ATV

Category: Lajme

  • ​Përvetësoi para të kundërligjshme gjatë periudhës 2017-2019, arrestohet i dyshuari

    ​Përvetësoi para të kundërligjshme gjatë periudhës 2017-2019, arrestohet i dyshuari

    Është arrestuar një person i dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24 orësh duke bërë me dije se i dyshuari kishte përvetësuar para të kundërligjshme gjatë periudhës 2017-2019.

    “Prizren / 01.01.2017. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti gjatë periudhës 2017-2019 kishte përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme para në shumë të përgjithshme prej 150 660.61€. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • ​144 vjet nga rënia heroike e Mic Sokolit

    ​144 vjet nga rënia heroike e Mic Sokolit

    Mic Sokoli u lind në vitin 1839 në Fang të Bujanit, Tropojë dhe ra në vitin 1881. Ishte luftëtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – Hero i Popullit.

    Mic Sokoli rrjedh nga një familje patriotësh. Udhëhoqi njësi të mëdha luftarake të Lidhjes në shumë beteja. u shqua për strategji, gatishmëri dhe trimëri, raporton KosovaPress.

    Mori pjesë aktive në luftimet e Shkupit, Prizrenit, Ferizajt, Gjilan, Gjakovë kundër Mehmet Ali Pashës, u dallua në betejën e Nokshiqit kundër agresorëve malazezë, luftoi në Plavë e Guci, Hot, Grudë, Tuz. Pastaj në rrafshin e Kosovës në betejën e madhe të Shtimes, Carralevës dhe në atë të Slivovës nga ku dhe ra heroikisht.

    Në betejën e Slivovës në afërsi të Shtimes, në prill 1881, kundër forcave osmane të Dervish Pashës, kreu një akt trimërie të rrallë, duke i vënë gjoksin topit të armikut dhe ra heroikisht në fushën e betejës, duke frymëzuar të gjithë luftëtarët e tjerë të vazhdojnë luftën me trimëri e krenari.

    Mici ra heroikisht në moshën 42-vjeçare, duke lënë pas gruan dhe dy fëmijë – një djalë dhe një vajzë.

    Më shumë se një shekull më pas, po një nip i tij e vazhdoi aty ku e la Mici, aty ku e ndërpreu Lidhja Shqiptare.

    Ai kishte trashëguar nga gjenet e Micit trimërinë dhe shkathtësinë ushtarake. Nipi i Mic Sokolit, ra dëshmor duke luftuar për bashkim kombëtar dhe quhet Tahir Sinani.

    Shumë ngjarje dhe luftëtarë të Epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përjetësuan përmes epikës historike, por vendin e parë e zë Mic Sokoli, prijësi i Krasniqes, biri i Sokol Ramës nga Malësia e Madhe.

    Heroizmi i pashoq i Micit u kthye në legjendë, dhe këngët për të jehuan nëpër vite duke mbërritur deri te ne.

  • ​101 vjet nga vrasja e Avni Rustemit

    ​101 vjet nga vrasja e Avni Rustemit

    Avni Rustemi vdiq pas një atentati në Tiranë. Atij i bëhet atentat më 20 prill pranë Pazarit të Ri, por vdes dy ditë më vonë, më 22 prill 1924.

    U lind në Libohovë, në një familje atdhetare. I ati ishte Qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës.

    Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës, raporton KosovaPress.

    Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke.

    Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913, dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij, u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.

    Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris, Esat Pashë Toptanin.

    Gazeta e njohur franceze “Le Meiroir”, më datë 20 qershor 1920 publikoi një fotografi të panjohur deri me sot të Avni Rustemit. Në foto, ai shihet i torturuar barbarisht nga policia franceze pasi kishte kryer atentat ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris. Megjithatë, Avni Rustemi u lirua pas vetëm 6 muajve.

    Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intensifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.

    Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës “Atdheu”, në gusht 1922, përsëri me nismën e Avni Rustemit, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”.

    Avni Rustemi, nuk ishte vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë.

    Daljen e vendit nga prapambetja, Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”.

    Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës.

    Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fudullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi.

    Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vendit nga njerëz të vënë prej qeverisë së asaj kohe, atij i bëhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë, ku vdes dy ditë më vonë, pikërisht më 22 prill 1924. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjes që triumfoi më 10 qershor 1924.

  • ​Dita Ndërkombëtare e Tokës

    ​Dita Ndërkombëtare e Tokës

    Sot është Dita Ndërkombëtare e Tokës, e cila shërben si një rast për të reflektuar mbi rëndësinë e kujdesit për shtëpinë tonë dhe për adresimin e sfidave serioze, si ndryshimi i klimës.

    Sipas Kombeve të Bashkuara, kjo ditë është një thirrje për veprim për të mirën e planetit tonë – nga ndryshimi i tendencës së mbushjes së oqeaneve me plastikë, te ngjarjet aktuale klimatike që prekin miliona njerëz, duke përfshirë nxehtësinë ekstreme, zjarret dhe përmbytjet, raporton KosovaPress.

    Thirrja për veprim nuk nënkupton vetëm trajtimin e qëllimeve të mëdha, por gjithashtu inkurajon përkushtimin ndaj veprave të vogla të përditshme, që mund të sjellin ndryshim.

    Më 22 prill 1970, kjo ditë u shpall për herë të parë si Dita e Tokës, pas një iniciative të senatorit amerikan Gaylord Nelson, që erdhi si përgjigje ndaj pasojave të një derdhjeje masive të naftës në Santa Barbara, Kaliforni, raporton KosovaPress.

    Që nga viti 1990, kjo datë u miratua edhe nga grupet mjedisore në mbarë botën. Në vitin 1992, OKB-ja organizoi Samitin e Tokës në Rio de Zhaneiro (Brazil), duke i dhënë një shtysë tjetër kësaj fushate, ndërsa në vitin 2009, e shpalli zyrtarisht këtë ditë me një rezolutë të veçantë.

    Veprimtarë dhe shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, organizuan një mbrëmje vallëzimi për nder të planetit.

    Kështu për të parën herë, ngrihej shqetësimi për problemet e mjedisit. Në Avenynë e Pestë të Nju-Jorkut me këtë rast u zhvillua një paradë e cila zgjati dy orë.

    Me këtë rast, më tepër se 10 milionë nxënësve të shkollave amerikane iu dhanë orë të veçanta mësimi për mjedisin, ku theksohej rëndësia e mbrojtjes së mjedisit.

    Po atë ditë, rreth 10 mijë vetë u mblodhën në lëndinën përpara Monumentit të Uashingtonit në kryeqytetin amerikan, për t’i bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë hapa më të fuqishëm në drejtim të mbrojtjes së mjedisit.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës reshjet mund të shoqërohen edhe me shkarkime rrufesh.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 19-23 gradë Celsius. Gjithashtu, bëhet e ditur se do të fryjë erë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-11 metër për sekondë”, thuhet në njoftimin e institutit.

  • Kryetari i Ulqinit thirrje për protestë: Mos ta shndërrojmë Plazhin e Madh në zonë të betonizuar

    Kryetari i Ulqinit thirrje për protestë: Mos ta shndërrojmë Plazhin e Madh në zonë të betonizuar

    Kryetari i Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë protestën nesër kundër privatizimit të Plazhit të Madh, përmes një mesazhi video. Ai theksoi se Kuvendi i Malit të Zi do të vazhdojë nesër seancën për të diskutuar një marrëveshje që është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Ulqinit.

    Nimanbegu bëri thirrje për mbështetje masive para Kuvendit, duke kërkuar që të mbroni Plazhin e Madh, dhe theksoi se nuk duhet lejuar shndërrimi i tij në një zonë të betonizuar.

    “Beteja jonë për mbrojtjen e Plazhit të Madh vazhdon. Kuvendi i Malit të Zi vazhdon nesër seancën ku tenton të bëjë marrëveshjen e cila është në kundërshtim me interesat tona. Prandaj ju ftoj masovikisht të mblidhemi para Kuvendit të Malitz të Zi dhe të mbrojmë së bashku perlën tonë, Plazhin e Madh. Të mos lejojmë shndërrimin e Plazhit të Madh në zonë të betonizuar dhe të ‘geto’ – izuar”, ka thënë Nimanbegu.

    Ai gjithashtu u bëri thirrje deputetëve që do të votojnë për këtë marrëveshje të kenë përgjegjësi për vendimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen e plazhit.

    Kjo është një vazhdim i protestave të banorëve dhe organizatave joqeveritare në Ulqin, të cilët kundërshtojnë dhënien me qira të plazheve të qytetit, që vitet e fundit janë marrë nga biznesmenët lokalë, ndërsa këtë vit, oferta më e mirë është vlerësuar të jetë ajo e kompanisë arabe Eagle Hills.

  • Sa do të rritet çmimi i bukës dhe si po e presin këtë vendim qytetarët?

    Sa do të rritet çmimi i bukës dhe si po e presin këtë vendim qytetarët?

    Drita e gjelbër që iu dha ngritjes së çmimit të energjisë elektrike bëri bujë të madhe.

    Kjo për shkak se ky vendim u tha se do të ketë ndikim në ngritjen e çmimeve të tjera.

    Një ngritje të lehtë të çmimit do të ketë edhe produkti esencial për ushqim sic është mielli.

    Por, se sa do të rritet çmimi i tij e tregoi kryetari i shoqatës së mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu.

    “Sa i përket miellit nuk ndikon drejtpërdrejt në një ngritje të madhe, pasi që energjia elektrike në koston e prodhimit nuk është pjesë e madhe e përbërjes së çmimit. Nuk duhet të shfrytëzohet kjo situatë si pretekst për t’i ngritur çmimet pa ndonjë arsyeje, nuk e shoh një arsyeje për ngritje të çmimit kaq të mëdha, sigurisht se do të ketë një ngritje të çmimit të lehtë”.

    “Nëse flasim për miellin drejtpërdrejt, nëse çmimi sot është 320 apo 350, çmimi që mund të ngritët maksimumi, mundet me qenë rreth 5 euro për ton”, tha Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës

    Zyra e Rregullatorit për Energji me datën 11 prill mori vendimin që çmimi i rrymës të rritet prej 16.1%.

    E për të kundërshtuar këtë rritje në kryeqytet u organizuan disa protesta.

  • Ndahet nga jeta ish-kryetari i Prishtinës, Salih Gashi

    Ndahet nga jeta ish-kryetari i Prishtinës, Salih Gashi

    Ka ndërruar jetë akademiku dhe ish-kryetari i parë i Prishtinës pas luftës, Salih Gashi, një figurë e njohur e jetës akademike dhe politike në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

    Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, i cili përmes një postimi ka shprehur ngushëllime dhe ka theksuar rëndësinë e kontributit të Gashit në ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin e kryeqytetit në një periudhë të vështirë.

    “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Salih Gashi – kryetarit të parë të Prishtinës pas luftës nga radhët e LDK-së dhe profesor i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Rama, duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët, komunitetin akademik dhe gjithë qytetarët e Prishtinës.

  • Zbulohet shkaku i vdekjes së Papa Françeskut

    Zbulohet shkaku i vdekjes së Papa Françeskut

    Zbulohet shkaku i vdekjes së Papa Françeskut.

    Sipas deklaratës së Vatikanit, Papa vdiq nga një goditje në tru. Deklarata erdhi rreth 12 orë pas njoftimit të parë të vdekjes së Papës.

    Papa Françesku kishte probleme të rënda shëndetësore, të cilat u përkeqësuan në vitet e fundit të jetës së tij.

    Ai vuajti veçanërisht nga sëmundje kronike të mushkërive. Më 14 shkurt ai u shtrua në spitalin Gemelli me një krizë respiratore që u shndërrua në pneumoni të dyfishtë. Ai u shtrua në reanimacion për disa ditë dhe gjendja e tij u stabilizua.

  • Rama pas vdekjes së Papa Françeskut:  Lamtumirë, At i Shenjtë – mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë

    Rama pas vdekjes së Papa Françeskut: Lamtumirë, At i Shenjtë – mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është deklaruar pasi Papa Françesku ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

    I pari i qeverisë shqiptare ka përkujtuar Papa Françeskun duke e quajtur atë një mik të paharrueshëm të Shqipërisë.

    “Lamtumirë, At i Shenjtë – mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë”, ka shkruar Rama në Facebook.

    Papa Françesku vdiq sot në moshën 88-vjeçare, një muaj pasi doli nga spitali ku ishte trajtuar për pesë javë për një infeksion që ishte zhvilluar në pneumoni.

    Pas vdekjes së Papës Françesku, sot në Vatikan ka filluar një sedisvakancë – një regjim i veçantë që shënon një periudhë pa Papë.

    Funerali i Papa Françeskut do të ndryshojë nga ceremonitë e mëparshme funerale papate, të cilat tradicionalisht kanë qenë luksoze dhe rreptësisht formale.

    Burime nga Vatikani thonë se varrimi i Papa Françeskut duhet të bëhet brenda nëntë ditëve të ardhshme, por sipas Sky News, ai mund të bëhet edhe më herët.

    Papa Françesku do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë Major në Romë, duke shënuar herën e parë në më shumë se një shekull që një papë varroset jashtë Vatikanit. Ai e zbuloi këtë në një intervistë në vitin 2023.

    Sipas traditës, papët janë varrosur në kriptet poshtë bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, ku pushojnë gati njëqind nga paraardhësit e tij, por Papa Françesku ka vendosur ndryshe.