ATV

Category: Lajme

  • Supremja refuzon të gjitha ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve

    Supremja refuzon të gjitha ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve

    Gjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat kishin të bënin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

    Këto aktgjykime tani i hapin rrugën certifikimit të rezultateve, e më pas formimit të institucioneve, duke nisur nga konstituimi i Kuvendit.

    Supremja bëri të ditur se vendimet e PZAP-së janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa asnjë nga ankesat nuk është mbështetur me prova bindëse që do të arsyetonin ndërhyrjen në rezultatet zgjedhore.

    Lidhur me ankesën e paraqitur nga Lista Serbe, e cila u ankua se një subjekt rival politik kishte siguruar një mandat në Kuvend duke marrë vota “në komuna dhe vendvotime me shumicë shqiptare”, Supremja tha se pretendimet ishin “të pabazuara”.

    “Gjykata gjithashtu konstaton se ankuesi nuk ka paraqitur prova konkrete që do të dëshmonin manipulim të votave ose ndonjë parregullsi tjetër zgjedhore që do të ndikonte në rezultatin zgjedhor. Pretendimet e paraqitura mbështeteshin në supozime dhe krahasime statistikore, të cilat, sipas Gjykatës, nuk përbëjnë bazë ligjore për ndërhyrje në rezultatin zgjedhor. Po ashtu, Gjykata vlerëson se vetë subjekti politik që kishte fituar mandatin e kontestuar është subjekt i regjistruar për përfaqësimin e komunitetit serb, prandaj nuk mund të konsiderohet se është cenuar mekanizmi kushtetues i vendeve të garantuara”, thuhet në njoftim.

    Gjykata refuzoi edhe dy ankesat e kandidates së Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilija Rexhepi, e cila kërkonte anulimin ose verifikimin e votave mbi bazën e strukturës etnike të vendbanimeve, me arsyetimin se legjislacioni zgjedhor nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit dhe se nuk ka bazë kushtetuese apo ligjore për kategorizimin e votave sipas etnisë.

    “Gjykata vlerëson se pretendimet e ankueses mbështeten në interpretime statistikore dhe demografike, të cilat nuk përbëjnë bazë ligjore për të vënë në dyshim vlefshmërinë e votave apo rezultatin zgjedhor. Legjislacioni zgjedhor i Republikës së Kosovës nuk parashikon strukturën etnike të popullsisë si kriter për vlerësimin e ligjshmërisë së votimit apo të rezultateve zgjedhore”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

    Gjykata hodhi poshtë edhe ankesën e kandidatit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili kërkonte rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të partisë së tij. Sipas vendimit, raporti i KQZ-së për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk dëshmonte parregullsi sistematike, ndërsa korrigjimet e evidentuara ishin sporadike dhe nuk cenonin besueshmërinë e rezultatit përfundimtar.

    “Gjykata Supreme vlerëson se ankuesi nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme që do të arsyetonin rinumërimin e plotë, ndërsa raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk përbënte bazë të mjaftueshme për një masë të tillë. Gjykata vlerëson se korrigjimet e evidentuara apo të pasqyruara në raport, nuk krijojnë një bazë objektive për të konkluduar se procesi i numërimit është karakterizuar nga parregullsi sistematike. Natyra dhe shpërndarja e këtyre korrigjimeve tregojnë se ato kanë qenë sporadike dhe nuk kanë arritur një intensitet të tillë që do të cenonte besueshmërinë e rezultatit përfundimtar apo integritetin e procesit të numërimit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu u refuzua edhe ankesa e kandidatit tjetër të PDK-së, Qëndrim Kryeziu, i cili pretendonte se raporti i KQZ-së dëshmonte një defekt sistematik në procesin e numërimit dhe kërkonte rinumërim të plotë të votave preferenciale si dhe pezullimin e certifikimit të rezultateve.

    “Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme konstatoi se PZAP kishte shqyrtuar në mënyrë të rregullt pretendimet e ankuesit dhe kishte arritur në përfundimin se ankesa ishte e pabazuar. Gjykata vlerëson se pretendimet e paraqitura mbështeteshin në të njëjtat të dhëna dhe rezultate të rinumërimit që kishin qenë objekt i shqyrtimit edhe më parë, ndërsa raporti i KQZ-së nuk provonte ekzistencën e parregullsive sistematike që do të impononin rinumërim të plotë të votave. Gjithashtu, u vlerësua se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte realizuar në kuadër të mekanizmave të kontrollit të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo si pasojë e konstatimit të parregullsive sistematike në procesin e numërimit. Ndaj, Gjykata Supreme vlerëson se vendimet e PZAP-së janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe se pretendimet ankimore nuk janë mbështetur me prova bindëse që do të justifikonin ndërhyrjen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

  • Krijimi i institucioneve, Abdixhiku: E domosdoshme të ndërmerren hapa në shërbim të Kosovës

    Krijimi i institucioneve, Abdixhiku: E domosdoshme të ndërmerren hapa në shërbim të Kosovës

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë një takimi me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka theksuar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendi duhet të ecë pa vonesa drejt konstituimit të institucioneve të reja.

    Abdixhiku bëri të ditur se në takim u diskutua situata politike në Kosovë pas zgjedhjeve, procesi i certifikimit të rezultateve, si dhe domosdoshmëria e krijimit të institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale.

    “Respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor. Pas certifikimit të rezultateve, është e domosdoshme të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të interesit të Republikës së Kosovës”, deklaroi kreu i LDK-së.

    Ai ka vlerësuar edhe raportin e Riho Terras për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke theksuar se ai nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe konstituimit të institucioneve funksionale si hapa të domosdoshëm në rrugën evropiane të Kosovës.

    Sipas Abdixhikut, raporti përbën një mesazh të qartë për rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe forcimit të shtetit demokratik.

    Në përmbyllje të takimit, kreu i LDK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

    “Partneriteti me institucionet evropiane mbetet i një rëndësie të veçantë për avancimin e proceseve demokratike dhe të perspektivës evropiane të vendit”, theksoi ai.

  • Mbyllet përkohësisht segmenti Brezovicë–Prevallë

    Mbyllet përkohësisht segmenti Brezovicë–Prevallë

    Qarkullimi në segmentin rrugor Brezovicë–Prevallë do të mbyllet përkohësisht më 9 korrik 2026, për shkak të punimeve për asfaltimin e rrugës rajonale R115 Fushë e Pajtimit–Prevallë.

    Sipas njoftimit për media, punimet po zhvillohen në kuadër të projektit “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për 3 vite në vazhdim – Ferizaj 1”.

    Gjatë ditës së enjte, 9 korrik 2026, është planifikuar asfaltimi i një segmenti rrugor me gjatësi prej 1 mijë e 50 metrash, ndërsa për të mundësuar realizimin e punimeve në kushte të sigurta, do të bëhet mbyllja e përkohshme e qarkullimit.

    Mbyllja e segmentit Brezovicë–Prevallë do të jetë aktive nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

    “Ky kufizim i përkohshëm i qarkullimit është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik dhe të personelit të angazhuar në punime, si dhe për të siguruar realizimin cilësor të shtresës së asfaltit”, thuhet në njoftim.

    Autoritetet kanë bërë apel tek qytetarët që gjatë këtij intervali kohor të përdorin rrugë alternative, për të shmangur pengesat në qarkullim.

  • KQZ nesër certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ nesër certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të mërkurën do të bëjë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

    “Të mërkurën (8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor”, tha Elezi, raporton Klankosova.tv.

    Ai potencoi se kjo mbledhje u caktua pasi Gjykata Supreme vendosi mbi ankesat e paraqitura në këtë institucion.

  • “Ka shumë për t’i dhënë vendit”, Joseph takon Osmanin

    “Ka shumë për t’i dhënë vendit”, Joseph takon Osmanin

    Profesori amerikan Edward Joseph ka zhvilluar një takim në Prishtinë me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Lajmin e ka bërë të ditur Joseph përmes rrjeteve sociale.

    “Një takim i mrekullueshëm kokë më kokë në Prishtinë me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë kaq shumë për të ruajtur marrëdhëniet me SHBA-në. Ajo ka ende shumë për t’i dhënë vendit të saj”, shkroi ai.

    Rreth këtij takimi ka shkruar edhe ish-presidentja e vendit.

    Ajo në Facebook theksoi mes tjerash se “hjithmonë një kënaqësi të shkëmbej mendime me miqtë e Kosovës”.

  • Aktakuzë për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të MUP’it serb – Dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e 71 civilëve

    Aktakuzë për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të MUP’it serb – Dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e 71 civilëve

    Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, nën dyshimet për ‘’krime lufte kundër popullsisë civile’’.

    Në komunikatën e prokurorisë, thuhet se, sipas aktakuzës, R.D., ish pjesëtar i MUP-it serb, më 22.05.1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra.

    ‘’Po ashtu, i pandehuri akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Komunikata:

    Aktakuzë për krime lufte në Vushtrri

    Prishtinë, 07 korrik 2026 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.D., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, R.D., ish pjesëtar i MUP-it serb, më 22.05.1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra.

    Po ashtu, i pandehuri akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.

    Rasti i është dërguar për shqyrtim të mëtejmë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në masën e paraburgimit.

  • Katari ndryshon rregullat e udhëtimit: Pasagjerët kalojnë në aeroport vetëm me fytyrë, pa pasur nevojë për pasaportë

    Katari ndryshon rregullat e udhëtimit: Pasagjerët kalojnë në aeroport vetëm me fytyrë, pa pasur nevojë për pasaportë

    Pasagjerët e Qatar Airways që nisen nga Aeroporti Ndërkombëtar Hamad tashmë mund të kalojnë disa pika kontrolli në aeroport vetëm me anë të fytyrës së tyre, falë një shërbimi të ri biometrik.

    Sistemi i quajtur “Fast Pass”, i zhvilluar nga aeroporti dhe SITA, përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës për të mundësuar një proces me më pak kontrolle dokumentesh.

    Shërbimi lidh më shumë se 700 pika kontrolli në aeroport dhe synon të reduktojë kontrollet manuale të dokumenteve, duke u ofruar udhëtarëve një përvojë më të shpejtë.

    Pasagjerët mund të regjistrohen për “Fast Pass” përmes aplikacionit të Qatar Airways ose në kioskat vetëshërbyese në aeroport. Regjistrimi përmes aplikacionit bëhet vetëm një herë.

    Shërbimi është i disponueshëm për udhëtarët mbi 18 vjeç me fluturime të përshtatshme që nisen nga Doha. Megjithatë, pjesëmarrja është vullnetare dhe pasaporta duhet të mbahet me vete në rast se sistemi nuk arrin të verifikojë identitetin.

    Autoritetet e aeroportit kanë bërë të ditur se të dhënat biometrike përdoren vetëm për verifikim dhe çdo informacion i kapur rastësisht nga kamerat fshihet menjëherë, shkruan Euronews.

  • Ardian Gjini: Të hiqet testi i arritshmërisë, streson nxënësit dhe nuk ka rezultate reale

    Ardian Gjini: Të hiqet testi i arritshmërisë, streson nxënësit dhe nuk ka rezultate reale

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar heqjen e Testit të Arritshmërisë, duke vlerësuar se ai ka dështuar ta përmbushë qëllimin për të cilin është krijuar dhe se nuk jep një pasqyrë reale të cilësisë së arsimit në vend.

    Përmes profilit zyrtar në Facebook, Gjini tha se Testi i Arritshmërisë është konceptuar si një instrument për të matur performancën e sistemit arsimor, e jo për t’i testuar individualisht nxënësit.

    Sipas tij, mënyra se si zhvillohet testi prej vitesh vetëm sa rrit presionin mbi nxënësit dhe prindërit, duke krijuar një situatë të padrejtë mes atyre që i nënshtrohen rregullave dhe atyre që arrijnë rezultate përmes kopjimit.

    “Testi është duke dështuar tash e sa vite, sepse është mekanizëm që streson fëmijët dhe prindërit, i streson ata nxënës që dinë e nuk kopjojnë, ndërsa në të njëjtën kohë i faktorizon ata që nuk dinë dhe kopjojnë”, është shprehur Gjini.

    Ai ka theksuar se testi nuk prodhon rezultate reale për nivelin e dijes dhe cilësinë e arsimit, por krijon statistika të rreme.

    “Ky test është falsifikim i plotë”, ka deklaruar ai.

    Gjini ka përmendur edhe rezultatet e këtij viti, duke theksuar se shkalla e arritshmërisë ka rënë në 48.35 për qind, çka sipas tij dëshmon edhe një herë se ky mekanizëm nuk po e përmbush funksionin e vet.

    Në përfundim, kryetari i Aleancës ka kërkuar që Testi i Arritshmërisë të hiqet sa më shpejt dhe të zëvendësohet me forma të tjera vlerësimi që matin në mënyrë të besueshme cilësinë e sistemit arsimor.

    “Ky test duhet të hiqet krejt, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mos përsëritet më, sepse nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv”, ka përfunduar Gjini.

  • Kurti lajmërohet nga Greqia, tregon çka foli në një panel në Simpoziumin SYMI

    Kurti lajmërohet nga Greqia, tregon çka foli në një panel në Simpoziumin SYMI

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është lajmëruar nga Greqia, ku po merr pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI, i cili këtë vit po zhvillohet me temën “Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit”.

    Kurti tha përmes një postimi në Facebook se në këtë ngjarje po marrin pjesë diplomatë, aktivistë progresistë, zyrtarë shtetesh, akademikë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe studiues të instituteve kërkimore, të cilët po diskutojnë për zhvillimet aktuale gjeopolitike globale.

    “Diplomatë të shquar e aktivistë progresistë, zyrtarë shtetesh e akademikë intelektualë, drejtues të organizatave ndërkombëtare e studiues të instituteve kërkimore, diskutojnë së bashku sipas modelit Chatham House Rule për tema të ndryshme të aktualitetit (gjeo)politik global, nga paqja e siguria teksa forcohet mulipolariteti dhe dobësohet multilateralizmi te sulmet e shtuara mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nga krizat e shumëfishta e luftërat e reja pa përfunduar të vjetrat te pritjet dhe efektet e inteligjencës artificiale”, shkroi ai.

    Kurti tha se vetë mori pjesë në panelin “Demokracitë në vijën e parë të frontit – Ballkani, Ukraina dhe më shumë: Çfarë duhet të mësojnë demokracitë e vjetra të vetëkënaqura nga shoqëritë që ende luftojnë, çdo ditë, për hapësirë demokratike evropiane”.

    “Përveç tjerash aty theksova që: – Evropa fillon në shtëpi për secilin shtet dhe përfundon në vijat e frontit të luftës në Ukrainë, dhe se pikërisht zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian dëshmon që periferia nuk është aty për t’u grabitur. – Në zhvillimet botërore realisht nuk kemi përplasje të jashtme të civilizimeve por sot jetojmë në kohërat e përplasjeve të brendshme të ndërgjegjes me reaksionin. – Autokratët duhen konsideruar si njerëz të lindur në shekullin e gabuar dhe se tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike”, shkroi ai.

  • Hamza takon raportuesin e PE-së, Terras: Kosovës i duhen institucione funksionale për rrugën drejt BE-së

    Hamza takon raportuesin e PE-së, Terras: Kosovës i duhen institucione funksionale për rrugën drejt BE-së

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe nevojën për tejkalimin e ngërçit institucional.

    Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të Terras dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar faktin se ai riafirmon perspektivën evropiane të vendit dhe mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Sipas njoftimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian përbën një sinjal të rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që institucionet të tejkalojnë krizën politike dhe të mos lejojnë vonesa të mëtejshme në funksionalizimin e tyre.

    Hamza theksoi se PDK-ja ndan shqetësimet e ngritura në raport lidhur me mungesën e institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë, duke nënvizuar se vendit i nevojiten institucione që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe forcojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.

    Ai shtoi se stabiliteti nuk duhet të kufizohet vetëm në krijimin e institucioneve, por duhet të mbështetet edhe në qeverisje demokratike, dialog politik dhe respektim të Kushtetutës.

    Në përmbyllje, kreu i PDK-së shprehu vlerësimin për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të rëndësishëm të Kosovës dhe të aspiratës së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.