ATV

Category: Lajme

  • KFOR vendos tabela përgjatë kufirit Kosovë–Serbi: Do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale

    KFOR vendos tabela përgjatë kufirit Kosovë–Serbi: Do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale

    KFOR-i përmes një njoftimi për media bën të ditur se ka vendosur shenja të reja paralajmëruese dhe ka rinovuar disa nga ato më të vjetra për të përmirësuar dukshmërinë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

    KFOR-i ka njoftuar se qëllimi është të zvogëlohet rreziku i kalimeve të paqëllimshme.

    “Po vendosen shenja për të paralajmëruar njerëzit se po i afrohen ABL-së (Vija kufitare). Për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit, këto tabela po vendosen për të shënuar qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale. Vendosja e këtyre tabelave do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme. Një aktivitet i tillë pasqyron angazhimin e paanshëm të KFOR-it për një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftim.

  • Mot shumë i nxehtë, IHMK-ja bën thirrje për kujdes të shtuar nga indeksi i lartë i rrezeve ultravjollcë

    Mot shumë i nxehtë, IHMK-ja bën thirrje për kujdes të shtuar nga indeksi i lartë i rrezeve ultravjollcë

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se në Kosovë ditët e para të kësaj jave do të jenë të nxehta dhe me diell.

    IHK njofton se nga mesi i javës pritet një rënie graduale e temperaturave dhe paraqitje e reshjeve të përkohshme.

    Indeksi UV do ë jetë lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohemi nga rrezet direkte të diellit, moshat e shtyra në moshë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuar.

    Maksimalja sot parashihet të shkojë deri në 36°C.

  • Sot vazhdon seanca gjyqësore në rastin Banjska, dje gjykimi ishte i mbyllur

    Sot vazhdon seanca gjyqësore në rastin Banjska, dje gjykimi ishte i mbyllur

    Sot vazhdon seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

    Dje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi për rastin Banjska ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, vazhdoi i mbyllur.

    Prokurori Naim Abazi kërkoi mbylljen e kësaj seance për publikun, gjatë dëshmisë së dëshmitarit anonim.

    Abazi tha se ky dëshmitar gëzon mbrojtje të integritetit dhe se çdo prezantim lidhur me identitetin e tij përbën rrezik për të dhe mund të ketë ndikim në këtë proces gjyqësor.

    Seancat përveç sot, mbahen edhe më 24 korrik në gjykim të këtij rasti.

  • Kurti: I kam bërë ofertë konkrete Nismës

    Kurti: I kam bërë ofertë konkrete Nismës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha sot se të shtunën ka zhvilluar negociata për konstituimin e kuvendit dhe formimin e qeverisë së re me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

    Kurti, në një konferencë për media në objektin e qeverisë të hënën, tha se i ka bërë ofertë konkrete Nismës Socialdemokrate.
    “Me kryetarin e Nismës Socialdemokrate kemi zhvilluar një takim, me ç’rast kemi diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër në detyrë, kemi shprehur jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete për Nismën Socialdemokrate në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejtë e sa më mirë, mirëpo kur këto bisedime përmbyllen me rezultatin final, atëherë mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj”, tha Kurti, duke bërë me dije se janë në pritje të përgjigjes së NISMA-s.

  • Presidentja Osmani pret në takim Shefin e BE-së në Kosovë, fokusi te konstituimi i Kuvendit

    Presidentja Osmani pret në takim Shefin e BE-së në Kosovë, fokusi te konstituimi i Kuvendit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve të fundit.

    Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian.

    Presidentja Osmani dhe Ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku Presidentja ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.

  • Kurti: Deklaratat e Vuçiqit kërcënuese dhe krejtësisht të papranueshme

    Kurti: Deklaratat e Vuçiqit kërcënuese dhe krejtësisht të papranueshme

    Kryeministri në detyrë po mban konferencë për media në objektin e qeverisë në Prishtinë. Ai foli për kërcënimin ndaj Kosovës nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

    “Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe ligjor, me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara dhe zbatim të barabartë të ligjit në çdo cep të territorit të saj. Sundimi i rendit dhe i ligjit është themeli i shtetit tonë dhe ai nuk njeh, pra nuk diskriminon, sipas etnisë, pozitës, ndikimit politik apo çfardo përkatësie tjetër. Secili që shkel rendin dhe ligjin do të përballet me drejtësi

    Rasti i Igor Popoviqit, i arrestuar në bazë të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit etnik më 18 korrik, sivjet, nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.

    “Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bëra më 20 korrik, sivjet, janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandat suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shtetërore”, tha kryeministri në detyrë, transmeton Paparaci.
    Ai tha se Beogradi zyrtar nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e “tensioneve dhe gjuhës së urrejtjes në rajon”.

    “Vuçiq me gjuhën e Millosheviqit mund të flasë dhe të veprojë në Serbi. Por, ka kaluar njëherë e mirë koha kur këtë mund ta bëjë në Kosovë, dhe ajo kohë nuk do të kthehet kurrë më”, tha ai.

  • Kujdes! Rikthehet vala e të nxehtit afrikan në Kosovë

    Kujdes! Rikthehet vala e të nxehtit afrikan në Kosovë

    Një valë e fuqishme e të nxehtit afrikan, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 39°C, pritet që të përfshijë vendin tonë gjatë kësaj jave.
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron për ndikime të mëdha në shëndet, mungesë reshjesh dhe rrezik të shtuar për zjarre në zonat pyjore dhe bujqësore. Autoritetet e emergjencës u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, ndërsa janë ndaluar të gjitha zjarret në natyrë. Ndërsa nga Ujësjellësi kërkojnë që uji të shpenzohet në mënyrë më racionale.

    Sipas meteorologut Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, vendi po ndikohet nga masa ajrore të thata dhe të nxehta që vijnë nga Afrika Veriore. Ai i tha Radio Kosovës se këto masa, shpeshherë gjatë verës shkaktojnë valë të të nxehtit në rajon.

    “Këto masa sjellin temperatura të larta, përmbajtje të ulët të lagështisë dhe rritje të rrezikut për thatësira dhe zjarre. Dita më e nxehtë pritet të jetë e premtja, me temperatura që mund të arrijnë nga 35 deri në 39°C.”, transmeton Indeksonline.

    ALiu shtoi se indeksi UV do të jetë shumë i lartë nga ora 9 deri në 17, dhe u bëri thirrje qytetarëve, të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për mbrojtje nga rrezet e dëmshme. Pavarësisht motit të nxehtë gjatë javës, Aliu tha se IHK parashikon një lehtësim të vogël gjatë fundjavës.

    “Një masë më e freskët nga veriu i Evropës do të ndikojë në uljen e temperaturave. Nuk përjashtohet mundësia për ndonjë stuhi lokale.”

    Ndërkaq, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, u bëri thirrje qytetarëve për shpenzim sa më racional të ujit.

    “Nëse ne e keqpërdorim ujin, atëherë më të vërtetë do të ketë shqetësime për ujë, sidomos në pikat e larta furnizuese.”

    Nga ana tjetër, Genc Metaj nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave i tha Radio Kosovës se janë ndërmarrë të gjitha masat që në fillim të sezonës verore, por theksoi se situata mund të përshkallëzohet për shkak të zjarreve të shumta.

    “Kemi mbi 40 zjarre të mëdha të regjistruara. Fatkeqësisht, kemi pasur humbje jete ,një person në Klinë dhe një zjarrfikës javën e kaluar. Situata po bëhet e rrezikshme edhe për kapacitetet tona operacionale.”

    Ai bëri thirrje për ndërgjegjësim qytetar, duke theksuar se janë ndaluar të gjitha zjarret në ambient të hapur, përfshirë piknikët, ndezjen e fishekzjarrëve dhe çdo aktivitet tjetër që mund të shkaktojë zjarr.

  • Përfundon pa rezultat edhe tentimi i 50-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës

    Përfundon pa rezultat edhe tentimi i 50-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës

    Edhe tentimi i 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

    Deputetët sërish kanë dështuar që të përmbyllin seancën konstituive të nisur më 15 prill.

    Nga 104 deputetë sa ishin në sallë, vetëm 53 deputetë morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë.

    Vazhdimi i radhës është caktuar për të mërkurën, më 23 korrik në orën 11:00.

  • Avokati Arianit Koci, heq flokët para Kuvendit

    Avokati Arianit Koci, heq flokët para Kuvendit

    Në shenjë proteste për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, avokati Arianit Koci sot ka ndërmarrë një tjetër aksion simbolik.
    Ai ka rruar kokën para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur kështu zhgënjimin dhe pakënaqësinë e tij ndaj klasës politike për dështimin që kuvendi të nisë punën, pavarësisht kalimit të afateve ligjore dhe pritjeve të qytetarëve.

    Protesta e tij ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve, ndërsa avokati është shprehur se ky ishte një akt i vetëdijshëm për të ngritur zërin në mënyrë paqësore dhe simbolike.
    Ndryshe, sot deputetët do të mblidhen për të 50-tën herë në përpjekje për të konstituar Kuvendin e Kosovës.Avokati Koci proteston para Kuvendit të Kosovës

  • Sot mbahet tentativa e 50-të herë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot mbahet tentativa e 50-të herë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot, mbahet tentativa e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në një përpjekje tjetër për të zhbllokuar krizën institucionale që po zgjat prej muajsh.
    Deri tani, të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.
    Kriza aktuale ka nxitur shqetësim te qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar nga liderët politikë që të vënë në vend të parë interesin e vendit.