ATV

Category: Lajme

  • Kandidatët e LVV-së, premtimet i orientojnë tek investimet kapitale 

    Kandidatët e LVV-së, premtimet i orientojnë tek investimet kapitale 

    Fokusi i kandidatit për Prishtinën, nga Vetëvendosje të hënën ishte lagjja Kalabria. Nga terreni, Hajrulla Çeku o zotua se do t’i kushtojë rëndësi kësaj lagje, derisa thotë se u shqetësua për gjendjen e rrugës por edhe të mbeturinave.

    Mbështetje fermerëve iu premtoi Shpejtim Bulliqi, i cili po kërkon edhe një mandat tjetër në krye të Podujevës.

    Takime me afaristët zhvilloi kryetari aktual, pretedenti për një mandat tjetër për Gjilanin, Alban Hyseni. Të hënën ai zhvilloi edhe një takim me gra e vajza.

    Transformimi për komunën do të vazhdojë edhe në mandatin tjetër, ka thënë Qemajl Aliu, kryetar aktual i Shtimes.

    Në Frashër të Mitrovicës, qëndroi të hënën kandidati për kryetar Faton Peci. Ai tha se kërkesat e banorëve do t’i realizojnë.

    Përkrahje nga qytetarët po kërkon edhe kandidatja për Drenasin, Egzona Tërdevci.

    Hallet dhe planet për lagjen 028-029, i diskutoi në ditën e 17-të, kandidati për Fushë-Kosovën, Valon Prebreza.

    Ndërkaq, ndërtimin e unazës së jashtme dhe unazës së mesme me një investim prej 40 milionë euro, projekt që do të krijojë hapësira të reja për zona industriale dhe biznese, premtoi kandidati për Ferizaj, Enver Haliti.

    E se nuk do të abuzohet paraja publike ishte njëri nga premtimet e kandidatit për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi.

  • Ditë vendimtare në Shtëpinë e Bardhë për Gazën, Trumpi: Diçka speciale po vjen

    Ditë vendimtare në Shtëpinë e Bardhë për Gazën, Trumpi: Diçka speciale po vjen

    Sot është një ditë vendimtare për paqen në Gaza. Presidenti amerikan, Donald Trump, pret në Zyrën Ovale kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu. Në fokus të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë do të jetë plani 21 pikësh për përfundimin e luftës në Rripin e Gazës.

    “Ne kemi një mundësi reale për madhështi në Lindjen e Mesme. Të gjithë janë pajtuar për diçka shumë speciale, për herë të parë në histori”, njofton presidenti amerikan përmes rrjeteve sociale, duke premtuar se takimi mes Netanjahun do të ketë një rezultat pozitiv.

    Por në një intervistë me Fox News, kryeministri izraelit nuk tha se e kishte pranuar planin. “Po punojmë për të”, tha ai. “Nuk është finalizuar ende”. Kurse Hamasi njoftoi se nuk kishte marrë asnjë propozim të ri për armëpushim. Në një deklaratë, Hamasi përsëriti “gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që merr nga vëllezërit e tij ndërmjetës në një mënyrë pozitive dhe të përgjegjshme, duke ruajtur njëkohësisht të drejtat kombëtare të popullit palestinez”.

    Netanyahu pritet të paraqesë rezerva dhe të shtyjë për ndryshime në planin e armëpushimit, thanë të dielën tre zyrtarë izraelitë, duke nënvizuar vështirësinë e arritjes së një marrëveshjeje, edhe nëse shumë nga detajet janë përpunuar paraprakisht.

    Ai kërkon që të kufizojë rolin e Katarit në Gazën e pasluftës. Edhe vende të ndryshme arabe dhe Autoriteti Kombëtar Palestinez i kanë kërkuar administratës amerikane që të modifikojë planin për paqen në Rripin e Gazës. Sipas medias izraelite, Channel 12, ata kërkojnë riformulimin e pikës për dorëzimin e armëve nga Hamasi.

    Por paqja nuk vjen nga qielli për palestinezët në Gaza… por vetëm vdekja, shkatërrimi dhe disa fletushka të hedhura nga ushtria e Izraelit. Në to lexohej kërkesa e qartë për civilët që të largoheshin nga qyteti kryesor i enklavës, ku IDF vijon me ofensivën e ashpër tokësore. Protestat ndaj kryeministrit Netanyahu në Izrael nuk kanë ndalur, ndërsa, një instalacion i madh arti është parë në një plazh në Tel Aviv, me imazhe të Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Kryeministrit të Izraelit përballë njëri-tjetrit me fjalët “Mos u mashtroni përsëri”. Në vepër, Netanyahu shfaqet me një hundë të gjatë.

  • 12 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vjehrrit në Prishtinë, iu ricilësua vepra penale

    12 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vjehrrit në Prishtinë, iu ricilësua vepra penale

    jykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Edon Bujupit i akuzuar për vrasjen e vjehrrit të tij A.K. Me këtë aktgjykim, Bujupi u shpall fajtor për “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe u dënua me 12 vjet burgim.

    Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Bujupi u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas vendimit, në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, masë e cila iu vazhdua.

    Bujupi obligohet edhe për shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.Palët e dëmtuara A.K., dhe A.K., udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil. Ankesa është e lejuar në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.

    Në arsyetimin e vendimit, gjykatësja Dermaku tha se arsyeja e ricilësimit të veprës penale nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” është se i akuzuari ka qenë i sulmuar nga viktima dhe dëshmitari.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, me datë 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe miqve të tij (babait dhe vëllait të gruas), kanë filluar përleshjen mes vete, ku gjatë përleshjes fizike, me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë – thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerit A.K., i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.

    Me këtë, Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • KQZ emëron mbi 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve

    KQZ emëron mbi 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për Zgjedhjet Lokale, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025, raporton Ekonomia Online.

    Udhëheqësi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Arianit Elshani, ka deklaruar se “janë vetëm 3 komuna që përbëhen me nga 6 anëtarë, ndërsa komunat e tjera përbëhen me nga 5 anëtarë”.

    Kundër këtij vendimi u shprehën dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Anëtari Alban Krasniqi tha se ata mbesin kundër në çdo rast ku është e përfshirë Lista Serbe.

    “Ne që nga fillimi kemi qenë kundër. Na bënë të pamundur për me vendos për votimin e një liste të tillë. Bazuar në argumentet që kemi ngrit dhe vazhdojmë që të qëndrojmë”, u shpreh ai.

    Sipas vendimit të KQZ-së, emërohen 14,305, anëtarë të 2,571 vendvotimeve të rregullta dhe 54 vendvotimeve me kusht, ndërkaq 1,200 anëtarë të tjerë do të jenë rezervë.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Këshilli i Vendvotim është përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.

    Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

    Në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e procedurës standarde të veprimit në lidhje me të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në Zgjedhjet Lokale 2025.

    Qëllimi i kësaj procedure është përcaktimi i rregullave të sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve të akredituar nga KQZ, në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Qendrat e Votimit, Vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit, Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në hapësirat tjera që ndërlidhen me aktivitetet zgjedhore. Kjo procedurë do t’iu dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ.

  • Dogana ndalon pajisje mjekësore të padeklaruara në Merdare

    Dogana ndalon pajisje mjekësore të padeklaruara në Merdare

    Më datë 29.09.2025, rreth orës 04:50, në Pikën Kufitare të Kalimit në Merdare, gjatë një kontrolli rutinë të zhvilluar nga zyrtarët doganorë, është ndaluar një automjet në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës për kontroll të zakonshëm kufitar.
    Drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra për deklarim, ndërsa pas kontrollit të detajuar të automjetit, në bagazh janë zbuluar pajisje mjekësore të padeklaruara, si më poshtë:
    – 8 (tetë) defibrilatorë të përdorur – Lifepak Medtronic
    – 3 (tre) defibrilatorë të rinj – Physio-Control Lifepak CR2
    – 2 (dy) pako ndihme të parë
    Mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe ndaj rastit po zhvillohet procedurë për kundërvajtje
    doganore në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK).
    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe në garantimin që pajisjet mjekësore që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës të jenë të sigurta, të certifikuara dhe të kontrolluara sipas standardeve të përcaktuara.
  • Hetim penal ndaj “Ujësjellësit Gjakova”, bastiset zyra dhe shtëpia e Kryeshefit

    Hetim penal ndaj “Ujësjellësit Gjakova”, bastiset zyra dhe shtëpia e Kryeshefit

    Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka realizuar të hënën një urdhër kontrolli në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e të dyshuarit, Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie.
    Hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontrollin në kuadër të hetimeve që në koordinim me Prokurorinë Speciale, janë duke u ndërmarrë për të gjitha dyshimet që janë objekt i hetimit penal.
    Gjatë operacionit policor janë sekuesturuar prova materiale ( dokumente ) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin.
    Hetimet po zhvillohen për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; Falsifikimi i dokumentit zyrtar; Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore; Konflikt i interesit dhe Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurorim publik.
    Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
  • Zhduket i moshuari nga Staradrani i Istogut, Policia apelon për ndihmë

    Zhduket i moshuari nga Staradrani i Istogut, Policia apelon për ndihmë

    Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të zhdukur me autorizim të Prokurorisë Themelore Pejë, me qëllim lokalizimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.

    Personi i zhdukur është:
    -BEQIR (Shaqir) MALOKU i lindur me 23.02.1957 në fshatin Staradran-Istog.
    -PERSON I ZHDUKUR

    Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të zhdukur në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:
    -192 dhe 080019999 (pa pagesë)
    -039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë
    -E-mail adresa: [email protected]

  • Ligjëratë ndërgjegjësuese për parandalimin e dukurive negative dhe përdorimit të drogave

    Ligjëratë ndërgjegjësuese për parandalimin e dukurive negative dhe përdorimit të drogave

    Njësia e Komunitetit e Stacionit Policor në Gjilan ka mbajtur sot një ligjëratë ndërgjegjësuese me temën “Parandalimi i dukurive negative dhe drogave”, në ambientet e shkollës fillore “Thimi Mitko” në qytetin e Gjilanit.
    Ligjërata është mbajtur me nxënësit e klasave të VII-ta dhe VIII-ta, ligjëratë me fokus të veçantë në ngritjen e vetëdijes për pasojat që sjellin dukuritë negative dhe përdorimi i substancave narkotike në jetën dhe mirëqenien e të rinjve. Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, u theksua roli i rëndësishëm që luajnë mësimdhënësit, stafi mbështetës dhe vetë nxënësit në identifikimin, parandalimin dhe raportimin e rasteve të tilla.
    Ky aktivitet është pjesë e një sërë iniciativash që Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësive të saj, zhvillon në bashkëpunim të ngushtë me institucionet arsimore, me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurte shkollor dhe mbështetës për të gjithë nxënësit.
  • Mali i Zi i dërgon notë verbale Ambasadës së Kosovës për të shtënat në kufi

    Mali i Zi i dërgon notë verbale Ambasadës së Kosovës për të shtënat në kufi

    Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar të hënën notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, lidhur me të shtënat me armë zjarri që dyshohet se u erdhën nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirin mes dy shteteve.

    “Nga organet kompetente të Republikës së Kosovës është kërkuar që t’i identifikojnë dhe t’i procedojnë autorët e këtyre incidenteve, si dhe të njoftojnë Malin e Zi për të gjitha masat dhe veprimet e ndërmarra”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Malit të Zi, për Radion Evropa e Lirë (REL).

    Nga dikasteri i udhëhequr nga Ervin Ibrahimoviq vlerësojnë se bëhet fjalë për incidente të izoluara.

    Të paktën në dy raste janë regjistruar dëmtime në infrastrukturën e qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim në Mal të Zi, e cila ndodhet rreth një kilometër e gjysmë nga kufiri me Kosovën.

    Në të dyja rastet, organet kompetente malazeze dyshojnë se të shtënat janë shkrepur nga territori i Kosovës.

    Incidenti i parë ndodhi në korrik të vitit të kaluar, kur u vërejtën dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit. Prokuroria e Rozhajës ka hapur lëndë për këtë rast.

    Ndërsa, incidenti i dytë ndodhi më 24 gusht të këtij viti, kur pati të shtëna në drejtim të një objekti të qendrës së skijimit. Prokuroria pritet të hapë lëndë pas përfundimit të hetimeve të Policisë.

    Notë verbale është dërguar pas incidenteve të përsëritura që janë regjistruar nga Policia në Rozhajë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, e cila shton se për incidentet u njoftua më 22 shtator edhe ambasadorja e Kosovës.

    “Besojmë se rastet e izoluara nuk e reflektojnë përkushtimin e qartë të dy shteteve tona për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për REL.

    Po ashtu, theksohet se palës kosovare i është tërhequr veçanërisht vëmendja për rëndësinë e zbatimit të tri marrëveshjeve ndërmjet shtetesh – për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, hapjen e pikës së përbashkët kufitare Kotlovi–Kuqishtë dhe rregullimin e regjimit të qarkullimit kufitar.

    Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, duke theksuar se policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.

    Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe drejtorisë qendrore të Policisë së Kosovës me pyetjen nëse kanë ndonjë informacion lidhur me rastin dhe është në pritje të përgjigjes. Për të njëjtën çështje, përgjigje pritet edhe nga Qeveria e Kosovës.

    Mali i Zi dhe Kosova në vitin 2015 e nënshkruan Marrëveshjen për demarkacionin. Mali i Zi e ratifikoi atë në të njëjtin vit, ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë./REL

  • Çka është ankthi i vjeshtës dhe si ta përballoni?

    Çka është ankthi i vjeshtës dhe si ta përballoni?

    Ndërsa stina e vjeshtës vjen me ngjyrat e saj të ngrohta dhe ditët që shkurtohen, shumë njerëz përjetojnë një ndryshim të menjëhershëm në gjendjen e tyre emocionale.

    Kjo ndjesi e papritur shqetësimi dhe trishtimi njihet si “ankthi i vjeshtës” dhe ndonëse nuk është një çrregullim klinik i mirëfilltë, ndikon në mirëqenien mendore të mijëra personave çdo vit.

    Specialistët thonë se ndryshimi i dritës natyrore, fundi i pushimeve dhe rikthimi në rutina stresuese janë ndër faktorët kryesorë që e nxisin këtë gjendje.

    Simptoma si nervozizmi, lodhja, përgjumja dhe ndjenja e zbrazëtisë janë shenja të zakonshme që shoqërohet ankthi i vjeshtës.

    Ekspertët rekomandojnë masa të thjeshta por efektive për ta përballuar ankthin e vjeshtës si aktivitet fizik të rregullt, qëndrimi në natyrë, kujdesi ndaj ushqyerjes, teknika relaksimi dhe ruajtja e një rutine të shëndetshme.

    Bëni ushtrime fizike të rregullta. Aktiviteti fizik ju ndihmon të ndiheni më të qetë dhe zvogëlon nivelet e stresit dhe ankthit.

    Gjumi i mjaftueshëm është gjithashtu shumë i rëndësishëm për të mbajtur në ritëm normal shëndetin mendor. Sigurohuni që të keni një rutinë të rregullt të gjumit dhe të shfaqni kujdes për cilësinë e tij.