ATV

Category: Lajme

  • Një grua gjendet pa ndjenja në Prishtinë, ndërron jetë gjatë trajtimit në QKUK

    Një grua gjendet pa ndjenja në Prishtinë, ndërron jetë gjatë trajtimit në QKUK

    Një grua është gjetur e shtrirë në tokë në një lagje të Prishtinës më 16 qershor, ndërsa rasti është raportuar menjëherë në Policinë e Kosovës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, të cilët e kanë transportuar viktimën për trajtim të menjëhershëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Pavarësisht përpjekjeve mjekësore, gruaja ka ndërruar jetë gjatë trajtimit. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së saj. /atvlive.tv

  • Zhijovin Nesiq dënohet me 15 vjet burg për dhunim gjatë luftës në Kosovë

    Zhijovin Nesiq dënohet me 15 vjet burg për dhunim gjatë luftës në Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burg Zhijovin Nesiqin, i akuzuar për dhunim gjatë luftës në Kosovë. Seanca gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së lëndës.

    Përfaqësuesja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Fatmire Haliti, ka deklaruar se ky vendim është mirëpritur nga viktima si dhe nga organizata që ajo përfaqëson. Sipas saj, viktima e ka pritur me emocione të forta shpalljen e dënimit dhe e ka cilësuar vendimin si një hap drejt drejtësisë.

    Haliti ka shtuar se ky është vetëm fillimi i një rruge për të siguruar drejtësi për të gjitha të mbijetuarat e tjera të dhunës seksuale gjatë luftës, teksa disa raste të tjera tashmë janë në proces gjyqësor. /atvlive.tv

  • Vazhdohet mandati i EULEX-it në Kosovë

    Vazhdohet mandati i EULEX-it në Kosovë

    Zyra e Presidencës ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka konfirmuar vazhdimin e mandatit teknik të misionit të EULEX-it në Kosovë, përmes një shkëmbimi letrash me Presidenten Vjosa Osmani. Ky mandat nuk përfshin më kompetenca ekzekutive, por fokusohet në monitorim, mentorim dhe këshilldhënie institucionale.

    Në letrën drejtuar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Eevropian, Kaja Kallas, presidentja Osmani ka kërkuar që EULEX t’i dorëzojë autoriteteve vendore të gjitha dokumentet që ka në dispozicion nga periudha kur kishte mandat ekzekutiv. Ajo ka theksuar nevojën për transparencë dhe bashkëpunim të plotë institucional.

    Po ashtu, Osmani ka kërkuar që të gjitha aktivitetet e EULEX-it në Kosovë të jenë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /atvlive.tv

  • Defekt në rrjetin elektrik të spitalit në Mitrovicë

    Defekt në rrjetin elektrik të spitalit në Mitrovicë

    Një defekt i përkohshëm në trafon elektrike brenda hapësirave të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është regjistruar sot rreth orës 10:30. Sipas komunikatës zyrtare, defekti nuk ishte në përgjegjësi të spitalit.

    Përmes ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve teknike të spitalit dhe KEDS-it, furnizimi me energji elektrike është rikthyer pa pasoja. Fillimisht ndalimi i energjisë ka ardhur nga rrjeti i qytetit, ndërsa më pas është identifikuar edhe defekti në trafon brenda spitalit.

    Spitali ka bërë të ditur se situata është menaxhuar me profesionalizëm dhe nuk ka pasur asnjë kërcënim për sigurinë apo shëndetin e pacientëve dhe se të gjitha shërbimet spitalore janë duke funksionuar normalisht. /atvlive.tv

  • Presidentja Osmani pritet me nderime ushtarake në Budapest

    Presidentja Osmani pritet me nderime ushtarake në Budapest

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po e zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.

    Ajo në Budapest u prit nga homologu i saj Tamas Sulyok.Shefja e shtetit të Kosovës, atje u prit me nderimet ushtarake.Osmani këtë vizitë e cilësoi në dobi të qytetarëve dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë.

    “Faleminderit për pritjen me nderime ushtarake në Budapest, President Sulyok! Një vizitë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë”, deklaroi ajo.

  • BQK nis hapat për anëtarësim në SEPA dhe modernizim të sistemit të pagesave

    BQK nis hapat për anëtarësim në SEPA dhe modernizim të sistemit të pagesave

    Këshilli Kombëtar i Pagesave, i organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës, mbajti takimin e parë për vitin 2025.

    Guvernatori Ahmet Ismaili tha se përgatitjet për anëtarësim në Zonën SEPA janë ndër prioritetet kryesore të BQK-së, duke theksuar se kjo do të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset.

    Ai njoftoi se po ndërtohet infrastrukturë moderne për pagesa të menjëhershme dhe qasje në platforma si Apple Pay dhe PayPal.

    Ndërsa, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, theksoi se digjitalizimi i pagesave jo vetëm që ul kostot për përdoruesit, por ndihmon edhe në luftimin e ekonomisë informale. /atvlive.tv

  • Protestë në Prishtinë, qytetarët kërkojnë zgjidhje për ngërçin politik

    Protestë në Prishtinë, qytetarët kërkojnë zgjidhje për ngërçin politik

    Shoqata qytetare “Roja e Kohës” ka organizuar sot një protestë paqësore në qendër të Prishtinës, për të kundërshtuar bllokadën institucionale që, sipas tyre, po pengon funksionimin e shtetit. Protesta u mbajt para Kuvendit të Kosovës.

    Protestuesit mbajtën pankarta me mesazhe si: “Bllokadë politike, jo shtet”, “Kosova nuk mund të presë më” dhe “Populli ka votuar, jo për të bllokuar”. Ata shprehën pakënaqësinë ndaj bllokadës së vazhdueshme institucionale, e cila sipas tyre ka paralizuar vendimmarrjen shtetërore dhe ka thelluar krizën politike në vend.

    Me thirrje për reflektim dhe përgjegjësi, organizatorët kërkuan nga liderët institucionalë të marrin masa urgjente për tejkalimin e krizës politike dhe për rikthimin e funksionalitetit në institucionet e vendit. /atvlive.tv

  • Dështon për të 33-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës

    Dështon për të 33-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës

    Për të 33-ën herë ka dështuar tentativa për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
    Edhe në seancën e sotme nuk pati kuorum për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ftoi subjektet politike të propozojnë anëtarë për komisionin, por PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe sërish refuzuan të marrin pjesë në proces, duke kundërshtuar qasjen e Vetëvendosjes dhe kandidaturën e Albulena Haxhiut.
    Seanca u ndërpre pa ndonjë zhvillim të ri, ndërsa tentimi i radhës është caktuar për të enjten, më 19 qershor.
    Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani pritet të kërkojë sqarime ligjore nga Gjykata Kushtetuese për tejkalimin e këtij ngërçi politik.

  • A do të ngriten çmimet e derivateve në Kosovë për shkak të tensioneve Izrael-Iran

    A do të ngriten çmimet e derivateve në Kosovë për shkak të tensioneve Izrael-Iran

    Tensionet e fundit mes Izraelit dhe Iranit kanë shkaktuar lëkundje të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare të naftës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve. Sipas Fadil Berjanit, kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme po ngjall frikë për ndërprerje të furnizimit global me naftë.

    “Irani është ndër prodhuesit kryesorë të naftës në botë dhe kontrollon ngushticën strategjike të Hormuzit, nëpër të cilën kalon rreth 20% e naftës botërore. Çdo përshkallëzim i mëtejmë i këtij konflikti do të sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës në tregjet globale”, deklaroi Berjani.

    Në të njëjtën kohë, ai tha se një marrëveshje paqeje e mundshme, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të qetësojë tregjet dhe të stabilizojë çmimet.
    Edhe Kosova, e cila varet nga importi i naftës, nuk ka mbetur pa u ndikuar. Çmimet aktuale në tregun vendas janë: Diesel: 1.14 euro – 1.24 euro për litër, Benzinë: 1.15 euro – 1.25 euro për litër.

  • Thaçit i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi në Hagë

    Thaçit i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi në Hagë

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj tjerë ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    Vendimi është marrë më 11 qershor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokuroria kishte pretenduar se Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për arratisje pasi ai është në dijeni për akuzat serioze të konfirmuara ndaj tij. Po ashtu, ata e mbështesin këtë argument me faktin çështja e Prokurorisë ka përfunduar dhe tashmë Thaçi ka njohuri të plotë edhe për provat që janë kundër tij.

    Prokuroria kishte pretenduar gjithashtu se së shpejti Thaçi do të ketë informacione të ndjeshme në lidhje me dëshmitarët dhe provat që do t’i paraqesë mbrojtja e viktimave. Veç kësaj, fakti që Thaçi ka aktakuzë për pengim të procedurave, sipas Prokurorisë, e rritë motivin e tij që ai të arratiset.

    Ndërsa, mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq ka thënë se as gjykatësi i procedurës paraprake dhe as trupi gjykues nuk kanë konstatuar ndonjëherë se ka rrezik që Thaçi të arratiset nga drejtësia.

    Ndërsa, lidhur me këtë aspekt, trupi gjykues ka thënë se Prokuroria vazhdimisht po përsëritë argumente që janë shqyrtuar dhe refuzuar më parë.

    Kurse sa i përket argumentit të ri të Prokurorisë, që Thaçi do të ketë informacion të ndjeshëm për dëshmitarët e mbrojtjes së viktimave, trupi gjykues theksoi se nuk është argument bindës për të mbështetur pretendimet që Thaçi ka rrezik të arratiset.

    Sipas trupit gjykues, ky argument mund të ishte më i përshtatshëm të shqyrtohet tek pjesa e pengimit të procedurave.

    Si rrjedhojë, trupi gjykues ka thënë se nuk ka informacione të mjaftueshme që Thaçi mund të ikë nga drejtësia në këtë fazë të procedurës.

    Tek pika e pengimit të procedurave, Prokuroria kishte thënë se Thaçi paraqet një rrezik të tillë duke u bazuar në klimën e përgjithshme të ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve në Kosovë.

    Veç kësaj, Prokuroria ka theksuar se përfundimi i çështjes së tyre e rrit rrezikun për pengim pasi që i akuzuari ka njohuri të plotë mbi çështjen dhe dëshmitarët mund t’i ekspozohen rreziqeve.

    “ZPS thekson gjithashtu se informacioni i ndjeshëm i është zbuluar mbrojtjes, përfshirë të akuzuarin, duke rritur rrezikun e ekspozimit ndaj publikut dhe duke dëmtuar mbrojtjen e dëshmitarëve në rast lirimi”, thuhet në vendim.

    Mbrojtja e kishte kundërshtuar argumentin e mbrojtjes, duke pretenduar se rreziku i pengimit të procedurave duhet të ulet me kalimin e kohës dhe me përfundimin e çështjes së Prokurorisë.

    Po ashtu, mbrojtja ka argumentuar se dëshmitarët që pret t’i thërrasë mbrojtësi i viktimave janë ekspertë ndërkombëtarë dhe jo dëshmitarë të ndjeshëm, prandaj nuk ka asnjë rrezik për ndërhyrje.

    Trupi gjykues ka thënë se duke u mbështetur edhe në faktin që janë konfirmuar akuzat që Thaçi ka tentuar që të pengojë drejtësinë, lirimi i tij nuk do të ishte në përputhje me mbrojtjen efektive të dëshmitarëve.

    Si rrjedhojë, u konkludua që Thaçi përbën rrezik që të pengojë vazhdimin e procedurave të DhSK-së.

    Prokuroria kishte parashtruar se Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për kryejnë e krimeve të tjera duke përfshirë ato ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në fazat e mëvonshme në këtë çështje.

    Trupi gjykues ka rikujtuar gjetjet e tij të mëparshme, se rreziku që Thaçi mund të kryejë krime të tjera vazhdon të ekzistojë.

    “Trupi fjykues thekson faktin se gjykimi në këtë çështje është në vazhdim, se identitetet e dëshmitarëve të ndjeshëm janë zbuluar për z. Thaçi, dhe se çdo rrezik për kryerjen e mëtejshme të krimeve duhet të shmanget”, thuhet në vendim.

    Trupi gjykues është i mendimit që asnjë masë alternative duke përfshirë edhe lirimin me kusht, nuk i zbusin mjaftueshëm rreziqet ekzistuese të këtij procesi. Si rrjedhojë, u urdhërua që t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit edhe për dy muaj të tjerë.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.