ATV

Category: Lajme

  • Komuna e Prishtinës anulon procesin mësimor si preventivë nga rreziku për vërshime

    Komuna e Prishtinës anulon procesin mësimor si preventivë nga rreziku për vërshime

    Procesi mësimor në të gjitha shkollat e Prishtinës është anuluar për ditën e sotme, si masë parandaluese ndaj rrezikut të shtuar për vërshime.

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cili tha se vendimi është marrë pas vlerësimit të situatës së rënduar atmosferike dhe vështirësive të paraqitura në qarkullim, përcjell Telegrafi.

    Shahini bëri të ditur se vendimi është marrë në koordinim të plotë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, si dhe me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Autoritetet komunale kanë vlerësuar se intensiteti i lartë i reshjeve dhe rreziku për vërshime paraqesin kërcënim për sigurinë e nxënësve.

    “Për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, kemi marrë vendimin që mësimi të mos zhvillohet sot. Ky është një hap preventiv për të garantuar sigurinë e fëmijëve”, thuhet në njoftim.

    Komuna ka falënderuar prindërit dhe komunitetin shkollor për mirëkuptimin dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me rrezik të lartë meteorologjik.

  • Reshje shiu në vend, Policia u bën thirrje shoferëve për kujdes

    Reshje shiu në vend, Policia u bën thirrje shoferëve për kujdes

    Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, sidomos drejtuesit e automjeteve, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shiut dhe rrugëve të mbuluara me ujë.

    Sipas njoftimit, ndryshimi i kushteve atmosferike po krijon vështirësi në qarkullim, prandaj Policia kërkon:

    • Përshtatje të shpejtësisë me gjendjen e rrugës dhe kushtet e motit
    • Mbajtje të distancës së sigurisë mes automjeteve
    • Ngadalësim të lëvizjes, veçanërisht në segmente të mbuluara me ujë

    Policia u bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, me qëllim të shmangies së aksidenteve dhe garantimit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

  • Rrebeshe shiu e bubullima – parashikimi i motit për sot, paralajmërohet për vërshime e përmbytje

    Rrebeshe shiu e bubullima – parashikimi i motit për sot, paralajmërohet për vërshime e përmbytje

    Sot parashikohet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu, të cilat herë pas here lokalisht pritet të jetë në formë të rrebesheve. Ka mundësi të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Si pasojë e reshjeve intensive, veçanërisht në disa pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, pritet të ketë vërshime.

    Në zonat e larta malore, konkretisht në zonën perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe verilindore, pritet të ketë reshje bore.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-44 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 9 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 11 deri në 13°C. Ulja e temperaturave do të ndodhë fillimisht paradite në veri të vendit, ndërsa me kalimin e orëve gjatë ditës kjo ulje do të shtrihet gradualisht edhe në jug të vendit.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dalë me një apel për qytetarët pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik se në dy ditët e ardhshme mund të ketë vërshime dhe përmbytje.

    AME ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112, shkruan Reporteri.net.

    “Duke u bazuar në të dhënat e pranuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, parashihet që gjatë datave 18–19.11.2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë me intensitet të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në mandatin dhe misionin e saj, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112”, thuhet në njoftim.

    Në njoftimin e IHMK’së thuhet se reshjet më intenstive dhe përmbytjet e mundshme të menjëhershme parashihet të jenë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe disa rrjedha me karakter malor.

    “Sasia e reshjeve më shumë se 40 1/m2/24h. Shkaktim i përmbytjeve, problemeve në të gjitha aktivitetet e prodhimtarisë bujqësore, probleme në trafik dhe rreziku i rrëshqitjeve të dheut dhe balte. Rrezik për jetën e njerëzve dhe kafshëve, dëmtime të pronës”, theksohet në paralajmërimin e institutit.

  • Vizitë zyrtare: Ministri gjerman i Jashtëm Wadephul mbërrin sot në Kosovë

    Vizitë zyrtare: Ministri gjerman i Jashtëm Wadephul mbërrin sot në Kosovë

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, do të mbërrijë sot për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turit të tij katërditor në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.

    Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada gjermane në Prishtinë, e cila ka konfirmuar se qëllimi kryesor i vizitës është diskutimi për rrugën europiane të Kosovës dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve.

    Vizita e kreut të diplomacisë gjermane vjen në një moment kyç për proceset integruese të Kosovës, ndërsa Berlini mbetet një nga mbështetësit më të fuqishëm të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

    Wadephul pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit institucionalë, ku do të trajtohen çështje të sigurisë, reformave dhe forcimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

    Ambasada gjermane në Prishtinë ka ftuar qytetarët që ta ndjekin vizitën, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe në procesin integrues të Kosovës.

  • Rasti “Thaçi dhe të tjerët”, Clark vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Speciale

    Rasti “Thaçi dhe të tjerët”, Clark vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Speciale

    Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, i cili dje nisi dëshminë në Gjykatën e Hagës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, sot vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Gjykatën Speciale.

    Gjenerali amerikan, Clark dje gjatë dëshmisë së tij ka folur për takimin që ka pasur me Hashim Thaçin gjatë negociatave në Rambuje. Ai tha se Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak.

    Clark, deklaroi se gabimet e tjerëve nuk duhet t’i atribuohen Hashim Thaçit. Për këtë të fundit ish-gjenerali i NATO-s, beson se nuk ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë kryer akte dhune.

    Gjenerali Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit, pas së cilës procesi do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët, përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues.

    Pas përfundimit të kësaj dëshmie, të mërkurën, më 19 nëntor, do të mbahet Konferenca për ecurinë e çështjes. Seanca e planifikuar paraprakisht për të premten, më 21 nëntor, është anuluar.

  • Bedri Hamza zgjidhet Kryetar i ri i PDK-së

    Bedri Hamza zgjidhet Kryetar i ri i PDK-së

    Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën Zgjedhore, duke zgjedhur kështu Bedri Hamzën si Kryetar të ri të kësaj partie.

    Hamza ishte i vetmi kandidat për Kryetar të PDK-së. Votimi për zgjedhjen e tij ishte i hapur.

    Pas zgjedhjes si Kryetar Hamza tha se sot e mori një përgjegjësi të madhe e një detyrë që e pranon me nder e përkushtim.

    Ai i ka falënderuar delegatët për beismin e dhënë.

    “PDK vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët. Premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetarë që dëshiron të kontribuojë, do ta ndërtojmë frymën e bashkëpuniumit. Ne do të ecim përpara me përgjegjësi.”, tha ai.

    Zgjedhja e Bedri Hamzës si Kryetar i PDK-së vjen pas dorëheqjes së Memli Krasniqit të enjten e javës së kaluar.

  • Bedri Hamza, i vetmi kandidat për Kryetar të PDK’së

    Bedri Hamza, i vetmi kandidat për Kryetar të PDK’së

    Bedri Hamza është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për Kryetar të PDK’së.

    Fjalën para delegatëve në Konventën e 12-të të PDK-së, Hamza e ka filluar duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.

    “Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.

    Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.

    “A e dini pse?”, i ka pyetur Hamza të pranishmit.

    “Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.

  • Memli Krasniqi dorëzon mandatin si kryetar i PDK-së, bën thirrje për unitet dhe energji të re

    Memli Krasniqi dorëzon mandatin si kryetar i PDK-së, bën thirrje për unitet dhe energji të re

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur Konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

    Në hyrje të Konventës Memli Krasniqi, pas 4 viteve e 4 muajve në krye të PDK-së ka falënderuar delegatët e Konventës që ia dhanë besimin në një prej periudhave më sfiduese në historinë e partis

    “Udhëtimi im si Kryetar filloi këtu dhe po përmbyllet këtu. Në të njëjtën skenë. Para të njëjtëve njerëz. Me të njëjtën dashuri për këtë parti dhe këtë vend. Këto 1600 ditë kanë qenë ditët më domethënëse të jetës sime publike. Sot largohem nga detyra me mirënjohje. Me krenari. Me paqe”, ka theksuar ai.

  • Etiopia konfirmon tre viktima nga virusi vdekjeprurës Marburg

    Etiopia konfirmon tre viktima nga virusi vdekjeprurës Marburg

    Autoritetet shëndetësore në Etiopi kanë konfirmuar të hënën tre vdekje nga virusi hemorragjik Marburg, një sëmundje jashtëzakonisht e rrezikshme që mund të jetë fatale deri në 88% të rasteve të infektuara.

    Ministrja e Shëndetësisë, Mekdes Daba, njoftoi se nga 17 raste të dyshuara të testuara në rajonin Omo, tre kanë rezultuar fatale. Shpërthimi u shpall zyrtarisht të premten, megjithëse aktualisht nuk raportohet për raste aktive. Ajo tha se qeveria po merr masa parandaluese për të frenuar përhapjen e virusit të ngjashëm me Ebolën.

    Në zonën e prekur është dërguar një ekip i përbashkët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), për të mbështetur testimin, gjurmimin dhe kontrollin e shpërthimit.

    Ndërkohë, Sudani i Jugut, i cili kufizohet me rajonin ku u raportua shpërthimi, lëshoi të dielën një këshillë për shëndetin publik, duke u kërkuar banorëve të katër qarqeve të shmangin kontaktin me lëngje trupore dhe të lajnë duart rregullisht.

    Drejtori i Përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, e quajti situatën “shqetësuese”, duke theksuar se Sudani i Jugut ka një “sistem shëndetësor të brishtë”, gjë që mund ta bëjë më të vështirë kontrollin e shpërthimit nëse virusi përhapet përtej kufirit.

    Çfarë është virusi Marburg?

    Ashtu si Ebola, Marburg e ka origjinën tek lakuriqët e frutave dhe mund të përhapet midis njerëzve përmes kontaktit të ngushtë me lëngje trupore të të infektuarve ose sipërfaqe të kontaminuara, përfshirë çarçafët apo objektet personale.

    Simptomat përfshijnë:

    • ethe të larta

    • dhimbje muskujsh

    • diarre

    • të vjella

    • dhe në raste të rënda, gjakderdhje të brendshme ose të jashtme që mund të çojnë në vdekje.

    Aktualisht nuk ka vaksinë ose trajtim të autorizuar për virusin.

    Shpërthime të mëparshme

    Edhe pse të rralla, shpërthimet e Marburgut konsiderohen jashtëzakonisht serioze. Sipas OBSH-së, raste të mëparshme janë regjistruar në Ruandë, Tanzani, Guine Ekuatoriale, Angolë, Kongo, Kenia, Afrikën e Jugut, Ugandë dhe Ganë.

  • Vrasja e Martin Canit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për autorin

    Vrasja e Martin Canit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për autorin

    Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për të miturin Mario Përlleshaj që akuzohet për vrasjen e Martin Canit, duke kërkuar dënimin me 25 vite burg për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave.

    Por prokurorja Alma Felaj tha se e lë në vlerësimin e gjykatës dënimin përfundimtar duke i kujtuar kodin penal për të mitur përkatësisht nenin 97.

    Ky nen përcakton se dënimi në këto kushte nuk i kalon 12 vite, ç’ka do të thotë se nëse gjykata merr parasysh këto rrethana, autori i vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së Luis Meçja mund të dënohet me më pak se gjysma e dënimit fillestar, pra me 12 vite. Në seancën e ardhshme do të mbahen konkluzionet e mbrojtjes por edhe qëndrimi i palëve të dëmtuara.

    Kujtojmë se si pasojë e përleshjes mes të miturve mbeti i plagosur edhe vetë autori i dyshuar.

    Prej nëntorit të 2024, 14-vjeçari Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë.

    Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” më 18 nëntor të vitit të kaluar. Vetëm disa ditë para krimit, adoleshentët ishin konfrontuar me njëri-tjetrin, dhe shkolla pretendoi se i kishte ballafaquar të miturit dhe pas kësaj ishin pajtuar, por në fakt, konflikti vijoi disa ditë më pas sapo fëmijët lanë ambientin e shkollës, ku u regjistruar disa metra larg saj edhe ngjarja e rëndë.