ATV

Category: Lajme

  • Zjarr në Maliq të Shqipërisë, vdes nëna me djalin 14 vjeç, vajza 6-vjeçare në gjendje të rëndë

    Zjarr në Maliq të Shqipërisë, vdes nëna me djalin 14 vjeç, vajza 6-vjeçare në gjendje të rëndë

    Një ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Maliqit në qarkun e Korçës në Shqipëri, ku nënë e bir humbën jetën si pasojë e një zjarri në banesë.

    Vajza 6-vjeçare e familjes është nisur me urgjencë drejt Tiranës, për trajtim të specializuar në një qendër të djegieve.

    Mediat në Tiranë raportojnë se gjendja e fëmijës është shumë e rëndë, për shkak të djegieve të shumta në trup.

    E mitura është e vetmja e mbijetuar nga ngjarja tragjike që ndodhi në banesën e familjes Azizllari, ku humbën jetën nëna Merjeme Azizllari dhe djali 14-vjeçar.

    Dyshohet se zjarri ka nisur nga një dyshek sfungjeri, në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.

    Sipas dëshmive të fqinjëve, vajza arriti të shpëtonte vetëm falë ndërhyrjes së një gruaje që ndodhej pranë banesës dhe e pa atë duke kërkuar ndihmë.

    Ajo ishte hedhur nga dritarja, ndërsa nëna dhe vëllai i saj nuk arritën të dilnin në kohë për shkak të tymit të dendur.

    “Familje punëtore, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim “laji, shpëlaji”. E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë.

    Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur”, tha fqinja e familjes, Benereta Pashollari.

    Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele (19 tetor) rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq.

    Fillimisht u raportua se nëna dhe dy fëmijët e saj kishin mbetur të plagosur, por më pas u mësua se gruaja, Merjeme Azizllari kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë brenda në shtëpi.

    Më vonë, ndërroi jetë në spital edhe djali i saj i madh, 14 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë si pasojë e djegieve vazhdon të jetë fëmija i vogël 6 vjeç.

    Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.

  • Aksident i rëndë trafiku në hyrje të Prishtinës, vdes një person

    Aksident i rëndë trafiku në hyrje të Prishtinës, vdes një person

    Ka vdekur personi që u aksidentua më 11 tetor në Çagallavicë të Prishtinës.

    Viktima ishte duke u trajtuar në QKUK.

    Policia njofto se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Mjekësinë Ligjore për Obduksion, raporton IndeksOnline.

    “Çagllavicë, Prishtinë / 11.10.2025 – 12:00. Më 18.10.2025 lidhur me rastin është raportuar se viktima m/k, i cili ka qenë i lënduar, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Bastisje në 9 lokacione në Zveçan e Zubin Potok – dyshime për vrasje dhe krime të rënda

    Bastisje në 9 lokacione në Zveçan e Zubin Potok – dyshime për vrasje dhe krime të rënda

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke zhvilluar një operacion të gjerë policor në komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit.

    Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda janë duke zbatuar një urdhër të Gjykatës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, për kryerjen e bastisjeve në nëntë (9) lokacione të ndryshme.

    Operacioni është ndërmarrë nën dyshimin për përfshirje në disa vepra të rënda penale, përfshirë: Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me ta, Vrasje të rëndë dhe Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Në këtë operacion po marrin pjesë edhe njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, ndërsa autoritetet po zbatojnë të gjitha procedurat në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se informacione më të detajuara do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit.

  • Votat e diasporës ndryshojnë renditjen në komuna – Në disa konfirmojnë balotazhin

    Votat e diasporës ndryshojnë renditjen në komuna – Në disa konfirmojnë balotazhin

    Procesi i numërimit të votave nga diaspora, i cili nisi pasditen e së premtes, nuk e ka ndryshuar fatin e komunës së Gjilanit.

    Këto vota kanë konfirmuar se kjo komunë do të shkojë në balotazh. Nga numërimi i 85% të votave të ardhura nga jashtë Kosovës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni është renditur i pari me 51.77%, por pa arritur të sigurojë mbi 57% të tyre, sa i duheshin për të fituar garën në rundin e parë.

    Kurse kandidati i LDK-së, Arbër Ismajli ka marrë 36.32% të votave.

    Rezultatet e numërimit të këtyre votave kanë nisur të publikohen në faqen zyrtare të KQZ-së, gjersa procesi pritet të përfundojë të hënën.

    Kurse në Mitrovicën e Jugut, votat e diasporës e kanë ndërruar renditjen. Derisa janë numëruar mbi 70 për qind e votave të diasporës, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 56.03% të votave dhe e ka tejkaluar Arian Tahirin e PDK-së, i cili ka fituar 32.47% të tyre.

    Aktualisht, Peci është në vendin e parë me 87 vota më shumë sesa Tahiri.

    “Me rezultatin aktual, Kandidati i PDK-së, Arian Tahiri duhet të fitojë afërsisht 48% të votave të diasporës që i njëjti ta sigurojë balotazjin nga pozita e parë. Nëse kandidati i VV-së merr mbi 52-53%, atëherë i njëjti do ta ketë të sigurt vendin e parë në balotazh”, ka thënë Eugen Cakolli – Hulumtues i lartë në KDI.

    Cakolli vlerëson se votat e diasporës mund të sjellin edhe balotazh edhe në komuna që nuk pritej të shkojnë në rundin e dytë.

    “Komuna e Deçanit, komunë e cila aktualisht nuk pritet të ketë balotazh duke llogaritur vetëm votat brenda është njëra prej komunave ku votat e diasporës mund të ndikojnë të ketë balotazh. Në këtë drejtim, kandidati i AAK, Bashkim Ramosaj duhet të fitojë 40% të votave të diasporës në mënyrë që ta sigurojë fitoren pa balotazh”, ka thënë Eugen Cakolli – Hulumtues i lartë në KDI.

    E nëse ka një komunë që rezultatet e diasporës zor se do të sjellin ndryshim, është ajo e Prishtinës.

    ”Aktualisht me votat dhe diferencën aktuale, pa i llogaritur votat me kusht, i duhet që kandidati i LDK – Përparim Rama të fitojë afërsisht 15% të votave të diasporës që matematikisht, ta sigurojë vendin e parë. Nëse nuk arrin ta sigurojë këtë numër dhe partitë e tjera fitojnë më shumë, ekziston mundësia që Hajrulla Çeku të jetë i pari ani pse prakikisht është e pamundur”, ka thënë Eugen Cakolli – Hulumtues i lartë në KDI.

    Fitoren në Shtime e ka siguruar kandidati i VV-së, Qemajl Aliu ka marrë 51.63%, kurse kandidati i PDK-së, Përparim Ramusa 35.15% të votave.

    Numërimi i votave nga diaspora ka përfunduar edhe në Junik me ç’rast 50.97% e tyre janë për Ruzhdi Shehun e LDK-së, me pasues Agron Kuçin, i cili mori 35.34%

    Kurse në Dragash, Bexhet Xheladini LDK-së ka marrë mbi 55% të votave të diasporës, ndërsa kandidati i PDK-së Shaban Shabani 25.43%.

  • Serwer viziton Thaçin në Hagë – zbulon dëshirën e tij për procesin gjyqësor

    Serwer viziton Thaçin në Hagë – zbulon dëshirën e tij për procesin gjyqësor

    Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka treguar se dje e ka vizituar në qendrën e paraburgimit në Hagë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Serwer ka treguar se në takim me Thaçin kishte qëndruar për 40 minuta.

    Serwer në platformën e tij ka thënë se përmes kësaj vizite dëshironte të ripërtërinte miqësinë e vjetër, teksa rikujton grindjet që kishte pasur me Thaçin pak para se ish-presidenti kosovar të shkonte vullnetarisht në Hagë.

    “Gjithashtu doja të kuptoja më mirë realitetin që qëndron pas gjykatës së Dhomave të Posaçme të Kosovës që po zhvillon gjyqin e tij. Kështu që u takova edhe me zëdhënësin e gjykatës, Michael Doyle. E njoh Michaelin nga shërbimi i tij i shkëlqyer me HiRep Inzko në Bosnje”, ka shkruar Serëer.

    Sa i përket bisedave me Thaçin, Serwer ka thënë se s’do të ndajë detaje, meqë bisedat me të gjithmonë kanë qenë private.

    “ Nëse po kërkoni një informacion interesant për atë që më tha Hashimi, mos lexoni më tej. Bisedat tona kanë qenë gjithmonë private në të kaluarën, dhe edhe kjo do të jetë kështu. Përveç zyrtarit të burgut që u ul për të dëgjuar në përputhje me rregullat. Unë do ta respektoj konfidencialitetin e asaj që tha Hashimi. Por ai gjithmonë e respektoi të drejtën time për të thënë çfarë të dua në publik. Jam i sigurt se do ta bëjë akoma”, ka shkruar Serwer.

    Profesori amerikan, ka shprehur shqetësimin e tij për mbjatjen për kohë të gjatë në paraburgim.

    Së katërti, dhe ankesa ime kryesore sot, është koha qesharake që Hashimi dhe shokët e tij janë mbajtur në paraburgim, dhe tani gjatë gjyqit, në paraburgim. I pafajshëm derisa të provohet fajësia nuk duhet të jetë një slogan bosh. Këta njerëz dhanë dorëheqjen dhe shkuan në Hagë vullnetarisht, diçka që kundërshtarët e tyre në Serbi nuk e bënë. Si i justifikoni 5 vjet burg (një burg mjaft i sigurisë së lartë nga vëzhgimet e mia personale) para se të zbuloni nëse dikush është fajtor?”, ka shkruar Serwer.

    “Përgjigja është shqetësimi në lidhje me frikësimin ose manipulimin e dëshmitarëve, gjë që ka qenë problem sipas gjykatës. Nuk e besoj këtë si një shpjegim të mjaftueshëm. Gjykata duhet t’i kishte liruar këta burra shumë kohë më parë. Asnjëri prej tyre nuk po ia mbath për t’u fshehur. Të gjithë mund të ishin monitoruar pa u paraburgosur në Hagë”, ka deklaruar ai.

    Analisti amerikan mes tjerash shkruan se “Nuk e di nëse këta udhëheqës të UÇK-së janë fajtorë apo të pafajshëm për akuzat. Nuk i kam lexuar të gjitha transkriptet e gjyqit. Edhe nëse do t’i kisha lexuar, përgjegjësia është e gjykatës për të vendosur, jo e imja. Shpresoj vetëm që vendimi të mbahet i izoluar nga pritjet e qeverive evropiane se ato duhet të marrin disa dënime për qindra miliona euro që kanë investuar në këtë përpjekje”.

    Serwer ka treguar edhe një ngjarje kur ishte takuar me Hashim Thaçin në SHBA më 1999.

    “Edhe një histori për Hashimin, një histori aq e vjetër sa qeveria amerikane do ta kishte deklasifikuar tashmë. E gjeta veten 26 vjet më parë në Lansdowne me të dhe një nga komandantët e UÇK-së në mëngjes. U përpoqa të bëja një bisedë duke vërejtur se duhet të jetë e çuditshme për ta që të ishin në këtë vendpushim luksoz në Virxhinia, kur vetëm disa javë më parë kishin luftuar në malet e Kosovës. Hashimi shikoi komandantin e UÇK-së me të, i cili u vrenjt, u kthye nga unë dhe tha: “Unë kurrë nuk kam qenë luftëtar i vërtetë. Unë isha zëdhënësi politik.” Mendoj se Hashimi në atë moment ishte nën shumë presion për të më thënë të vërtetën”, ka shkruar Serwer.

  • Parashikimi i motit për sot, 19.10.2025

    Parashikimi i motit për sot, 19.10.2025

    Të dielën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku ka mundësi për ndonjë reshje të izoluar në orët e mëngjesit, ndërsa gjatë orëve të pasdites pritet vranësirat të tërhiqen gradualisht.
    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, me shpejtësi prej 10-27 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 12 deri në 15°C.

  • Ushtria e Zvicrës dekoron tre ushtarë shqiptarë që i shpëtuan jetën një gruaje

    Ushtria e Zvicrës dekoron tre ushtarë shqiptarë që i shpëtuan jetën një gruaje

    Ushtria e Zvicrës i ka dekoruar tre ushtarë me origjinë shqiptare, të cilët kanë shpëtuar jetën e një gruaje, e cila u rrëzua pranë kazermës.

    Ushtarët e dekoruar sipas njoftimit të Armatës zvicerane janë Albin Ukzmaili, Harbin Hasani e Edmir Rrafshi.

    Në dekoratë thuhet se veprimi i ushtarëve ka çuar në stabilizimin e gjendjes së gruas që më pas ishte dërguar në spital.

    “Ushtarët i dhanë ndihmën e parë një gruaje që ishte rrëzuar pranë kazermës. Ata u ndërruan me njëri-tjetrin gjatë masazhit të zemrës dhe njoftuan gjithashtu policinë dhe shërbimet e shpëtimit. Ky veprim i menduar mirë stabilizoi gjendjen e pacientes, e cila më pas u dërgua në spital”, thuhet në njoftim.

  • Nesër në Maqedoninë e Veriut zgjedhjet lokale, garë e paqartë në komunat shqiptare

    Nesër në Maqedoninë e Veriut zgjedhjet lokale, garë e paqartë në komunat shqiptare

    Maqedonia e Veriut mban nesër, më 19 tetor 2025, zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia. Qytetarët do të votojnë në të 80 komunat e vendit dhe në Qytetin e Shkupit për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe anëtarët e këshillave komunalë.

    Të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 qytetarë, prej të cilëve 1.717.803 votues ndodhen në vend. Procesi i votimit do të zhvillohet në 3.474 qendra aktive votimi.

    Garë e paqartë në komunat shqiptare

    Sipas analizave dhe sondazheve, ndërsa rezultati në shumicën e komunave me popullatë shumicë maqedonase konsiderohet kryesisht i parashikueshëm, beteja zgjedhore mbetet e hapur dhe rezultati i paqartë në disa prej komunave ku votuesit shqiptarë përbëjnë shumicën.

    Në këto zgjedhje, garojnë gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista këshilltarësh, me rreth 10.490 kandidatë në total. Në garë marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare ose kandidatë të pavarur.

    Qyteti i Shkupit mban rekordin e numrit më të madh të kandidatëve për kryetar, me 16 emra.

    Shifrat kryesore të votimit

    Qyteti i Shkupit ka numrin më të madh të votuesve të regjistruar, me 474.304 qytetarë me të drejtë vote. Komunat e tjera me numër të lartë votuesish përfshijnë Kumanovën (94.041), Tetovën (87.878), Gostivarin (82.893) dhe Manastirin (77.253).

    Në anën tjetër, komunat me më pak votues janë: Lozova (1.905), Vevçani (2.092) dhe Novaci (2.429).

    Nga të dhënat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Qendra më e madhe votimi ndodhet në lagjen Butel të Shkupit, me gjithsej 1.432 votues.

    Vlen të theksohet se, përveç votuesve në listën e rregullt, të drejtën e votës do ta ushtrojnë edhe 2.162 persona të burgosur ose në paraburgim, si dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve. Në diasporë nuk do të ketë votim të organizuar, por qytetarët jashtë vendit mund të votojnë nëse kthehen në Maqedoni gjatë ditës së zgjedhjeve.

    Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të katërtat në të cilat zgjidhen njëkohësisht kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në të gjitha njësitë administrative. Votimi do të fillojë nesër në mëngjes./rtsh

  • Forcat italiane të KFOR-it kryejnë ushtrim për mbrojtje nga kërcënimet CBRN në Kosovë

    Forcat italiane të KFOR-it kryejnë ushtrim për mbrojtje nga kërcënimet CBRN në Kosovë

    Njësitet specialistë italiane të caktuara në Komandën Rajonale Perëndim të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë zhvilluar një inspektim për kimikate, biologjike, radiologjike dhe bërthamore (CBRN) në një qendër trajnimi në komunën e Dragashit.

    Sipas KFOR-it, aktiviteti është zhvilluar për të garantuar një ambient të sigurt dhe për të mbrojtur personelin nga kërcënimet e mundshme CBRN, përmes përdorimit të pajisjeve të specializuara për zbulim dhe monitorim.

    Ky ushtrim, sipas misionit, ndihmon që ekipet e specializuara të ruajnë një nivel të lartë të gatishmërisë operacionale dhe përgatitjes për t’iu përgjigjur çdo incidenti të mundshëm.

    “Këto aktivitete theksojnë përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për mirëqenien e personelit të tij dhe për ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.

    KFOR ka theksuar se vazhdon zbatimin e mandatit të tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

    Misioni i NATO-s bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës të sigurisë./IndeksOnline

  • Nesër disa lagje të Prishtinës do të mbesin pa ujë për 7 orë

    Nesër disa lagje të Prishtinës do të mbesin pa ujë për 7 orë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se nesër, disa pjesë të rajonit të Prishtinës do të përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë nga ora 12:00 deri në orën 19:00.

    Vendet që do të mbesin pa ujë për shtatë orë janë: Graçanica, Hajvalia, Çagllavica, Lagja Qendresa, Lagja 038, një pjesë e lagjes Bregu i Diellit dhe një pjesë e lagjes Mati.