ATV

Category: Lajme

  • ShBA-ja kryen sulme të reja në Iran, Teherani hakmerret me sulme në Kuvajt dhe Bahrejn

    ShBA-ja kryen sulme të reja në Iran, Teherani hakmerret me sulme në Kuvajt dhe Bahrejn

    Ushtria amerikane njoftoi të mërkurën se ka kryer sulme të reja ndaj Iranit për ta mbajtur të hapur për lundrim Ngushticën e Hormuzit, duke e nxitur Teheranin të kryejë sulme ndaj Kuvajtit dhe Bahrejnit. Ky përshkallëzim i vë në rrezik përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

    Sulmet e reja, të cilat Shtetet e Bashkuara thanë se u kryen si përgjigje ndaj sulmit të së martës ndaj tri anijeve të mallrave që po kalonin nëpër ngushticë, ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti Donald Trump theksoi se armëpushimi i përkohshëm me Iranin kishte “marrë fund”.

    “Forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së kanë filluar të kryejnë sulme shtesë kundër Iranit për të dobësuar më tej aftësinë e tij për ta kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, shkroi CENTCOM, komanda amerikane për Lindjen e Mesme, në platformën X.

    “Shtetet e Bashkuara e mbajnë Iranin përgjegjës për agresionin e pajustifikuar rishtazi ndaj anijeve tregtare dhe ekuipazheve civile që lundrojnë lirshëm në këtë rrugë jetike ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

    Sulmet amerikane goditën disa qytete përgjatë bregdetit jugor të Iranit dhe lanë disa zona pa rrymë.

    Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Kuvajtit dhe Bahrejnit, dy vende që strehojnë baza ushtarake amerikane. Kjo ishte dita e dytë radhazi që Irani kryen sulme në këto dy vende.

    Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit tha se po interceptonte raketa dhe dronë, ndërsa Katari lëshoi përkohësisht një alarm për “kërcënim të shtuar të sigurisë”, para se të njoftonte më vonë se rreziku kishte kaluar.

    Ndërkohë, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social, se “kjo është hakmarrje për bombardimin e djeshëm të anijeve nga Irani. Nëse ndodh përsëri, pasojat do të jenë shumë më të rënda”.

    Kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë para fillimit të luftës, i ka mundësuar Teheranit ndikim të jashtëzakonshëm, duke e lejuar që në praktikë ta imponojë një ngërç përballë ushtrisë më të fuqishme në botë.

    Megjithëse Irani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj anijeve, analistët thonë se Teherani përdor veprime të tilla për të fituar përparësi në bisedime me SHBA-në.

    “SHBA-ja ende nuk e ka kuptuar se kërcënimet dhe shkelja e zotimeve të saj nuk mbeten më pa pasoja. Le të jem i qartë: Nëse godisni, do të goditeni”, shkroi negociatori kryesor iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, në platformën X.

    “Ngushtica e Hormuzit do të rihapet vetëm sipas marrëveshjeve të Iranit, jo përmes kërcënimeve të SHBA-së”, shtoi ai.

    Shkëmbimi i fundit i sulmeve duket se zbehu shpresat për ta shndërruar memorandumin e mirëkuptimit, të nënshkruar më 17 qershor, në një marrëveshje të përhershme për t’i dhënë fund luftës, e cila kishte filluar me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.

    I pyetur para samitit të NATO-s në Turqi nëse memorandumi i mirëkuptimit kishte marrë fund, Trump u përgjigj: “Është një pyetje shumë interesante. Për mua, mendoj se ka marrë fund. Nuk dua të merrem më me ta”.

    “Nëse arrijmë marrëveshje me Iranin, nuk jam i sigurt se ajo do të zgjasë”, tha më vonë Trump. “Kam parë se janë njerëz shumë të pandershëm.

    Megjithatë, Trump, i cili edhe më parë ka kërcënuar me përshkallëzim ushtarak para se të tërhiqej, tha se nuk pret rikthimin e plotë të luftimeve dhe se mbetet e paqartë nëse bisedimet për një marrëveshje të përhershme do të vazhdojnë.

    Po të mërkurën, Trump tha se nuk beson se lufta do të rifillojë: “Çfarëdo që të ndodhë do të përfundojë shumë shpejt… dhe vetëm do ta bëjë gjendjen më të sigurt, përfshirë edhe për tregun e naftës”.

    Sulmet e së mërkurës nxiten rritjen e çmimeve të naftës. Nafta e Brentit u rritën për rreth 1 për qind, në 78.80 dollarë për fuçi. Megjithatë, çmimet mbetën dukshëm nën kulmin e fundprillit, kur kishin kaluar 120 dollarë për fuçi./REL

  • Reuters: Zemërim në Shqipëri, Edi Rama e mbron koncertin 4 milionë eurosh të Kanye West

    Reuters: Zemërim në Shqipëri, Edi Rama e mbron koncertin 4 milionë eurosh të Kanye West

    Kryeministri i Shqipërisë e mbrojti të mërkurën vendimin për të shpenzuar 4 milionë euro për një koncert të reperit amerikan Kanye West, ndërsa u përpoq ta zbusë zemërimin lidhur me këtë ngjarje, e cila ka shtuar tensionet në protestat publike dhe kërkesat për dorëheqjen e tij, shkruan Reuters.

    Kanye West, i cili njihet edhe si YE, është ndaluar të performojë në disa vende evropiane këtë verë pas deklaratave që kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përmbajtje me imazhe naziste.

    Koncerti, i planifikuar për 11 korrik pak jashtë Tiranës, do të mbahet në një stadium të përkohshëm të ndërtuar posaçërisht për këtë ngjarje.

    “Ne ndamë 4 milionë euro në momentin e fundit për ta shmangur turpërimin e Shqipërisë në sytë e gati 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët tashmë kishin blerë bileta për ta parë Kanye West, ndërsa shumë të tjerë kishin frikë se koncerti mund të anulohej”, tha kryeministri Edi Rama në Facebook.

    Rama tha se pritet që kjo ngjarje t’i sjellë vendit të paktën 100 milionë euro të ardhura, pas rritjes së rezervimeve për akomodim rreth kohës së mbajtjes së koncertit.

    Njoftimi i Ramës tërhoqi një valë komentesh negative në faqen e tij në Facebook.

    “Shqipëria turpërohet kur mirëpret një këngëtar që e admiron Hitlerin”, tha një komentues. “Turp, jo me paratë e mia!”, tha një tjetër.

    Protesta të përditshme janë mbajtur në Tiranë për më shumë se një muaj. Ato u nxitën nga planet për një resort luksoz të dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

    Më vonë, protestuesit denoncuan edhe projekte të tjera të zhvillimit bregdetar pranë zonave të mbrojtura dhe kërkuan gjithashtu dorëheqjen e Ramës, duke akuzuar qeverinë e tij për korrupsion, një pretendim që Rama e mohon.

  • Pas Mitrovicës, edhe Podujeva lejon shfrytëzimin e parkingjeve të disa shkollave

    Pas Mitrovicës, edhe Podujeva lejon shfrytëzimin e parkingjeve të disa shkollave

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se disa hapësira publike do të jenë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, për parkim veturash.

    Bëhet fjalë për ofrimin e parkingjeve në oborret e disa shkollave, me qëllim që të lehtësohet komunikacioni

    “Ju njoftoj se kam marrë vendim për lejimin e shfrytëzimit të parkingjeve në shkollat IAAP “Isa Boletini”, SHFMU “Enver Maloku”, SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova”, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” dhe IAAP “Fan S. Noli”, për të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës.

    Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të automjeteve dhe krijimit të hapësirave shtesë për parkim, duke kontribuar në një menaxhim më efikas të lëvizjes në qytet gjatë periudhës që bashkatdhetarët tanë do të jenë për pushime në vendlindje” njoftoi Bulliqi.

    Një vendim të njëjtë e mori edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tani që fluksi i veturave rritet me ardhjen e mërgatës.

  • Sulmi në Ibër-Lepenc, të akuzuarit deklarohen sërish të pafajshëm

    Sulmi në Ibër-Lepenc, të akuzuarit deklarohen sërish të pafajshëm

    Vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe i akuzuari tjetër Igor Dimoviq, edhe në seancën e së enjtes u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, të enjten ka nisur shqyrtimi gjyqësor.

    Të pafajshëm, tre të akuzuarit ishin deklaruar edhe në seancën fillestare më 16 shkurt 2026, raporton Betimi për Drejtësi.

    Seanca po vazhdon me fjalën hyrëse nga prokurori special, Bekim Kodraliu.

    Seanca për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, të akuzuarit dalin para gjyqit

  • I buzëqeshur krah Erdoganit, Rama ndan foto nga Samiti i NATO-s në Turqi

    I buzëqeshur krah Erdoganit, Rama ndan foto nga Samiti i NATO-s në Turqi

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale disa fotografi nga pjesëmarrja e tij në Samitin e NATO-s të zhvilluar në Ankara.

    Rama shfaqet mes liderëve të vendeve anëtare të Aleancës, në një nga takimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare.

    Në fotografitë e publikuara, kryeministri shqiptar shihet gjatë momenteve zyrtare të samitit, ku liderët e NATO-s diskutuan çështje të mbrojtjes, sigurisë dhe bashkëpunimit mes vendeve aleate.

    Samiti në Turqi mblodhi drejtuesit e 32 vendeve anëtare të NATO-s.

  • Gruaja gjen dy granata dore në bodrumin e shtëpisë në Prishtinë, policia i largon ato

    Gruaja gjen dy granata dore në bodrumin e shtëpisë në Prishtinë, policia i largon ato

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se në Prishtinë, një grua ka gjetur dy granata dore në bodrumin e shtëpisë.

    Në raport shtohet se, njësitë relevante policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, derisa njësiti për deminim i EOD-së kanë bërë tërheqjen e mjeteve pa ndonjë incident.

    ‘’GJETJE E MJETIT TË PASHPËRTHYER

    Rr. Ahmet Krasniqi, Prishtinë 08.07.2026. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se gjatë pastrimit të shtëpisë në bodrum kishte hasur në dy mjete të dyshuara të pashpërthyera-granata dore. Njësit relevante policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, derisa njësiti për deminim i EOD-së kanë bërë tërheqjen e mjeteve pa ndonjë incident’’, thuhet në njoftim.

  • Seanca për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, të akuzuarit dalin para gjyqit

    Seanca për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, të akuzuarit dalin para gjyqit

    Të akuzuarit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, i cili po mbrohet në liri, nuk e kanë pranuar fajësinë për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Seanca ndaj tyre është mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Të tre të akuzuarit kanë deklaruar para gjykatës se nuk ndihen fajtorë për akuzat me të cilat përballen.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin-Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike.

    Në aktakuzën e ngritur nga prokurori special Bekim Kodraliu thuhet se të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pas një marrëveshjeje paraprake dhe me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë dhe rrezikimit të rendit kushtetues e sigurisë së Republikës së Kosovës, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit Trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit.

    Sipas Prokurorisë, eksplozivi ishte vendosur në një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni, në mënyrë që të shkaktonte dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike.

    Aktakuza thotë se të pandehurit kanë aktivizuar lëndën shpërthyese përmes ndezjes së një fitili me djegie të ngadalshme, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që dëmtoi rëndë strukturën e betonit të kanalit të Ibër-Lepencit.

    Si pasojë e shpërthimit, sipas Prokurorisë, ishte ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës, ishte penguar furnizimi me ujë për KEK-un dhe ishte rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike në nivel vendi.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë, si dhe dëmtim të infrastrukturës kritike të shtetit. Dëmi material i shkaktuar ndaj ndërmarrjes Ibër-Lepenc vlerësohet në 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

    Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, në lidhje me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Kosovës.

    Në pikën e dytë të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas Prokurorisë, gjatë kontrolleve të realizuara nga Policia e Kosovës në shtëpitë e tyre në Zubin-Potok dhe në fshatin Prevllak të kësaj komune, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme armatimi luftarak. /Eo

  • Nis mbyllja e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, objekti do t’i jepet Danimarkës për të burgosurit

    Nis mbyllja e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, objekti do t’i jepet Danimarkës për të burgosurit

    Oda e Avokatëve ka thënë se është njoftuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës që ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan dhe transferimi i personave që kanë qenë në këtë qendër drejt institucioneve të tjera korrektuese.

    Ky objekt do të shfrytëzohet në kuadër të marrëveshjes për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës.

    “Oda e Avokatëve të Kosovës është njoftuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze. Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese, proces i cili do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Oda e Avokatëve ka thënë se po e jep njoftimin me qëllim të informimit në kohë të komunitetit të avokatëve dhe të lehtësimit të komunikimit me klientët gjatë kësaj periudhe tranzitore.

    Kosova dhe Danimarka në vitin 2022 nënshkruan marrëveshje 10-vjeçare për transferimin e të burgosurve nga shteti nordik. Marrëveshja parasheh që Danimarka të marrë me qira 300 qeli burgu në Gjilan, derisa Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.

    Sipas marrëveshjes, të burgosurit që do të transferohen nga Danimarka në Kosovë nuk duhet të jenë të dënuar për krime të rënda dhe mbi 10 vjet e të mos kenë probleme mendore.

    Plani ka hasur në kundërshtime në Danimarkë, madje për një kohë ishte i pezulluar për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut.

  • Ku do të investohen 206.4 milionë eurot e BE-së?

    Ku do të investohen 206.4 milionë eurot e BE-së?

    Bashkimi Evropian ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026–2027, me një vlerë prej 180.5 milionë euro.

    Përveç kësaj, përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) janë siguruar edhe tri grante shtesë në vlerë prej 25.9 milionë euro, duke e çuar mbështetjen totale në 206.4 milionë euro.

    Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, bëri të ditur se këto fonde do të investohen në sektorë me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit.

    Sipas tij, fondet e IPA 2026–2027 do të mbështesin projekte në fushën e mjedisit dhe veprimit klimatik, energjisë, migrimit dhe menaxhimit të kufijve, përafrimit me Bashkimin Evropian dhe qeverisjes së mirë, konkurrueshmërisë, si dhe sundimit të ligjit.

    Rreth gjysma e mjeteve financiare do të destinohen për investime infrastrukturore, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për grante për institucionet dhe asistencë teknike.

    Ndërkaq, tri grantet e miratuara në kuadër të WBIF, me vlerë 25.9 milionë euro, do të financojnë ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, në bashkëpunim me BERZH-in, zhvillimin e hidrosistemit Ibër-Lepenc, si dhe segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë.

    Sipas Zulfajt, këto investime do të forcojnë kapacitetet institucionale të Kosovës, do të përshpejtojnë përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

  • Cakolli paralajmëron: Zvarritja për krijimin e institucioneve mund ta çojë Kosovën në zgjedhje në dhjetor

    Cakolli paralajmëron: Zvarritja për krijimin e institucioneve mund ta çojë Kosovën në zgjedhje në dhjetor

    Eugen Cakolli nga KDI ka paralajmëruar se zvarritja e procesit për krijimin e institucioneve të reja mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme në fund të këtij viti.

    I ftuar në emisionin “Click” në RTV21, Cakolli ka thënë se sipas afateve ligjore, data e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve bie në fund të muajit nëntor, por vonesat në proces mund të bëjnë që ato të shtyhen deri në fund të dhjetorit.

    “Data e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve është fundi i muajit nëntor. Nëse e marrim për bazë përvojën e vitit të kaluar, mjafton të ketë një shtyrje me një krizë të sajuar. Mjafton edhe vetë dërgimi i pyetjes presidenti apo qeveria për Gjykatën, procesi mund të zvarritet dhe vendi mund të ketë mundësi t’i drejtohet kutive të votimit më 27 dhjetor, që është një opsion që është diskutuar”, ka deklaruar Cakolli.

    Sipas tij, çdo vonesë në funksionalizimin e institucioneve mund të ndikojë në kalendarin politik dhe të hapë mundësinë për një proces të ri zgjedhor.