ATV

Category: Lajme

  • LDK-ja përjashton mundësinë e votimit të Qeverisë dhe të hyrjes në koalicion me Vetëvendosjen

    LDK-ja përjashton mundësinë e votimit të Qeverisë dhe të hyrjes në koalicion me Vetëvendosjen

    Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka deklaruar se partia e tij nuk do të votojë formimin e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, duke përjashtuar mundësinë e hyrjes në një koalicion me këtë subjekt. Ai tha se LDK ka refuzuar disa ftesa që nga fillimi i konstituimit të Kuvendit, për shkak të keqqeverisjes së VV-së gjatë mandatit të kaluar.

    “Jo ne nuk do ta votojmë, ashtu siç e dini edhe ju edhe qytetarët e Kosovës. Ne i kemi marrë disa ftesa për me hy në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje që nga fillimi, domethënë kur ka fillu hapat e parë për konstituimin e Kuvendit. Ne të gjitha ato i kemi refuzuar, për arsye që mendojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme të qeverisë me LVV, duke e pasur parasysh që qeverisja e tyre gjatë katër viteve të kaluara, ata kanë keqqeverisur me të gjitha dikasteret, në të gjitha ministritë. Kështu që kësaj radhe ne nuk do të bashkëqeverisim e as nuk do ta votojmë qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Guri.

    Megjithëse deri më tani nuk ka pasur ftesë zyrtare nga VV për bisedime, Guri thotë se edhe një ftesë e tillë do të refuzohej.

    “Jo, ne nuk kemi pasur ftesa zyrtare. Ne i kemi pasur disa ftesa të cilat kanë qenë publike prej LVV-së në drejtim të LDK-së për një koalicion të mundshëm ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, të cilat edhe ne publikisht i kemi refuzuar për arsye që mendojmë se nuk është i duhur një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së. Duke e pasur parasysh që ne dallojmë jashtëzakonisht shumë, duke e pasur parasysh që për LDK-në njëri prej misioneve kryesore është mbajtja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, ndërsa këta gjatë katër viteve i kanë dëmtu shumë interesat tona në raport me miqtë tanë dhe Kosova është nën sanksione. Ne nuk do të kontribuojmë në vazhdimin e një qeverisje prej LVV-së. Ato ftesat që i kemi marrë publike, që kanë qenë dy ose tri prej tyre, i kemi refuzu publikisht”, deklaroi ai.

    Në lidhje me ftesat paraprake nga Vetëvendosje, Guri sqaroi se LDK nuk ka shprehur kurrë interesim për t’i dëgjuar ato.

    “Ne nuk kemi qenë të interesuar për me ditë ofertën e tyre. Për atë arsye nuk kemi shku në asnjë takim që na kanë ftu për me diskutu rreth ofertës, për arsye që kjo nuk është çështje oferte ose interesi, është punë për të mirën e Kosovës. Për atë arsye ne e kemi refuzu atë ftesë”, tha Guri.

  • Trump i thotë jo raketave Tomahawk për Ukrainën: ShBA-të nuk duan përshkallëzim

    Trump i thotë jo raketave Tomahawk për Ukrainën: ShBA-të nuk duan përshkallëzim

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk arriti të siguronte raketat lundruese Tomahawk gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump, megjithëse kishte udhëtuar në Uashington me këtë shpresë.

    Këto raketa me rreze të gjatë veprimi, sipas Zelenskyt, do të ndihmonin Ukrainën për të goditur objektiva strategjike të naftës dhe energjisë brenda territorit rus.

    Gjatë fjalës hapëse në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh: “Shpresoj ta zgjidhim këtë luftë pa menduar për Tomahawk. Është një armë që Amerikës i duhet.”

    Takimi mes dy liderëve zgjati rreth dy orë e gjysmë. Më vonë, Zelensky e përshkroi si një takim “produktiv”, por theksoi se nuk do të komentonte për raketat Tomahawk sepse, sipas tij, “SHBA-të nuk duan përshkallëzim.”

    Më vonë gjatë ditës, Trump u bëri thirrje të dyja palëve që të ndalin luftën: “Të dyja palët duhet të shkojnë në shtëpi, të shkojnë te familjet e tyre, të ndalojnë vrasjet. Dhe kjo duhet të jetë e gjitha,” tha ai, duke shtuar se këtë ndjesi ia kishte komunikuar si Zelenskyt, ashtu edhe presidentit rus Vladimir Putin.

    Takimi Zelensky-Trump ndodhi vetëm një ditë pasi Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin, ku u raportua se ranë dakord të takohen së shpejti në Hungari.

    Ndërkohë, Zelensky kishte sugjeruar më herët një shkëmbim të mundshëm armësh, duke thënë: “Ukraina ka mijëra dronë të prodhuar nga ne, por ne nuk kemi Tomahawk. SHBA mund të kenë mijëra dronë tanë, aty mund të punojmë së bashku.”

  • Elezi: Numërimi përfundon në 34 komuna, Prishtina ende në proces – rezultatet nga diaspora pritet të publikohen sot

    Elezi: Numërimi përfundon në 34 komuna, Prishtina ende në proces – rezultatet nga diaspora pritet të publikohen sot

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), të cilat nisën një ditë pas zgjedhjeve lokale, po përfundojnë. Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është në vijim dita e dytë e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës.

    Sipas KQZ‑së, deri në orën 10:00 të së shtunës (18 tetor), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 34 komuna, ndër të cilat: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot dhe Leposaviq.

    Komunat që ende nuk e kanë përmbyllur verifikimin e rezultateve për Kryetarët dhe Kuvendet Komunale janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Malisheva.

    Zëdhënësi i KQZ‑së, Valmir Elezi, deklaroi: “Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme, e shtunë, janë verifikuar rezultatet për 2,463 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,446 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,446, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,909.”
    Sipas tij, procesi i numërimit për votimin jashtë Kosovës përmes postës (nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025) është duke vazhduar.

    Ai shtoi se gjatë ditës KQZ-ja do të publikojë rezultatet nga ky numërim, i cili pritet të përfundojë në ditët në vijim.

  • Sulmi me thikë ndaj gruas dhe të miturës, policia jep detaje për rastin e rëndë të dhunës në familje në Prizren

    Sulmi me thikë ndaj gruas dhe të miturës, policia jep detaje për rastin e rëndë të dhunës në familje në Prizren

    Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë është cilësuar rasti i djeshëm në Prizren ku një burrë ka therur me thikë gruan dhe vajzën e tij të mitur, duke iu shkaktuar lëndime të rënda.

    Në raportin e sotëm 24-orësh policia njoftoi se i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktimat po mjekohen në Spitalin e Prizrenit.

    “Prizren 17.10.2025 – 00:20. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti u ka shkaktuar lëndime me mjet të mprehtë-thikë viktimave – bashkëshortes dhe vajzës së tij të mitur. Viktimat me lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar në Spitalin Rajonal për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha sot policia.

    Me datë 17.10.2025 rreth orës 00:20 pas mesnatës në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, policia njoftoi dje se ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje.

    “Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore. Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, njofton Policia.

  • Mashtrime me miliona euro, Europol shkatërron rrjetin evropian të krimit kibernetik

    Mashtrime me miliona euro, Europol shkatërron rrjetin evropian të krimit kibernetik

    Policia letoneze ka shkatërruar një rrjet të madh në internet që ka mashtruar mijëra viktima në të gjithë Evropën.

    Policia arrestoi shtatë të dyshuar, njoftoi agjencia e zbatimit të ligjit e BE-së, Europol.

    Për të shkatërruar rrjetin kriminal, hetuesit e zbatimit të ligjit nga Austria, Estonia dhe Letonia, në partneritet me agjencitë e BE-së Europol dhe Eurojust, u bashkuan.

    Hetimi kulmoi me një operacion që u zhvillua më 10 tetor.

    Të dyshuarit e ndaluar besohet se janë përgjegjës për më shumë se 1,700 raste individuale të mashtrimit kibernetik në Austri dhe 1,500 në Letoni.

  • Taulant Balla e nis ditën me pamje nga protesta në Tiranë: Në mbështetje të komandantëve të UÇK-së

    Taulant Balla e nis ditën me pamje nga protesta në Tiranë: Në mbështetje të komandantëve të UÇK-së

    Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka publikuar pamje nga protesta madhështore që u mbajtë në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, e ku njëzëri kërkuan drejtësi për ish-kreët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët po mbahen në Hagë.

    Balla ka shkruar “në mbështetje të komandantëve të UÇK”.

    “Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga protesta mbarëkombëtare në “Sheshin Skënderbej”📍Tiranë në mbështetje të Komandantëve të UÇK-së, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Balla.

    https://www.facebook.com/reel/2052142688858644

  • Njëri nga të plagosurit e djeshëm në Pejë, jashtë rrezikut për jetë

    Njëri nga të plagosurit e djeshëm në Pejë, jashtë rrezikut për jetë

    Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar se njëri nga pacientët, që mbeti i plagosur pas gjuajtjes me armë zjarri pasditen e së premtes, është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

    Nga Spitali kanë njoftuar poashtu se pacienti tjetër është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinik Universitare të Kosovës.

    Bëhet e ditur poashtu se të gjithë personat e përfshirë në rast janë trajtuar nga ekipet mjekësore të spitalit, në përputhje me nevojat e tyre shëndetësore.

    “Njëri nga pacientët është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK, ndërsa tjetri po trajtohet në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe aktualisht është në gjendje stabile dhe pa rrezik për jetën. Të gjithë personat e përfshirë në rast janë trajtuar nga ekipet mjekësore të spitalit, në përputhje me nevojat e tyre shëndetësore”, shkruhet në njoftimin e tyre.

    Ndryshe, i dyshuari që plagosi dy persona në rrugën “Hasan Murati”, në afërsi të Qendrës së Paraburgimit në Pejë, është ndaluar për 48 orë.

  • Aksident tragjik në Serbi: Tre të vdekur dhe 80 të lënduar

    Aksident tragjik në Serbi: Tre të vdekur dhe 80 të lënduar

    Tre persona kanë humbur jetën dhe rreth 80 të tjerë janë lënduar pas një aksidenti me autobus në mes Sremska Mitrovicës dhe Jarakut të Serbisë. Autobusi ka devijuar nga rruga, duke shkaktuar tragjedinë.

    Sipas raportimeve nga Tanjug, 35 nga të lënduarit janë shtruar në spital për ndihmë mjekësore. Të lënduarit ishin punonjës të kompanisë “Healthcare”. Ndër ta, një person ndodhet në gjendje kritike, ndërsa pjesa tjetër është në gjendje të qëndrueshme, sipas mjekut Millan Mandiq.

    Autoritetet serbe vazhdojnë hetimet për shkakun e aksidentit.

  • Shkencëtarët identifikojnë ‘çelësin’ imunitar për të ndihmuar trupin të luftojë kancerin

    Shkencëtarët identifikojnë ‘çelësin’ imunitar për të ndihmuar trupin të luftojë kancerin

    Studiuesit në Spitalin e Fëmijëve ‘Johns Hopkins’ në Maryland, SHBA, kanë zbuluar një mënyrë për të aktivizuar sistemin imunitar të trupit për të njohur dhe shkatërruar qelizat kancerogjene që më parë ishin të padukshme për të.

    Studimi, i botuar në ‘Nature Immunology’, tregon se duke stimuluar dy rrugë kryesore imunitare, shkencëtarët arritën të shndërrojnë tumoret rezistente ndaj sistemit imunitar në tumore “të nxehta ndaj imunitetit”, të afta të sulmohen nga mbrojtjet natyrore të trupit.

    Eksperimentet u kryen në modele minjsh të kancerit të gjirit, pankreasit dhe muskujve.

    Qasja jo vetëm që shtypi rritjen e tumorit, por gjithashtu krijoi një kujtesë imunitare afatgjate, duke përmirësuar shkallën e mbijetesës dhe duke reduktuar mundësinë e përsëritjes.

    “Duke ndërtuar infrastrukturën e duhur imune brenda tumoreve, ne mund të fuqizojmë mbrojtjen e vetë pacientit, si të qelizave T ashtu edhe të qelizave B, kundër rritjes së kancerit, rikthimit dhe metastazës”, citon raporti shkencëtarin e lartë dhe autorin kryesor të studimit, Masanobu Komatsu.

    Shumë tumore konsiderohen “të ftohtë imunitar”, që do të thotë se atyre u mungon aktiviteti i qelizave imune i nevojshëm që trajtime të zakonshme si imunoterapia të funksionojnë.

    Ekipi i spitalit ‘Johns Hopkins’ kërkoi ta ndryshojë këtë duke stimuluar mjedisin e tumorit me molekula imunoaktive.

    Ata u përqendruan në forcimin e strukturave limfoide terciare (TLS), të cilat janë grumbuj qelizash imune që luajnë një rol kritik në organizimin e sulmeve imune.

    TLS-ja zakonisht gjenden në tumoret imunoaktive dhe janë të lidhura me rezultate më të mira për pacientët.

    Duke përdorur dy molekula imunoaktive, studiuesit rikrijuan kushte të ngjashme me ato që gjendet në tumoret imunoaktive.

    Kjo çoi në një rritje të qelizave T vrasëse që sulmojnë kancerin, formimin e enëve të reja të gjakut që lejuan qelizat imune të hyjnë dhe prodhimin e antitrupave që synojnë qelizat tumorale.

    Qelizat B brenda TLS-së u zhvilluan në qeliza plazme që prodhojnë antitrupa dhe qeliza kujtese që ndihmojnë sistemin imunitar të njohë dhe të luftojë kancerin nëse ai rikthehet.

    Trajtimi gjithashtu rriti qelizat T ndihmëse dhe qelizat T të kujtesës, duke rritur imunitetin humoral dhe ai i ndërmjetësuar nga qelizat.

    Sipas shkencëtarit Komatsu, rezultatet sugjerojnë se kombinimi i dy sinjaleve imunoaktive mund të rrisë efektivitetin e trajtimeve aktuale, duke përfshirë kimioterapinë dhe imunoterapitë, në llojë të ndryshme të kancerit.

    Hulumtimi u financua nga Instituti Kombëtar i Kancerit (NIH), Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së dhe Departamenti i Shëndetësisë i Floridës. /AA/

  • Pakistani dhe Afganistani zhvillojnë bisedime pas sulmeve të fundit

    Pakistani dhe Afganistani zhvillojnë bisedime pas sulmeve të fundit

    Zyrtarët pakistanezë do të zhvillojnë bisedime në Katar më 18 tetor me homologët afganë, një ditë pasi Islamabadi kreu sulme ajrore në shtetin fqinj që vranë të paktën dhjetë persona dhe shkeli armëpushimin që solli qetësi për dy ditë në kufi.

    “Ministri i Mbrojtjes, Khawaja Asif, dhe shefi i inteligjencës gjenerali, Asim Malik, do të nisen për në Doha sot për bisedime me talibanët afganë”, raportoi televizioni shtetëror në Pakistan.

    Një zyrtar i qeverisë talibane po ashtu konfirmoi se do të mbahen bisedimet.

    “Një delegacion i nivelit të lartë nga Emirati Islamik, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes, Mohammed Yaqub, është nisur për në Doha”, shkroi në X zëdhënësi i qeverisë talibane, Zabihullah Mujahid.

    Një armëpushim 48-orësh ndaloi gati një javë përplasje të përgjakshme në kufi, që shkaktuan vdekjen e dhjetëra ushtarëve dhe civilëve nga të dyja palët.

    Por, të premten në mbrëmje, Afganistani akuzoi Pakistanin për shkelje të armëpushimit.

    “Pakistani e ka shkelur armëpushimin dhe ka bombarduar tri lokacione në provincën Paktika. Afganistani do të kundërpërgjigjet”, tha për AFP-në një zyrtar taliban.

    Dhjetë civilë u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën nga sulmet, thanë zyrtarët shëndetësorë për AFP-në që folën në kushte anonimiteti, duke shtuar se dy fëmijë ishin në mesin e të vrarëve.

    Ndërkaq, një zyrtar pakistanez tha se forcat kishin kryer “sulme precize ajrore” në zonat përgjatë kufirit afgan, duke shënjestruar grupin Hafiz Gul Bahadur, një fraksion lokal i lidhur me Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP) – talibanët pakistanezë.

    Islamabadi thotë se ky grup është përfshirë në bombardimet vdekjeprurëse dhe sulmet me armë zjarri në një kamp ushtarak në Vaziristanin Verior, që gjendet në kufi me Afganistanin, duke vrarë shtatë trupa paramilitare pakistaneze.

    Çështjet e sigurisë qëndrojnë në epiqendrën e tensioneve, me Pakistanin që akuzon Afganistanin për strehimin e grupeve militantë të udhëhequra nga TTP-ja, në tokën e tij, një pretendim që Kabuli e mohon.

    Dhuna ndërkufitare u rrit në mënyrë dramatike që nga e shtuna, disa ditë pas shpërthimeve që tronditën kryeqytetin afgan Kabul, pikërisht ndërsa ministri i Jashtëm i talibanëve nisi një vizitë të paprecedentë në Indi, rivalin e kamotshëm të Pakistanit.

    Talibanët më pas nisën një ofensivë përgjatë pjesëve të kufirit të tyre jugor me Pakistanin, duke shtyrë Islamabadin që të zotohet për kundërpërgjigje.

    Kur nisi armëpushimi të mërkurën, Islamabadi tha se do të zgjaste 48 orë, por Kabuli tha se armëpushimi do të mbetet në fuqi derisa Pakistani ta shkelë atë.

    Zëdhënësi i qeverisë talibane tha se forcat afgane janë urdhëruar që të mos sulmojnë, përveç se nëse forcat pakistaneze sulmojnë të parat. Nëse Pakistani sulmon, Afganistani tha se ka të drejtë që ta mbrojë veten.