ATV

Category: Lajme

  • Ministria e Mbrojtjes: Po forcohen kapacitetet goditëse të ushtrisë

    Ministria e Mbrojtjes: Po forcohen kapacitetet goditëse të ushtrisë

    Ministria e Mbrojtjes ka falënderuar kompaninë Baykar, përmes prodhuesit Skydagger, për dorëzimin në kohë rekord të dronëve të prokuruar nga Ministria.

    “Kontrata me Baykar, kompania amë e Skydagger, u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar. Sipas planit fillestar, dronët duhej të mbërrinin në janar 2026, mirëpo falë përkushtimit dhe profesionalizmit të kompanisë, dorëzimi u realizua tre muaj më herët,” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Ministria thekson se me këtë furnizim po vazhdon të “rrisë dhe forcojë kapacitetet goditëse të ushtrisë, në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.”

    Në përfundim, Ministria shprehu mirënjohjen: “Faleminderit Baykar dhe Skydagger!”

  • SHBA i ofron Argjentinës 17 miliardë euro ndihmë

    SHBA i ofron Argjentinës 17 miliardë euro ndihmë

    Thesari i SHBA-së sapo i dha Argjentinës një litar shpëtimi të rrallë, duke ndërmarrë hapa për të stabilizuar tregjet e vendit duke blerë peso me vlerë 20 miliardë dollarë (17.28 miliardë euro), ndërsa Buenos Aires përballet me pakësimin e rezervave në dollarë.

    “Thesari i SHBA-së është i përgatitur, menjëherë, të marrë çfarëdo mase të jashtëzakonshme që është e nevojshme për të siguruar stabilitet në tregje”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, duke shtuar se Departamenti i Thesarit zhvilloi katër ditë takime me Ministrin e Ekonomisë argjentinase, Luis Caputo, në Uashington.

    Ky veprim stabilizoi asetet, por shkaktoi reagime në Capitol Hill, ku kritikët pretenduan se SHBA-të po e shpëtonin ekonominë argjentinase – diçka që Bessent e mohoi.

    Presidenti libertarian i Argjentinës, Javier Milei, admirues i zjarrtë i presidentit të SHBA-së Donald Trump, falënderoi Sekretarin e Thesarit për “mbështetjen e tij të fortë” dhe Trumpin për “udhëheqjen e tij të fuqishme”.

    “Së bashku, si aleatët më të ngushtë, ne do të krijojmë një hemisferë lirie ekonomike dhe prosperiteti”, tha Milei në një postim në rrjetet sociale.

    Bessent po kritikohet ashpër nga fermerët amerikanë dhe ligjvënësit demokratë për mbështetjen e një ekonomie që konkurron drejtpërdrejt me prodhuesit amerikanë në sektorë të caktuar.

    Ligjvënësit e kanë shtyrë Trumpin të shpjegojë se si kjo ndihmë financiare përputhet me agjendën e tij “Amerika e Para”.

    Ndryshe, Milei erdhi në detyrë në fund të vitit 2023 me premtimin e guximshëm se këtë herë do të ishte ndryshe.

  • Trump nuk fitoi çmimin, kreu i Komitetit të Nobelit thyen heshtjen: Vendimet tona merren me integritet, pavarësisht presioneve politike

    Trump nuk fitoi çmimin, kreu i Komitetit të Nobelit thyen heshtjen: Vendimet tona merren me integritet, pavarësisht presioneve politike

    Kreu i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Jorgen Watne Frydnes, ka reaguar pasi presidenti amerikan Donald Trump nuk fitoi çmimin “Nobel” për paqen.

     

    Në një deklaratë për mediat, Frydnes tha se komiteti merr mijëra letra çdo vit, por vendimet merren në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme:

     

    “Vendimi ynë merret në një dhomë të mbushur me kurajë dhe integritet,” u shpreh ai, duke nënkuptuar se presionet politike apo lobimet e jashtme nuk ndikojnë në procesin e përzgjedhjes së fituesve të çmimit prestigjioz.

    Deklarata vjen në një moment kur fushata e gjatë dhe e hapur e Donald Trumpit për të marrë çmimin ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, sidomos pas përfshirjes së tij në propozime për paqe në Lindjen e Mesme.

  • Fatmir Sheholli i dyshuar për spiunazh, sillet në gjykatë përmes hyrjes nëntokësore, pritet caktimi i masës së sigurisë

    Fatmir Sheholli i dyshuar për spiunazh, sillet në gjykatë përmes hyrjes nëntokësore, pritet caktimi i masës së sigurisë

    Fatmir Sheholli, i dyshuari për veprën penale të spiunazhit, është sjellë në Gjykatën e Prishtinës përmes hyrjes nëntokësore.

    Pritet që sot të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë për Shehollin, i cili është arrestuar dhe akuzohet për spiunazh, një akt që ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare.

    Fatmir Sheholli, u nxor në pranga nga një lokal ku po qëndronte të enjten pasdite.

    Më pas, zyrtarët policorë bastisën banesën e Shehollit, për rreth tri orë, aty ku gjetën dhe sekuestruan disa dokumente.

    Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë së vendit.

  • Premier Liga shpall më të mirët e muajit shtator

    Premier Liga shpall më të mirët e muajit shtator

    Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, është shpallur fitues i çmimit prestigjioz Lojtari i Muajit i Ligës Premier nga EA SPORTS për muajin shtator 2025, ndërsa trajneri më i mirë i muajit është shpallur Oliver Glasner.

    Gjatë muajit shtator, Haaland shënoi pesë gola dhe dha një asist, duke kontribuar drejtpërdrejt në gjashtë gola, dyfish më shumë se çdo lojtar tjetër në kampionat për të njëjtën periudhë.

    Në formën e tij të pandalshme, norvegjezi realizoi një dopietë vendimtare ndaj Burnley, një tjetër dopietë në derbin kundër Manchester United, si dhe shënoi në fitoren ndaj Arsenalit, ku City shkëlqeu me një lojë të shpejtë dhe kundërsulmuese.

    Me nëntë gola në shtatë ndeshjet e para të sezonit, Haaland po përjeton një nga startet më të fuqishme në historinë e Ligën Premier, duke konfirmuar statusin e tij si një prej sulmuesve më të frikshëm në botë.

    Ky është çmimi i katërt “Lojtari i Muajit” në karrierën e Haaland në Ligën Premier, një tjetër dëshmi e ndikimit të tij të jashtëzakonshëm në futbollin anglez që prej mbërritjes në “Etihad Stadium”.

    Në anën tjetër, trajneri më i mirë i muajit shtator është zgjedhur Oliver Glasner i Crystal Palace.

    Glasner gjatë muajit shtator ka arritur dy fitore dhe një barazim nga tri ndeshje të zhvilluara.

  • Izraeli: Marrëveshja e armëpushimit në Gaza tani në fuqi

    Izraeli: Marrëveshja e armëpushimit në Gaza tani në fuqi

    Ushtria izraelite ka njoftuar në një deklaratë të publikuar së fundmi se marrëveshja e armëpushimit në Gaza ka hyrë në fuqi.

    Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, trupat izraelite në Gaza janë ripozicionuar në vijën fillestare të tërheqjes së rënë dakord, pasi kabineti i Izraelit e miratoi marrëveshjen mbrëmë.

    Armëpushimi duhej të hynte në fuqi brenda 24 orëve pas këtij miratimi.

    Sipas marrëveshjes, Hamasi ka 72 orë kohë për t’ia dorëzuar Izraelit të gjithë pengjet e mbetura, të vdekura ose të gjalla.

    Ky hap aktualisht vlerësohet të përfundojë të dielën ose të hënën dhe do të pasohet nga lirimi i 1,950 të burgosurve palestinezë.

    Më vete, Radioja e Ushtrisë Izraelite ka raportuar tani se 11 të burgosur të Hamasit do të lirohen si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.

    Një zëdhënës ushtarak ka paralajmëruar gjithashtu se është “shumë e rrezikshme” t’i afrohesh pikës kufitare të Rafah dhe zonës së Boshtit të Filadelfias në jug.

  • Policia jep detaje për të shtënat me armë në Prishtinë

    Policia jep detaje për të shtënat me armë në Prishtinë

    Sot rreth orës 12:00, një incident ka ndodhur në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku zyrtarët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave kanë tentuar të ndalojnë një person të kërkuar, L.K. (1996), i cili ndodhej në një veturë.

    Sipas informacionit të konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i dyshuari ka refuzuar urdhrat policore dhe ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të policisë.

    Në përpjekje për ta ndaluar, njëri nga policët ka përdorur armën zyrtare, por i dyshuari ka arritur të largohet.

    Gjatë arratisjes, ai ka shkaktuar një aksident trafiku, duke lënë të lënduar disa persona dhe shkaktuar dëme materiale. Për incidentin janë njoftuar institucionet kompetente dhe hetimet për rastin janë duke vazhduar.

    Policia ka marrë masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e personit të dyshuar. Detajet e mëtejshme priten të dalin pas hetimeve.

  • Ursula von der Leyen viziton Kosovën të hënën, pritet të takohet me Osmanin e Kurtin

    Ursula von der Leyen viziton Kosovën të hënën, pritet të takohet me Osmanin e Kurtin

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë turneun e saj ballkanik në fillim të javës së ardhshme, është konfirmuar nga ky institucion.

    Vizitën treditore në rajon ajo do ta fillojë të hënën, më 13 tetor, në Tiranë, ndërsa do ta përfundojë të mërkurën, më 15 tetor, në Shkup.

    Po të mërkurën, sipas agjendës, Von der Leyen do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të zhvillojë takime bilaterale me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Kjo është vizita e parë e Von der Leyen në rajon gjatë mandatit të saj të dytë, ndonëse ajo kishte vizituar gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor saktësisht një vit më parë, në përfundim të mandatit të saj të parë.

  • Gjuajtje me armë zjarri te “Kodra e Trimave”, Policia në vendngjarje

    Gjuajtje me armë zjarri te “Kodra e Trimave”, Policia në vendngjarje

    Pak minuta më parë është raportuar për një shkëmbim zjarri në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

    Burime të ATV-së konfirmojnë se policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po zhvillon hetime për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

    Momentalisht, nuk ka informacion të mjaftueshëm për viktima apo të plagosur, por autoritetet janë angazhuar për sigurinë e zonës dhe për të zbardhur ngjarjen.

    ATV-ja do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm të kësaj ngjarje.

  • Memli Krasniqi kërkon hetim urgjent për audio-incizimin e Ramiz Lladrovcit

    Memli Krasniqi kërkon hetim urgjent për audio-incizimin e Ramiz Lladrovcit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka komentuar audio-incizimin e kandidatit për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke theksuar se kjo çështje duhet të hetohet nga organet e rendit.

    Krasniqi tha se e gjithë Kosova, përfshirë Drenasin, ka qenë dëshmitare e këtij incizimi dhe se është e nevojshme që autoritetet përkatëse të merren me hetimin e situatës.

    “Nuk ka mbet njeri në Kosovë e Drenas pa e pa atë incizim, përkundër deklarimeve të ndryshme i takon gjithsesi organeve të rendit të merret dhe ta hetoj këtë situatë në mënyrë emergjente. Është problematike ato çka janë dëgju për prona publike”, tha ai.