ATV

Category: Lajme

  • Ish-kryeministrja e Bangladeshit, dënohet me vdekje

    Ish-kryeministrja e Bangladeshit, dënohet me vdekje

    Një gjykatë speciale e Krimeve Ndërkombëtare në Bangladeshi ka dënuar me vdekje ish-kryeministren Sheikh Hasina, duke e shpallur fajtorë për krime kundër njerëzimit lidhur me shtypjen e dhunshme të protestave studentore vitin e kaluar.

    Trupi gjykues prej tre anëtarësh deklaroi se Hasina kishte inkurajuar dhe urdhëruar vrasje ndaj protestuesve, duke mos marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj përfshirësve. Gjykata theksoi se ish-kryeministrja kishte urdhëruar përdorimin e helikopterëve, dronëve dhe armëve të rënda për të shtypur demonstratat.

    “Është e qartë se ajo urdhëroi dhe inkurajoi eliminimin e protestuesve,” deklaroi një nga gjyqtarët gjatë leximit të vendimit.

    Demonstratat filluan si protesta studentore për pozicionet në shërbimin civil, por shndërruan në një lëvizje masive për dorëheqjen e qeverisë Hasina. Raportohet se gjatë përleshjeve u vranë deri në 1,400 persona, ndërsa rreth 25,000 të tjerë u lënduan, sipas të dhënave të zyrës së të drejtave të njeriut të OKB-së.

    Hasina, e cila mohon të gjitha akuzat, ndodhet aktualisht në vetë-ekzil në Nju Delhi që nga gushti i vitit të kaluar. Avokatët e saj kanë apeluar vendimin në organet ndërkombëtare, duke ngritur shqetësime mbi mungesën e garancive për një gjyq të drejtë.

    Qeveria e përkohshme e Bangladeshit ka kërkuar ekstradimin e saj nga India, por autoritetet indiane ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare. Vendimi pritet të përshkallëzojë tensionet politike para zgjedhjeve kombëtare të parashikuara për shkurt të vitit të ardhshëm.

  • Gjashtë persona zyrtarë në Suharekë akuzohen se i shkaktuan buxhetit të Kosovës dëm më shumë se 24 mijë euro

    Gjashtë persona zyrtarë në Suharekë akuzohen se i shkaktuan buxhetit të Kosovës dëm më shumë se 24 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët si persona zyrtarë, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe njëri prej tyre edhe për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

    Sipas aktakuzës “me datë 14.07.2019, në Suharekë, të pandehurit B.K., M.B., E.Sh., A.E., dhe B.N., dhe Z.T., në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të mundësojnë përfitim të dobie për tjetrin dhe shkaktojnë dëm buxhetit, në atë mënyrë i pandehuri B.K., menaxher i kontratës së nënshkruar ndërmjet Komunës së Suharekës dhe operatorit ekonomik “G.” Sh.P.K lidhur me asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Ngucat, ka marrë pjesë në përpilimin e raportit, në të cilin janë paraqitur të dhëna të pasakta lidhur me përshkrimin urës metalike. I pandehuri M.B., zyrtar i prokurimit, ka nënshkruar kontratën ku ishte paraparë ndërtimi i urës metalike, për të cilën ishte realizuar pagesa, edhe pse një urë e tillë nuk ishte ndërtuar. I pandehuri E.Sh., drejtor i shërbimeve publike dhe përfaqësues i njësisë së kërkesës, nuk i ka kryer detyrimet e tij lidhur me përgatitjen e detyrës projektuese, specifikimeve teknike si dhe para masës dhe para llogarisë, duke lejuar nënshkrimin e kontratës me mospërputhje ndërmjet dokumenteve projektuese. I pandehuri A.E., në cilësi të hartuesit të projektit, ka përgatitur para masën dhe para llogarinë projektuese në mënyrë të pasaktë, ku ka qenë i paraparë ndërtimi i urës metalike ndërsa nuk ishte i paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa në projekt ishte e kundërta, ishte paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa nuk ishte paraparë fare ndërtimi i urës metalike. Ndërsa, i pandehuri B.N., monitorues i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe i pandehuri Z.T., mbikëqyrës i përzgjedhur përmes tenderit, kanë nënshkruar raportin dhe kanë përgatitur certifikatën e pagesës, edhe pse ura metalike e paraparë nuk ishte ndërtuar”.

    Ata akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej 24 mijë e 308 euro.

    “ Ndërkaq, i pandehuri A.M., në cilësinë e përfaqësuesit të grupit të operatorit ekonomik të lartcekur, ka vepruar në kundërshtim me procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, ka paraqitur raportin në të cilin kishte deklaruar si të kryera punimet për ndërtimin e urës metalike, në vlerë prej 24,308.00 €, edhe pse ura metalike nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së. “

  • IHMK paralajmëron vërshime në Kosovë, shkak reshjet e shiut në dy ditët e ardhshme

    IHMK paralajmëron vërshime në Kosovë, shkak reshjet e shiut në dy ditët e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se të martën dhe të mërkurën parashikohen reshje shiu, të cilat mund të shkaktojnë vërshime në disa zona të vendit.

    Sipas IHMK-së, reshjet pritet të nisin të martën mbrëma, fillimisht në pjesën perëndimore, e më pas të shtrihen gradualisht në gjithë territorin e Kosovës.

    Në njoftim theksohet se reshjet do të kenë intensitet mesatar, ndërsa në disa vende edhe më të lartë.

    “Bazuar në të dhënat, modelet dhe vëzhgimet e përgjithshme hidrometeorologjike në vend dhe rajon, parashihet që më 18–19 nëntor 2025 të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona do të shfaqen me intensitet të lartë”, thuhet në komunikatën e Institutit.

    Sipas njoftimit, zonat e kullimit që pritet të preken nga rritja e menjëhershme e prurjeve janë: rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit si dhe disa rrjedha me karakter malor.

  • Të enjtën, shqiptarët në protestë kundër helmimit dhe abuzimit me kafshët

    Të enjtën, shqiptarët në protestë kundër helmimit dhe abuzimit me kafshët

    Të enjten, më 20 nëntor, qytetarët nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen në Sheshin Skënderbej për një protestë paqësore, por vendimtare, kundër mizorive të kryera ndaj kafshëve endacake.

    Aktivistë, vullnetarë dhe qytetarë të thjeshtë i bëjnë thirrje publikut të bashkohet për të kërkuar hetim, transparencë dhe ndalimin e praktikave çnjerëzore që prej vitesh kryhen ndaj qenve të rrugës, shpesh me fonde publike dhe pa asnjë përgjegjësi ligjore. Protesta synon të ngrejë zërin për qindra raste të helmimeve, zhdukjeve dhe abuzimeve, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet shqiptare dhe vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë.

    Kjo është një thirrje kombëtare për drejtësi dhe llogaridhënie. Protestuesit kërkojnë ndalimin e mekanizmave të eliminimit të qenve endacakë, hetim të thelluar nga SPAK mbi përdorimin e fondeve bashkiake, dënime reale për abuzuesit dhe transparencë të plotë në strehat veterinare. Demonstrata nis në 11:00 AM, në Sheshin Skënderbej, dhe organizatorët ftojnë të gjithë të marrin pjesë, sepse vetëm duke ngritur zërin sot mund të ndalet dhuna sistematike ndaj kafshëve nesër.

    Njoftimi:

    Bashkohu në protestë! Behu zëri i tyre
    Shpërndajeni masivisht dhe sigurohuni të jeni aty. Nëse nuk ngremë zërin sot, mizoritë do të vazhdojnë nesër. Ju mirëpresim nga e gjithe Shqiperia.

    Kërkojmë drejtësi për kafshët e pambrojtura!

    E enjte, 20 Nëntor 2025
    11:00 AM
    Sheshi Skënderbej, Tiranë

    Kërkesat tona:
    1. Ndalimi i menjëhershëm i helmimeve dhe çdo forme tjetër të zhdukjes së qenve endacakë në gjithë Shqipërinë.
    2. Ndjekje penale dhe largim i menjëhershëm nga detyra për çdo person apo punonjës shtetëror që abuzon me detyrën dhe kryen krime ndaj kafshëve.
    3. Hetim nga SPAK për fondet që bashkitë perdorin për qentë endacakë dhe transparencë se ku përfundojnë. Hetim per numrin e qenve qe marrin ne Strehezat Veterinare dhe ku perfundojne ata.
    4. Përfshirja e strukturave të BE-së për forcimin e bazës ligjore dhe zbatimin real të dënimeve jo vetëm ligje vetem në letër.
    5. Angazhimi i organizatave dhe ambasadave të huaja në mbështetje të kauzës sonë.
    6. Akses i përditshëm për vullnetarët në Strehën Veterinare Tiranë dhe në çdo zonë ku mbahen qentë.

  • SHBA shton trupat në Karaibe, Trump: Mund të kemi diskutime

    SHBA shton trupat në Karaibe, Trump: Mund të kemi diskutime

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka sinjalizuar për bisedime të mundshme me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, mes tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Karakasit, ndërsa SHBA-të vazhdojnë të rrisin praninë e tyre ushtarake pranë vendit të Amerikës së Jugut.

    “Mund të kemi disa diskutime me Maduron dhe do të shohim se si do të rezultojë kjo. Ata do të donin të flisnin”, tha Trump.

    “Venezuela do të donte të fliste. Çfarë do të thotë kjo? Më tregoni ju. Nuk e di”, shtoi ai.

    “Unë flas me këdo. Unë flas me ju, apo jo? Unë flas me këdo. Do të shohim çfarë do të ndodhë.”

    Kjo vjen në një kohë kur SHBA-të kanë kryer një seri sulmesh kundër anijeve të dyshuara për transportimin e drogës.

    Të shtunën, administrata Trump njoftoi sulmin e saj të fundit vdekjeprurës në ujërat ndërkombëtare të Oqeanit Paqësor lindor.

    Katër persona u vranë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve të vrarë në “Operacionin Shtiza Jugore” në 80.

    Në një deklaratë, Marina Amerikane njoftoi gjithashtu mbërritjen e aeroplanmbajtëses më të përparuar të vendit, USS Gerald R. Ford, si dhe anijeve të tjera në Karaibe.

    SHBA-të kishin vendosur tashmë tetë anije luftarake, një nëndetëse me energji bërthamore dhe një aeroplan luftarak F-35 në rajon më parë.

    Mbërritja e anijes Ford shënon grumbullimin më të madh të fuqisë së zjarrit të SHBA-së në rajon prej brezash.

    Vendosja e saj e sjell “Operacionin Shtiza Jugore” në gati një duzinë anijesh të Marinës dhe afërsisht 12,000 marinarë dhe marinsat.

  • Pal Lekaj dhe të tjerët sot para gjykatës për “53 milionëshin”

    Pal Lekaj dhe të tjerët sot para gjykatës për “53 milionëshin”

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca e radhës e rigjykimit në rastin e njohur si “53-milionëshi” ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arben Xhaferi”.

    Gjykimi fillestar i këtij rasti ishte shtyrë pasi i akuzuari, Pal Lekaj, ishte shprehur se nuk e ka pranuar aktakuzën dhe për këtë nuk qe i gatshëm të deklarohet rreth saj.

    Lekaj u shpreh se sa i përket provave i kishte marrë, mirëpo sa i përket aktakuzës atë nuk e ka marrë

    Pasi gjykata e pajisi Lekajn me aktakuzë, u pyet se a ka pasur mundësi ta lexojë atë, e ai u përgjigj se për këtë i duhen 10 ditë kohë.

    “Nuk më ka mjaftuar koha, se koha shumë e shkurtë. Unë e potencova brenda 10 ditë kohë që ta kuptojë aktakuzën dhe të kem konsultime me avokatin. Sot nuk mund të deklarohem lidhur me fajësinë se nuk jam i gatshëm të deklarohem”, ishte shprehur Lekaj.

    “Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër”.

    Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

  • Policia e Kosovës demanton mediat serbe për të shtënat “ndaj ushtarëve serbë”: Dezinformata!

    Policia e Kosovës demanton mediat serbe për të shtënat “ndaj ushtarëve serbë”: Dezinformata!

    Policia e Kosovës ka deklaruar se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar me armë zjarri drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”, janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar.

    Sipas njoftimit të organeve të rendit, këto pretendime nuk janë ngjarje e verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës.

    Policia thotë se në bazë të të gjitha të dhënave operative, raportimeve nga njësite policore në terren dhe koordinimit me institucionet tjera kompetente, nuk është regjistruar asnjë incident i karakterit të pretenduar.

    “Publikimi i informacioneve të tilla të pasakta kontribuon në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare”.

    “Policia e Kosovës siguron qytetarët dhe opinonin publik se situata në zonën kufitare ka qenë dhe vazhdon të mbetet e qetë dhe plotësisht nën kontroll të autoriteteve”, thuhet në njoftim.

  • Zyra e presidentes i nis procedurat për ndërtimin e objektit presidencial

    Zyra e presidentes i nis procedurat për ndërtimin e objektit presidencial

    Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapin e parë drejt ndërtimit të objektit të ri të Presidencës, duke publikuar njoftimin për vendimin e autoritetit kontraktues mbi procedurën e “Hartimit të planit të fizibilitetit”.

    Tashmë është shpallur fituesi i këtij projekti e që është Grupi Operativ Ekonomik i përbërë nga “FST Engineering SH.P.K; AL Engineering SH.P.K; GJEO-PROJEKT SH.P.K”, me ofertën më të ulët ekonomike prej 13,924.00 euro.

    Ky është hapi i parë zyrtar që shënon nisjen formale të procesit, duke i hapur rrugën hartimit të planit të fizibilitetit dhe më pas nismës së projekteve për ndërtimin e objektit të ri të Presidencës së Republikës së Kosovës.

    Ndryshe shpesh është përfol që presidenca të ketë një objekt të veçantë, por që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, institucionet e Kosovës nuk kanë pasur një objekt të ndërtuar posaçërisht për Presidentin e vendit.

  • Për nëntë muaj linden mbi 20 mijë fëmijë

    Për nëntë muaj linden mbi 20 mijë fëmijë

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë periudhës janar–shtator 2025 në vend kanë lindur gjithsej 20 mijë e 940 foshnje.

    Nga gjithsej 20 940 lindje, 10 876 ishin meshkuj, ndërsa 10 064 femra. Të dhënat e ASK-së tregojnë se korriku mbetet muaji me numrin më të lartë të lindjeve, ndërsa periudha shkurt–mars shënon shifrat më të ulëta.

    Statistikat tregojnë një shpërndarje të balancuar gjinore, me një epërsi të lehtë të lindjeve të meshkujve.

    Në bazë të raportit, lindjet sipas muajve paraqiten kështu:

    Janar 2 213 lindje

    Shkurt 1 955 lindje

    Mars 2 061 lindje

    Prill 2 113 lindje

    Maj 2 364 lindje

    Qershor 2 544 lindje

    Korrik 2 664 lindje

    Gusht 2 516 lindje

    Shtator 2 510 lindje

  • Osmani sqaron deklaratën: 900 “bandat” i referoheshin rasteve penale

    Osmani sqaron deklaratën: 900 “bandat” i referoheshin rasteve penale

    Lidhur me deklaratën e presidentes Vjosa Osmani në “Politico”, për shkatërrimin e 900 bandave në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit, këshilltari i saj i medias, Bekim Kupina ka dhënë një sqarim.

    Ai thotë se përgjigja e presidentes nuk kishte të bënte me banda, por me rastet që kanë ndodhur në vendin tonë.

    Tutje, Kupina tha se Osmani asnjëherë nuk e ka paraqitur Kosovën si një vend të krimit.

    “Ne fakt, është menduar për raste e jo për numër bandash. Siç e dini, disa banda serbe të veriut kanë qenë të involvuara në qindra raste të veprave penale”, thuhet në përgjigjen e tij.

    “Në asnjë moment Presidentja nuk e ka paraqitur Kosovën si vend të krimit, por si vend të rendit e ligjit dhe si vend ku respektohen në vazhdimësi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”.