ATV

Category: Lajme

  • Projekte për transformim urban e arsim, zotimet e kandidatëve të LVV-së

    Projekte për transformim urban e arsim, zotimet e kandidatëve të LVV-së

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku ka premtuar lidhje më të forta mes arsimit profesional dhe tregut të punës, nëpërmjet bashkëpunimit të komunës me sektorin privat dhe shkollat profesionale.

    Alban Hyseni, kandidati për një mandat të dytë në krye të Gjilanit, ka premtuar mbështetjen për gratë dhe vajzat për nisma që promovojnë artin dhe ruajnë trashëgiminë kulturore.

    Kadri Rahimaj, kryetari aktual i Kamenicës dhe kandidat për një mandat të dytë, u zotua për zhvillim të mëtejshëm të çdo lagjeje e fshati, duke e cilësuar votën si investimi për të ardhmen e komunitetit.

    Faton Peci, kandidat për Mitrovicën, ka prezantuar projektet për lagjen “2 Korriku”, përfshirë rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, ndriçimin publik, trotuare të reja, hapësira sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

    Artan Abrashi, kandidat për kryetar të Prizrenit, ka përqendruar fushatën në thirrjen për votë dhe mbështetje për listën e LVV-së në nivel komunal.

    Qemajl Aliu, që kërkon një mandat të dytë në Shtime, ka paraqitur pesë projekte madhore, përfshirë ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së, objektit të ri të komunës, , ndërtimin e unazës së madhe për lehtësimin e trafikut.

    Arsim Ademi, kandidat për kryetar të Vitisë, është zotuar për funksionalizimin e Teatrit të qytetit, mbështetje për grupet artistike dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.

    Kurse, Valon Hoti, kandidat për Malishevë premtoi përkrahje të fortë pas zgjedhjeve për ta kthyer bujqësinë në shtyllë zhvillimi për Malishevën.

  • KEDS angazhon rreth 500 punëtorë gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit

    KEDS angazhon rreth 500 punëtorë gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit

    Për të siguruar një zhvillim të paqartë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor, KEDS ka aktivizuar të gjitha kapacitetet teknike dhe fuqinë punëtore, me fokus të veçantë për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës.

    Për të siguruar reagim të menjëhershëm në rast të çdo emergjence dhe për të mundësuar një intervenim sa më të shpejtë në terren, KEDS ka ndërmarrë disa masa, duke përfshirë:

    • Aktivizimin e rreth 500 punonjësve të cilët do të mbikëqyrin dhe sigurojnë që gjithçka të funksionojë sipas planit operativ gjatë ditës së zgjedhjeve;

    • Dërgimin e stafit të dedikuar në secilën qendër votimi, të cilët do të jenë përgjegjës dhe në gatishmëri gjatë gjithë ditës;

    • Puna e Qendrës Dispeqerike dhe Qendrës së Thirrjeve do të organizohet me kapacitete të plota për të siguruar reagim të menjëhershëm;

    • Të gjithë punonjësit do të ndahen në ekipe dhe do të jenë të gatshëm për monitorim dhe intervenim të shpejtë në çdo zonë, kudo dhe kurdo që paraqitet nevoja, deri në përfundimin e procesit të votimit.

    Ky plan operativ i KEDS-it do të përfshijë gjithashtu përdorimin e plotë të kapaciteteve logjistike të kompanisë, si në terren, ashtu edhe në qendrat e kontrollit të brendshëm.

    KEDS gjithashtu ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve nuk do të realizohen asnjë aktivitet mirëmbajtjeje të rrjetit elektrik shpërndarës ose projekte investimi.

    Në rast të ndonjë avarie në rrjet, qytetarët janë të ftuar të lajmërojnë menjëherë kompaninë, duke kontaktuar Qendrën e Thirrjeve pa pagesë në numrin 080079100 ose përmes rrjeteve sociale.

  • Angazhohen 100 prokurorë për ditën e zgjedhjeve

    Angazhohen 100 prokurorë për ditën e zgjedhjeve

    Për ditën e zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit ka angazhuar 100 prokurorë të për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 12 tetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

    Më tej thuhet se “Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”.

  • Haxhiu: LVV e interesuar për koalicion qeverisës, por pa PDK-në dhe Listën Serbe

    Haxhiu: LVV e interesuar për koalicion qeverisës, por pa PDK-në dhe Listën Serbe

    Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë të premten se partia fituese e zgjedhjeve është e interesuar për të gjetur një partner koalicioni për ta qeverisur vendin, pasi të premten u konstituua Kuvendi i Kosovës.

    Në një konferencë për media pas seancës së Kuvendit, Haxhiu tha se partia e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është e hapur për koalicion me të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe.

    “Ne do të fillojmë me procedurat për dërgimin e emrit të mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti. Ne do t’i vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë nëse kanë vullnet të jenë pjesë e qeverisë”, tha Haxhiu, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Ajo shtoi se LVV-ja është e hapur të bisedojë edhe me “deputetë që janë nga grupet parlamentare apo subjektet e tjera politike. Ka pasur përpjekje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ka pasur kontakte që të kemi koalicion me Nismën, por s’kanë pasur vullnet”.

    Zgjedhja e deputetit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb të premten, hapi rrugë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Por, kjo mund të marrë kohë duke qenë se Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – paralajmëroi se do të ankohet ndaj emërimit të Rashiqit.

    Tani, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka detyrë ligjore të emërojë partinë ose koalicionin fitues – në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë.

    Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.

    Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.

    Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

    Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabintetit qeveritar në Kuvend.

    Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh./REL

  • Petkoviq reagon ndaj zgjedhjes së Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës

    Petkoviq reagon ndaj zgjedhjes së Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës

    Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Petkoviq e ka cilësuar këtë veprim si “krejtësisht joligjor,” duke theksuar se, sipas tij, ky post duhet të jetë i rezervuar vetëm për përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët ai e konsideron si të vetmit që kanë të drejtë ta mbajnë atë.

    Ai ka shtuar se veprimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në këtë drejtim kanë arritur kulmin dhe ka paralajmëruar se nëse Kurti vazhdon të mbështesë Rashiqin, serbët në Kosovë do të shfaqin mbështetje më të madhe për Listën Serbe. Petkoviq ka bërë thirrje për mbështetje masive për Listën Serbe në zgjedhjet lokale të së dielës, duke kërkuar që serbët të bashkohen për këtë qëllim.

  • Rashiq do të dorëhiqet nga pozita e ministrit

    Rashiq do të dorëhiqet nga pozita e ministrit

    Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se zgjedhja e tij si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës e detyron të ndalojë ushtrimin e funksionit si ministër dhe se sipas procedurave, ai do të dorëhiqet nga pozita e ministrit ditëve në vijim.

    Rashiq u shpreh i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë. Ai gjithashtu tha se pozita e ministrit do t’i besohet dikujt tjetër nga partia e tij.

    “Normalisht që nesër ose pasnesër kjo procedurë teknike, nuk mund të jemi njëkohësisht nënkryetar i kuvendit dhe ministër. Por besoj që bashkëpunimi që kemi pasur deri tash me kryeministrin dhe VV-ja do të vazhdojë në forma ndoshta pak të ndryshme, por në drejtim të njëjtë. Normalisht, pasi që jemi në mandat teknik, besoj që edhe ministri i ardhshëm do të jetë nga radhët e partisë time”, tha ai.

  • Basha: Me zgjedhjen e Rashiq, Kuvendi është konstituuar plotësisht

    Basha: Me zgjedhjen e Rashiq, Kuvendi është konstituuar plotësisht

    Kryeparlamentari Dimal Basha ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook lidhur me seancën e sotme, ku u zgjodh nënkryetar Nenad Rashiq. Pro Rashiqit votuan 71 deputetë, përfshirë ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Basha ka thënë se me këtë vendim, Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar plotësisht, shkruan Reporteri.net.

    “Pas një periudhe të gjatë, Kryesia e Kuvendit është tashmë e kompletuar në përbërje të plotë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Basha.

    Ai ka falenderuar deputetët që votuan pro Rashiq.

    “Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që me votat e tyre mundësuan konstituimin e plotë të Kuvendit në legjislaturën e IX-të”, thuhet në postim.

  • FSK-ja trajnon ushtarët për aftësi mbijetese

    FSK-ja trajnon ushtarët për aftësi mbijetese

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses trajnimin e avancuar për Xhenier Luftarak, me qëllim aftësimin dhe ngritjen e nivelit të njohurive për kryerjen e operacioneve xheniere.

    Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi përfshiu misione të ndryshme si lëvizshmëria, kundër lëvizshmëria dhe mbijetesa në terren.

    Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit u specializuan në tema si fortifikimet fushore dhe urbane, ndërtimi dhe qarja e pengesave, kalimi nëpër zona të minuara dhe kalimi i ujërave, duke rritur kështu gatishmërinë për sfidat e terrenit të ndryshëm.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë

    IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Klinë, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

    Ky rekomandim erdhi pas fillimit të hetimeve lidhur me një incident të ndodhur më 19 shtator 2025 në Klinë, ku dyshohet se tre zyrtarë policorë nuk kanë raportuar veprimet dhe rrethanat që përbëjnë elemente të veprës penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, e sanksionuar sipas nenit 386 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Hetimet në këtë rast po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme të zyrtarëve policorë të përfshirë.

    Sipas IPK-së, rekomandimi për suspendim të përkohshëm është bërë për të siguruar që zyrtarët e dyshuar të mos ndikojnë në procesin hetimor dhe për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve.

  • I zhdukur që nga e diela, familja kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij

    I zhdukur që nga e diela, familja kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij

    Familja Sopaj nga fshati Jançisht, Komuna e Malishevës, ka bërë thirrje publike për ndihmë, pasi anëtari i familjes, Halim Ramadan Sopaj, është zhdukur që nga ora 07:00 e mëngjesit të datës 5 tetor 2025.

    Sipas familjarëve, prej atij momenti nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij, ndërsa kërkimet janë duke vazhduar.

    Njoftimi:

    KËRKESË PËR NDIHMË!

    Familja Sopaj nga Fshati Janqishtë, Komuna Malishevë kërkon ndihmën tuaj si dhe informon se nga ora 07 e mëngjësit të datës 05.10.2025, Halim Ramadan Sopaj është zhdukur dhe nuk dihet ende për fatin e tij.

    Nëse keni informacion luteni të kontaktoni menjëherë në numrin 044(ose 049) 641-126.