ATV

Category: Lajme

  • Bashkim Zeqiri bëhet Konsull Nderi i Lituanisë, hapet Konsullata në Kosovë

    Bashkim Zeqiri bëhet Konsull Nderi i Lituanisë, hapet Konsullata në Kosovë

    Bashkim Zeqiri është emëruar Konsull Nderi dhe udhëheqës i Konsullatës së Lituanisë në Kosovë.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Zeqiri përmes një postimi në profilin e tij në LinkedIn, ku ka ndarë emocionet dhe mirënjohjen për këtë detyrë të re.

    “Jam i nderuar të ndaj me ju lajmin se jam emëruar nga Shkëlqesia e Tij, Kęstutis Budrys, Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Lituanisë, si Konsull Nderi dhe Kryetar i Konsullatës së Republikës së Lituanisë në Kosovë. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Ambasadorit Eduardas Borisovas për angazhimin dhe kontributin e tij të madh në forcimin e marrëdhënieve midis Lituanisë dhe Kosovës duke iniciuar dhe promovuar hapjen e Zyrës Konsullore në Kosovë,” ka shkruar Zeqiri.

    Ai ka njoftuar gjithashtu se Konsullata e Lituanisë në Kosovë do të fillojë së shpejti me ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

    “Konsullata e Republikës së Lituanisë në Kosovë së shpejti do të fillojë të ofrojë shërbime që synojnë promovimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe arsimor midis dy vendeve tona,” ka shtuar ai.

    Ky emërim shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Lituanisë, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

  • Haradinaj në mbështetje të protestës së OVL-UÇK: Gjithmonë në përkrahje të luftës së drejtë çlirimtare

    Haradinaj në mbështetje të protestës së OVL-UÇK: Gjithmonë në përkrahje të luftës së drejtë çlirimtare

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka dalë në mbështetje të protestës së organizatave të dala nga lufta që do të mbahet me 16 nëntor në Strasburg.

    “Përjetë UÇK! Gjithmonë në përkrahje të luftës së drejtë çlirimtare!”, shkruan Haradinaj në rrjetin e tij social “Facebook”.

    Protesta do të mbahet më 16 nëntor, në ora 13:00, pranë selisë së Këshillit të Evropës, aty ku filloi padrejtësia ndaj UÇK-së dhe Kosovës.

  • Tronditet qeveria e Zelenskyyt, ministri i drejtësisë përfshihet në aferë 100 milionë dollarëshe

    Tronditet qeveria e Zelenskyyt, ministri i drejtësisë përfshihet në aferë 100 milionë dollarëshe

    Një tjetër tronditje ka përfshirë qeverinë ukrainase. Ministri i Drejtësisë, German Galushchenko, është pezulluar nga detyra pas një skandali të dyshuar për korrupsion në sektorin e energjisë, i zbuluar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO).

    Sipas agjencisë AFP, autoritetet dyshojnë se Galushchenko ka qenë i përfshirë në një skemë korrupsioni me vlerë rreth 100 milionë dollarë, e orkestruar nga Timur Mindich, një aleat i afërt i presidentit Volodymyr Zelenskyy. Ministri dyshohet se ka përfituar personalisht nga kjo aferë.

    Megjithatë, Reuters raportoi se Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar vetëm se Galushchenko është objekt i një hetimi aktiv, pa specifikuar nëse ai lidhet drejtpërdrejt me rastin e korrupsionit në energji.

    Kryeministrja Yulia Svyrydenko njoftoi në rrjetet sociale se vendimi për pezullimin e tij është marrë gjatë një seance urgjente të qeverisë, ndërsa zëvendësministrja për Integrim Evropian, Lyudmila Suhak, është ngarkuar përkohësisht me drejtimin e ministrisë.

    Vetë Galushchenko është shprehur i qetë për vendimin, duke deklaruar se “pezullimi për kohëzgjatjen e hetimit është një skenar i civilizuar dhe i përshtatshëm”.
    Ai shtoi se do të mbrojë veten në arenën ligjore dhe do të vërtetojë qëndrimin e tij.

  • Arrestohet një person për tentim vrasje në Istog, i dyshuari goditi viktimën me makinë

    Arrestohet një person për tentim vrasje në Istog, i dyshuari goditi viktimën me makinë

    Një person është arrestuar në Istog nën dyshimin për tentim vrasje dhe asgjësim të pasurisë.

    Sipas Policisë, njësitë reaguan menjëherë pas një konflikti mes dy personave, ku gjatë përleshjes janë përdorur mjete të ftohta dhe të forta.

    Si pasojë e incidentit, njëri nga të dyshuarit ka tentuar ta godasë tjetrin me veturë, duke dëmtuar tri automjete të parkuara dhe xhamat e një lokali. Personi tjetër ka pësuar lëndime trupore gjatë përleshjes.

    Pas reagimit të shpejtë të policisë, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa tjetri, i njohur për organet e rendit, gjendet ende në arrati.

  • Arrestohet një shtetas i huaj në Lipjan, dyshohet për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

    Arrestohet një shtetas i huaj në Lipjan, dyshohet për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

    Një shtetas i huaj është arrestuar në Lipjan pasditen e së martës, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

    Rasti është konfirmuar nga Policia përmes raportit të saj 24-orësh.

    Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuarit është kryer rreth orës 15:30.

    Gjatë intervenimit, njësitet policore kanë sekuestruar një telefon celular, i cili dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti janë duke vazhduar.

  • Presidentja Osmani pret në takim kryetarin e TİKA-s, theksohet rëndësia e vazhdimit të mbështetjes

    Presidentja Osmani pret në takim kryetarin e TİKA-s, theksohet rëndësia e vazhdimit të mbështetjes

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore.

    “Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

    Gjithashtu, bëhet e ditur se Osmani e ka vlerësuar Turqinë si mike e Kosovës.

    “Në këtë kontekst, Presidentja Osmani e vlerësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës, një shtet që ka qëndruar pranë popullit tonë në çdo fazë, nga periudha pas luftës e deri më sot. Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta”, thuhet më tej në komunikatë.

    Gjatë takimit bëhet e ditur sePresidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.

    Në përmbyllje, Presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje.

  • 7 persona në Angli hetohen për shfrytëzim seksual të 11 adoleshentëve, akuzohen për mbi 40 vepra penale

    7 persona në Angli hetohen për shfrytëzim seksual të 11 adoleshentëve, akuzohen për mbi 40 vepra penale

    Shtatë burra akuzohen për mbi 40 vepra penale ndërsa policia heton shfrytëzimin seksual të fëmijëve në Bristol

    Shtatë burra janë akuzuar për më shumë se 40 vepra penale që lidhen me 11 adoleshentë, si pjesë e një hetimi mbi shfrytëzimin seksual të të miturve në qytetin e Bristolit, raporton Sky News.

    Policia tha se veprat e dyshuara kanë ndodhur midis viteve 2022 dhe 2025, kur viktimat ishin në moshën e adoleshencës së mesme deri në fundin e saj.

    Të dyshuarit u arrestuan në prill të vitit 2024 dhe më pas u lanë të lirë me kusht, ndërsa vazhdoi mbledhja e provave. Ata pritet të paraqiten sot paradite në gjykatë.

    Hetimet nisën pasi në nëntor të vitit 2023 u ngritën shqetësime në lidhje me shfrytëzimin seksual të një vajze adoleshente.

    Ky zhvillim vjen ndërkohë që hetimi i qeverisë për grupet e abuzuesve seksualë ende nuk ka gjetur një drejtues që të pranohet nga të mbijetuarit.

  • Rusia e gatshme të rifillojë bisedimet me Ukrainën në Stamboll

    Rusia e gatshme të rifillojë bisedimet me Ukrainën në Stamboll

    Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet e paqes me Ukrainën në Stamboll, ka bërë të ditur të mërkurën një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Moskë, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

    Asnjë takim sy më sy nuk është zhvilluar mes dy palëve që nga ai i mbajtur më 23 korrik në qytetin turk. Agjencia TASS e ka cituar zyrtarin Alexei Polishchuk, i cili tha se zyrtarët turq kanë bërë thirrje të përsëritura për vazhdimin e bisedimeve të paqes, transmeton “Reuters”.

    “Ekipi rus është gati për këtë, topi është në fushën e Ukrainës,” tha Polishchuk.

    Ukraina e mohon akuzën e Rusisë se Kievi ka faj për ngecjen e procesit të paqes, ndërkohë që lufta po i afrohet katërvjetorit të saj.

    Në takimin e 23 korrikut, i cili kishte zgjatur vetëm 40 minuta, pala ukrainase kishte propozuar që të mbahej një takim tjetër në gusht mes dy presidentëve, Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin.

    Kremlini më pas kishte deklaruar se Putini ishte i gatshëm të takohej me Zelenskyn, por vetëm në Moskë – një kusht që u refuzua nga Ukraina.

  • Verifikohen 65% e votave, këto janë rezultatet aktuale mes Tahirit dhe Pecit

    Verifikohen 65% e votave, këto janë rezultatet aktuale mes Tahirit dhe Pecit

    Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë së Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë mes Faton Pecit të VV-së dhe Arian Tahirit të PDK-së.

    Deri më tani janë procesuar 69 vendvotime, që kanë rezultuar me këto të dhëna: Peci (51,27%) dhe Tahiri (48,73%)

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka urdhëruar të martën Komisionin Komunal Zgjedhor ta rifillojë numërimin e votave të balotazhit të 9 nëntorit në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut, që u ndërpre pas raportimeve për manipulime.

    Prokurori që do ta hetojë rastin e dyshimeve të ngritura është ndërruar, ndërsa po vazhdojnë polemikat mes akterëve të dy partive për garën në Mitrovicë.

  • Turqia konfirmon vdekjen e 20 ushtarëve pas rrëzimit të avionit në Gjeorgji

    Turqia konfirmon vdekjen e 20 ushtarëve pas rrëzimit të avionit në Gjeorgji

    Ministri i mbrojtjes i Turqisë njoftoi të mërkurën se të gjithë 20 personat në bordin e një aeroplani ushtarak mallrash që u rrëzua në Gjeorgji humbën jetën.

    Avioni C-130 ishte nisur nga Ganja, Azerbajxhan dhe po kthehej në Turqi kur u rrëzua të martën në Sighnaghi të Gjeorgjisë, pranë kufirit me Azerbajxhanin.

    Shkaku i rrëzimit po hetohet.

    Një ekip turk për hetimin e aksidenteve arriti në vendin e rrëzimit herët të mërkurën dhe po inspektonte rrënojat e aeroplanit, në koordinim me autoritetet gjeorgjiane, tha Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

    Rrënojat ishin të shpërndara në një fushë që përfshin tokë bujqësore dhe është e rrethuar nga kodra, raportoi transmetuesi privat turk NTV nga vendi i ngjarjes. Mbeturinat e avionit ishin të shpërndara në vende të shumta, tha raporti.

    “Bashkëluftëtarët tanë heroikë u martirizuan më 11 nëntor 2025, kur avioni ynë ushtarak i mallrave C-130, i cili ishte nisur nga Azerbajxhani në rrugën drejt vendit tonë, u rrëzua pranë kufirit Gjeorgji-Azerbajxhan”, tha ministri i Mbrojtjes Yasar Guler në një mesazh të postuar në X, së bashku me fotografi të personelit ushtarak që humbën jetën, raporton Associated Press.

    Të martën, Agjencia shtetërore turke Anadolu citoi autoritetin e aviacionit gjeorgjian të thoshte se kontakti me avionin u humb disa minuta pasi ai kishte hyrë në hapësirën ajrore të Gjeorgjisë. Aeroplani nuk kishte lëshuar sinjal rreziku, tha ajo.