ATV

Category: Lajme

  • Largohen arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit

    Largohen arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se disa arinj që ishin paraqitur ditëve të fundit në fshatin Bellobrad të Dragashit tashmë janë larguar.

    Siç bëhet e ditur në njoftim arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara.

    “Pas pranimit të një ankese dhe kërkese për intervenim nga drejtori i shkollës së fshatit, policia ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme. Policia, konkretisht Stacioni Policor në Dragash, fillimisht ka shtuar patrullimet policore në zonën e fshatit Bellobrad dhe ka njoftuar për bashkërendim institucionet përgjegjëse:- Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, – Drejtorin e Parkut Kombëtar “Sharri”, – Drejtorin Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe- Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi. Nga Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” është konfirmuar se aksioni për largimin e arinjve është përfunduar me sukses. Arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara. Policia informon edhe njëherë banorët e fshatit Bellobrad dhe rrethin se arinjtë janë larguar dhe zona është e sigurt për qytetarët”, thuhet në njoftim.

  • Fitoi betejën ligjore ndaj ZRRE-së, vjen reagimi i OEK-ut

    Fitoi betejën ligjore ndaj ZRRE-së, vjen reagimi i OEK-ut

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme se ka arritur një fitore të rëndësishme ligjore, me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe transparencën e tregut të energjisë elektrike në vend.

    Sipas OEK, me aktgjykimin P.A.nr.18/2025, të datës 05.11.2025, Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e OEK-ut dhe ka konstatuar si të paligjshëm disa dispozita kyçe të akteve nënligjore të nxjerra nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    “Gjykata Supreme ka vendosur të shfuqizojë Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të datës 18 janar 2017, si dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi, i ndryshuar dhe plotësuar në datat 13 qershor 2018 dhe 30 tetor 2018.Ky vendim përfaqëson një hap thelbësor drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë. Ai njëkohësisht adreson shqetësimet e ngritura nga OEK lidhur me faturimin e muajit qershor 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025. Oda Ekonomike e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të biznesit kosovar”, thuhet në reagim.

    OEK theskon se do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Supreme dhe të angazhohet në procesin e hartimit të rregulloreve të reja që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë në përputhje me ligjin.

  • FSK: Plagosja e ushtarit në Prishtinë ndodhi aksidentalisht, arma nuk ishte zyrtare

    FSK: Plagosja e ushtarit në Prishtinë ndodhi aksidentalisht, arma nuk ishte zyrtare

    Forca e Sigurisë së Kosovës, ka bërë të ditur se plagosja me armë zjarri e një pjesëtari të saj të dielën në Prishtinë ka ndodhur aksidentalisht.

    Nënkoloneli Vëllazërim Qerimi, shef i sektorit për informim publik në FSK, ka thënë për teve1.info se rasti ka ndodhur jashtë ambienteve të FSK-së.

    Ai ka bërë të ditur se arma e përdorur nuk ka qenë zyrtare e FSK-së

    Në këtë rast janë përfshirë dy ushtarë të FSK-së.

    “Ju njoftojmë që rasti ka ndodhur aksidentalisht jashtë ambienteve të FSK-së, arma e përdorur nuk është zyrtare e FSK-së dhe momentalisht rasti është në procedurë të hetimit”, ka thënë Qerimi.

    Policia e Kosovës të dielën ka njoftuar për një plagosje me armë zjarri në fshatin Sharban të Prishtinës.

  • Gjykata Supreme shpallë të paligjshme dhe shfuqizon nene për liberalizimin e tregut të energjisë

    Gjykata Supreme shpallë të paligjshme dhe shfuqizon nene për liberalizimin e tregut të energjisë

    Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, duke aprovuar kështu kërkesëpadinë e Odës Ekonomike e Kosovës, kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Supremja, në komunikatën e saj ka konstatuar se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike.

    Komunikata:

    Në mbrojtje të konsumatorëve, Gjykata Supreme shpallë të paligjshme dhe shfuqizon nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike

    Prishtinë, 17 nëntor 2025 – Kolegji i Gjykatës Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses: Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e paraqitur kundër të paditurës: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017.

    Ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.

    Në dritën e argumenteve të parashtruara dhe provave të administruara në shqyrtim gjyqësor, Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.

    Gjykata Supreme kishte parasysh se, Kosova, që nga viti 2005 është palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, përmes të cilit ajo merr përsipër detyrimin për zbatimin e “Acquis communautaire” të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë elektrike, që detyron në mënyrë të veçantë zbatimin e Direktivave dhe Rregulloreve për Energji të Bashkimit Evropian. Për Kosovën, kjo do të thotë se institucionet shtetërore, janë të detyruara të harmonizojnë legjislacionin energjetik dhe rregullues me detyrimet që dalin nga traktati, të cilat janë ligjërisht të detyrueshme për Palët Kontraktuese.

    Gjykata thekson se parimi i “efektit të konsumuar” (actus consumatus) nuk mund të interpretohet në mënyrë që të përjashtojë nga kontrolli gjyqësor aktet nënligjore që vazhdojnë të prodhojnë efekte faktike dhe juridike, për shkak se një interpretim i tillë do të cenonte të drejtën për mjet juridik efektiv, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

    Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se mospërputhja e dispozitave kontestuese të udhëzuesve të ZRRE-së, e kombinuar me interpretimet e neneve 3 dhe 37 të Ligjit Nr.05/L-084 për Energjinë Elektrike, në raport me Direktivën 2009/72/CE, ka rezultuar në një situatë juridike të paqëndrueshme, ku kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme.

    Gjykata, dispozitat e ligjit i interpretoi në favor të mbrojtjes së konsumatorëve dhe në frymën e direktivës së 2009/72/CE, e cila në formulimin e saj i referohet plotësimit të dy kritereve në mënyrë kumulative, si dhe mos përmbushjes së detyrimeve për hapjen efektive të tregut, konstaton se dispozitat e kontestuara të udhëzuesve të lartcekur, kanë prodhuar pasiguri juridike për konsumatorët, andaj të njëjtat shpallen të paligjshme dhe shfuqizohen.

  • Të mërkurën i mbaron afati Konjufcës, Osmani: Kam pasur shpresë që seanca do të ftohet më herët

    Të mërkurën i mbaron afati Konjufcës, Osmani: Kam pasur shpresë që seanca do të ftohet më herët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim për gazetarë, ka folur për seancën për formimin e qeverisë. Ajo ka thënë se do të ftohet me kohë dhe do të respektohen afatet kushtetuese.

    “Siç e dini ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që ajo do të ftohet me kohë qe të respektohen afatet kushtetuese për formimin e qeverisë, kurse në anën tjetër nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati, dhe pastaj është në duart e deputetëve dhe partive se çka diskutojnë, këto janë procese në të cilat s’kam ndërhyrë më parë e nuk mund të ndërhyj as tash”, tha ajo.

    Osmani shtoi se ka pasur shpresë që seanca do të ftohet më herët.

    “Sa i përket ftesës ka qenë optimizëm i imi, si duket të tjetër nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Kam pasur shpresë që do të ftohet më herët, bazuar në bisedat që kemi pasur”, tha ajo.

    Ajo shtoi se pritet të shihet se cka do të ndodhë të mërkurën.

  • Brukseli jep sinjalin më të fortë deri tani: Shqipëria në shteg të qartë drejt anëtarësimit në BE

    Brukseli jep sinjalin më të fortë deri tani: Shqipëria në shteg të qartë drejt anëtarësimit në BE

    Institucionet evropiane kanë dhënë të hënën e 17 nëntorit një vlerësim të bashkuar dhe të prerë mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke e cilësuar hapjen e grupkapitullit të fundit si një moment që e pozicionon vendin në fazën më të avancuar të negociatave deri më tani.

    Brukseli e konsideron këtë arritje si rezultat të një ritmi të konsoliduar reformash dhe një përkushtimi të palëkundur institucional.

    “Shqipëria ka bërë një përpjekje të fortë për reformat e harmonizimit me Bashkimin Evropian… kjo shpejtësi rekord është njohje e punës së madhe drejt së ardhmes evropiane”, theksoi ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.

    Zyrtarja daneze nënvizoi se avancimi në negociata nuk është thjesht procedural, por një tregues i qartë i gatishmërisë së vendit për të përqafuar standardet evropiane në mënyrë tërësore.

    Sipas saj, dinamika e deritanishme përbën bazën më të fortë të Shqipërisë për të hyrë në kapitullin vendimtar të procesit.

    “Nëse Shqipëria vazhdon me të njëjtin ritëm, fokus dhe cilësi, jam e sigurt që anëtarësimi do të arrihet në një të ardhme shumë të afërt… Shqipëria i përket familjes evropiane”, shtoi Bjerre, duke e lidhur ecurinë me prioritetin e hapur të Presidencës daneze për zgjerimin.

    Nga ana e saj, Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, theksoi dimensionin strategjik të këtij hapi për Bashkimin Evropian, duke e konsideruar përparimin e Shqipërisë si një shembull të prekshëm të transformimeve që prodhon procesi i zgjerimit. Ajo nënvizoi se përfshirja e plotë ekonomike e vendit në tregun e përbashkët europian po bëhet çdo ditë e më konkrete.

    “Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE-në… Reformat po sjellin ndryshime reale në sistemin ekonomik shqiptar, duke e bërë atë vërtet evropian”, deklaroi Kos.

    Komisionerja nënvizoi gjithashtu se suksesi në hapjen e grupkapitujve është vetëm gjysma e rrugëtimit, ndërsa theksi tashmë zhvendoset tek përmbushja e piketave dhe mbyllja substanciale e kapitujve, që konsiderohet objektivi real politik.

    Ajo përmendi mbështetjen masive të qytetarëve shqiptarë si një faktor unik në gjithë rajonin.

    “Çelja e grupkapitujve është një sukses i jashtëzakonshëm, por mbyllja e tyre është çmimi real… Me më shumë se 95 për qind mbështetje publike për integrimin, Shqipëria është e pozicionuar fort për hapin final”, theksoi Kos, duke konfirmuar angazhimin e Komisionit për të mbështetur vendin deri në anëtarësim.

  • “Çmontuan mbi 900 banda”, Osmani sqarohet për deklaratën: Ka qenë një gabim i paqëllimshëm

    “Çmontuan mbi 900 banda”, Osmani sqarohet për deklaratën: Ka qenë një gabim i paqëllimshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sërish ka dhënë një sqarim për deklaratën se “çmontuan 900 banda kriminale për pesë vjet”, gjë për të cilën ajo tha se u bë pa qëllim, ndërsa theksoi se bëhej fjalë për rastet e bandave kriminale që kanë qenë të involvuara në qindra raste.

    Para gazetarëve, Osmani theksoi se nga këto raste, 93 janë vetëm ndaj ushtarëve të KFOR-it.

    “Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si edhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it. Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as “Politico” nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”,tha Osmani për media.

  • Qendra Korrektuese në Dubravë bëhet me furrë buke, tenderi mijëra euro (Dokument)

    Qendra Korrektuese në Dubravë bëhet me furrë buke, tenderi mijëra euro (Dokument)

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ditë më parë ka arritur të finalizojë tenderin e radhës me kontratë.

    Këtë herë, është finalizuar tenderi për furnizim me furrë buke dhe pjesë përcjellëse për Qendrën Korrektuese në Dubravë.

    Vlera e kontratës fillimisht ka qenë 85 mijë euro, derisa për të njëjtin tender kanë aplikuar 3 ofertues.

    Tenderi në fjalë i është besuar operatorik ekonomik “Osa Termosistem”, me shumën prej 79, 956,93 euro.

    “ Operatori ekonomik në çmim duhet te llogarisë edhe mirëmbajtjen për 2 vjet. Pas pranimit teknik operatori ekonomik duhet të ofrojë garanci nga ndonje bankë apo kompani e sigurimeve 10% e vlerës se kontratës për 24 muaj”, thuhet mes tjerash në njoftim, ku precizohen kriteret e kërkuara.

    Furnizimi me furrë buke në Dubravë, pritet të ndikojë në përmisimin e kushteve dhe rehabilitimin e të burgosurve në këtë qendër korrektuese.

  • Shtyhet seanca për Metën, shkak mungesa e avokatit

    Shtyhet seanca për Metën, shkak mungesa e avokatit

    Seanca paraprake për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe të pandehurit e tjerë është shtyrë për më 27 nëntor në orën 12:30.

    Shtyrja u bë për shkak të mungesës së avokatit Kujtim Cakrani, i cili ndodhej në një proces tjetër gjyqësor në Lezhë.

    Ndaj Ilir Metës dhe Fatime Kryemadhit rëndojnë akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë, ndërsa Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion të funksionarëve të lartë në bashkëpunim.

    Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku përballen gjithashtu me akuzën për pastrim parash.

    Ilir Meta vazhdon të qëndrojë në burg që nga tetori i vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

    Meta ndodhet në paraburgim që prej datës 21 tetor 2024.

    Por mbrojtja e tij argumenton se janë shkelur afatet procedurale.

    Sipas tyre, Prokuroria e Posaçme SPAK nuk ka paraqitur njoftimet periodike dy mujore, të parashikuara nga ligji për vazhdimin e masës së sigurisë.

    Avokatët kërkojnë që kjo situatë të konsiderohet si shkak për zëvendësimin e masës me një formë më të lehtë sigurimi, siç mund të jetë “arresti shtëpiak” apo “detyrimi për paraqitje”.

    Në seancën e mëparshme, prokuroria paraqiti një material prej 31 faqesh, duke argumentuar se disponon fakte dhe prova që mbështesin qëndrimin për vijimin e masës “arrest me burg”.

    Por edhe kjo është kundërshtuar nga mbrojtja, e cila e konsideron dokumentin të papërshtatshëm për të justifikuar qëndrimin e Metës në burg.

  • Gërvalla udhëton për në Itali

    Gërvalla udhëton për në Itali

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të hënën ka udhëtuar për në Romë, ku do të marr pjesë në Konferencën e parë Ndërkombëtare të Italofonisë, me ftesë zyrtare të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

    Kjo konferencë, e para e këtij formati, organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë në bashkëpunim me Shoqatën “Dante Alighieri” dhe synon të promovojë gjuhën italiane si mjet komunikimi dhe bashkëpunimi kulturor ndërmjet popujve e vendeve të ndryshme.

    “Në qendër të konferencës do të jenë temat e forcimit të identitetit të përbashkët, dialogut ndërkulturor, paqes, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë kulturore. Italofonia do të prezantohet si platformë për zhvillim dhe rritje ekonomike, duke forcuar marrëdhëniet mes shoqërive civile, institucioneve dhe bashkësive që flasin gjuhën italiane anembanë botës”, thuhet në komunikatë për media.

    Gjatë qëndrimit në Romë, ajo do të theksojë rolin e mërgatës shqiptare në Itali si një urë të rëndësishme kulturore dhe gjuhësore, që forcon dita-ditës bashkëpunimin dypalësh si dhe atë rajonal.