ATV

Category: Lajme

  • Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Leposaviq, sekuestrohen mallra me vlerë rreth 7 mijë euro

    Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Leposaviq, sekuestrohen mallra me vlerë rreth 7 mijë euro

    Një automjet i ngarkuar me mallra kontrabandë është ndaluar dje pasdite në fshatin Junake të Leposaviqit.

    Njësitet e Doganës dhe Policisë kanë intervenuar pas identifikimit të veturës, e cila kishte shfrytëzuar rrugët e paautorizuara të vijës së gjelbër për të hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

    Gjatë kontrollit të detajuar fizik, brenda automjetit janë zbuluar rreth 600 kilogramë djathë, sasi të konsiderueshme tekstili dhe medikamente të ndryshme. Sipas vlerësimeve fillestare nga autoritetet, totali i këtyre mallrave të padeklaruara kap shifrën e përafërt prej 7 mijë eurove.

    Pas konstatimit të shkeljes, i gjithë malli është sekuestruar menjëherë dhe janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore.

  • Goditi me veturë policin pasi i shqiptoi gjobë, arrestohet një person në Gjakovë

    Goditi me veturë policin pasi i shqiptoi gjobë, arrestohet një person në Gjakovë

    Një person është arrestuar në Gjakovë gjatë pasdites të së hënës, pasi dyshohet se ka goditur me veturë një polic në rrugën “Skënderbeu”.

    Incidenti ka ndodhur menjëherë pasi zyrtari kishte shqiptuar një gjoBë për parkim të parregullt.

    Sipas Policisë, i dyshuari është revoltuar pas gjobës dhe e ka goditur në këmbë zyrtarin policor gjatë tentimit për t’u larguar.

    Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

    Ndërkohë, njësitet patrulluese kanë ndalur dhe arrestuar të dyshuarin brenda pak minutash.

    Pas intervistimit, dhe me vendim të prokurorit të rastit, personi është dërguar në mbajtje.

  • I mituri raportohet i zhdukur në Prishtinë, nëna e denoncon pas tetë ditësh

    I mituri raportohet i zhdukur në Prishtinë, nëna e denoncon pas tetë ditësh

    Një djalë i mitur në Prishtinë është raportuar i zhdukur nga nëna e tij, e cila ka njoftuar Policinë se tash e tetë ditë nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

    Rasti është evidentuar në rrugën “Bill Klinton”, ku familjarët kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve.

    Sipas detajeve të raportit policor, i mituri ka dalë nga shtëpia më 10 nëntor dhe prej asaj dite nuk është kontaktuar.

    Ndërkohë, nëna ka raportuar rastin më 17 nëntor, e cila ka deklaruar se djali i saj nuk është kthyer që nga 10 nëntori dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

  • OKB miraton planin amerikan për paqe në Gaza, Trump e quan moment historik

    OKB miraton planin amerikan për paqe në Gaza, Trump e quan moment historik

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për zbatimin e planit të paqes të presidentit Donald Trump në Gaza, me abstencën vendimtare të Rusisë dhe Kinës. Ambasadori amerikan Waltz e ka përshkruar votimin si hapin e parë për konsolidimin e paqes dhe ndërtimin e stabilitetit në rajon, duke theksuar se SHBA-ja nuk e miraton rezolutën si kompromis, por si një angazhim për të shpëtuar jetë njerëzish.

    Presidenti amerikan Donald Trump e quajti votimin një moment historik, duke deklaruar se rezoluta do të kontribuojë në paqe globale. Ai tha se Board-i i Paqes, i cili do të drejtohet nga ai dhe përfshin liderët më të fuqishëm dhe më të respektuar të botës, do të mbahet si një nga miratimet më të mëdha në historinë e OKB-së dhe do të ndihmojë në promovimin e paqes në gjithë botën.

    Rezoluta, e cila u kundërshtua menjëherë nga Hamas për shkak se imponon një mbrojtje ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, ka për qëllim zbatimin e planit të paqes në 20 pika të propozuar nga Trump. Ajo parashikon kalimin nga armëpushimi aktual drejt fazës së dytë të planit, krijimin e një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi, formimin e Board-it të Paqes për qeverisjen e Gazës dhe disarmimin e Hamasit. Ky proces ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve gjatë vizitës së princit saudit Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë.

    Versioni i parë i rezolutës nuk përfshinte një referencë të drejtpërdrejtë për krijimin e një shteti palestinez, gjë që e bëri të pamundur mbështetjen e vendeve arabe. Për të siguruar votën e tyre dhe për të shmangur veton e Rusisë dhe Kinës, SHBA-ja ndryshoi gjuhën e rezolutës, duke shtuar se nëse Autoriteti Palestinez përmbush reformat e kërkuara, mund të krijohen kushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe sovranitetit palestinez.

    Megjithatë, kryeministri izraelit Netanyahu ka bërë të qartë se është kundër krijimit të një shteti palestinez, duke lënë të paqarta shumë pikëpyetje për zbatimin e planit. Rusia kishte propozuar një tekst alternativ, më pranë pozicioneve të vendeve të Lindjes së Mesme, ndërsa Kina nuk u përfshi në kundërshtim, duke pasur prioritet marrëveshjen e re tregtare me SHBA-në.

    Detajet për implementimin mbeten të paqarta: nuk dihet se kush do të drejtojë Board-in e Paqes, përveç kandidaturës së ish-kryeministrit britanik Tony Blair, dhe anëtarët e Forcës së Stabilizimit do të zgjidhen në bashkëpunim me Egjiptin dhe Izraelin, i cili nuk pranon praninë e forcave turke. Trajnimi i policisë lokale mund të realizohet jashtë Gazës, në Jordani ose në Qendrën e Ekselencës për Njësitë e Policisë së Stabilitetit (CoESPU) në Vicenza, Itali.

    Pavarësisht pasigurisë dhe sfidave, rezoluta përfaqëson një hap të parë drejt përparimit dhe përpiqet të parandalojë rikthimin e konfliktit të armatosur. Megjithatë, stabiliteti afatgjatë i rajonit mbetet ende i pasigurt, duke e lënë të hapur pyetjen nëse plani i paqes do të mund të implementohet plotësisht.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton mbi 2 mijë trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2050 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 26 aksidente trafiku me dëme materiale, 19 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar, transmeton KosovaPress.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 28 persona, 14 janë dërguar në mbajtje, kurse 3 persona janë në vuajtje të dënimit.

  • Hajnat futen në xhami, grabisin kasafortat me 20 euro

    Hajnat futen në xhami, grabisin kasafortat me 20 euro

    Një imam në xhaminë e fshatit Pozheran të Vitisë ka raportuar në polici se persona të panjohur janë futur brenda xhamisë dhe kanë hapur me forcë dy kasaforta metali.

    Bëhet e ditur se në kasaforta ndodheshin 20 euro, të cilat edhe janë grabitur nga hajnat.

    Rasti raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e 16 nëntorit.

    Rasti është duke u hetuar.

  • “UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik”, Clark: Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj

    “UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik”, Clark: Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj

    Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

    Clark i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi.

    I pyet për një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha: “Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”.

    Clark po i referohej pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170.000 serbëve.

  • Dëboi vajzën e mitur nga shtëpia në Gjakovë arrestohet babai

    Dëboi vajzën e mitur nga shtëpia në Gjakovë arrestohet babai

    Një burrë në Gjakovë është arrestuar të dielën pasditen, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj vajzës së tij të mitur dhe e ka dëbuar atë nga shtëpia.

    Sipas raportit të policisë, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është penduar për sjelljet e tij, duke kërkuar që vajza të kthehet në shtëpi.

    “Viktima është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari, pas konsultimit me prokurorin, është liruar në procedurë të rregullt”, thotë Policia.

  • Shembet dheu në rrjetin kryesor të Lubotenit, tri fshatra të Kaçanikut mbesin pa ujë

    Shembet dheu në rrjetin kryesor të Lubotenit, tri fshatra të Kaçanikut mbesin pa ujë

    Tri fshatra të Kaçanikut do të mbesin pa furnizim me ujë shkaku i shembjes së dheut në rrjetin kryesor të Lubotenit.

    Lagja Dushkaja dhe fshatrat Bob, Kovaqec dhe Runjevë, do të kenë mungesë të ujit të pijshëm gjatë ditës.

    Ndërprerja e ujësjellësit vjen si pasojë e shembjeve të dheut në pjesën ku është rrjeti kryesor i Lubotenit, prej nga edhe furnizohen konsumatorët e këtyre zonave.

    “Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit, janë në teren dhe po punojnë në sanimin e këtij defekti që furnizimi me ujësjellës të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej në një njoftim të “Bifurkacionit”.

  • Mbretëria e Bashkuar do të dëbojë rreth 700 familje shqiptare, thotë ministrja e Brendshme

    Mbretëria e Bashkuar do të dëbojë rreth 700 familje shqiptare, thotë ministrja e Brendshme

    Pavarësisht ndryshimit të qeverisë në Londër, duket se për shqiptarët politika e azilit mbetet e njëjtë. Ata që menduan se largimi i Suella Braverman do t’i jepte fund retorikës së ashpër ndaj emigrantëve nga Shqipëria, sot ndihen të zhgënjyer.

    Pasuese e saj në Ministrinë e Brendshme, laburistja Shabana Mahmood, vetëm pak muaj pas marrjes së detyrës, ka prezantuar planin më të gjerë të ristrukturimit të sistemit të azilit në 40 vitet e fundit dhe në qendër të tij janë pikërisht rreth 700 familje shqiptare, të cilave u është refuzuar kërkesa për azil.

    “Për shembull, ka rreth 700 familje shqiptare, kërkesat e të cilave për azil janë refuzuar, megjithatë, largimi i tyre nuk po zbatohet aktualisht nga Ministria e Brendshme, pavarësisht se Shqipëria ka një standard të artë bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar për kthimet dhe është nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne do të nisim një konsultim mbi procesin e zbatimit të largimit të familjeve, përfshirë fëmijët”, deklaroi një ditë më parë në parlament Shabana Mahmood, teksa tregoi ndryshimet drastike të ligjit të emigracionit.

    Masat kanë shkaktuar shqetësim edhe brenda vetë Partisë Laburiste, që pranojnë se deportimi i fëmijëve dhe familjeve konsiderohet “i dhimbshëm dhe politikisht delikat”.

    Pavarësisht se Shqipëria vlerësohet nga Mbretëria e Bashkuar si një partner i besueshëm në rikthimin e shtetasve, vendi ynë është rikthyer në qendër të debatit britanik për migracionin.