ATV

Category: Lajme

  • Përparim Rama i përgjigjet akuzave se mori pjesë në protestë për fushatë: Me i mbrojt vlerat e UÇK-së na takon të gjithëve, përtej partive

    Përparim Rama i përgjigjet akuzave se mori pjesë në protestë për fushatë: Me i mbrojt vlerat e UÇK-së na takon të gjithëve, përtej partive

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u është përgjigjur akuzave se mori pjesë në protestën e Tiranës për fushatë.

    Rama tha se kjo nuk është çështje politike, por kombëtare.

    “Me i mbrojt vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çështje që na takon të gjithëve, përtej partive politike”, tha Rama në Euronews.

    Ai përmendi se qysh moti Prishtina ka themeluar zyrën për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.

    “Si kryetar i kryeqytetit, në fillim të mandatit tim, para katër vjetëve, kam krijuar Sektorin për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në kuadër të kabinetit, i cili udhëhiqet nga një ish-veteran i UÇK-së dhe përfaqëson e u shërben veteranëve të luftës. Jemi e vetmja komunë në Kosovë që e kemi bërë këtë”, tha ai.

    “Prandaj po them nuk është çështje e ditëve të fundit, nuk është çështje politike, është çështje më e madhe, çështje kombëtare”, theksoi Rama.

  • Kurti e shpall Kosovën “storie suksesi” për rritje ekonomike

    Kurti e shpall Kosovën “storie suksesi” për rritje ekonomike

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova po shndërrohet në një storie suksesi për rritje ekonomike, duke paralajmëruar se vendi do të ketë sërish rritjen më të lartë në rajon.

    “Vit pas viti Kosova po bëhet storie suksesi për rritje ekonomike. Vendi ynë përsëri do ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon, sipas projeksioneve të FMN-së. Politikat ekonomike dhe masat e ndërmarra gjatë qeverisjes sonë po ndikojnë pozitivisht në progresin dhe zhvillimin e shtetit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Ai e ka shpërndarë një postim të mbrëmshëm të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili ka theksuar se pavarësisht sfidave dhe krizave globale, Kosova do të arrijë rritje ekonomike të lartë pa e thelluar deficitin buxhetor apo borxhin publik.

    “Sipas raportit më të fundit të FMN-së, Kosova edhe sivjet do ta ketë rritjen ekonomike më të lartën në rajon. Kjo do të arrihet përkundër sfidave e krizave globale, si dhe duke mos e thelluar deficitin apo borxhin publik. Kjo edhe njëherë e dëshmon se politikat e Qeverisë Kurti funksionojnë dhe njëkohësisht demanton të gjithë ata që prognozonin të kundërtën”, ka shkruar Murati.

    Në lidhje me këtë, ka reaguar ish-ministrja e Financave dhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka krahasuar normat e rritjes aktuale me ato të viteve të kaluara.

    “Atëherë kur deputeti Murati dhe bashkëpartiakët e tij rrokullisnin kamionë dhe gjuanin gaz lotsjellës në Kuvend, rritja ekonomike ishte më e lartë se sot, ndërsa inflacioni pothuaj i pavërejtshëm. Sot rritja e Hekuran Muratit është 3.9%, por inflacioni në shtator ishte 4.7%”, ka shkruar Bajrami.

  • Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve në Gaza

    Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve në Gaza

    Izraeli ka kthyer trupat e 15 palestinezëve në Gazë më 18 tetor, duke bërë që numri i përgjithshëm i trupave të vdekur të arrijë në 135, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, Izraeli duhet të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve për çdo trup të pajetë të izraelitëve që i dorëzon Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Të premten, Hamasi dorëzoi trupin e një tjetër pengu izraelit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Që nga nisja e armëpushimit, Hamasi ka dorëzuar trupat e nëntë pengjeve izraelite dhe një të një studenti nepalez.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se disa nga trupat që u kthyen të shtunën kishin shenja të “abuzimit, rrahjeve dhe prangosjes”.

    Kjo ministri kishte bërë pretendime të ngjashme edhe kur kishte pranuar më herët trupa të palestinezëve.

    Ushtria izraelite i ka cilësuar këto pretendime si “propagandë të rremë të Hamasit”.

    “Për më tepër, të gjithë trupat e dorëzuar janë të luftëtarëve brenda Rripit të Gazës”, tha më herët ushtria izraelite.

    Më 13 tetor, Hamasi liroi të 20 pengjet e gjalla izraelite dhe nisi të dorëzojë edhe trupat e pengjeve të vrara. Në këmbim, po atë ditë Izraeli liroi afër 2.000 palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite.

    Lirimi i pengjeve dhe armëpushimi në Gazë është pjesë e fazës së parë të planit 20 pikësh të prezantuar nga presidenti Trump për paqe në enklavën palestineze.

    Më 14 tetor, Trump tha se faza e dytë e planit të tij ka nisur. Plani për paqe parasheh çarmatosjen e Hamasit – kërkesë që Izraeli e kishte parashtruar paraprakisht, por ishte refuzuar nga grupi radikal palestinez.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë.

    Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe 2 milionë banorët e territorit po përballen me krizë të thellë humanitare./REL

  • Tre të vdekur dhe pesë të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë eksplozivësh në Rusi

    Tre të vdekur dhe pesë të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë eksplozivësh në Rusi

    Tre persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm në uzinën e eksplozivëve FKP Avangard në qytetin Sterlitamak, rajoni i Bashkortostan, Rusi.

    Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje në objektin që prodhon eksplozivë industrialë dhe çmonton municione — që nga viti 2022 kontrollohet nga konglomerati shtetëror rus Rostec, raporton AFP.

    Ekspertët mjeko‑ligjorë po hetojnë shkakun e shpërthimit, ndërkohë që nuk është konfirmuar nëse incidenti ka ndodhur për shkak të një sulmi me dronë ukrainas ose është pasojë e një defekti teknik.

    Shërbimet e emergjencës raportuan përfundimin e operacioneve të kërkim‑shpëtimit gjatë natës.

  • Kosova anëtarësohet në institucionin e parë të BE-së – bëhet pjesë e EESC-së

    Kosova anëtarësohet në institucionin e parë të BE-së – bëhet pjesë e EESC-së

    Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë  institucioni i parë i BE-së i cili ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova pasi para më shumë se një viti kishte pranuar anëtarë nga të gjitha vendet kandidate.

    Ky institucion këshillëdhënës në strukturat e Bashkimit Evropian do të ketë në përbërjen e tij edhe përfaqësues nga Kosova, të cilët do të përzgjidhen përmes procedurës që është në vazhdim e sipër.

    Në këtë Komitet marrin pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, nga organizatat ekonomike, nga sindikatat dhe partnerët tjerë socialë dhe ekonomikë.

    Tashmë EESC ka bërë publike shpalljen për kandidatë nga Kosova të cilët mund të paraqiten deri më datën 24 tetor. Kur të zgjedhën, ata do të marrin pjesë në punimet e këtij Komiteti  në mënyrë të barabartë, sikur të gjithë pjesëmarrësit nga vendet tjera kandidate dhe nga vendet anëtare, pos që nuk do të kenë të drejtë të votojnë. E drejta për të votuar mbetet e rezervuar vetëm për anëtarët nga shtetet anëtare të BE-së.

    Kur në këtë Komitet në pranverën e vitit 2024 ishin pranuar të gjitha vendet kandidate por jo edhe Kosova, kryetari i këtij Komiteti Olive Ropke i kishte thënë Kohës se “Kosova nuk mund të përfshihet për arsye formale, sepse nuk e ka formalisht statusin e kandidatit”. Në fakt Kosova akoma mbetet i vetmi shtet evropian i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE por nuk është shqyrtuar kërkesa e saj.
    Përkundër kësaj, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian ka gjetur mënyrën për të tejkaluar pengesën formale dhe për ta përfshirë edhe Kosovën në këtë nismë.

    “Kosova nuk ishte përfshirë në fazën pilot të këtij projekti për shkak të statusit. Megjithatë, pas konsultimeve me Komisionin Evropian dhe pjesëmarrësit tjerë të rëndësishëm, u vendos që të hapet faza e dytë e kësaj nisme edhe për Kosovën si kandidat potencial për anëtarësim. Thirrja për shprehjen e interesit nga kandidatët tash është e hapur deri me 24.10.2025 dhe kur procedura e përzgjedhjes të përmbyllet anëtarët kandidat të zgjerimit nga Kosova do të kenë të njëjtin status sikur edhe kandidatët nga vendet tjera të zgjerimit”, kanë thënë nga ky institucion në përgjigjen për Kohën.

    Në këtë shpallje mund të paraqiten kandidatë nga organizatat e shoqërisë  civile, sindikatat dhe të gjithë partnerët ekonomikë dhe socialë.

    Anëtaret e këtij komiteti që vinë nga vendet kandidate marrin pjesë aktive në punën e Komitetit ekonomik dhe Social Evropian në mënyrë të barabartë me kolegët nga vendet e BE-së por nuk do të kenë të drejtë të votës.

    Në këtë Komitet në vitin 2024 ishin pranuar anëtarët nga 9 vende kandidate dhe jashtë kishte  mbetur Kosova, i vetmi vend i përfshirë në procesin e zgjerimit por që formalisht nuk ka status formal kandidati për anëtarësim në BE.

    Ky Komitet vitin e kaluar kishte  pranuar anëtarë nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Të gjitha këto kanë formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Presidenti i këtij Komiteti Ropke, të cilit i ka skaduar mandati, kishte thënë se kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të vendeve kandidate edhe para se ato të bëhen vende formale anëtare të Bashkimit Evropian. Ai ka shprehur pritjet e tij që kolegët nga vendet kandidate të sjellin përvojën e tyre të dobishme në punën e këtij institucioni.

  • Afganistani dhe Pakistani ulen në tryezë bisedimesh në Doha

    Afganistani dhe Pakistani ulen në tryezë bisedimesh në Doha

    Një delegacion i lartë nga Afganistani mbërriti në Doha të shtunën për bisedime paqeje me Pakistanin, tha një zëdhënës i qeverisë afgane. Takimi u  organizua pasi të dyja vendet ranë në ujdi ta zgjasin armëpushimin pas përplasjesh të ashpra në kufi.

    “Siç ishte premtuar, sot do të zhvillohen bisedimet me palën pakistaneze në Doha”, tha Zabihullah Mujahid në një deklaratë, duke shtuar se delegacioni afgan udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Mullah Muhammad Yaqoob.

    Një delegacion pakistanez ndodhej që të premten në kryeqytetin e Katarit dhe pritej të bashkohej me zyrtarë të tjerë të lartë, sipas disa burimeve qeveritare dhe të sigurisë që folën për agjencinë Reuters.

    Qeveria pakistaneze ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedime. Ministritë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme në Pakistan nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Të premten, Afganistani dhe Pakistani ranë dakord të zgjasin armëpushimin 48-orësh për kohën sa zgjasin bisedimet në Doha, sipas burimeve. Kjo përpjekje vjen pas përleshjeve të dhunshme që vranë dhjetëra persona dhe plagosën qindra të tjerë gjatë javës së fundit – dhuna më e madhe mes dy vendeve që prej marrjes së pushtetit nga talebanët në Kabul në vitin 2021.

    Luftimet tokësore të ashpra dhe sulmet ajrore pakistaneze përgjatë kufirit 2.600 kilometra të gjatë u nxitën pasi Pakistani kërkoi nga Afganistani që të ndalojë militantët që, sipas tij, veprojnë nga brenda territorit afgan dhe kryejnë sulme në Pakistan.

  • Motoristët drejt Hagës, publikohen pamje të marshit për drejtësi

    Motoristët drejt Hagës, publikohen pamje të marshit për drejtësi

    Nën organizim të platformës “Liria ka Emër” shumë motoristë janë nisur nga Kosova për në Hagë, atje ku do të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së ë cilët po mbahen në paraburgim.

    Ish-kryetari i Organizatave të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka publikuar një video të motoristëve nga ky marsh.

    Motoristët para nisjes u bashkuan te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku bën homazhe te varrezat, për tu ndalur më pas në vendet që janë simbolikë e luftës, si Poklek, Deçan, Gllogjan, Koshare dhe Mejë.

    Nisja u bë me 15 tetor, ndërkohë Haradinaj para mediave nga Prekazi tregoi se, “Në Cyrih do të na bashkohen motoristë nga Italia, Gjermania e Austria, më pas do të ndalemi në Dyseldorf, për të vazhduar në Hagë dhe Bruksel”.

  • KQZ për anëtarët e KKZ-së që u aksidentuan: Ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor

    KQZ për anëtarët e KKZ-së që u aksidentuan: Ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë se pesë anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Komunë e Ferizajt që u aksidentuan në rrugën Slivovë-Ferizaj ishin duke kryer detyrat në kuadër të procesit zgjedhor.

    Në komunikatën për media, KQZ ka thënë se “Pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin”.

    KQZ ka shprehur shqetësimin për këtë ngjarje, pa çka ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore të tyre.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton opinionin publik se të premten, në orën 18:17, pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Ferizajt kanë pësuar një aksident trafiku, derisa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor. Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse. Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

  • Policia jep detaje për aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë të KKZ-së në Ferizaj

    Policia jep detaje për aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë të KKZ-së në Ferizaj

    Policia ka njoftuar se në aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë e Komisionit Komunal Zgjedhor nga LDK-ja në Ferizaj, ka ndodhur në fshatin Slivovë-Ferizaj, pasi vetura është përplasur me një autobus.

    Shoferi i veturës dhe katër pasagjerët janë lënduar. Katër të lënduar janë dërguar në QKUK nga Emergjenca  e Ferizajt.

    “Me datën 17.10.2025 në ora 18:17 në rrugën magjistrale, fshati Slivovë-Ferizaj Aksident trafiku me lëndime trupore ku në këtë aksident trafiku ishin të përfshira dy automjete: një veture dhe një autobus me targa vendore me shoferët M.SH.K. Veç dëmeve materiale lëndime trupore pësojnë shoferi i veturës dhe katër pasagjeret, te cilët pas trajtimit mjekësor në emergjencën e Ferizajt, katër persona dërgohen ne Q.K.U.K-Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, njoftoi Policia.

    Blerton Jakupi nga LDK-ja në Ferizaj ka thënë se pesë të lënduarit janë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor. Ai nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social “facebook” të shtunën ka shkruar se një prej të lënduarve është në gjendje kome.

  • Siguria ekonomike në epokën e sotme

    Siguria ekonomike në epokën e sotme

    NGA AKADEMIK. PROF.DR. ANASTAS ANGJELI

    Në dekadën e fundit, kon cepti i sigurisë ekonomike ka fituar një rëndësi të jashtëzakonshme në skenën globale dhe rajonale. Pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë kanë treguar se ekonomia, politika dhe siguria janë të pandashme. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria dhe Kosova, këto zhvillime kanë nxjerrë në pah dobësitë e sistemeve ekonomike dhe nevojën për politika strategjike që garantojnë qëndrueshmëri, pavarësi dhe stabilitet. Në një epokë ku globalizimi, teknologjia dhe ndryshimet klimatike janë faktorë të përhershëm të pasigurisë, siguria ekonomike ka kaluar nga një koncept teorik në një domosdoshmëri praktike për çdo vend që synon zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet social.

    Siguria ekonomike sot nuk është vetëm mbrojtje nga kolapsi financiar apo luhatjet e tregjeve. Ajo përfshin një gamë të gjerë elementesh që lidhen me stabilitetin financiar, pavarësinë energjetike, menaxhimin e burimeve strategjike, zhvillimin e kapitalit njerëzor, sigurinë digjitale dhe aftësinë për të përballuar pasiguri të jashtme. Aftësia e një vendi për të garantuar furnizime të qëndrueshme me energji, ushqim, teknologji dhe burime të tjera strategjike është bërë një tregues kyç i stabilitetit dhe autonomisë së tij. Psh., në aspektin financiar, Shqipëria dhe Kosova kanë bërë përpjekje të dukshme për të ruajtur stabilitetin e sistemeve bankare dhe për të mbështetur ekonominë reale. Në Shqipëri, normat e kredive problematike kanë rënë nga 16% në vitin 2020 në rreth 9% në vitin 2024 dhe tashmë rreth 5%, sipas Bankës së Shqipërisë. Ky tregues dëshmon se sistemi bankar ka arritur të përballojë tronditjet globale dhe të ofrojë një mbështetje të qëndrueshme për ekonominë reale. Në Kosovë, bankat tregtare kanë rritur kredinë për bizneset e vogla dhe të mesme rreth 12% pas vitit 2020, duke treguar një fokus të qartë në forcimin e sektorit të biznesit dhe në sigurimin e stabilitetit ekonomik. Këto shembuj ilustrojnë se stabiliteti financiar është një komponent kyç i sigurisë ekonomike dhe një mburojë kundër pasigurive globale. Një tjetër dimension i sigurisë ekonomike lidhet me energjinë dhe burimet strategjike.

    Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah varësinë e Evropës nga gazi rus dhe ka detyruar vendet e rajonit të rimendojnë strategjitë energjetike. Shqipëria ka nisur investime të rëndësishme në energji të rinovueshme, duke synuar rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet hidrike dhe diellore. Kosova po zhvillon projekte për të rritur kapacitetin e termocentraleve dhe për të diversifikuar furnizimin me energji, duke u përpjekur të shmangë varësinë nga importet dhe pasigurinë që lidhet me tregjet ndërkombëtare. Rajoni e ka kuptuar se siguria ekonomike nuk mund të arrihet pa aftësinë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe pa mekanizma që parandalojnë goditjet e jashtme. Transformimi i tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike janë sfida të tjera që lidhen ngushtë me sigurinë ekonomike. Automatizimi dhe Inteligjenca Artificiale po ndryshojnë rrënjësisht strukturën e punës dhe kërkesën për aftësi të reja. Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe INSTAT, rreth 25% e vendeve të punës në Shqipëri konsiderohen të rrezikuara nga automatizimi gjatë 10 viteve të ardhshme, ndërsa në Kosovë ky tregues shkon deri në 28% për profesionet me intensitet të lartë manual dhe rutinor. Profesione që dikur konsideroheshin të qëndrueshme, si punonjës të prodhimit, fasonerisë apo tregtarë e vegjël po zhduken gradualisht, ndërsa lindin të reja që kërkojnë aftësi teknologjike, digjitale dhe të menaxhimit të informacionit.

    Sektori i IT në Shqipëri ka krijuar rreth 15,000 vende pune gjatë pesë viteve të fundit, duke shënuar një rritje prej rreth 40% në raport me periudhën 2015–2019, ndërsa në Kosovë sektori digjital ka shtuar mbi 8,500 vende pune të reja, duke përbërë rreth 3.5% të totalit të punësimit të vendit, sipas raporteve të Ministrisë së Inovacionit dhe Investimeve. Këto shifra tregojnë qartë se tregu i punës po zhvendoset drejt profesionistëve të specializuar në teknologji dhe inovacion, duke bërë që politika e arsimit dhe kualifikimit profesional të jetë pjesë e domosdoshme e strategjisë së sigurisë ekonomike. Në Shqipëri, sektori i IT dhe start-up-eve ka krijuar rreth 15,000 vende pune në 5 vitet e fundit, duke treguar se inovacioni dhe zhvillimi i aftësive janë thelbësorë për sigurimin e qëndrueshmërisë ekonomike. Në Kosovë, programet e edukimit profesional dhe teknologjik, të mbështetura nga investimet ndërkombëtare po formojnë një bazë të qëndrueshme të talenteve, duke rritur kapacitetet lokale për sektorin digjital dhe duke kontribuar në stabilitetin ekonomik dhe social.

    Investimet strategjike ndërkombëtare kanë një rol kyç në forcimin e sigurisë ekonomike. Baza ushtarake amerikane në Kosovë mbështetet nga mbi 120 biznese lokale që ofrojnë shërbime dhe produkte, duke krijuar stabilitet ekonomik, punësim dhe zhvillim për komunitetet përreth. Psh., investimi amerikano-japonez në Madagaskar, i fokusuar në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar mund të reduktojë rreziqet globale dhe të forcojë kapacitetet ekonomike të vendeve të vogla. Këto shembuj demonstrojnë qartësisht se siguria ekonomike është një koncept multidimensional që kërkon koordinim midis politikave kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Një dimension tjetër kritik është mbrojtja nga ndikimet e jashtme dhe kontrolli mbi burimet strategjike. Kriza e çipeve elektronike dhe konkurrenca globale për metale të rralla kanë treguar se mungesa e kontrollit mbi zinxhirët e furnizimit mund të kërcënojë zhvillimin e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo nënvizon nevojën për të zhvilluar kapacitete prodhuese lokale dhe për të mbrojtur sektorët kritikë, duke përfshirë energjinë, telekomunikacionin, teknologjinë dhe infrastrukturën dixhitale.

    Nga një perspektivë sociale, siguria ekonomike ka efekt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët dhe bizneset. Qytetarët që kanë qasje në punësim të qëndrueshëm, arsim cilësor dhe kujdes shëndetësor përjetojnë një ndjesi sigurie që forcon stabilitetin e shtetit. Për bizneset, stabiliteti i tregut, transparenca rregullatore dhe mbrojtja nga krizat globale janë parakusht për zhvillim. Në Shqipëri dhe Kosovë, kompanitë që kanë siguri financiare dhe infrastrukturë dixhitale të qëndrueshme janë më të afta të rrisin produktivitetin dhe të krijojnë vende pune, duke kontribuar kështu në stabilitetin ekonomik rajonal.

    Siguria ekonomike ka gjithashtu një dimension kibernetik, që po bëhet gjithnjë e më kritik në epokën e digjitalizimit. Sulmet kibernetike ndaj sistemeve bankare, kompanive private dhe administratave shtetërore janë rritur në mënyrë dramatike gjatë viteve të fundit. Sipas raportit të Qendrës Europiane për Sigurinë Kibernetike (ENISA) për vitin 2023, numri i incidenteve kibernetike në Ballkanin Perëndimor është rritur mbi 35% krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që sipas Bankës Botërore, rreth 60% e bankave në rajon kanë raportuar sulme ndaj sistemeve të tyre elektronike që kanë kërcënuar informacionin e klientëve dhe stabilitetin e transaksioneve financiare. Në Shqipëri, për shembull, sulmet ndaj sistemeve bankare dhe të telekomunikacionit janë rritur me mbi 40% gjatë periudhës 2020–2024, duke detyruar institucionet të investojnë mbi 50 milionë euro në sisteme mbrojtjeje dhe edukim të stafit për cyber-security. Në Kosovë, një raport i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë tregon se mbi 70% e kompanive të mëdha dhe të mesme janë përballur me sulme kibernetike të ndryshme, nga ransomware deri te tentativat për manipulim të të dhënave financiare dhe operative. Këto sulme kanë treguar qartë se stabiliteti i vendeve lidhet drejtpërdrejt me aftësinë për të mbrojtur infrastrukturën dixhitale dhe informacionin, duke e bërë sigurinë kibernetike pjesë integrale të politikave kombëtare ekonomike.

    Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka krijuar programin “Cybersecurity Capacity Building” me një fond mbi 2 miliardë euro për vitet 2020–2025, për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike dhe për të mbrojtur sektorët kritikë, përfshirë energjinë, financat dhe administratën publike. Në të njëjtën kohë, SHBA ka investuar rreth 1.5 miliardë dollarë për projekte të mbrojtjes kibernetike dhe trajnime për stafe vendore në rajon, duke përfshirë bashkëpunime direkte me autoritetet shqiptare dhe kosovare për të përmirësuar sigurinë e rrjeteve dhe sistemit bankar. Në këtë kontekst, siguria kibernetike nuk është thjesht një masë teknike, por një komponent strategjik i sigurisë ekonomike kombëtare. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ekonomitë janë të vogla dhe infrastruktura dixhitale është ende në zhvillim, investimet në cyber-defense janë vendimtare për të mbrojtur tregjet financiare, kompanitë strategjike dhe shërbimet publike nga sulmet që mund të destabilizojnë ekonominë dhe të rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve. Në një kuadër më të gjerë, siguria ekonomike mund të shihet si një strategji multidimensionale që integron politikat fiskale dhe monetare, menaxhimin e burimeve, zhvillimin e kapitalit njerëzor, mbrojtjen dixhitale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të garantojnë stabilitet, zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të paqëndrueshme. Në këtë kuadër, siguria ekonomike nuk është më një abstraksion akademik, por një nevojë praktike dhe strategjike. Ajo përcakton aftësinë e vendeve për të përballuar pasiguritë globale, për të ruajtur stabilitetin dhe për të krijuar kushte për rritje dhe inovacion. Për rajonin e Ballkanit, ku ekonomitë janë të vogla dhe të hapura, përkushtimi ndaj konceptit të sigurisë ekonomike është i domosdoshëm për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme, konkurruese dhe të sigurt.