ATV

Category: Lajme

  • Ministri i Jashtëm sirian thotë se njohja e Kosovës u arrit me mbështetjen e Turqisë

    Ministri i Jashtëm sirian thotë se njohja e Kosovës u arrit me mbështetjen e Turqisë

    Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, ka konfirmuar se njohja e Republikës së Kosovës është bërë “nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë”.

    Al-Shaibani ka theksuar se Siria e njeh Kosovën si shtet të pavarur, duke riafirmuar “respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”.

    “Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njoftoi njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Damasku shpreh respekt për vullnetin dhe aspiratat e popullit të Kosovës dhe pret me interes zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Damaskut dhe Prishtinës, në mënyrë që të promovohen stabiliteti dhe respekti i ndërsjellë mes kombeve,” thuhet në shkrimin e tij të publikuar në ‘X’.

    Kështu, Siria është bërë shteti i 120-të që njeh pavarësinë e Kosovës.

  • Vuçiq reagon pasi Siria njohu dje Kosovën shtet, thotë se ndikoi shumë Turqia

    Vuçiq reagon pasi Siria njohu dje Kosovën shtet, thotë se ndikoi shumë Turqia

    Vuçiq reagoi pas njohjes së Kosovës nga Siria: “E pritshme, tashmë është nën ndikimin e Turqisë”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar sot pas lajmeve se Siria ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

    Sipas tij, një vendim i tillë ishte i pritshëm, pasi siç tha ai, Siria tashmë ndodhet nën ndikimin e madh të Turqisë.

    “Lajmi i pritur është njohja nga Siria. Ishte e qartë sa shumë kishte rëndësi qëndrimi i pavarur dhe i lirë i Bashar al-Asadit sa kohë që ai ishte në pushtet. Por, kur dikush vjen në pushtet që është nën ndikimin e madh të njërit prej vendeve kryesore në rajon, siç është Turqia, ishte e pritshme që kjo të ndodhte,” deklaroi Vuçiq për gazetarët.

    Presidenti serb gjithashtu u shpreh me nostalgji për periudhën kur Bashar al-Assad ishte në pushtet, duke thënë se atëherë Siria kishte qëndrim të pavarur dhe të lirë.

  • Mblidhet Kryesia e re e Kuvendit, dy pikat për të cilat do të diskutohet

    Mblidhet Kryesia e re e Kuvendit, dy pikat për të cilat do të diskutohet

    Kryesia e Kuvendit është mbledhur për herë të parë që prej konstituimit të Kuvendit, nën udhëheqjen e Kryeparlamentarit Dimal Basha.

    Në agjendë janë funksionalizimi i komisioneve si dhe diskutimi rreth miratimit të buxheteve komunale për vitin 2025 për komunën e Prishtinës, Gjilanit, si dhe atë të Zubin-Potokut.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës u konstitua me 10 tetor, pas zgjedhjes së Nenad Rashiq si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

    Pas zgjedhjes së Rashiq, Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me ankesë, për çka ende nuk ka vendim./ATVLIVE/

  • Grabitja spektakolare e Luvrit, arrestohen pesë të dyshuar, ende asnjë shenjë të bizhuterive

    Grabitja spektakolare e Luvrit, arrestohen pesë të dyshuar, ende asnjë shenjë të bizhuterive

    Pesë persona të tjerë janë vënë në pranga në lidhje me grabitjen spektakolare të xhevahireve nga muzeu i Luvrit, duke e çuar në shtatë numrin e përgjithshëm të të arrestuarve për ngjarjen që tronditi Francën dhe mbarë opinionin botëror.

    Sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau, një prej të arrestuarve të fundit dyshohet se ka qenë pjesë e grupit prej katër personash që kreu grabitjen, duke u maskuar si punëtorë ndërtimi për të hyrë në ambientet e muzeut dhe për të marrë bizhuteritë e rralla të periudhës së Napoleonit, shkruan CCN.

    Pas një operacioni intensiv kërkimi që zgjati 11 ditë, autoritetet kanë arritur të kapin tre nga katër autorët e dyshuar të grabitjes, megjithatë thesaret me vlerë mbi 100 milionë dollarë vazhdojnë të mungojnë. Ekspertët besojnë se stolitë mund të jenë çmontuar për t’u shitur veç e veç, si lëndë të para. Ndër to, përmendet një gjerdan smeraldi i stolisur me mbi 1,000 diamante, dhuratë e Napoleonit për bashkëshorten e tij të dytë.

    Arrestimet e fundit janë kryer në Paris dhe zonat përreth kryeqytetit, përfshirë Seine-Saint-Denis. Dy personat e parë u kapën fundjavën e kaluar, ndërsa njëri prej tyre tentoi të largohej drejt Algjerisë nga aeroporti Charles de Gaulle. Pas marrjes në pyetje për 96 orë, të dy kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre në ngjarje.
    I pari prej tyre, një 34-vjeçar algjerian, u identifikua përmes gjurmëve të ADN-së të gjetura në një skuter të përdorur gjatë grabitjes. Ndërsa i dyti, 39 vjeç nga Aubervilliers, i njohur më parë për vjedhje, u identifikua nga ADN-ja e lënë në xhamin e thyer të vitrines. Policia franceze ende nuk ka bërë publike detaje për pesë personat e tjerë të arrestuar.

    Ngjarja ka hapur një debat të gjerë për sigurinë në muzeun më të vizituar në Francë. Drejtori i Luvrit, Laurence des Cars, pranoi para Senatit francez se hyrja nga e cila u futën hajdutët nuk ishte e mbuluar nga kamerat e sigurisë. një boshllëk që tashmë po hetohet nga autoritetet kompetente.

  • Izraeli bombardon sërish zona në Gaza

    Izraeli bombardon sërish zona në Gaza

    Avionët dhe tanket izraelite bombarduan zona në lindje të Gazës të enjten, një ditë pasi Izraeli deklaroi se mbetej i përkushtuar ndaj armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja, pavarësisht nisjes së sulmeve më vdekjeprurëse në territor.

    Banorët dhe dëshmitarët palestinezë raportuan se aeroplanët izraelitë kryen 10 sulme ajrore në zonat lindore të Khan Younis në Rripin jugor të Gazës, ndërsa tanket goditën zona në lindje të qytetit të Gazës në veri. Nuk u raportuan të lënduar ose të vdekur.

    Ushtria izraelite tha se kishte kryer sulme “të sakta” kundër “infrastrukturës terroriste që përbënte një kërcënim për trupat” në zonat që Izraeli ende i kontrollon.

    Sulmet e së enjtes vijnë si provë e armëpushimit të brishtë që hyri në fuqi më 10 tetor në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit.

    Dëshmitarët në Gaza thanë se nuk panë sulme jashtë zonave që kontrollon Izraeli.

    Nga e marta deri të mërkurën, Izraeli u hakmorr për vdekjen e një ushtari izraelit me bombardime që autoritetet shëndetësore të Gazës thanë se vranë 104 persona.

    Izraeli deklaroi se ushtari u vra në një sulm nga persona të armatosur brenda asaj që quhet “vijë e verdhë”, ku trupat e tij u tërhoqën sipas armëpushimit. Hamasi hodhi poshtë këto akuza.

  • Gjykata e Arbitrazhit detyron KEDS dhe KESCO të paguajnë 8.3 milionë euro

    Gjykata e Arbitrazhit detyron KEDS dhe KESCO të paguajnë 8.3 milionë euro

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka fituar përfundimisht procesin gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit kundër kompanive KEDS dhe KESCO.

    Sipas vendimit të Tribunalit, dy kompanitë private detyrohen t’i paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, shumë që përfshin interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara ndër vite.

    Në komunikatën zyrtare, KEK ka theksuar se ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm ligjor dhe institucional për sektorin energjetik të Kosovës, duke forcuar njëkohësisht pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin e korporatës.

    “KEK-ut i njihen dhe do t’i kompensohen kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet e përfaqësimit ligjor dhe të ekspertëve, të cilat do të mbulohen bashkërisht nga palët e paditura (KEDS dhe KESCO). Procedura e arbitrazhit është zhvilluar në përputhje me rregullat UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendi i arbitrazhit ka qenë Gjeneva, Zvicër. Vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

    Sipas korporatës, gjatë shqyrtimit të rastit, Tribunali ka konstatuar “faktet e pakontestuara” se KEK ka realizuar furnizimin me energji elektrike në përputhje të plotë me dispozitat e Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), ndërsa KEDS dhe KESCO nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara për disa periudha midis viteve 2020–2024.

    KEK ka shprehur mirënjohje për Avokaturën Shtetërore për kontributin e dhënë gjatë gjithë procesit të arbitrazhit.

    “Një fitore me rëndësi strategjike për KEK-un dhe për sektorin energjetik të vendit”, thuhet në fund të komunikatës.

  • Policia e Kosovës kërkon ndihmë për ta identifikuar të dyshuarin për vjedhje

    Policia e Kosovës kërkon ndihmë për ta identifikuar të dyshuarin për vjedhje

    Policia e Kosovës ka publikuar sot një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, me qëllim të identifikimit të një personi të dyshuar për përfshirje në një rast vjedhjeje në kryeqytet.

    Sipas njoftimit zyrtar, Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon informata që mund të ndihmojnë në identifikimin e personit që shihet në fotografinë e publikuar nga Policia.

    “Kërkesë për bashkëpunim – identifikim i personit të dyshuar. Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi. Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën ‘Vjedhje’,” thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia fton të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informatë që mund të ndihmojë në identifikimin e personit të dyshuar të kontaktojnë përmes numrit të telefonit 192 ose në emailin zyrtar [email protected].

  • Përfundon takimi i Muratit me sindikatat, Azemi: U pajtuam që paga minimale nga janari të jetë 500 euro

    Përfundon takimi i Muratit me sindikatat, Azemi: U pajtuam që paga minimale nga janari të jetë 500 euro

    Ka përfunduar takimi i Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me përfaqësues të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme për të diskutuar çështjen e rritjes së pagës minimale. Takimi nisi rreth orës 10:00 dhe kishte karakter konsultativ.

    Pas takimit, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, deklaroi se kërkesa e tyre ishte që paga minimale në sektorin privat të jetë 600 euro, por u arrit një marrëveshje që nga janari i vitit të ardhshëm paga minimale të vendoset në 500 euro.

    “Është diskutuar për pagën minimale. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 600 euro në sektorin privat. Sipas ministrit, paga minimale prej 500 euro do të fillojë së implementuari në janar, megjithatë nuk është përjashtuar edhe propozimi ynë për 600 euro. Nga të gjithë akterët u arrit pajtimi që paga minimale të jetë 500 euro dhe të fillojë implementimi nga janari,” tha Azemi.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Kosovës theksoi se rritja e pagës minimale duhet të nisë nga janari, kur të ketë një qeveri funksionale. Ai shtoi se kërkesa e tyre ishte që vendimet e tilla të mos nxirreshin pa konsultime të mjaftueshme, duke përmendur edhe rritjen e çmimit të energjisë si shembull të pasojave të vendimeve të shpejta.

    “Takimi kishte karakter më shumë konsultativ, nuk ishte për të marrë një vendim përfundimtar. Ne kemi ardhur për të dhënë kontributin tonë si Dhomë e Tregtisë,” tha ai.

  • Rrëzohet kërkesa për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi

    Rrëzohet kërkesa për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi

    Partia Socialiste ka rrëzuar me 79 vota kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

    Në seancën e mbajtur këtë të enjte, Peleshi ka marrë vetëm 10 vota për shkarkimin e tij, ndërkohë që deputetët e opozitës që ndodheshin në Kuvend, duket se kanë zgjedhur që të mos votojnë duke kundërshtuar kalimin në votim për shkarkimin e tij, dhe duke kërkuar që të hidheshin në votim dy raportet.

    “Pas raporteve votohej mosbesimi ndaj kryetarit, ajo bëri një votim kot fare sipas qejfit”, tha Berisha jashtë Kuvendit pas mbyllës së pjesë së parë të seancës.

  • Rama: Kosova është një shtet në të drejtën e vet, por jo për Serbinë, ky është problem

    Rama: Kosova është një shtet në të drejtën e vet, por jo për Serbinë, ky është problem

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh qartë në Forumin e Paqes në Paris se Kosova është një shtet në të drejtën e vet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

    Rama nënvizoi se është thelbësore që të gjithë të punojnë për të siguruar lirinë e lëvizjes për qytetarët.

    “Ne besojmë fuqishëm se paqja është më e vlefshme se gjithçka tjetër. Sa më i lumtur të jetë komshiu, aq më i lumtur është edhe shtëpia jonë. Pra, nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për fqinjin. Duhet të gëzojmë jetën tonë, por edhe të sigurohemi që fqinji të mos vdesë urie”, tha Rama.

    Ai gjithashtu foli për marrëdhëniet me Serbinë: “Me Serbinë kemi një problem të madh që është Kosova. Për ne, Kosova është një shtet, po ashtu për shumicën e vendeve të BE-së, por jo për Serbinë. Ky është një problem i madh, dhe mund të zgjidhej ose me tensione që do të dëmtonin ekonominë dhe të ardhmen tonë, ose duke punuar që qytetarët tanë të kenë lirinë e lëvizjes, kjo është rruga që ne zgjedhim”, shtoi ai.

    Rama vuri në pah se bashkëpunimi rajonal mbetet rruga e vetme për vendet që synojnë anëtarësimin në BE. Ai paralajmëroi për sfidat që sjell “ballkanizimi i Europës”, por theksoi se vendet e rajonit duhet të komunikojnë dhe bashkëpunojnë, duke përmbyllur me një mesazh shpresëdhënës.

    “Në fund të fundit, kur bota të shpërthejë, Shqipëria nuk do të ketë faj. Kur të shkojmë tek Shën Pjetri, do të na jepet vendi ynë në parajsë”, përfundoi Rama.