ATV

Category: Lajme

  • Bajrami: E qartë se kush është bllokuesi, qeveria e tranzicionit është e vetmja zgjidhje

    Bajrami: E qartë se kush është bllokuesi, qeveria e tranzicionit është e vetmja zgjidhje

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami është deklaruar pas dështimit të konstituimit të Kuvendit dhe propozimit të tyre për qeveri të tranzicionit.

    Ajo tha se tashmë është e qartë se kush është bllokuesi.

    “Na vjen keq, besoj është e qartë se kush është bllokuesi. Kur nuk ke numrat si LVV nuk mund të diktosh të tjerët mënyrën për zhbollkim. LDK ka shprehur vullnetin politik, ka në tavolinë një porpozim të qartë për propozim të tranzicionit që kish me zhblloku situatën”.

    Bajrami deklaroi se presin përgjigje nga liderët e partive politike rreth propozimit të LDK-së.

    “Nuk kemi marrë përgjigje. Kemi lexu deklarata të deputetëve, presim përgjigje zyrtare të liderëve të partive politike. Kjo është për momentin e vetmja zgjidhje për të zhblloku institucionet”.

  • Krasniqi pas dështimit të seancës: VV e ka marrë shtetin peng – propozimin e LDK’së e diskutojmë sot

    Krasniqi pas dështimit të seancës: VV e ka marrë shtetin peng – propozimin e LDK’së e diskutojmë sot

    Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës së 12’të për konstitutimin e Kuvendit, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po abuzon me të drejtën kushtetuese.

    Krasniqi tha se VV e ka marrë shtetin peng

    “Pra po e shihni që po vazhdonn abuzimi i të drejtës kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje e ka marrë shtetin peng dhe po e mban konstituimin e institucioneve peng. Ky është një degradim…ky është edhe dhunim i verdikitit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

    Ai ka kërkuar sërish nga VV që ta ndërrojë kandidaten për Kryetare Kuvendi, duke thënë se Albulena Haxhiu do të dështojë sa herë të hidhet në votim.

    Sa i përket propozimit të LDK’së, Krasniqi tha se do ta diskutojnë sot.

  • Vrasje në tentativë në Strellc të Epërm në Deçan

    Vrasje në tentativë në Strellc të Epërm në Deçan

    Një tentatim vrasje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Strellc i Epërm të komunës së Deçanit.

    Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar për ATV-në se ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 dhe se i dyshuari për krimin është ende në arrati.

    Pamjet e siguruara nga ATV nga vendi i ngjarjes tregojnë skenën e krimit të rrethuar me shirita të verdhë sigurie.

    Një veturë e tipit Škoda me targa të Deçanit shihet e parkuar pranë shtatores së Heroit Ismet Ukaj, me dëmtime të dukshme në pjesën e pasme dhe të djathtë, ndërsa në vendngjarje vërehen edhe pjesëtarë të Policisë dhe hetuesisë.

    Hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tentative për vrasje. /atvlive.tv

  • Abdixhiku, Haziri e Kica-Xhelili ndalen e bisedojnë pas dështimit të seancës

    Abdixhiku, Haziri e Kica-Xhelili ndalen e bisedojnë pas dështimit të seancës

    Kryetari Lumir Abdixhiku e deputetët e LDK-së, Lutfi Haziri dhe Doarsa Kica-Xhelili janë ndalur e kanë biseduar pas dështimit të 12-të të seancës konstituive.

    Kujtojmë se në votimin për formimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, u regjistruan vetëm 56 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim – numër ky i pamjaftueshëm për të ecur përpara me procesin.

    Seanca u ndërpre sërish. Kryesuesi njoftoi se tentativa e radhës për konstituim do të zhvillohet të enjten, më 9 maj, me fillim nga ora 11:00. /atvlive.tv

  • Dështon për herë të 12-të konstituimi i Kuvendit

    Dështon për herë të 12-të konstituimi i Kuvendit

    Për të 12-tën herë me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Në votimin për formimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, u regjistruan vetëm 56 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim – numër ky i pamjaftueshëm për të ecur përpara me procesin.

    Seanca u ndërpre sërish. Kryesuesi njoftoi se tentativa e radhës për konstituim do të zhvillohet të enjten, më 9 maj, me fillim nga ora 11:00. /ATV/

  • ​Haradinaj thotë se nuk merr pjesë në një takim ku është pjesëmarrës Albin Kurti

    ​Haradinaj thotë se nuk merr pjesë në një takim ku është pjesëmarrës Albin Kurti

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se e mirëpret ftesën për konsultë nga i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai deklaroi se “nuk ka asgjë të keqe” një ftesë e tillë, por përsëriti qëndrimin e tij se do angazhohet për “qeveri të opozitës”.

    Kur u pyet se a merr pjesë në një takim ku është pjesëmarrës edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai u përgjigj shkurt me “Jo”.

    “Unë e mirëpres mundësinë e konsultave, tani qëndrimet ndryshojnë. Ju e dini unë angazhohem për qeveri të opozitës, vazhdoj të mbes në këtë qëndrim për qeverinë e opozitës. Ndërsa, jam i hapur për konsulta, në këtë rast me LDK-në, me PDK-në, me partitë parlamentare të opozitës”, deklaroi Haradinaj.

    Ai tha se e kanë autorizuar nënkryetaren e partisë, Time Kadrijaj për konsulta me bashkëkryesuesin e seancës, Avni Dehari për të gjetur zgjidhje.

    “Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe, që të konsultohem, mund të konsultohem bilateral, Aleancë me LDK-në, me PDK-në. Pra nuk e shoh të keqe një ftesë për konsultë apo një qeveri. Pa të keqe, unë personalisht angazhohem për qeverinë e opozitës. Nuk na pengon propozimi i LDK-së për konsulta, për opsionin qeverisës në të ardhmen. Personalisht angazhohem për qeverinë e opozitës”, shtoi ai.

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj këto deklarata i bëri para vazhdimit të seancës konstituive./KP

  • Berisha: Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në

    Berisha: Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në

    Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka kundërshtuar propozimin e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për krijimin e një qeverie të tranzicionit.

    Para mediave, Berisha tha se Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në, transmeton Telegrafi.

    “Unë mendoj që Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku janë dy anët e të njëjtës medalje. Ky po na fton neve, sepse nuk po guxon me shku vet, e me nda fajin për asociacion e po na thotë hajdeni krejt bashkë e ta marrim përgjegjësin bashkë. Unë nuk jam i interesuar ta marrë fajin, edhe nuk ka nevojë me na thirr ta bëjmë qeverinë me ta”, pohoi ai.

    Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit pritet të fillojë në ora 10:00.

  • SHBA-ja dhe Kina do të nisin bisedimet për luftën tregtare këtë javë

    SHBA-ja dhe Kina do të nisin bisedimet për luftën tregtare këtë javë

    Zyrtarët amerikanë dhe kinezë do të fillojnë bisedimet këtë javë për të provuar të ulin tensionet në një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

    Zëvendëskryeministri kinez He Lifeng do të marrë pjesë në bisedimet në Zvicër nga 9 deri më 12 maj, njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës, shkruan BBC, transmeton KP.

    Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, dhe Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së (USTR) Jamieson Greer do të përfaqësojnë Uashingtonin në takim, njoftuan zyrat e tyre.

    Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump ka vendosur taksa të reja importi për mallrat kineze deri në 145%. Pekini është kundërpërgjigjur me taksa për disa mallra nga SHBA-ja prej 125%.

    Por ekspertët e tregtisë globale i kanë thënë BBC-së se presin që negociatat të zgjasin disa muaj.

    Do të jetë ndërveprimi i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve që kur Zëvendëspresidenti Kinez Han Zheng mori pjesë në inaugurimin e Trump në janar.

    Bessent tha se mezi priste të ribalanconte sistemin ekonomik ndërkombëtar për t’i shërbyer më mirë interesave të SHBA-së.

    “Ndjesia ime është se kjo do të ketë të bëjë me uljen e tensioneve, jo me marrëveshjen e madhe tregtare, por duhet të ulim tensionet përpara se të mund të ecim përpara”, tha ai në një intervistë me Fox News.

    “Nëse Shtetet e Bashkuara duan ta zgjidhin çështjen përmes negociatave, ato duhet të përballen me ndikimin serioz negativ të masave të njëanshme tarifore mbi veten dhe botën”, tha një zëdhënës i ministrisë kineze të tregtisë të mërkurën në mëngjes.

    Media shtetërore kineze raportoi se Pekini kishte vendosur të angazhohej me SHBA-në pasi kishte marrë në konsideratë plotësisht pritjet globale, interesat e vendit dhe thirrjet nga bizneset amerikane.

    Raporti shtoi se Kina është e hapur për bisedime, por përsëriti se nëse vendi vendos të vazhdojë të luftojë këtë luftë tregtare – do të luftojë deri në fund.

    Lufta tregtare ka shkaktuar trazira në tregjet financiare dhe ka dërguar valë tronditëse në të gjithë tregtinë globale.

  • Osmani nderohet me urdhrin më të lartë shtetëror në Brunei, “Datin Laila Utama”

    Osmani nderohet me urdhrin më të lartë shtetëror në Brunei, “Datin Laila Utama”

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Urdhrin e Familjes Mbretërore “Datin Laila Utama”, gjatë vizitës shtetërore në Sulltanatin e Bruneit Darussalam, ka njoftuar Presidenca të mërkurën.

    Ky është nderimi më i lartë shtetëror që u jepet liderëve të huaj nga familja mbretërore e Bruneit dhe shoqërohet me titullin honorifik “Datin Laila Utama”, i cili ka peshë të veçantë në protokollin zyrtar të këtij shteti.

    Gjatë ceremonisë solemne të ndarjes së titullit, Osmani theksoi se ky nder është shenjë e thellë respekti dhe miqësie mes dy popujve.

    “Ky Urdhër dhe ky titull nuk janë vetëm një vlerësim për mua si Presidente, por mbi të gjitha një nder për popullin e Kosovës. Jam thellësisht mirënjohëse për mikpritjen dhe respektin e treguar nga Sulltani dhe populli i Bruneit”, deklaroi ajo.

    Ky nderim, që më herët i është dhënë edhe Mbretëreshës Elizabeth II të Mbretërisë së Bashkuar, “vlerësohet si dëshmi e përkushtimit të Osmanit për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën globale”.

  • Arrestohen tre të dyshuar për katër vepra të ndryshme penale në Gjilan

    Arrestohen tre të dyshuar për katër vepra të ndryshme penale në Gjilan

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar tre të dyshuar për katër vepra të ndryshme penale, ndër to edhe për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve.

    Siç njofton policia, pas veprimeve hetimore, me mbështetjen edhe nga njësitë tjera relevante policore, ka zhvilluar kontroll në tri lokacione të ndryshme në Gjilan, me ç’rast janë arrestuar tre persona të dyshuar, raporton KP.

    “Të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, dhe në grup edhe me persona të tjerë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm kryesisht shtetas të huaj, duke i joshur përmes thirrjeve telefonike, përdorimit të identiteteve të rrejshme dhe metodave të sofistikuara dhe kanë arritur t’i bindin që të investojnë në bursa fiktive dhe kriptovaluta”, thuhet në njoftim.

    Sipas policisë, këtë veprimtari kriminale të dyshuarit dyshohet se e kanë ushtruar nga një lokacion (zyrë) e modifikuar si qendër e thirrjeve e cila ka qenë e kundërligjshme.

    Në cilësi të provave materiale lidhur me rastin janë sekuestruar: tri vetura, tri kompjuterë, nëntë telefona mobile, 10044 euro (para të gatshme), 100 franga zvicerane (para të gatshme), 1100 dollarë amerikanë (para të gatshme), 50 copë municion, DVR, Router-a, Kufje, Monitorë kompjuteri dhe dokumente të ndryshme.

    “Me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit meshkuj kosovarë ndalohen për 48 orë, derisa rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor”, thuhet në njoftim.