ATV

Category: Lajme

  • Google ka rikthyer në gjendjen fillestare profilet e bizneseve shqiptare

    Google ka rikthyer në gjendjen fillestare profilet e bizneseve shqiptare

    Google ka rikthyer në gjendjen fillestare profilet e bizneseve shqiptare që u prekën nga një valë vlerësimesh negative në platformën e tij. Kompania ka hequr review-t me një yll, të cilat u lanë gjatë një fushate të koordinuar në internet, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së paraqitur nga Policia e Shtetit.

    Si rezultat, profilet e bizneseve janë rikthyer në gjendjen që kishin përpara nisjes së kësaj fushate. Vlerësimi mesatar dhe numri i review-ve të shfaqura në Google janë të njëjta me ato që ekzistonin më herët.

    Fushata mori përmasa të mëdha në rrjetet sociale, ku brenda një kohe të shkurtër shumë përdorues lanë vlerësime me një yll për një sërë biznesesh.

    Në komentet e tyre, një pjesë e përdoruesve pretendonin se këto biznese kishin përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe shprehën pakënaqësi edhe për qëndrimet publike të përfaqësuesve të tyre, të cilat, sipas komentuesve, ishin në kundërshtim me protestuesit.

    Këto vlerësime ndikuan përkohësisht në reputacionin online të bizneseve, duke ulur mesataren e vlerësimeve në profilet e tyre në Google.

    Pas shqyrtimit të rastit, Google ka hequr një pjesë të review-ve të publikuara gjatë kësaj periudhe, duke e rikthyer secilin profil në gjendjen që kishte përpara nisjes së fushatës.

    Me këtë ndërhyrje, bizneset e prekura kanë rifituar vlerësimin e mëparshëm në platformë, ndërsa rasti ka rikthyer në vëmendje debatin mbi ndikimin që fushatat e koordinuara në internet mund të kenë në reputacionin dixhital të bizneseve./Tv Klan

  • Parashikimi i motit për nesër

    Parashikimi i motit për nesër

    Nesër pritet të ketë mot me diell dhe vranësira të pakta.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12°C dhe 15°C, ndërsa maksimalet ndërmjet 24°C dhe 27°C.

    Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi të lehtë deri mesatare.

  • Ushtarë të Kosovës i bashkohet misionit ndërkombëtar në Gaza

    Ushtarë të Kosovës i bashkohet misionit ndërkombëtar në Gaza

    Bordi i Paqes ka njoftuar se pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkuar misionit ndërkombëtar në Gaza.

    Përmes një njoftimi në rrrjetin social “X”, Bordi i Paqes ka bërë të ditur se anëtarët më të rinj të kontingjentit do të angazhohen në fusha të ndryshme, përfshirë logjistikën dhe çështjet civile.

    Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) ka thënë se mirëpret anëtarët e rinj.

    “ISF mirëpret anëtarët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ekip. Ata do të mbështesin përpjekjet për siguri në Gaza në fusha si logjistika dhe çështjet civile”, thuhet në njoftim.

    Pjesëmarrja e FSK-së në misione ndërkombëtare konsiderohet pjesë e angazhimit të Kosovës për të kontribuar në operacionet e sigurisë dhe stabilitetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

    Marrëveshja për anëtarësim në Bordin e Paqes fillimisht ishte iniciuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani, e më pas ajo ishte ratifikuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

    Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.

  • Performoi një natë më parë në Tiranë, reagon Kanye West: Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen në vendin tuaj të bukur

    Performoi një natë më parë në Tiranë, reagon Kanye West: Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen në vendin tuaj të bukur

    Në një natë të mbushur me spektakël, Kanye West performoi në “Eagle Stadium” në Tiranë përpara 60 mijë fansave.

    Koncerti bëri bashkë në Tiranë fansa nga 80 kombësi të ndryshme. Entuziazmi i tyre ishte i jashtëzakonshëm, teksa ndan emocionet dhe pritshmëritë për natën që e kishin pritur prej kohësh.

    Vetë artisti amerikan me famë botërore reagoi pas asaj nate, duke falënderuar Ramën dhe Shqipërinë për ndërtimin e stadiumit dhe për mikpritjen.

    “Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për ndërtimin e një stadiumi dhe për mikpritjen që më bëtë në vendin tuaj të bukur”, shkruan Kanye.

    Koncerti i Kanye West u shndërrua në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në vendin tonë, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve që mirëpresin spektakle të mëdha. /Panorama

  • Rritja e rasteve me fruth në Kosovë, ekspertët tregojnë pse disa prindër s’po i vaksinojnë fëmijët

    Rritja e rasteve me fruth në Kosovë, ekspertët tregojnë pse disa prindër s’po i vaksinojnë fëmijët

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 6 korrik 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 52 raste të konfirmuara me fruth.

    Sipas të dhënave të IKShPK-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 17 raste, pasuar nga Ferizaj me 12 raste, Kaçaniku me 6 raste dhe Fushë-Kosova me 5 raste. Ndërsa, në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq janë raportuar nga dy raste, kurse nga një rast është regjistruar në Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.

    Mjekët në Kosovë vazhdimisht kanë berë thirrje për vaksinimin e fëmijëve, pasi sipas tyre, kjo ka ndikuar që numri i këtyre rasteve të shtohet.

    Por, pavarësisht thirrjeve të mjekëve, është një numër i prindërve që “nuk u besojnë” institucioneve shëndetësore.

    Për këtë shkallë të mosbesimit të tyre kanë folur psikologë dhe sociologë, që tregojnë mënyrën se si dezinformatat po ndikojnë te disa prindër kosovarë.

    Psikologia Ema Jashari Skeja për klankosova.tv ka komentuar arsyet e mosvaksinimit të fëmijëve nga ana e prindërve.

    Ajo tha se prindërit po ndikohen nga dezinformatat në lidhje me vaksinat që shpërndahen në rrjetet sociale.

    “Një nga arsyet kryesore pse disa prindër nuk i vaksinojnë fëmijët është frika. Kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijës, prindërit ndikohen shumë lehtë nga informacionet që dëgjojnë në rrjete sociale, nga familjarët apo nga rrethi. Shpesh një rast i treguar në mënyrë emocionale ndikon më shumë sesa një shpjegim profesional.Te ne, ende ka shumë dezinformata rreth vaksinave, sidomos rreth vaksinës kundër fruthit. Vazhdon të përmendet gabimisht lidhja e saj me autizmin, edhe pse kjo është hedhur poshtë prej kohësh nga studimet shkencore”, tha fillimisht ajo.

    Ajo e listoi edhe mosbesimin ndaj institucioneve si një nga arsyet e këtij fenomeni.

    “Një arsye tjetër është edhe mosbesimi ndaj institucioneve. Kur qytetarët nuk kanë besim të plotë te sistemi shëndetësor apo te institucionet në përgjithësi, ky dyshim bartet edhe te procesi i vaksinimit. Gjithashtu, vetëm thirrja “vaksinojeni fëmijën” nuk mjafton. Prindërit kanë nevojë që dikush t’i dëgjojë, t’u përgjigjet në pyetje dhe t’ua sqarojë qartë përfitimet dhe efektet e mundshme anësore.Mendoj se prindërit nuk duhet të gjykohen, por të informohen më mirë. Komunikimi i qartë, i afërt dhe i vazhdueshëm nga pediatrit dhe profesionistët shëndetësorë është mënyra më e mirë për ta rikthyer besimin”, përfundoi ajo.

    Edhe sociologia, Flaka Ymeri beson se përhapja e dezinformatave rreth vaksinave luan rol kyç në vendimin e prindërve për mosvaksinim të fëmijëve.

    “Mosvaksinimi i fëmijëve është një fenomen kompleks që ndikohet nga faktorë të ndryshëm socialë, kulturorë dhe informativë. Një ndër arsyet kryesore është përhapja e dezinformatave dhe informacioneve të pasakta në rrjetet sociale dhe platforma të ndryshme online, të cilat shpesh krijojnë frikë dhe pasiguri tek prindërit. Gjithashtu, mungesa e njohurive të mjaftueshme mbi rëndësinë e vaksinimit dhe pasojat e sëmundjeve të parandalueshme me vaksina mund të ndikojë në vendimmarrjen e tyre. Në disa raste, prindërit mund të kenë edhe shqetësime personale ose bindje të caktuara që i bëjnë hezitues ndaj vaksinimit”.

    Në anën tjetër, Ymeri thotë se mosbesimi i qytetarëve te institucionet lind si mungesë e informacionit të qartë dhe përhapjes së teorive konspirative si dhe ndikimit të burimeve jozyrtare të informacionit.

    Ajo tha se ‘është thelbësore që institucionet shëndetësore të zhvillojnë komunikim të vazhdueshëm, transparent dhe të bazuar në prova shkencore, duke forcuar dialogun me qytetarët dhe duke adresuar shqetësimet e tyre’.

    “Besimi në institucionet shëndetësore është i lidhur ngushtë me transparencën, komunikimin dhe përvojat e qytetarëve me këto institucione. Mosbesimi mund të lind si rezultat i mungesës së informacionit të qartë dhe të kuptueshëm, përhapjes së teorive konspirative, si dhe ndikimit të burimeve jozyrtare të informacionit. Për më tepër, nëse qytetarët perceptojnë se institucionet nuk komunikojnë në mënyrë të hapur ose nuk adresojnë shqetësimet e tyre, niveli i besimit mund të ulet. Prandaj, është thelbësore që institucionet shëndetësore të zhvillojnë komunikim të vazhdueshëm, transparent dhe të bazuar në prova shkencore, duke forcuar dialogun me qytetarët dhe duke adresuar shqetësimet e tyre në mënyrë profesionale. Vaksinimi mbetet një nga masat më efektive të shëndetit publik për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit në përgjithësi”, përfundoi ajo.

  • 16 të helmuar nga sanduiçi që dyshohet se e hëngrën në një nga piceritë në kryeqytet

    16 të helmuar nga sanduiçi që dyshohet se e hëngrën në një nga piceritë në kryeqytet

    16 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, pasi kanë konsumuar sanduiçë në një nga pikat e rrjetit të restoranteve “Sach Pizza” në Prishtinë.

    Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe që nga e premtja po marrin trajtim në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Nga Klinika Infektive kanë konfirmuar se 16 persona janë të hospitalizuar, ndërsa tre prej tyre kanë pranuar trajtim të dielën.

    “Të hospitalizuar janë 16 pacientë që nga e premtja, në mesin e tyre tre kanë ardhur këtë të diel”, ka deklaruar Izet Sadiku, shef i ndërrimit në Klinikën Infektive.

    Mjekët janë duke pritur rezultatet e analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit dhe për të kuptuar nëse gjendja e pacientëve është shkaktuar nga ushqimi i konsumuar.

    Familjarë të disa prej pacientëve kanë deklaruar se dyshojnë që sanduiçët mund të kenë qenë të ngrirë dhe më pas të ngrohur para konsumimit.

    Nëna e një 22-vjeçari, i cili është shtruar në Klinikën Infektive mbrëmjen e kaluar, ka treguar se djali i saj kishte konsumuar ushqim në një nga restorantet e rrjetit “Sach Pizza”.

    “Mbrëmë e kam sjellë, është prej të premtës me barkqitje, të vjella, me temperaturë, me ethe, mbrëmë e kam sjellë në Klinikë dhe e kanë ndalë. Sipas kontrollave të para, shumica e mjekëve që e kanë kontrollu mbrëmë dhe sot në mëngjes është helmim, edhe rastet e tjera që janë të shtruara në Klinikë janë me të njëjtën arsye, domethënë kanë ngrënë në sach, krejt po thojnë sanduiqa. Dy djemtë e mi edhe nipi kanë porositë dhe kanë ngrënë hamburgera, dhe këta dy të mëdhenjtë kanë ngrënë edhe sanduiq, të dy janë helmu. Djali është pak ma mirë tash, ka qenë shumë keq, nipi është pak ma mirë është në Lipjan”, tha ajo.

    Ndërkohë, njëri prej pacientëve ka deklaruar jozyrtarisht se 16 persona janë të shtrirë vetëm në një kat të Klinikës Infektive, ndërsa raste të tjera po trajtohen edhe në hapësira të tjera të klinikës.

    Për këtë çështje është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

    “Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se më 10.07.2026, Policia ka pranuar një informatë lidhur me dyshimin për helmim nga ushqimi të disa personave. Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse”, thuhet në përgjigje për T7.

  • Përparim Rama njofton për përfundimin e punimeve në gjysmën e parë të rrugës “Fehmi Lladrovci”: Sonte hapet rruga

    Përparim Rama njofton për përfundimin e punimeve në gjysmën e parë të rrugës “Fehmi Lladrovci”: Sonte hapet rruga

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë përfunduar punimet në gjysmën e parë të rrugës “Fehmi Lladrovci” në kryeqytet.

    Përmes një postimi, Rama ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin gjatë kohës sa kanë zgjatur punimet, duke bërë të ditur se rruga do të hapet për qarkullim sonte.

    “Faleminderit qytetarëve për mirëkuptimin gjatë punimeve. Punimet në gjysmën e parë të rrugës ‘Fehmi Lladrovci’ përfunduan. Sonte hapet rruga”, ka shkruar Rama.

  • Dhuna ndaj të miturës në Fier, merret vendimi për tri të dyshuarat

    Dhuna ndaj të miturës në Fier, merret vendimi për tri të dyshuarat

    Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për tri vajzat e dyshuara për rrahjen ndaj një 17-vjeçareje, një ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

    Në seancën për verifikimin e masave të sigurisë, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën “arrest me burg” për 19-vjeçaren Lionela Lamaj e dyshuar si e përfshirë në ngjarje.

    Për njërën nga dy 15-vjeçaret u konfirmua masa “arrest në shtëpi”, ndërsa për të miturën tjetër gjykata vendosi “shtrim të përkohshëm në spital psikiatrik”.

    Sipas autoriteteve, masat janë caktuar duke marrë në konsideratë moshën e secilës prej të dyshuarave, si dhe shkallën e përfshirjes së tyre në ngjarjen e hetuar.

    Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit./TCh

  • Brukseli i dërgon mesazh Serbisë: Normalizimi me Kosovën është kusht për integrim

    Brukseli i dërgon mesazh Serbisë: Normalizimi me Kosovën është kusht për integrim

    Parlamenti Evropian ka dërguar një mesazh të qartë për Serbinë, duke e bërë të ditur se rruga e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk mund të ecë përpara pa përmbushjen e reformave kyçe dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    Në një reagim të publikuar në platformën X, Parlamenti Evropian theksoi se Serbia duhet të dëshmojë përkushtim të sinqertë ndaj vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian.

    “Serbia duhet të tregojë angazhim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian. Përparimi drejt anëtarësimit në BE është i mundur vetëm përmes reformave në sundimin e ligjit dhe forcimit të standardeve demokratike. Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Për zgjidhjen e krizës politike nevojiten zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Parlamenti Evropian në X.

    Përveç normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, institucioni evropian vuri theksin edhe te nevoja për reforma në sundimin e ligjit, forcimin e standardeve demokratike dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si kushte thelbësore për avancimin e Serbisë në procesin e integrimit evropian.

  • Sot s’ka kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit mbi 20 tonë

    Sot s’ka kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit mbi 20 tonë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njoftoi se të dielën (12 korrik) nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave mbi 20 tonë.

    “Bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, për nesër nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.

    Ministria do të vazhdojë të monitorojë çdo ditë parashikimet meteorologjike dhe do të njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo rast kur plotësohen kushtet për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit./KosovaPress