ATV

Category: Lajme

  • KFOR dhe Policia e Kosovës gjejnë 10 detonatorë në Leposaviq

    KFOR dhe Policia e Kosovës gjejnë 10 detonatorë në Leposaviq

    KFOR dhe Policia kanë dërguar në stacionin policor 10 detonatorë ndezës me fitila që i kanë gjetur afër lumit në Leposaviw.

    “ARMËMBAJTJE PA LEJE- Gnjezhdan, Leposaviq 15.11.2025-11:30. Raportohet senjësi nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë sjellë në stacion policor dhjetë (10) detonator ndezës me fitila (kabllo) të cilët i kishin gjetur në afërsi të fshatit afër lumit. Njësia e hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu është kontaktuar prokurori i shtetit i cili udhëzon që të iniciohet rasti si me lartë. Rasti është nën hetime nga njësitet kompetente.”

  • Ky është urimi i veçantë i Edi Ramës pas fitores së Kosovës ndaj Sllovenisë

    Ky është urimi i veçantë i Edi Ramës pas fitores së Kosovës ndaj Sllovenisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë një fortografi të rrallë në profilin e tij në Facebook, me shqiponjën dy krenare.

    Rama me këtë veprim ka uruar edhe fitoren e Dardanëve sonte në ndeshjen ndaj Sllovenisë.

    Screenshot

    Kosova ka siguruar për herë të parë në histori Playoff-in e kualifikimeve për Kupën e Botës pasi ka mundur Slloveninë 0-2.

  • Lladrovci nga Stadiumi: Atmosfera në Lubjanë – me lujtë!

    Lladrovci nga Stadiumi: Atmosfera në Lubjanë – me lujtë!

    Pas fitores së kombëtares së Kosovës në Slloveni, Ramiz Lladrovci ka shkruar se “Atmosfera në Lubjanë – me lujtë! Dy gola, lojë e shkëlqyer e shqiponjave tona, tifozët besnik me brohoritma UÇK, UÇK, janë mrekullia e lojës së Kombëtares tonë kundër Sllovenisë”.

    Lladrovci ka shkruar se “Po shkruhet histori e suksesit për futbollin tonë, urime futbollistë, trajner, Agim, FFK e staf teknik, gëzuar futbolldashës. Ju lumtë, vazhdojmë me fitore. Viti 2025 është vit i kampionëve!”

  • SHBA “blindon” Gjermaninë me 3.5 miliardë dollarë raketa mbrojtëse

    SHBA “blindon” Gjermaninë me 3.5 miliardë dollarë raketa mbrojtëse

    Paketa përfshin deri në 173 raketa Standard Missile 6 (SM-6) Block I dhe deri në 577 raketa Standard Missile 2 (SM-2) Block IIIC.

    Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e një pakete të madhe raketash mbrojtëse ndaj Gjermanisë, me vlerë rreth 3.5 miliardë dollarë, sipas njoftimit të Agjencisë së Sigurisë së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Pentagon.

    Agjencia ka certifikuar marrëveshjen dhe ka njoftuar Kongresin, hap i domosdoshëm për finalizimin e procesit.

    Paketa përfshin deri në 173 raketa Standard Missile 6 (SM-6) Block I dhe deri në 577 raketa Standard Missile 2 (SM-2) Block IIIC, si edhe pajisje të tjera mbështetëse.

    Sipas njoftimit, marrëveshja synon të forcojë sigurinë e një aleati kyç të NATO-s.

    “Marrëveshja do të kontribuojë në objektivat e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të SHBA-ve duke rritur sigurinë e një aleati që është forcë shtytëse e stabilitetit politik dhe progresit ekonomik në Evropë”, thuhet në deklaratë.

    Raketat SM-6 dhe SM-2 do t’i japin Gjermanisë kapacitete të integruara të mbrojtjes ajrore dhe raketore, të përshtatshme për t’u vendosur në fregatat e ardhshme të klasit F127 të pajisura me sistemin amerikan Aegis.

    Pentagoni thotë se kjo do të përmirësojë edhe ndërveprimin operativ me forcat e armatosura të SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë.

    Në shtator, SHBA miratuan shitjen e raketave ajër-ajër AIM-120D-3 ndaj Gjermanisë për 1.23 miliardë dollarë, ndërsa më herët u miratua shitja e sistemit Javelin ndaj Polonisë për 780 milionë dollarë.

  • “Me ty, gjithmonë!”, Kurti uron Kosovën pas fitores historike në Slloveni

    “Me ty, gjithmonë!”, Kurti uron Kosovën pas fitores historike në Slloveni

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar dardanët pas fitores historike në Slloveni.

    Me rezultat 0:2, Kosova siguroi Playoff-in e kualifikimeve për Kupën e Botës.

    “Ia nisëm këtë fushatë të kualifikimeve me besim. Në fazën tjetër hyjmë me vetëbesim. Sonte bëmë histori, e ëndrrën vazhdojmë ta ndjekim. Faleminderit për emocionet dhe gëzimin, Kosovë. Me ty, gjithmonë!”, shkruan Kurti në Facebook.

  • Hagë: Të hënën nis dëshminë Wesley Clark

    Hagë: Të hënën nis dëshminë Wesley Clark

    Të hënën do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Teksa po shkohet drejt fundit të dëgjimit të dëshmitarëve, mbrojtja ka kërkuar shtimin e Bislim Zyrapit në listën e dëshmitarëve.

    Këtë dëshmitar, mbrojtja e ka quajtur kyç për procedurat aktuale dhe dëshmia e tij sipas tyre mbulon pothuajse të gjithë periudhën kohore të aktakuzës e po ashtu edhe trajton çështje që janë qendrore për rastin e Prokurorisë.

    Javën që po lëmë pas, në Hagë dëshmoi Christopher Hill dhe Michaek Durkee.

    Ndërkohë, javën që po vjen do të nisë dëshminë gjenerali Wesley Clark.

    Seanca e së hënës fillon në orën 12:00. Seanca do të ketë edhe të martën, mërkurën dhe enjtën.

  • “Pata nevojë ta kem afër kur u bëra baba për herë të parë”, Altin Krasniqi rrëfen mallin për babain

    “Pata nevojë ta kem afër kur u bëra baba për herë të parë”, Altin Krasniqi rrëfen mallin për babain

    Më 4 nëntor janë bërë pesë vjet që kur ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi u paraburgos në Hagë.

    Në një intervistë, djali i tij, Altini rrëfen si ishte dita kur babai i tij u arrestua nga EULEX-i.

    “Ishte një ditë shumë e rëndë për ne. Nuk e kemi prit që në atë mënyrë, një figurë siç ka qenë babai im, një figurë që gjithmonë ka rrezatuar mirësi, të merret në atë mënyrë”, u shpreh ai.

    “ Për mua është nder dhe krenari me pasë një baba që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Pas lirisë, jetën ia kushtoi ndërtimit të institucioneve, shtetit, të së drejtës dhe tërë jeta e tij ka qenë në shërbim të qytetarëve dhe shtetit”, u shpreh tutje Krasniqi.

    Altini foli edhe për mungesën që ka për të atin, dhe për kohën kur ai kishte më së shumti nevojë për të.

    “Periudha që më së shumti kam pasur nevojë ta kem pranë vetes, ka qenë kur jam bë babë për herë të parë. Kam pas nevojë me e pasë babën këtu, me i bisedu disa gjëra, me më tregu qysh po ndjehet ai në ato çaste, me ndje atë lumturi që jam duke e ndje edhe unë, por edhe si po ndihet ai si gjysh për herë të parë”, rrëfeu Altini.

  • Mediat ruse zbulojnë: Putini lidhje sekrete me konkurrenten e konkursit të bukurisë

    Mediat ruse zbulojnë: Putini lidhje sekrete me konkurrenten e konkursit të bukurisë

    Media investigative ruse “Proekt” ka publikuar një raport të ri që përmban pretendime mbi jetën private të presidentit rus Vladimir Putin. Sipas medias, Putin, i cili në atë kohë ishte 58 vjeç, dyshohet se ka pasur një marrëdhënie me Alisa Kharceva, një pjesëmarrëse në një kalendar të përgatitur nga lëvizja rinore “Nashi”, ndërsa ajo ishte ende një nxënëse e shkollës së mesme. Kremlini nuk ka komentuar mbi këto pretendime dhe asnjë prej tyre nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

    Sipas Proekt, Kharceva u përfshi në një kalendar festiv të përgatitur për ditëlindjen e Putinit, ku ajo paraqitej me pseudonimin “Zonjusha Prill”. Burime të paidentifikuara të cituara nga media pretendojnë se pas publikimit të kalendarit, një bashkëpunëtor i Putinit – ose sipas disa zërave brenda Nashit, vetë kryeministri i atëhershëm – e ka kontaktuar të renë, duke e ftuar në rezidencën zyrtare verore në Novo-Ogaryovo.

    Raporti pretendon se vizitat e saj në rezidencë ndodhnin dy herë në muaj dhe se ato organizoheshin gjatë periudhave kur partnerja e supozuar e Putinit, Alina Kabaeva, ishte jashtë Moskës. Pretendimet nuk janë mbështetur nga dokumente zyrtare dhe Proekt nuk ka publikuar prova të drejtpërdrejta të tyre. Kharceva u shfaq më pas në televizione ruse duke folur për kalendarin dhe, sipas Proekt, u promovua deri në finalen e konkursit “Miss Rusia”, i cili transmetohej në një kanal televiziv të kontrolluar nga shteti. Media sugjeron se kjo përparësi lidhej me afërsinë e supozuar me Putinin, megjithëse as organizatorët e konkursit dhe as Kremlini nuk kanë dhënë komente.

    Raporti shton se figura të lartë të Nashit janë përpjekur të përdorin kontaktet e saj të supozuara për të fituar influencë politike, por pa sukses. Më vonë, vizitat e Kharceva-s dyshohet se kanë pushuar, ndërsa Proekt pretendon se ajo ka marrë mbështetje për hyrje në MGIMO dhe për blerjen e një apartamenti në Moskë – pretendime që ajo i ka mohuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke deklaruar se zotëron një hipotekë.

    Sipas informacionit të publikuar, sot Kharceva është bashkëpronare e një zinxhiri studiosh luksoze solariumi. Raporti i Proekt vjen në një periudhë kur gjithnjë e më shumë vëmendje po i kushtohet jetës private të presidentit rus, i cili vetë ka deklaruar se nuk lejon ndërhyrje në çështjet e tij personale dhe i ka quajtur “fantazi erotike” përpjekjet për të spekuluar mbi to. As Kremlini, as Kharceva nuk kanë komentuar publikisht mbi akuzat e reja.

  • Kryediplomati gjerman viziton Ballkanin: Çfarë pritet nga ndalesa e tij në Kosovë?

    Kryediplomati gjerman viziton Ballkanin: Çfarë pritet nga ndalesa e tij në Kosovë?

    Kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul të dielën (16.11.2025) zbret në Sarajevë për fillimin e vizitës së tij katërditore në rajon, ai hyn në një ekuilibër të brishtë. Rajonin e njeh mirë – për vite me radhë ai ka drejtuar Grupin e Ballkanit Perëndimor të CDU/CSU në Bundestag.

    Kësaj radhe Wadephul nuk udhëton si politikan specialist, por si drejtues i një ministrie, kursi i së cilës ndaj vendeve të këtij rajoni perceptohet gjithnjë e më i paqartë.

    Nga Podgorica, ku të hënën (17.11.2025) nisin bisedimet politike, vjen një kërkesë me kortezi, por e drejtpërdrejtë për orientim. Në një aktivitet të DGAP në Berlin më 13 nëntor, ministrja e Integrimit të Malit të Zi, Biljana Papovic, tha për DW se shpreson për “më shumë angazhim nga Berlini dhe më shumë qartësi se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i qeverisë gjermane”.

    Për Podgoricën, drejtimi energjik i Gjermanisë mbetet thelbësor – jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por për gjithë dinamikën e procesit të zgjerimit në BE.

    Një sinjal i rëndësishëm politik

    Në Tiranë, roli i Gjermanisë shihet ende pozitivisht. Por analistja politike Alba Cela nga AIIS paralajmëron, se mbështetja e Berlinit “nuk është aspak e vetëkuptueshme”. Barometri i fundit i BE-së tregon se vetëm 49 për qind e gjermanëve mbështesin zgjerimin. Prandaj, vizita e Wadephul për Tiranën është një sinjal politik me peshë.

    Mbështetja për BE-në në Shqipëri është ndër më të lartat në rajon: mbi 80 për qind e qytetarëve janë pro anëtarësimit. Megjithatë, eksperti i DGAP-it, Milan Nic, kujton se Shqipëria “ndodhet ende në fillimin e një rruge të vështirë”. Vendi nuk ka mbyllur ende asnjë kapitull negociues dhe, sipas tij, sfidat më të mëdha do të shfaqen në fushat themelore: çështjet e pronësisë, rregullimi dhe mjedisi. “Aty fillon dhembja e vërtetë”, thotë Nic. Po ashtu, lufta kundër korrupsionit mbetet një temë e përhershme.

    Serbia: ndalesa më delikate

    Pika më e ndjeshme e turit është Beogradi. Mbështetja për BE-në në Serbi është rreth 38 për qind, ndërsa ndikimi i Rusisë mbetet i fortë. CDU ka lidhje të ngushta politike me partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq – por Serbia është vendi më i dobët në raportin e progresit të Komisionit.

    Deputeti i Bundestagut Boris Mijatovic (Bündnis 90/Die Grünen), i cili gjendet njëkohësisht në Ballkan së bashku me kolegun e tij Anton Hofreiter, kujton zgjedhjet e vitit 2023 në Serbi. OSBE dokumentoi manipulime dhe parregullsi – Mijatovic pret që Wadephul ta ngrejë këtë çështje në Beograd.

    Ai paralajmëron edhe për një boshllëk të ri gjeopolitik: tërheqja e USAID-it nga programet e medias dhe demokracisë “krijon një problem të madh”, sepse liron më shumë hapësirë për ndikim rus.

    Po me Kosovën dhe Bosnjën?

    Kosova, shteti më i ri i Evropës, para tre vjetësh paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE. Sot vendi ndodhet në krizë politike: tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare nuk ka ende qeveri funksionale, dhe zgjedhjet e reja duken të pashmangshme. Politologia Njomza Arifi shpreson që vizita e Wadephul “të japë një sinjal ndaj krizës dhe t’i nxisë përgjegjësit të gjejnë një zgjidhje”.

    Në Sarajevë, ministri gjerman do të takohet me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinësdhe Përfaqësuesin e Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Bosnja paraqiti kërkesën për anëtarësim në dhjetor 2022.

    Mos harroni Maqedoninë e Veriut

    Mijatovic thekson, se Maqedonia e Veriut nuk duhet lënë në hije. Vendi ndryshoi emrin në vitin 2019 për të zgjidhur konfliktin me Greqinë dhe bëri reforma thelbësore. Megjithatë tani kërkohet sërish ndryshim kushtetues për të futur pakicën bullgare. Pasiguria është e madhe. “Ne e kemi ndryshuar emrin… por çfarë vjen pas kësaj?”, pyet ai. Kjo pyetje përmbledh humbjen e besimit ndaj procesit të zgjerimit.

    Shkupi është kandidat që nga viti 2005. Në 2022 nisi negociatat, por që prej atëherë ka pak lëvizje. Në kryeqytet Wadephul do të takohet me homologun e tij Timco Mucunski.

    Shpejtim apo frenim?

    Pritjet ndaj Wadephul janë të qarta: Berlini duhet të pozicionohet. Paraardhësja e tij, Annalena Baerbock, e kishte shpallur integrimin e Ballkanit Perëndimor si një nga tri prioritetet kryesore. Sot, thotë Mijatovic, dëgjohen “herë tre, herë pesë prioritete – dhe ndonjëherë Ballkani Perëndimor nuk është aty”.

    Edhe heqja e postit të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor shihet si sinjal negativ. Ky post së fundit mbahej nga Manuel Sarrazin. Qeveria aktuale e hoqi pozicionin për të ulur numrin e të dërguarve të posaçëm.

    Sipas ekspertit Nic, përgjigjja më e qartë për kursin e qeverisë gjermane do të shfaqet vetëm më vonë: “Në vitin 2026 do të shihet nëse Gjermania do ta përshpejtojë zgjerimin – apo nëse ai do të mbetet sërish viktimë e prioriteteve që konkurrojnë mes tyre.”

  • Njoftim nga Policia: Pajisjet dimërore janë detyrim ligjor deri më 15 mars

    Njoftim nga Policia: Pajisjet dimërore janë detyrim ligjor deri më 15 mars

    Të gjitha mjetet në qarkullim rrugor në Kosovë duhet t’i kenë të vendosura pajisjet dimërore, sipas rregullores në fuqi dhe që mbetet valide deri më 15 mars.

    Policia e Kosovës ka apeluar që shoferët të përgatisin automjetet për kushtet e ftohta, duke theksuar se pajisjet dimërore janë detyrim ligjor dhe domosdoshmëri për sigurinë në rrugë.

    Autoritetet kërkojnë që të gjithë shoferët të ndërrojnë gomat e automjeteve me ato dimërore, të kontrollojnë presionin e ajrit sipas rekomandimeve të prodhuesve dhe të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve të motit, të cilat këtë periudhë mund të jenë të shpeshta dhe të papritura.

    Policia gjithashtu rikujton se respektimi i këtyre masave jo vetëm që ul rrezikun e aksidenteve, por edhe shmang masat ndëshkuese për drejtuesit e automjeteve që nuk përmbushin obligimin për pajisje dimërore.