ATV

Category: Lajme

  • Deklarohet Kurti pas deklaratës së Trumpit për Kosovën: Të ushtrohet trysni ndaj Beogradit

    Deklarohet Kurti pas deklaratës së Trumpit për Kosovën: Të ushtrohet trysni ndaj Beogradit

    Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur kjo, duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023. Kështu ka deklaruar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas një deklarate të bërë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

    Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia veçse e kanë arritur një marrëveshje për normalizim, që tha se po shkelet nga Beogradi, teksa përsëriti kërkesat e Kosovës për këtë proces.

    “Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Kurti për REL.

    Të dielën, Presidenti amerikan Donald Trump, shkroi në rrjetin Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.

    Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

  • Përurohet pllaka përkujtimore në vendin ku për herë të parë u hap zyra informative e SHBA-së

    Përurohet pllaka përkujtimore në vendin ku për herë të parë u hap zyra informative e SHBA-së

    Në vendin ku 29 vjet më parë u hap zyra e Parë Informative e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, sot u përurua një pllakë përkujtimore.

    Në këtë hapësirë që dikur mblidhte rrëfime dhimbjeje dhe kërkesa për ndihmë, sot operon kompania e sigurimeve PRISIG një ndërmarrje që përmes përurimit të kësaj pllake, vendosi të ndërthurë të kaluarën me të ardhmen.

    “Ky flamur ngritët sërish si simbol i miqësisë së përhershme, lirisë dhe përkushtimit,” tha CEO i PRISIG, Besart Blakaj.

    “Me këtë pllakë ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por edhe afirmojmë vlerat që vazhdojnë të na lidhin – respektin, bashkëpunimin dhe përkushtimin për një Kosovë të lirë.” tha mes tjerash ai.

    Në ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfshirë edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili me fjalët e tij solli një reflektim të thellë:

    “Ishte një shenjë jete, një sinjal se në përpjekjen tonë ne nuk ishim vetëm. Kur hapësira e lirisë na ishte ngushtuar, këtu na u ndez një dritë shprese – e para dritare nga e cila bota nisi të na shihte me sytë tanë.”

    Pas fjalimeve, u zbulua pllakë përkujtimore nga Lulzim Tafa, kryetari i Kuvendit të Aksionarëve të PRISIG – një gjurmë fizike që do të qëndrojë aty sa të jetë historia.

  • “Nuk kemi vullnet për koalicion me PDK-në, LDK na refuzoi”, Konjufca tregon nëse do të bëjnë marrëveshje me Limajn

    “Nuk kemi vullnet për koalicion me PDK-në, LDK na refuzoi”, Konjufca tregon nëse do të bëjnë marrëveshje me Limajn

    Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia e tij e ka përjashtuar një koalicion me PDK-në, ndërsa tregoi se me Fatmir Limajn kanë pasur gatishmëri për bashkëpunim.

    Sipas Konjufcës, LDK-ja ka refuzuar dy herë ftesën e Kurtit për bashkëpunim, ndërsa Limaj është i vetmi opsion që ka treguar hapje për marrëveshje.

    “LDK-ja na kundërshtoi dy herë. Ne dy letra ia drejtuam Kryeministri Kurti, kurse nga ana e Vetëvendosjes nuk ekziston vullneti jonë për një koalicion me PDK-në. Me kënd ne jemi të vullnetshëm ta bëjmë qeverinë dhe këtë e kemi hasë edhe prej palës tjetër. Në këtë rast po flas për zotin Limaj, për shembull”, tha Konjufca.

    Ai theksoi se konstituimi i Kuvendit do të zbulojë nëse Kurti ka numrat për të formuar Qeverinë, në të kundërtën i hapet rruga partive të tjera ose zgjedhjeve.

    “Nëse zoti Kurti nuk e ka kapacitetin për me ndërtu numrat për Qeverinë, atëherë i vjen radha Bedri Hamzës apo sido që është në diskrecionin e Presidentes për të dhënë mundësinë e dytë. Pas kësaj ezaurohen të gjitha dhe kemi një rrugë të çarë drejt zgjedhjeve”, u shpreh Konjufca.

    Deklaratën e plotë të Glauk Konjufcës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca: Edhe bllokadat janë pjesë e shtetndërtimit, nuk lodhemi nga procesi

    Konjufca: Edhe bllokadat janë pjesë e shtetndërtimit, nuk lodhemi nga procesi

    Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Vetëvendosje është e vendosur të vazhdojë përpjekjet për konstituimin e Kuvendit dhe nuk e përjashton mundësinë që kjo të ndodhë shumë shpejt.

    Sipas tij, më mirë është që Kuvendi të konstituohet në fund të qershorit sesa vendi të shkojë në zgjedhje të reja që do ta vononin gjithçka deri në dhjetor.

    “Nuk e përjashtoj që javën tjetër, ose për dy javë mund të zgjidhet kjo. A është më mirë që ta kemi në mes qershorit ose në fund të qershorit prapë një konstituim të Kuvendit, apo të shkojmë në zgjedhje, të cilat nuk do të mund të ishin para fundit të gushtit apo fillimit të shtatorit dhe të mos kemi konstituim të Kuvendit prapë në dhjetor”, tha Konjufca.

    Ai tha se kriza aktuale duhet parë si mundësi për përmirësimin e sistemit kushtetues dhe forcimin e demokracisë.

    “Ndoshta kjo është edhe një krizë, të cilën po e përjetojmë me na shty me mendu se qysh do të ishin pastaj zgjidhjet e ardhshme për me evitu skenarin ma të keq të mundshëm apo bllokada të llojit të tillë. Tekefundit edhe kjo është pjesë e shtetndërtimit… edhe nuk e konsideroj të parëndësishme”, u shpreh Konjufca.

    Deklaratën e plotë të Glauk Konjufcës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca: Vetëvendosje ka sjell një standard të ri, Qeveria nuk duhet t’i mbivendoset Kuvendit

    Konjufca: Vetëvendosje ka sjell një standard të ri, Qeveria nuk duhet t’i mbivendoset Kuvendit

    Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të vendosë një praktikë të re ku Qeveria nuk i mbivendoset Kuvendit.

    Sipas tij, konstituimi i Kuvendit është hapi i parë që pasqyron vullnetin e qytetarëve dhe nuk duhet të kushtëzohet me krijimin e Qeverisë.

    “Lëvizja Vetëvendosje, marrë me ajo që gjithmonë ka sjellë risi e të mira në shoqërinë tonë, e kjo risi është që Qeveria mos me iu mbivendosë Kuvendit… me qenë faza e parë konstituimi i Kuvendit, në të cilin nuk do të kishte arsye objektive kurrkush me pasë kundërshtime”, tha Konjufca.

    Ai kritikoi partitë e tjera për bllokimin e procesit dhe tha se ky veprim dëmton vetë demokracinë.

    “Nëse ti don që Kuvendin me e nxom peng edhe me ia mbivendosë zgjedhjen e Qeverisë, atëherë veprohet kështu siç po veprojnë sot partitë politike, po kjo absolutisht nuk mendoj që e ndihmon demokracinë”, u shpreh Konjufca.

    Deklaratën e plotë të Glauk Konjufcës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca: Opozita po e sakrifikon konstituimin e Kuvendit për një emër

    Konjufca: Opozita po e sakrifikon konstituimin e Kuvendit për një emër

    Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se subjektet opozitare po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit për shkak të një kandidati të Vetëvendosjes.

    Sipas Konjufcës, sjellja e opozitës dëshmon për një përçarje të thellë politike që ka zvarritur procesin e konstituimit për gati dy muaj.

    “Veprimet nëse i analizojmë në sallën e Kuvendit, të cilat janë duke ndodhë që gati dy muaj, tregojnë për një divergjencë të forcave politike, Vetëvendosja që e propozon, ashtu siç i takon Kryetarin e Kuvendit dhe partitë tjera opozitare, të cilat në emër të asaj që Vetëvendosja e ka propozu një kandidat të papërshtatshëm, ata e bllokojnë edhe në emër të kësaj, e sakrifikojnë edhe konstituimin e Kuvendit si të tillë”, tha Konjufca.

    Ai tha se Kushtetuta nuk parashikon domosdoshmëri konsultimi me partitë tjera për kandidatin për kryetar të Kuvendit.

    “Natyrisht, Lëvizja Vetëvendosje është në të drejtën e saj, sepse po qe se do të ishte e kodifikuar kjo që ne t’i pyesnim edhe të tjerët se kë ta vendosnim, me siguri që Kushtetuta e Kosovës do të ishte aq e mençur e e kujdesshme sa ta përfshinte një fjali ku do të thoshte në konsultim me partitë tjera”, u shpreh Konjufca.

    Deklaratën e plotë të Glauk Konjufcës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • A duhet të mësohet për UÇK-në në librat shkollorë? – Ky është mendimi i historianit Frashër Demaj

    A duhet të mësohet për UÇK-në në librat shkollorë? – Ky është mendimi i historianit Frashër Demaj

    Historiani Frashër Demaj ka botuar 47 punime shkencore në revista dhe publikime të ndryshme, si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit. Ai është autor i 24 monografive, teksteve shkollore dhe botimeve të veçanta . Më 2 dhjetor 2024, u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

    Së fundmi, Demaj ishte i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për historinë e shqiptarëve dhe jetën e tij personale.

    Gjatë bisedës, Demaj tha se duhet kujdes kur mësohet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën në librat shkollorë, duke theksuar se nuk është e mundur të përfshihen të gjitha ngjarjet historike në një tekst të vetëm dhe se duhet të ruhen balancat për të mos e mbingarkuar nxënësin me informacione.

    “Jo gjithë historinë e nxënë një tekst historie në një klasë të caktuar… gjithmonë duhet pasur kujdes mos mi ngarku nxënësit me informacione, sepse ekziston rreziku që ata ta shohin këtë situatë si të patejkalueshme dhe të dorëzohen krejt… Për luftën e Kosovës janë shkruar libra, janë bërë studime, janë botuar monografi, mirëpo ekziston edhe një pjesë e madhe e dokumentacionit arkivor që nuk është hapur dhe nuk iu mundësohet studiuesve të merren me të,” tha Demaj.

    Vlen të theksohet se Frashër Demaj ka qenë deputet i zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës në legjislaturën Vll (2019-2021). Gjithashtu që nga viti 2010, ai ligjëron në studime të rregullta dhe programe master në universitete dhe kolegje të ndryshme, si dhe ka dhënë leksione në Universitetin e Barit Aldo Moro në Itali.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Frashër Demaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

     

  • Pse nga muzika në politikë? – Kjo është përgjigjia e deputetes në Maqedoninë e Veriut, Saranda Imerit

    Pse nga muzika në politikë? – Kjo është përgjigjia e deputetes në Maqedoninë e Veriut, Saranda Imerit

    Politikanja nga Maqedonia e Veriut, Saranda Imeri Stafai, është aktive në politikë që nga viti 2013. Në vitin 2024 ajo mori mandatin si deputete, ndërsa në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetare e Forumit të Gruas.Përveç angazhimit politik, Saranda ka një të kaluar artistike. Që në moshë të re është marrë me muzikë dhe në moshën 15-vjeçare incizoi albumin e saj të parë.

    Së fundmi, ajo ishte e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e saj personale, rrugëtimin nga muzika në politikë dhe sfidat që gratë përballin në këtë fushë.

    Gjatë intervistës, Saranda tregoi pse zgjodhi politikën dhe sa e vështirë ishte për të përshtatja në këtë ambient sfidues.

    “Politika ka qenë gjithmonë prezente në shtëpinë time. Unë këtë pasion e kam trashëguar nga babai… Të kalosh prej një fushe që ka të bëjë vetëm me të bukurën, me muzikën, me harenë, në një fushë ku kërkohet seriozitet dhe qasje tjetër, ishte e vështirë, mirëpo me ndihmë, me përkrahje, e adaptova… Mua më vjen keq se sakrifikova profesionin tim, pasionin tim për muzikën, që të angazhohem në politikë, sepse jo çdo kush pajtohet me ideologjinë tënde… Dhe ajo sikur krijon njëfarë hutie dhe një dozë urrejtje nga publiku, gjë e cila nuk kisha dashur të ndodhë asnjëherë,” tha ajo.

    Vlen të theksohet se Saranda Imeri Stafai ka përfunduar studimet për Gjuhë Angleze dhe Letërsi. Ajo ka marrë pjesë në festivale muzikore si “Nota Fest”, “Polifest” dhe “Netët e Klipit”, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Gjatë periudhës së studimeve, ka punuar edhe për organizata të ndryshme, përfshirë OSBE-në, ku ka shërbyer si përkthyese gjatë kohës së luftës në Kosovë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Saranda Imeri Stafai, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Tragjedia në Grac, Austria shpall tri ditë zie kombëtare

    Tragjedia në Grac, Austria shpall tri ditë zie kombëtare

    Austria është në zi pas një sulmi të rëndë në qytetin Grac, pasi një 21-vjeçar i armatosur vrau 10 persona në ish-shkollën e tij të mesme. Pas sulmit tragjik të së martës, ai vrau edhe veten.

    Autoritetet austriake po hetojnë intensivisht për të zbuluar motivin e këtij akti. Në mesin e viktimave është konfirmuar edhe një vajzë me prejardhje nga Kosova. Motivi i sulmit ende mbetet mister, pasi që letra lamtumirëse që la sulmuesi, nuk e zbuloi arsyen.

    Po ashtu, policia nuk i ka konfirmuar raportimet se ai mund të ketë qenë viktimë e bullizmit.

    Kjo ngjarje ka tronditur Austrinë, e cila ka shpallur tri ditë zie kombëtare. Në shenjë solidarizimi, qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin kryesor të Gracit, duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në nderim të viktimave. /atvlive.tv