ATV

Category: Lajme

  • Pas 26 vitesh, lufta vazhdon në ëndrra, Anton Quni rrëfen traumat psikologjike që i përjeton ende

    Pas 26 vitesh, lufta vazhdon në ëndrra, Anton Quni rrëfen traumat psikologjike që i përjeton ende

    Përgatiti Alina Krasniqi

    Edhe pse kanë kaluar më shumë se 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, plagët e saj vazhdojnë të jetojnë në kujtesën dhe shpirtin e shumë ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Anton Quni është njëri prej tyre… Ai në emisionin “LIBERO” ka rrëfyer se edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, ende nuk ka mundur të çlirohet nga plagët e saj shpirtërore.

    Quni tregoi hapur për frikën më të madhe që e shoqëroi gjatë luftës së Kosovës: të mos bie kurrë në dorë të armikut, dhe tregoi se gjatë operacioneve gjithmonë mbante një bombë si sigurim për veten, një masë paraprake për të mbrojtur jetën e tij në situata të rrezikshme. Shpesh, tha ai, se ëndrrat e tij e rikthejnë në skena ku ndjehet i kapur rob, një pasqyrë e frikës dhe traumave të përjetuara gjatë betejave.

    “…Unë shpesh e shoh në ëndërr sikur po bie në dorën e armikut. Ajo frikë ka qenë gjithmonë e pranishme gjatë luftës dhe mendoj se prej saj më kanë mbetur këto ëndrra. E kam marrë si diçka normale, sepse në atë kohë çdo gjë ka qenë e mundshme dhe ka pasur edhe raste shumë më të rënda se kaq…”, theksoi ai.

    Gjithashtu, Quni u shpreh se për të është e domosdoshme të ruhet qetësia, të ndërtohet baraspesha dhe të mos dorëzohet, duke përballuar të kaluarën pa lejuar që ajo të pengojë të ardhmen.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Anton Qunit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Dita Botërore e Diabetit, 15 mijë pacientë trajtohen çdo vit në QKUK

    Dita Botërore e Diabetit, 15 mijë pacientë trajtohen çdo vit në QKUK

    15 mijë pacientë me diabet trajtohen çdo vit në Klinikë e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), raporton Ekonomia Online.

    Kështu u tha nga Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku, gjatë shënimit të Ditës Botërore të Diabetit.

    Emini-Sadiku, theksoi se diabeti mbetet një sëmundje kronike shumë e përhapur dhe se prek persona të të gjitha moshave, duke filluar nga të porsalindurit e deri te të moshuarit.

    Ajo ka treguar se Klinika e Endokrinologjisë ofron kujdestari 24-orëshe dhe gjatë vitit hospitalizon 800 deri në 900 pacientë. Ajo bëri të ditur se prevalenca e diabetit melitus në Kosovë është 7.9 për qind, ndërsa në baza vjetore trajtohen rreth 15 mijë pacientë, me një kapacitet prej 32 mijë shtretër.

    “Diabeti është i shpërndarë gjithandej duke filluar nga të porsalindurit deri tek moshat e shtyra. Sëmundja e diabetit është një sëmundje kronike shumë e përhapur. Diabeti në botë po rritet për shkak të shtimit të obezitetit, për shkak të jetës së pashëndetshme dhe stresit. Ne në klinikën tonë funksionojmë në dy reparte: Reparti i Diabetologjisë dhe Reparti i Endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike. Në klinikë organizohen dhe mbahen kujdestaritë 24 orë përafërsisht hospitalizohen prej 800- 900 pacientë. Prevalenca e diabetit melit në Kosovë është 7.9%. Diku rreth 15 mijë pacient i kemi brenda vitit i kemi 32 mijë shtretër. Kemi numrin shumë të vogël të të vdekurve pavarësisht komplikimeve të mëdha. Ajo se çfarë është shqetësuese është problemet me sëmundjet kardiovaskulare. Mosha që më së shumti që vijnë janë prej moshës 16 vjeç të prekur me diabet. Sot na ka ardh një donacion për gleukometër”, tha ajo.

    Ndërkohë tha se Repartit të Endokrinologjisë tha se sa i përket terapisë me insulinë, pacientët janë të furnizuar mjaftueshëm dhe nuk përballen me mungesa. Megjithatë, ai theksoi se sfidë mbetet furnizimi me disa barna.

  • Një çift shqiptar gjenden të vrarë në një banesë në Brest të Francës

    Një çift shqiptar gjenden të vrarë në një banesë në Brest të Francës

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Brest në Francë, ku të enjten një çift u gjet i pajetë në banesën e tyre, sipas raportimeve të mediave franceze.

    Alarmi u dha rreth orës 16:30, kur një banor i lagjes Europe njoftoi policinë se kishte dëgjuar dy të shtëna arme në adresën 101 Rue Général-Paulet.

    Pasi mbërritën në vendngjarje, forcat e rendit gjetën trupat e çiftit shqiptar Andon Janaqi, 36 vjeç dhe Anjeza Zeneli, 30 vjeç, si edhe një pushkë gjahu pranë tyre.

    Sipas raportimeve, hetuesit po e shqyrtojnë ngjarjen si një vrasje të gruas, e ndjekur nga vetëvrasja e të dyshuarit.

    Çifti ishte prindër i dy fëmijëve. Njëri prej tyre nuk ishte kthyer ende në shtëpi pas të shtënave, ndërsa fëmija më i vogël ndodhej në shkollë në momentin kur ndodhi tragjedia.

  • Pensionet sot procesohen me rritje, Murati: Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti

    Pensionet sot procesohen me rritje, Murati: Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti

    Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, ka bërë të ditur se pensionet sot do të procesohen me rritje.

    Ndërsa ka thënë se asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse qeveria Kurti.

    Postimi i plotë i Muratit:

    Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti.

    Pensioni Bazik të cilin e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje me vlerë 150 euro/muaj. Pra 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%.

    Ngjashëm edhe Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat i gjetëm me 75 euro/muaj dhe nga sot ato bëhen 150 euro/muaj, apo 100% rritje brenda mandatit.

    Gjithashtu, kemi rritur edhe mbështetjen për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, por edhe pensionin invalidor e atë familjar.

    Qeveria për pensionistët!

  • ​Hetimet për atentatin në Rinas, zbulohet arsenal armësh në Fushë-Krujë

    ​Hetimet për atentatin në Rinas, zbulohet arsenal armësh në Fushë-Krujë

    Një arsenal armësh dhe lëndësh plasëse u zbulua sot në një banesë në fshatin Zall, Fushë-Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tracking”.

    Gjatë kontrolleve, policia njoftoi se “u gjetën në këtë banesë: 3 kallëpe tritol; 12 granata dore sulmuese; sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina); 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë; 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh; 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 2 kg e 25 gramë kanabis”.

    Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, sipas policisë është shpallur në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.

    Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.

    Operacioni “Tracking”, është ende në vijim në Krujë dhe po kryhet në kuadër hetimeve për zbardhjen e atentatit në rrethrrotullimin e Rinasit dy ditë më parë, shkruan ATSh.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

  • 50 tonë misër nga Serbia bllokohen në Elbasan, 25 tonë mund të asgjësohen

    50 tonë misër nga Serbia bllokohen në Elbasan, 25 tonë mund të asgjësohen

    Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Elbasan ka bllokuar një sasi prej 50 tonësh misër rifuxho për bagëti, e ardhur nga Serbia, pas zbatimit të urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin dhe kontrollin rigoroz të produkteve të importuara nga ky vend.

    Ky vendim është marrë për shkak të dyshimeve mbi mosrespektimin e standardeve të sigurisë ushqimore, një çështje që ka alarmuar autoritetet dhe ka vënë në fokus produktet bujqësore të importuara.

    Sasia e misrit është bllokuar në një subjekt në Elbasan, ku inspektorët e AKU-së kanë kryer verifikimet e para dhe kanë marrë mostrat për analizat laboratorike. Aktualisht, të gjitha 50 tonët janë në pritje të rezultateve, ndërsa 25 tonë nga kjo sasi pritet të asgjësohen, bazuar në dyshimet e ngritura dhe kontrollet paraprake.

    Paralelisht, AKU Elbasan ka intensifikuar kontrollet në disa subjekte të tjera në qark, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Autoriteti thekson se çdo produkt që nuk plotëson kushtet e kërkuara do të bllokohet dhe, në rast nevoje, asgjësohet.

    Institucionet po vijojnë monitorimin dhe pritet që ditët në vijim të publikohen rezultatet e analizave përfundimtare.

  • ShBA-të shpenzuan 2.6 milionë dollarë nga taksapaguesit për memorialin e Charlie Kirk

    ShBA-të shpenzuan 2.6 milionë dollarë nga taksapaguesit për memorialin e Charlie Kirk

    Memoriali madhështor i Charlie Kirk në “State Farm Stadium” në Glendale, Arizona, u shënua jo vetëm nga mijëra mbështetës, por edhe nga një operacion sigurie me kosto astronomike rreth $2.6 milionë, të cilat u morën nga taksapaguesit amerikanë.

    Sipas dokumenteve, Shërbimi Sekret i SHBA-së ka paguar kompaninë private ARCUS Group, LLC për të ruajtur perimetrin gjatë ceremonisë së 21 shtatorit. DHS e etiketoi memorialin si “ngjarje me nivel të lartë”, po aq serioze sa një “Superbowl” dhe mobilizoi deri në 800 agjentë të FBI-së, policisë federale dhe ekipeve lokale.

    Në sheshin e ngjarjes ishin emra të profilit të lartë: Donald Trump, J.D. Vance dhe Elon Musk, ndër të tjerë.  Kjo pjesëmarrje masive, megjithatë, solli radhë të gjata  dhe organizatorët u detyruan t’i drejtojnë disa pjesëmarrës te “Desert Diamond Arena” për shkak të pjesëmarrjes së jashtëzakonshme.

    Akoma më shqetësuese ishte një njeri i armatosur, që pretendonte të ishte agjent policie, e i cili u ndalua jashtë stadiumit para ceremonisë.

    Kjo shifër prej $2.6 milionësh, e paguar për siguri perimetrike, ngre pyetje serioze rreth përdorimit të fondeve publike, a është e drejtë që taksapaguesit të financojnë me bujë një event kaq polarizues politik? Dhe sa është realisht çmimi i sigurisë kur vjen puna te figura publike dhe ngjarje me ndikim nacional?

  • Arsimtari mohon akuzat për përdhosjen e flamurit kombëtar

    Arsimtari mohon akuzat për përdhosjen e flamurit kombëtar

    Mësimdhënësi i gjuhës angleze Muhamed Hajredinaj është deklaruar i pafajshëm për akuzën se hodhi në shportë të mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin në seancën e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në pyetjen e gjykatësit nëse e ndien veten fajtor, ai u përgjigj: “Absolutisht jo”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 24 prill 2025, Muhamed Hajredinaj akuzohet se më 27 nëntor 2024, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, në cilësinë e arsimtarit të gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, sapo ka hyrë në klasë dhe i përballur me pamjen dhe simbolet kombëtare shqiptare që nxënësit kishin veshur me rastin e festës së flamurit kombëtare shqiptar, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuq e zi dhe plisin, dhe përkundër kundërshtimeve të nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave.

    Aktakuza thotë se i pandehuri po ashtu ka larguar nga ora mësimore nxënësen e cila mbante këto simbole, me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga shkolla për Ditën e Flamurit. Më këto veprime, i pandehuri akuzohet se publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.

    Me këtë, Hajredinaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141, par. 4 lidhur me par. 3 të Kodit Penal.

  • Tragjike në SHBA, humbin jetën në moshë të re studiuesi shqiptar dhe e fejuara e tij

    Tragjike në SHBA, humbin jetën në moshë të re studiuesi shqiptar dhe e fejuara e tij

    Një aksident tragjik ka ndodhur në Cleveland, Ohio, më 11 nëntor, ku si pasojë kanë humbur jetën dy të rinj shqiptarë, të identifikuar si Samira Xhaferi dhe Albi Çela.

    Lajmi i rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në SHBA dhe në Shqipëri, ndërsa familjarët kanë hapur një fushatë në GoFundMe për t’i sjellë trupat e tyre në atdhe.

    Sipas inicuesve të fondit, Samira, 27 vjeçe, ishte studente e doktoraturës në Cleveland State University, e njohur për përkushtimin, inteligjencën dhe pasionin e saj për kërkimin shkencor.

    Ndërsa Albi, 30 vjeç, ishte në përfundim të studimeve në Cleveland State University Law dhe po përgatitej për provimin e jurisprudencës.

  • Aprovohen mbi 7 mijë pako me fletëvotime jashtë Kosovës dhe refuzohen mbi 2 mijë të tjera

    Aprovohen mbi 7 mijë pako me fletëvotime jashtë Kosovës dhe refuzohen mbi 2 mijë të tjera

    Më shumë se 9 mijë e 800 pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që i takojnë zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 1 komunave, janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

    Zëdhënësi i Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se jo të gjitha nga to e kanë marrë aprovimin e KQZ-së.

    Ai tregon se rreth 2 mijë e 570 janë refuzuar dhe nuk do të përfshihen në numërim, pasi në shumicën prej tyre, në 2 mijë e 500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument unik që votuesit e pranojnë nga KQZ kur të regjistrohen.

    “Deri të premten, në orën 10:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjellur në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9,800, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7,240, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,570. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi.

    Sipas tij, më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellur në Kosovë.

    Po sipas KQZ-së, në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikohen të dhënat për çdo komunë për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.