ATV

Category: Lajme

  • Dyshimet për spiunazh: Edhe dy muaj prapa grilave për Fatmir Shehollin

    Dyshimet për spiunazh: Edhe dy muaj prapa grilave për Fatmir Shehollin

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit.

    Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.

    Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe ka vendosur vazhdimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh.

    Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj Shehollit ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të “spiunazhit në vazhdimësi”.

    Hetimet për rastin janë duke vazhduar nga Prokuroria Speciale.

  • Lirimi me kusht i Thaçit, Specialja: Vendimi i takon vetëm gjyqtarit

    Lirimi me kusht i Thaçit, Specialja: Vendimi i takon vetëm gjyqtarit

    Nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim me kusht dhe ofrim të disa garancive përfshirë edhe dorëzanin prej 50 mijë euro, është thënë se vendimi i takon vetëm gjyqtarit.

    “Është gjykatësi i vetëm ai që vendos për paraburgimin në përputhje me ligjin dhe rregulloren. Gjykatësi i vetëm do të lëshojë vendim lidhur me këtë në kohën e duhur së bashku me arsyetimin për këtë vendim. Lirimi me kusht i Thaçit, Specialja: Vendimi i takon vetëm gjyqtarit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Rtv21.

    Përveç garancisë prej 50 mijë eurosh, thuhet se Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës dhe se ai do të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.

    Gjithashtu thuhet se Thaçi do të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi në media dhe, ose në rrjetet sociale, si dhe, ai nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës.

  • Deklarata skandaloze e ministres serbe, Kamberi: Do të inicioj kërkesë për shkarkimin e saj

    Deklarata skandaloze e ministres serbe, Kamberi: Do të inicioj kërkesë për shkarkimin e saj

    Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar ashpër pas deklaratës skandaloze të ministres për Pushtetin Lokal, Snežana Paunoviq.

    Ajo ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.

    Për këtë, Kamberi ka thënë se do të iniciojë shkarkimin e saj.

    “Në të kundërtën, heshtja dhe mungesa e veprimit do të kuptohen si miratim i deklaratës së saj dhe si qëndrim zyrtar i të gjithë Qeverisë.”, ka thënë Kamberi.

    Ai ka thënë se deklaratat fashiste të ministrave të qeverisë serbe tregojnë më së miri se Serbia e Millosheviqit vazhdon të mbetet e njejtë, duke kërkuar cilësuar atë si të papranueshme dhe që kërkon reagim të menjëhershëm institucional.

    “Për këtë arsye, sot, nëpërmjet një shkrese zyrtare, kam kërkuar reagim nga të gjitha ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd.”, ka shkruar Kamberi.

    Ai ka thënë se një deklaratë e tillë nuk mund të konsiderohet e izoluar.

    Sipas tij, deklarata të tilla janë rezultat i mohimit sistematik të krimeve të luftës, glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, relativizimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe revizionizmit të historisë.

    “Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarata të tilla nga përfaqësues të institucioneve shtetërore përbëjnë një burim shtesë pasigurie. Kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione.”, ka thënë Kamberi.

    Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas tij, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë.

    “Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto obligime dhe tejkalojnë çdo standard demokratik mbi të cilin bazohet Bashkimi Evropian.”, ka thënë Kamberi.

  • Aktakuzë ndaj tre personave për narkotikë dhe ryshfet, tentuan të fusnin marihuanë në Burgun e Dubravës

    Aktakuzë ndaj tre personave për narkotikë dhe ryshfet, tentuan të fusnin marihuanë në Burgun e Dubravës

    Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të identifikuar me inicialet S.D., R.R. dhe B.T., nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me narkotikët dhe korrupsionin.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri S.D., në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se ka tentuar të fusë brenda institucionit 85.61 gram marihuanë, të cilën e kishte fshehur në trup. Lënda narkotike është zbuluar gjatë një kontrolli të zyrtarëve korrektues, pas pranimit të informatave operative.

    Ndërkohë, i pandehuri R.R., i cili në kohën e ngjarjes ishte duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar futjen e substancës narkotike në burg, duke nxitur të pandehurit e tjerë ta kryenin veprën në këmbim të një shpërblimi financiar.

    Sipas aktakuzës, B.T. dyshohet se ka siguruar dhe dorëzuar marihuanën me qëllim që ajo të futej në institucionin korrektues. Ai po ashtu akuzohet se i ka ofruar 1 mijë euro zyrtarit korrektues për ta nxitur të vepronte në kundërshtim me detyrën zyrtare, duke mundësuar futjen e narkotikëve në burg.

    S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa R.R. akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre. B.T. përballet gjithashtu edhe me akuzën për “Dhënie të ryshfetit”.

    Prokuroria i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

    Për zyrtarin korrektues S.D., Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

  • Një “re cunami” gjigante godet plazhin francez me një erë të fortë të papritur duke i bërë turistët të vrapojnë për të shpëtuar jetën

    Një “re cunami” gjigante godet plazhin francez me një erë të fortë të papritur duke i bërë turistët të vrapojnë për të shpëtuar jetën

    Ky është momenti i tmerrshëm kur një ‘re gjigante cunami’ përplaset në një plazh francez, me një stuhi të papritur që i bën turistët të vrapojnë për të shpëtuar jetën.

    Kjo vjen ndërsa vendet evropiane raportuan më shumë se 10,000 vdekje gjatë valës rekord të nxehtësisë që përfshiu perëndimin e kontinentit në fund të qershorit, treguan të dhënat zyrtare, transmeton Telegrafi.

    Pamjet nga vija bregdetare në Hendaye tregojnë plazhistët që ikin me tërbim nga galerna – një fenomen meteorologjik i dhunshëm i karakterizuar nga një rënie e menjëhershme e temperaturës dhe erëra të forta veriperëndimore.

    Turistët në bregdetin bask mund të shiheshin me ankth duke kapur dërrasat e tyre të surfimit, unazat e gomës dhe peshqirët ndërsa nxitonin për në siguri.

    “Ishte si një tornado: papritmas, era u forcua, njerëzit ngriheshin dhe ikin, dhe errësohej. Kishim diell, por pastaj, menjëherë, u mbulua me re dhe u bë mjegull”, tha një grua për Franceinfo.

    “Ishte madhështore, por shumë shqetësuese. Jemi mësuar të shohim “enbata”-n (fjala lokale për stuhinë galerne) në plazh, por shkalla e kësaj ishte ndryshe nga çdo gjë që kishim parë ndonjëherë”, tha një burrë.

    Notuesit që shijonin nxehtësinë prej 38°C të dielën papritmas u përballën me çadra dielli fluturuese, stuhi rëre verbuese dhe një rënie të shpejtë të temperaturës prej 11°C në vetëm gjashtë minuta.

    I njëjti fenomen ndodhi në Biarritz, i cili sapo kishte thyer rekordin e tij të të gjitha kohërave të nxehtësisë prej 42.9°C në fund të pasdites. Brenda pak minutash, një erë e fuqishme perëndimore e detyroi temperaturën të ulte në 23°C. /Telegrafi/

  • “Tha se do ta spastronte Kosovën” – Haradinaj ministres serbe: Kosova është kapitullimi i Serbisë, jo zemra e saj

    “Tha se do ta spastronte Kosovën” – Haradinaj ministres serbe: Kosova është kapitullimi i Serbisë, jo zemra e saj

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh publikisht se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se kjo gjuhë e trashëguar nga epoka e Millosheviçit vetëm sa e rrit gatishmërinë e shqiptarëve për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e tyre.

    “Kosova kurrë nuk ka qenë zemra e Serbisë. Kosova ka qenë dhe mbetet fundi i Serbisë dhe kapitullimi i saj. Kjo gjuhë millosheviçiane vetëm sa e forcon vetëdijen tonë kombëtare si një komb i lirë dhe i gatshëm ta mbrojë këtë shtet dhe këtë liri nga mendësia gjenocidale, e cila shihet që është bartur brez pas brezi”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai e ka shkruar se “Kosova është zemra e secilit shqiptar”.

    Deklarata e ministres serbe Paunoviç ka nxitur reagime të shumta e të njëpasnjëshme nga figura të njohura politike dhe publike në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët e kanë dënuar këtë qasje si dëshmi të faktit se mendësia e viteve të ’90-ta vazhdon të jetë e pranishme në strukturat qeverisëse të Beogradit.

  • Vrasja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, ish-i dashuri pranon krimin: E shtyva nga ballkoni

    Vrasja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, ish-i dashuri pranon krimin: E shtyva nga ballkoni

    Ish-i dashuri i 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila ka pranuar se ishte ai që e vrau të miturën, duke e shtyrë nga ballkoni i banesës më 25 tetor 2024 në qytetin italian të Piacenzës, transmeton albinfo.

    Sipas mediave italiane, 17-vjeçari, i cili ishte 15 vjeç në kohën kur ndodhi ngjarja, ndryshoi dëshminë e tij gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, duke hequr dorë nga pretendimet e mëparshme për pafajësi dhe duke pranuar autorësinë e krimit.

    I mituri ishte dënuar me 17 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë vitin e kaluar. Gjatë seancës, ai u paraqit përmes një lidhjeje me video nga burgu për të mitur në Catanzaro.

    Përveç pranimit të fajësisë, 17-vjeçari kërkoi falje për veprimin e tij dhe për faktin që priti kaq gjatë për ta pranuar krimin.

    Ndërkohë, Gjykata ka urdhëruar hartimin e një raporti mbi sjelljen e tij në institucionin korrektues, pasi ndaj tij janë raportuar edhe denoncime për vepra të tjera.

    Avokati Emilio Malaspina, i cili përfaqëson nënën e Aurora Tilës, deklaroi se rrëfimi i të akuzuarit i jep fund një kapitulli të dhimbshëm, por shprehu shpresën se Gjykata e Apelit do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

    “Me rrëfimin, një rreth mbyllet. Por shpresojmë që Gjykata do të mbështesë vendimin e shkallës së parë, i cili vendosi një dënim të përshtatshëm”, tha ai.

    Seanca e radhës gjyqësore është caktuar të mbahet më 10 shtator.

  • Italia shtrëngon rregullat: Deri në 500 euro gjobë për ecjen me bikini apo rroba banje jashtë plazhit

    Italia shtrëngon rregullat: Deri në 500 euro gjobë për ecjen me bikini apo rroba banje jashtë plazhit

    Turistët që planifikojnë pushimet në Itali këtë verë duhet të kenë kujdes me veshjen jashtë plazheve. Disa komuna turistike kanë vendosur rregulla të reja që ndalojnë qarkullimin me bikini, rroba banje ose pa bluzë në rrugë dhe hapësira publike.

    Masat janë vendosur në destinacione të njohura si Cavallino Treporti, Caorle, Eraclea Mare dhe Venecia, me qëllim ruajtjen e rendit publik dhe respektimin e banorëve vendas.

    Në Cavallino Treporti, vizitorët paralajmërohen përmes tabelave se duhet të veshin rroba të përshtatshme jashtë zonave të plazhit. Ata që nuk respektojnë rregullat mund të gjobiten nga 25 deri në 500 euro.

    Autoritetet lokale theksojnë se masat nuk synojnë kufizimin e turistëve, por promovimin e respektit ndaj komuniteteve ku jetojnë banorët gjatë gjithë vitit

  • Vala e të nxehtit ekstrem godet Italinë dhe Evropën, temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C

    Vala e të nxehtit ekstrem godet Italinë dhe Evropën, temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C

    Një valë e re e të nxehtit ekstrem ka përfshirë Italinë dhe një pjesë të madhe të Evropës, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C në disa zona gjatë ditëve në vijim.

    Për të tretën herë brenda pak javësh, autoritetet italiane kanë shpallur alarm të kuq për disa qytete. Aktualisht, niveli më i lartë i rrezikut është në fuqi në Firence, Peruxhia, Breshia dhe Torino, ndërsa të mërkurën listës do t’i shtohen edhe Bolonja, Frosinone dhe Roma.

    Sipas meteorologëve, temperaturat do të luhaten nga 39°C deri në 41°C në pjesën më të madhe të Italisë qendrore dhe jugore, si edhe në Sardenjë. Në zonat e brendshme, termometri mund të shënojë deri në 45°C deri në fund të javës.

    Përveç vapës përvëluese, Italia po përballet edhe me një thatësirë të theksuar dhe mungesë të burimeve ujore. Situata paraqitet veçanërisht kritike në rajonin e Piemontes, ku autoritetet kanë ngritur alarmin për krizën e ujit.

    Temperaturat e larta po ndikojnë edhe në jetën e përditshme. Në Firence, korrierët e platformave të shpërndarjes së ushqimit kanë paralajmëruar grevë, duke kërkuar masa më të forta mbrojtëse për punën në ambiente të hapura gjatë orëve me temperatura ekstreme.

    Ndërkohë, vala e të nxehtit po prek edhe pjesën tjetër të Evropës. Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat mbi 30°C po favorizojnë përhapjen e zjarreve, ndërsa në Francë flakët kanë përfshirë një pjesë të madhe të pyllit Fontainebleau. Në Gjermani, autoritetet raportojnë rritje të rasteve të mbytjeve, me 99 viktima të regjistruara vetëm gjatë muajit qershor, shkruan Euronews.al.

    Autoritetet në disa vende evropiane u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të shtuar për grupet më të rrezikuara, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

  • Yamal, Ronaldo, Messi – kaq njerëz janë me këta emra në Kosovë

    Yamal, Ronaldo, Messi – kaq njerëz janë me këta emra në Kosovë

    Kampionati Botëror zgjon interesim të veçantë thuajse tek të gjithë.

    Madje për disa prindër, emrat e yjeve të futbollit mund të jenë edhe inspirim për vendosjen e emrave për fëmijet e tyre.

    E duket se kjo po ndodh edhe në Kosovë, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikës.
    Një numër i fëmijëve në vendin tonë bartin emrat e futbollistëve më në zë si: Ronaldo, Romario, Neymar, Henry, Zidan, Messi etj.

    Jamal – 47
    Ronaldo – 12
    Messi – 2
    Kylian – 2
    Salah – 5
    Beckham – 2
    Henry – 2
    Zidan -2
    Romario -2
    Fernades – 1
    Gerard – 1
    Neymar -1.