ATV

Category: Lajme

  • 26 vjet nga rënia e Agim Ramadanit – hartuesit të planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar

    26 vjet nga rënia e Agim Ramadanit – hartuesit të planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar

    Sot bëhen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

    Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën e bëri bashkë me shokët.

    Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

    Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-armatën jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

    Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

    Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare.

    Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht.

  • Presidentja Osmani me ftesë të Presidentit Erdogan merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

    Presidentja Osmani me ftesë të Presidentit Erdogan merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.

    Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

    “Presidentja Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar.

    Gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, njoftoi Zyra e presidentes.

    Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Deputetët e rinj të PDK-së e LDK-së regjistrohen sot në Kuvend

    Deputetët e rinj të PDK-së e LDK-së regjistrohen sot në Kuvend

    Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, procesi i konstituimit të legjislaturës së re ka nisur zyrtarisht.

    Që nga dje, në ambientet e Kuvendit të Kosovës ka filluar regjistrimi i deputetëve të rinj të zgjedhur, si hap formal që i paraprin seancës konstituive.

    Gjatë ditës së djeshme, regjistrimin e kanë kryer deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa sot pritet të vijojnë deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ndërkohë, të hënën është paraparë që të regjistrohen deputetët e koalicionit AAK-Nisma, si dhe ata nga komunitetet pakicë.

    Ky proces është i domosdoshëm për të mundësuar mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit, e cila do të mbahet më 15 prill 2025.

    Në këtë seancë, përveç betimit të deputetëve, pritet të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit dhe të formohen strukturat e para parlamentare.

  • 15 për qind më shtrenjtë – ZRrE sot pritet të ‘vulosë’ rritjen e çmimit të rrymës

    15 për qind më shtrenjtë – ZRrE sot pritet të ‘vulosë’ rritjen e çmimit të rrymës

    Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ka ngjallur reagime të ashpra nga qytetarët, ndërsa vendimi pritet të merret të sot.

    Me fillim nga ora 10:00, më 11 prill, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do të mbajë seancën e tretë për këtë vit, ku në rend dite është shqyrtimi i propozimit për shtrenjtim të energjisë elektrike për 15 për qind.

    Sipas njoftimit të ZRRE-së, përveç miratimit të procesverbalit nga seanca e kaluar, Bordi do të shqyrtojë edhe të hyrat e lejuara maksimale për operatorët energjetikë.

    E ndërkohë që autoritetet përgatiten për marrjen e këtij vendimi, qytetarët janë mobilizuar për të kundërshtuar rritjen e çmimit.

    Me fillim nga ora 12:00 të së njëjtës ditë, është paralajmëruar protesta e dytë e qytetarëve kundër këtij propozimi, pas një vale të gjerë reagimesh në rrjete sociale, ku janë shënuar qindra komente kundërshtuese.

  • Cana: Administrata Trump mund të ndikojë në zgjedhjen e presidentit të Kosovës

    Cana: Administrata Trump mund të ndikojë në zgjedhjen e presidentit të Kosovës

    Ish-ambasadori Edon Cana, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndikimi ndërkombëtar, sidomos ai nga administrata e Donald Trump, mund të jetë faktor përcaktues në vendimmarrjet për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

    Sipas tij, kërkesa për postin e presidentit po përdoret si justifikim nga partitë që hezitojnë të hyjnë në koalicion, ndërsa faktorët ndërkombëtarë mund të përcaktojnë drejtimin që do të marrë kjo çështje.

    “Nëse ka pas ndonjë faktor ndërkombëtar ndonjëherë më të rrezikshëm dhe më të vendosur sesa Presidenti Trump, që nga themelimi i shtetit të Kosovës, mendoj që është një faktor determinues në të ardhmen e vendimeve, të cilat do të merren për punën e Presidentit”, tha Cana.

    Ai paralajmëroi se vonesat në krijimin e institucioneve janë të rrezikshme, veçanërisht në kohën kur Evropa po përballet me pasiguri të madhe gjeopolitike dhe të sigurisë.

    “A ka Kosova luks të jetë pa qeveri? Kujt i shërben kjo, në kohën më kritike në historinë politike që nga Lufta e Dytë Botërore? Sot Evropa është në një panik të sigurisë, në fakt mund të them në një panik të merituar, sepse për pesëdhjetë vite ka bërë shaka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Cana.

    Deklaratën e plotë të Edon Canës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Krasniqi: Kushtet e LDK-së janë të paarsyeshme, po sillet si me qenë partia e parë

    Krasniqi: Kushtet e LDK-së janë të paarsyeshme, po sillet si me qenë partia e parë

    Politikologu Lirim Krasniqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se LDK po vendos kushte të paarsyeshme për koalicion, duke vepruar sikur të ishte partia fituese, ndonëse ka dalë e treta në zgjedhje.

    Ai tha se brenda sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës, partitë janë të detyruara të bashkëpunojnë, përveç në raste kur ndonjëra arrin shumicën absolute.

    “Sistemi politik edhe kushtetues i Kosovës në njërën mënyrë i obligon partitë politike me bashkëpunu, me përjashtim kur e kalojnë pesëdhjetë për qind, qysh ka ndodhë para katër viteve.
    Pavarësisht sa kokëfortë kanë qenë, partitë e kuptojnë që mënyra e vetme e qëndrimit në pushtet është ndërveprimi me partitë tjera”, tha Krasniqi.

    Sipas tij, kokëfortësia e LDK-së në këtë fazë është e pakuptimtë, pasi ajo duhet të pranojë realitetin zgjedhor dhe rolin që i takon si partia e tretë.

    “Më çudit kjo kokëfortësi, sidomos e LDK-së, edhe me e diskutu mundësinë e koalicionit. Është një parti që ka dalë e treta në zgjedhje, që i ka humb zgjedhjet, dhe vendos kushte të patejkalueshme, sikurse me qenë partia e parë ndoshta”, deklaroi Krasniqi.

    Deklaratën e plotë të Lirim Krasniqit në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Misini: Fatura e rrymës në Kosovë më e shtrenjtë se në Zvicër

    Misini: Fatura e rrymës në Kosovë më e shtrenjtë se në Zvicër

    Profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është tejet i lartë, madje më i shtrenjtë sesa në vende si Zvicra, që kanë të ardhura shumë më të mëdha për kokë banori.

    Ai tregoi se krahasoi çmimin e faturës së energjisë në Kosovë me atë të një deputeti shqiptar në Zvicër, duke thënë se dallimi është absurd në raport me të ardhurat.

    “Kontaktova me një deputet shqiptar të kantonit të Bernit. Tha se çmimi i faturës së energjisë më ka ardhë 110 franga, që i bie rreth 118 euro, për katër anëtarë të familjes. Ndërkohë, të ardhurat për kokë banori në Zvicër janë rreth 100 mijë dollarë. Domethënë, në një shtet ku të ardhurat janë shumë më të larta, fatura e rrymës është më e lirë se në Kosovë”, tha Misini.

    Ai shtoi se deputetët në Kosovë nuk reagojnë për këtë problem, ndoshta për shkak se pagat e tyre të larta i bëjnë të pandjeshëm ndaj krizës energjetike dhe kostos së jetesës.

    “Ose i kanë pagat e mira që përballojnë çmimet, sepse kur e ke një pagë të mirë, nuk të bën përshtypje rritja 15 për qind. Kostoja e jetesës është shumë e lartë dhe deputetët nuk e kanë interesin e popullatës. Në protestë për energjinë nuk pashë asnjë prej tyre”, u shpreh Misini.

    Deklaratën e plotë të Shkumbin Misinit në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Misini: Deputetët nuk e kanë interesin e qytetarëve

    Misini: Deputetët nuk e kanë interesin e qytetarëve

    Profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk e përfaqësojnë interesin e qytetarëve dhe nuk reagojnë ndaj çështjeve që i prekin ata drejtpërdrejt.

    Ai tha se mungesa e tyre në protesta dhe heshtja përballë rritjes së çmimit të energjisë elektrike tregon se jetojnë në një realitet tjetër për shkak të pagave të larta që i kanë.

    “Deputetët e Kuvendit të Kosovës, edhe këta të tashmit edhe të mëhershmit, nuk e kanë interesin e popullatës. Ishte protestë për energjinë, asnjë nuk e pashë aty. Ose i kanë pagat e mira që përballojnë çmimet, sepse kur e ke një pagë të mirë, nuk të bën përshtypje rritja 15 për qind. Kostoja e jetesës është shumë e lartë”, tha Misini.

    Deklaratën e plotë të Shkumbin Misinit në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Cana: Mund të ketë individë që tejkalojnë interesat partiake për të mirën kombëtare

    Cana: Mund të ketë individë që tejkalojnë interesat partiake për të mirën kombëtare

    Ish-ambasadori Edon Cana, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se krijimi i Qeverisë duhet të ndodhë sa më shpejt dhe përtej interesave partiake, duke lënë hapësirë për figura që mund të veprojnë në emër të interesit kombëtar.

    Sipas tij, në procesin e themelimit të institucioneve, mund të shfaqen individë që vënë interesin e vendit mbi atë të partive politike.

    “Mund të ketë ndonjë kandidat, siç u theksua, për President, ose mund të ketë kandidatë të ndryshëm në kuadër të propozimit, një figurë nacionale, e cila do të jetë në përputhje me interesat e gjitha këtyre partive. Po të mos harrojmë, dinamikat politike botërore do të ndikojnë drejtpërdrejt në dinamikat politike në Kosovë”, tha Cana.

    Ai tha se edhe partitë që nuk janë pjesë e ekzekutivit, përfshirë Listën Serbe, kanë rol kushtetues dhe ndikim në vendimet që pritet të merren.

    “Mund të mos jenë pjesë e ekzekutivit, por vota e tyre do të ketë vlerë. Dhe mos të harrojmë kah individë të ndryshëm, të cilët i tejkalojnë interesat partiake”, deklaroi Cana.

    Deklaratën e plotë të Edon Canës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Bytyqi: Pa koalicion mes partive të mëdha, Kosova rrezikon krizë të re politike

    Bytyqi: Pa koalicion mes partive të mëdha, Kosova rrezikon krizë të re politike

    Avokati Asdren Bytyqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pa një marrëveshje mes tri partive të mëdha, çdo qeveri që do të formohej do të ishte e dobët dhe rrezikon të çojë Kosovën në krizë politike brenda një viti.

    Ai tha se koalicioni i vetëm që mund të prodhojë një qeveri stabile është ai mes partisë së parë dhe partive të mëdha opozitare, i cili do të siguronte jo vetëm qeverinë por edhe zgjedhjen e Presidentit.

    “Vetëm një koalicion mes partisë së parë dhe dytë dhe partisë së parë dhe tretë, domosdoshmërisht partia e parë mund të prodhojë një qeveri stabile, të sigurt, e cila mund të qëndrojë në këmbët e veta për katër vite, sepse do të mund t’i kishte votat edhe për President”, deklaroi Bytyqi.

    Sipas tij, çdo kombinim jashtë kësaj formule rrezikon të prodhojë një qeveri jostabile, që pas një viti mund ta fusë vendin në një krizë të re politike.

    “Çdo qeveri jashtë matematikave të kombinimit, pra të koalicionit mes tri partive të mëdha, veçanërisht partisë së parë me dy partitë tjera ose njërën prej tyre, automatikisht Kosovën do ta sjellë në një krizë të re politike pas një viti, e cila nuk e di se do të mund të kalohet”, tha Bytyqi.

    Deklaratën e plotë të Asdren Bytyqit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: