ATV

Category: Lajme

  • Në Ballkanin e trazuar politikisht, ura bashkëpunimi për klimën dhe të ardhmen e gjelbër të rajonit

    Në Ballkanin e trazuar politikisht, ura bashkëpunimi për klimën dhe të ardhmen e gjelbër të rajonit

    Në një Ballkan të trazuar nga tensionet politike, një tjetër urë po ndërtohet, ajo e bashkëpunimit për klimën dhe të ardhmen e gjelbër të rajonit.

    Kjo ishte fryma që mbizotëroi në konferencën “Ura të reja për një të ardhme të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga The Balkan Forum, raporton Ekonomia Online

    Pjesëmarrës ishin nga vende të ndryshme të rajonit dhe përfaqësues të institucioneve evropiane u mblodhën për të diskutuar mbi një prej çështjeve më urgjente të kohës: ndryshimet klimatike dhe fuqizimi i brezit të ri për të vepruar.

    Françeska Korançe, koordinatore e projektit nga BGG, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar në këtë fushë, duke vënë theksin te fuqizimi i të rinjve si agjentë të ndryshimit.

    “Pas muajsh aktivitetesh, takimesh, angazhimi, komunikimi, dhe të bërit gjëra së bashku. Dhe jo vetëm së bashku si individë, por së bashku si rajon… Ajo që ky projekt në fakt u përpoq të bëjë ishte t’i japë këtë fuqi të rinjve, brezit që nesër do të bëjë dhe do të shënojë transformimet më të mëdha në këtë planet tonin”.

    Duke lidhur temën e Ditës së Tokës me projektin, Korançe ngriti pyetjen sfiduese.

    Ajo shtoi se nga projekti në fjalë janë pajisur 195 përfitues me njohuri mbi ndryshimet klimatike dhe mjete të edukimit joformal, janë angazhuar më shumë se 250 përfitues në zhvillim të qëndrueshëm dhe në hartimin e politikave në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe të BE-së.

    “Ku do të ishte rajoni pa shtytjen e veprimit për klimën nga BE-ja? A do të kishte veprim klimatik në rajon pa mbështetjen ose shtytjen nga BE-ja?”, pyeti ajo.

    Zyrtarja e EACEA-së, Christelle Philips, shprehu mbështetjen e fortë të Komisionit Evropian për projekte të tilla, duke e vlerësuar punën e bërë si të jashtëzakonshme.

    Ajo zbuloi se vetëm për vitin 2029 janë dedikuar mbi 40 milionë euro për projekte në fushën e rinisë dhe klimës, ndërsa Ballkani Perëndimor mbetet një prej dritareve kryesore për financim dhe përfshirje aktive.

    “Çështje si ndryshimet klimatike dhe respekti ndaj mjedisit janë në ballë të jetës sonë të përditshme. Janë sfida konkrete që kërkojnë vëmendjen dhe veprimin tonë të menjëhershëm”, tha ajo.

    Nga ana tjetër, Agim Mazreku, këshilltar në Ministrinë e Mjedisit të Kosovës, ndau hapat që janë ndërmarrë në vend për të ndërtuar një kornizë të qëndrueshme për klimën.

    “Kemi miratuar Ligjin për Ndryshimet Klimatike në vitin 2023, dhe kjo i dha bazë ligjore strategjisë për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Ndërmorëm një sërë masash konkrete përmes NDC-së vullnetare”, tha ai, duke theksuar se Kosova nuk ka mbetur prapa pavarësisht sfidave ndërkombëtare në raport me UNFCCC-në.

    Ai foli edhe për krijimin e Sekretariatit për Ndryshimet Klimatike dhe për nevojën që çdo politikë të mbështetet në shkencë.

    “Na duhej patjetër të kishim shkencë të bazuar, veçanërisht për politikat klimatike… për të informuar politikat dhe ligjet tona në fund të ditës”, tha ai.

  • Deputetja e VV-së Bogujevci reagon pasi AAK e “sugjeroi” për kryetare të Kuvendit

    Deputetja e VV-së Bogujevci reagon pasi AAK e “sugjeroi” për kryetare të Kuvendit

    Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka reaguar pasi emri i saj u përmend nga AAK që nëse do të propozohej nga partia e saj si kryetare e Kuvendit do ta mbështesnin. Bogujevci tha se ky propozim erdhi nga ata që nuk e kanë të drejtën të propozojnë.

    “Është interesant ku dojnë me dërgu debatin dhe diskursin publik, duke u mundu me kriju një narrativë tek populli për veprimet e tona politike. Propozim nga ata që nuk e kanë të drejtën për me propozu, tek ata që dojnë me determinu rrjedhën e politikës tane, ama për vete mos me ju perzi kërkush e deri tek studiot televizive ku nuk lanë gjë të zezë pa thane deri dje, përfshi edhe kur thonin se si une jam amatere dhe nuk jam e denjë për me udhëheqë seancë e tash qenkam personi i preferuar për pozitën e kryetares së Kuvendit. Shumë interesant”.

    Ky diskursi i viktimës të së kaluarës sonë të dhimbshme, kur herë të portretizojnë se po të shfrytëzojnë të tjerët e tash po get këta po dojnë me mendu me gjynah për pozicion. Se sa për vlerësim intelektual, profesional, të denjë politik dhe zotsillëkut të punës tane është zero”, u shpreh Bogujevci.

  • Lista Serbe: Praktika e arrestimit të bashkëkombësve tanë duhet të ndalet

    Lista Serbe: Praktika e arrestimit të bashkëkombësve tanë duhet të ndalet

    Pas arrestimit të tre personave të kombësisë serbe për krime lufte, Lista Serbe ka publikuar një deklaratë ku akuzojnë kryeministrin në dorëheqje Albin Kurti për, siç pretendojnë ata, “katër vjet terror ndaj serbëve”.

    Lista Serbe thotë se “praktika e arrestimeve të pabaza të bashkatdhetarëve tanë duhet të ndalet”, transmeton Paparaci.

    Ata thonë se përgjegjësinë më të madhe për një praktikë të tillë e kanë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, nga EULEX-i, përmes ambasadave të KUINT-it, UNMIK-ut e të tjerëve, të cilët, sipas tyre, asnjëherë nuk kanë dalë me të dhëna për rastet në të cilat “në mënyrë magjike pas dy dekadash dalin dëshmitarë që duket se dinë diçka sot, por nuk e kanë ditur gjithë këto vjet”.

    Në të gjitha takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë, Lista Serbe do të insistojë në respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe sundimit të ligjit, e jo forcës, siç e ka vendosur regjimi i Kurtit”, pretendohet në komunikatën e tyre për media.

    Lista Serbe thotë se “regjimi i Albin Kurtit”, siç thonë ata, terrorin katërvjeçar kundër serbëve të Kosovës po përfundon në të njëjtën mënyrë – “si rregull, ndalon serbët për krimet më të rënda pa asnjë provë para të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë. Për t’i bërë gjërat më keq, arrestimet bëhen gjatë periudhës së Pashkëve, duke e tmerruar edhe më shumë popullin serb”.

    Ata thonë se Kurti “nuk mund të pajtohet me disfatat në Kuvendin e Kosovës dhe me veprime të tilla po mundohet të largojë vëmendjen nga problemet e tij dhe nga pamundësia për të miratuar propozimin e tij për kryetar të Kuvendit”.

  • Ministri i Mbrojtjes flet për arrestimin e ish-pjesëtarit të FSK-së

    Ministri i Mbrojtjes flet për arrestimin e ish-pjesëtarit të FSK-së

    Në aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës lidhur me vrasjen e policit Muhamet Lika, ku u arrestuan 7 persona, njëri ndër ta ishte pjesëtar i FSK-së.

    U raportua se ai kishte shërbyer në FSK për 1 vit.

    Ish pjesëtari i FSK-së në vitin 2022 ka kërkuar vet që të tërhiqet. Këtë e ka konfirmuar vet ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    “Rilind Murati, ka shërbyer në FSK për 1 vit. Dhe në vitin 2022 është demobilizuar”- ka thënë Maqedonci për Kallxo.

    Shtatë persona kanë rënë në pranga mëngjesin e së hënës përgjatë një operacioni të madh policor në Kaçanik, lidhur me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.

    Të arrestuarit u raportua se janë Rejan Bela, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka

    Ndaj të dyshuarit kryesor për vrasjen e rreshterit Rejan Bela, 18-vjeç, i cili dyshohet se e ka kryer krimin në moshën 17-vjeçare. , Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar një muaj paraburgim.

  • ​Harvard padit Trump pasi ia shkëputi fondet me vlerë 2 miliardë dollarë

    ​Harvard padit Trump pasi ia shkëputi fondet me vlerë 2 miliardë dollarë

    Universiteti i Harvard-it paditi administratën Trump të hënën pasi qeveria federale anuloi më shumë se 2 miliardë dollarë financime për këtë universitet elitë, raporton agjencia turke AA.

    “Gjatë javës së kaluar, qeveria federale ka ndërmarrë disa veprime pas refuzimit të Harvard-it për të përmbushur kërkesat e saj të paligjshme”, tha Presidenti i Universitetit Alan Garber në një deklaratë.

    “Pak më parë, ne kemi paraqitur një padi për të ndalur ngrirjen e financimit sepse është e paligjshme dhe përtej autoritetit të qeverisë”, shtoi ai, përcjell KosovaPress.

    Sipas padisë, administrata Trump akuzohet për veprim “të paligjshëm” pasi shkel të drejtat e Amendamentit të Parë, si dhe ligje dhe rregullore federale.

    “Qeveria përdori kërcënimin e ndërprerjes së fondeve federale si një përpjekje për të detyruar Harvard-in të përshtatet me përzierjen e pikëpamjeve dhe ideologjive të preferuara të Qeverisë”, thuhet në padi.

    Ky universitet është i pari institucion i madh akademik që kundërshton hapur udhëzimet e administratës, të cilat zyrtarët e Trump-it i kanë paraqitur si një përpjekje për të luftuar antisemitizmin pas protestave në kampuse lidhur me luftën brutale të Izraelit në Gaza.

    Administrata po synon gjithashtu programet për diversitet, barazi dhe përfshirje (DEI), të cilat i ka quajtur “diskriminim të paligjshëm dhe imoral”.

    Ndërkohë që administrata Trump pretendon se qëllimi i saj është të luftojë antisemitizmin, Garber tha se ai, si hebre dhe amerikan, e di “shumë mirë” që ka “shqetësime të vlefshme” për rritjen e antisemitizmit.

    “Harvard e merr këtë punë seriozisht. Ne do të vazhdojmë të luftojmë urrejtjen me urgjencë… Para se të ndërmarrë veprime ndëshkuese, ligji kërkon që qeveria federale të angazhohet me ne për mënyrat se si ne po luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë antisemitizmin”, shtoi ai.

  • Haziri thotë se s’do t’i shkojnë VV-së në takime: S’ka nevojë të humbet kohë

    Haziri thotë se s’do t’i shkojnë VV-së në takime: S’ka nevojë të humbet kohë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se nuk do t’i shkojnë në takime Lëvizjes Vetëvendosje, pasi tha se “s’ka nevojë të humbet kohë”.

    Ai ka deklaruar se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar.

    “Nuk kemi parë qëllim për t’u takuar sa për t’u parë. Qëndrimi i LDK-së nga debati është konfirmuar dhe i njëjti. Meqë s’kemi ndërruar qëndrim politik, s’kemi nevojë t’i shkojmë askujt në takim e as të ndihemi të përdorur. Ky qëndrim politik është zbardhur dhe konfirmuar nga z.Abdixhiku. Ne nuk shohim asnjë qëllim”, ka thënë Haziri ne KTV.

    Për konstituimin e Kuvendit ai ka thënë se është detyrë e partisë fituese të zgjedhjeve dhe se askush nuk e ka ndërmend me “i dhënë partisë së parë oksigjen politik”.

    Haziri ka thënë se qytetari i Kosovës është “helmuar me politikë përçarëse”.

    Ai ka thënë se kjo vërehet veçanërisht në vende më të largëta.

    “Sa më larg Prishtinës që është, merret më seriozisht puna. Është e panatyrshme, e padobimshe, që për fotografi në mure me u përça popullata. Në kohën kur ky popull ka bërë dy herë pajtime të mëdha…Duhet shëruar. Sa kohë merr nuk e di”, ka thënë Haziri.

  • Minatorët e Flotacionit të Kishnicës në grevë

    Minatorët e Flotacionit të Kishnicës në grevë

    Arsyeja e ndaljes së punës është se ata ende nuk i kanë marrë pagat.

    Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga kryetari i Sindikatës Blerim Imeri.

    “Po, kam informacione se punëtorët sot do ta ndalin punën shkaku se nuk i kanë marrë pagat”, tha ai.

    Imeri nuk dha detaje nëse është biseduar me menaxhmentin e Trepçës për ta gjetur një zgjidhje.

  • Shtrenjtimet rëndojnë qytetarët, pagat e ulëta e shpenzimet e papërballueshme

    Shtrenjtimet rëndojnë qytetarët, pagat e ulëta e shpenzimet e papërballueshme

    Shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe i produkteve ushqimore po i rëndojnë qytetarët, veçanërisht ata me pensione dhe ndihma sociale, ndërsa paralajmërimi i rritjes së çmimit të bukës po ngjall pakënaqësi.

    Qytetari, Izet Zhujaj, shprehet për Ekonomia Online, se rritja e çmimeve lidhet me mungesën e kapaciteteve energjetike dhe trashëgiminë e keqe nga lufta dhe korrupsioni, por shpreson për vetëdijesim dhe përmirësim në të ardhmen.

    “Kur shtrenjtohet energjia elektrike, shtrenjtohet buka dhe çdo gjë se çdo gjë bëhet me energji. Ne duhet të kemi edhe katër pesë vjet, derisa të bëjmë kapacitetet dhe do të kemi lirime të energjisë. Jemi shoqëri e re, e shkatërruar prej luftës dhe prej hajnave. Nuk mund të prsim më mirë, Shpresoj që të vetëdijesohen”, tha Zhuja.

    Ndërsa, një qytetare, pa dashur të prezantohet, shprehet për Ekonomia Online se të ardhurat janë shumë të ulëta, ndërsa çmimet nuk përputhen me realitetin ekonomik.

    Ajo veçon edhe çmimin e lartë të energjisë elektrike, që sipas saj, po e vështirëson jetën.

    “Nuk e di si do t’ia dalin ata me pension dhe me ndihma sociale. Nuk janë të arsyeshme këto rritje çmimesh. Kemi shumë dallime në çmime me jashtë, sepse të ardhurat janë më të larta. Këtu të ardhurat nuk janë të mira, përveç këtyre që janë nëpër parti. Të ardhurat janë të shumë të vogla. Çmimi më i tepruar është energjia elektrike. Për tre muaj 90 euro, me një stufë të vogël, banesa e vogël. Klasa punëtore e shpenzojnë tepër bukën. Kushtet nuk i ofrojnë mundësi ta kenë tryezën me gjëra që e zëvendësojnë bukën. Me rastin e votimit nuk dinë njeriu kë ta votojë. Vetëm ta shkruajë vijë, sepse si po vijnë në pushtet po ndryshojnë”, tha ajo.

    Në anën tjetër, qytetari Skender Boletini, thotë se çmimet janë të arsyeshme dhe duhet të ketë më shumë përgjegjësi për përdorimin e bukës.

    “E kisha shtrenjtuar edhe më shumë bukën. Me bukën nuk ka lojë. Po e keqpërdorin, po luajnë me të. Nuk ia dinë vlerën bukës. Çmimet janë shumë të arsyeshme edhe për rrymë, sepse po e subvencionojnë kush kursen. Edhe në Gjermani është kështu”, tha Boletini.

    Ditë më parë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2025.

    Sipas ASK-së, inflacioni vjetor për këtë muaj është rritur 2.9%, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor (krahasuar me shkurtin 2025) është 0.8%.

  • Për tri vjet qeveria shpenzoi rreth 30 milionë euro për udhëtime jashtë vendit

    Për tri vjet qeveria shpenzoi rreth 30 milionë euro për udhëtime jashtë vendit

    Institucionet në vend kanë shpenzuar 29 milionë e 230 mijë euro gjatë tri viteve të fundit, vetëm për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje, akomodim dhe për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit

    Këto të dhëna dalin nga raporti i buxhetit të vitit të kaluar të Ministrisë së Financave, ku vërehet një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të luksit në vitin 2024, në raport me vitet paraprake 2023 dhe 2022, raporton FrontOnline.

    Sipas raportit, gjatë vitit 2022, për udhëtime zyrtare janë shpenzuar 2.5 milionë euro, për mëditje dhe udhëtime 2.6 milionë euro, ndërsa për akomodim 1.9 milionë euro, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 961 mijë euro apo në total 7 milionë e 961 mijë euro.

    Në vitin 2023, kjo shumë është rritur ndjeshëm: 3 milionë euro për udhëtime, 3.2 milionë euro për mëditje dhe 2.1 milionë euro për akomodim jashtë vendit, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 1.2 milionë euro apo në total 9 milionë e 500 mijë euro.

    Ndërkohë që viti 2024 shënon kulmin e këtyre shpenzimeve, me 4.2 milionë euro të shpenzuara për udhëtime, 3.9 milionë euro për mëditje dhe 2.7 milionë euro për akomodim, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 971 mijë euro apo në total 11 milionë e 770 mijë euro.

    Shifrat ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi prioritetet e institucioneve publike, sidomos në një kohë kur qytetarët përballen me kriza sociale, mungesë të investimeve në sektorë kyç si shëndetësia dhe arsimi, si dhe me vështirësi ekonomike të përditshme.

  • KEK: Njësia A-4 u kthye sërish në operim të rregullt

    KEK: Njësia A-4 u kthye sërish në operim të rregullt

    KEK-u njoftoi se pas një pune intensive dhe të pandërprerë nga ekipet përkatëse të TC Kosova A, njësia A-4 është rikthyer sërish në operim të rregullt.

    “Kjo njësi kishte dalë nga prodhimi më 14.04.2025, rreth orës 08:11, për shkak të paraqitjes së një rrjedhjeje në kaldajë. Gjatë ndërprerjes, janë eliminuar me sukses të gjitha mangësitë teknike, përfshirë edhe ato në kullën ftohëse dhe në pjesë të tjera të pajisjeve teknologjike të domosdoshme për rritjen e sigurisë së operimit të kësaj njësie.

    Vlen të theksohet se, para kësaj ndaljeje, njësia A-4 kishte operuar pandërprerë për 68 ditë rresht, duke dëshmuar stabilitet të lartë dhe efikasitet në prodhim.

    Sipas planifikimit, përgatitjet për startimin e njësisë kanë filluar mbrëmë me dt: 21.04.2025 rreth orës 18:55, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar në orë 23:30. Aktualisht, njësia ndodhet në gjendje stabile dhe funksionon në parametra të rregullt operimi.

    KEK, përmes angazhimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm, po dëshmon se mbetet një faktor kyç i stabilitetit të sektorit energjetik në vend”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.