuk është lëshuar ende për qarkullim pasi që nuk kanë përfunduar ende punimet në të, mirëpo ky segment shfrytëzohet prapë nga automjetet.
Por ngasësit detyrohen ta ulin shpejtësinë pasi që në rrugë ka pengesa.
Ka kaluar aq kohë kur nga rrëshqitja e dheut njëra pjesë e këtij shiriti rrugor është dëmtuar saqë mbi dheun ka mbirë edhe bari. Këtu nuk ka asnjë sinjalizues tjetër përpos kësaj shenje që tregon se ka rrëshqitje dheu në këtë pjesë rrugore, e mundësia e vetme që u mbetet shoferëve ta kalojnë këtë pjesë është që ngasjen e makinës ta bëjnë në shiritin e tejkalimit.
Dheu që rrëshqiti në këtë pjesë të rrugës disa herë u bë shkas edhe për aksidente trafiku. Madje gjurmët nga ai i fundit i para dy ditëve ende shihen.
Ministria e Infrastrukturës gjatë ditës nuk i ka kthyer përgjigje ATV-së se kur do intervenohet në lirimin e rrugës.
Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian miratoi një raport në të cilin përgëzohet progresi që Kosova shënoi në rrugën drejt integrimit evropian.
Në raport vlerësohen reformat në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke theksuar vendosmërinë e “sigurt” për këtë.
Megjithatë, Kosova është larg heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndonëse disa prej euro deputetëve gjatë seancës të së mërkurës bënë thirrje për këtë.
“Ne e dimë në çfarë situate jemi duhet konsensus i plotë, qytetari nuk i vëren, mirëpo shteti po, shumë projekte mbesin pezull, jemi larg mundësisë mu marrë një vendim i tillë, duhet të formohet një qeveri legjitime e që bën pastaj hap me bashkimin evropian”, tha Bekim Kabashi, njohës politik.
Bashkimi Evropian ndëshkoi Kosovën në qershor të 2023-s për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë dhe nxitjen e tensioneve etnike në veri.
“Ka shtete të cilat nuk pajtohen dhe këtë gjë mirë e dimë, nuk është procedurë e lehtë, nuk besoj që do të hiqen së shpejti…”, tha Basri Muja, njohës politik.
Kosova ka aplikuar për t’iu bashkuar bllokut 27-anëtarësh qysh në dhjetor të vitit 2022, por që nga ajo kohë nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.
E qytetarët të zënë mes të mospajtimeve, faturën për mbeturina po ia paguajnë ose kompanisë rajonale “Pastrimi” ose Komunës së Prishtinës.
Por ata të cilët nuk i kanë kryer pagesat në ndërmarrje për shërbimet që i morën kanë kohë edhe 10 ditë në të kundërtën Pastrimi do t’i përballë me përmbaruesin.
Shtyrja e datës sipas kompanisë ‘Pastrimi’ u bë ngase deri më atë datë po presin edhe reagimin e Komunës së Prishitnës.
“Kam drejtuar shqetësimet tek Kryetari i Komunës Përparim Rama për ta njoftuar me veprimet e kundërligjshme që janë duke ndodhur tani, në mënyrë që të veprojnë deri më datë 20.04.2025 dhe të njoftojnë qytetarët me atë çfarë realisht përcaktohet për pagesat që duhet të bëhen në KRM “Pastrimi”, e që në radhë të parë të qartësojnë qytetarët duke mos i lënë në mjegull me keqinformimet e fundit. Pas datës 20.04.2025 ne do të procedojmë të gjithë ata që nuk kanë paguar obligimet e tarifave për këtë periudhë kohore tek Përmbaruesi Privat”, tha Petrit Reqica, shef ekzekutiv i KRM ”Pastrimi”.
Por, nga komuna i thanë ATV-së se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuesë për të parë se kush ka të drejtë në këtë çështje. Sidoqoftë, sipas Komunës qytetarët do të paguajnë veç një herë.
“Jemi ne proces gjyqsor, po presim vendimin, nëse jemi në te drejten tonë presim që kompania me i kompenzu inkasimet qe ika bë. Ndërsa nëse ka të drejt kompania do ia rimbursojmë kompanise in-kasimim qe e kemi bërë ne”, tha drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci.
Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim më 5 shkurt që pagesat për mbeturina t’i bëhen komunës duke e akuzuar Pastrimin për mosefikasitet.
Kompania akuzoi pastaj komunën që do të bëjë kontrata të kundërligjshme operatorëve privat me vlerë mbi 18.5 milionë që do të vlenin vetëm 3 vjet.