ATV

Category: Lajme

  • Shembet dheu në rrjetin kryesor të Lubotenit, tri fshatra të Kaçanikut mbesin pa ujë

    Shembet dheu në rrjetin kryesor të Lubotenit, tri fshatra të Kaçanikut mbesin pa ujë

    Tri fshatra të Kaçanikut do të mbesin pa furnizim me ujë shkaku i shembjes së dheut në rrjetin kryesor të Lubotenit.

    Lagja Dushkaja dhe fshatrat Bob, Kovaqec dhe Runjevë, do të kenë mungesë të ujit të pijshëm gjatë ditës.

    Ndërprerja e ujësjellësit vjen si pasojë e shembjeve të dheut në pjesën ku është rrjeti kryesor i Lubotenit, prej nga edhe furnizohen konsumatorët e këtyre zonave.

    “Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit, janë në teren dhe po punojnë në sanimin e këtij defekti që furnizimi me ujësjellës të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej në një njoftim të “Bifurkacionit”.

  • Reshjet e shiut, KEDS del me njoftim: Më të afektuara janë Gjilani dhe Suhareka

    Reshjet e shiut, KEDS del me njoftim: Më të afektuara janë Gjilani dhe Suhareka

    KEDS ka njoftuar se në komunën e Gjilanit dhe Suharekës ka pasur prishje në rrjetin elektrik, si pasojë e reshjeve të shiut.

    KEDS thotë se ekipet janë në terren dhe po punojnë për ta rikthyer furnizimin me energji.

    “Vendi po përballet me reshje të dendura gjatë orëve të fundit, ndërkohë që në disa zona janë paraqitur prishje në rrjetin elektrik. Më të afektuara aktualisht janë komunat e Gjilanit dhe Suharekës, ku ekipet tona të terrenit po punojnë intensivisht për t’i rikthyer furnizimin me energji të gjithë konsumatorëve sa më shpejt që të jetë e mundur. KEDS po e monitoron situatën në vazhdimësi dhe ka angazhuar të gjitha ekipet e nevojshme për ndërhyrje të menjëhershme aty ku paraqitet nevoja. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.”

  • Përparim Rama e çon në Kushtetuese çështjen e buxhetit të Prishtinës

    Përparim Rama e çon në Kushtetuese çështjen e buxhetit të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kanë dorëzuar kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese pas “bllokimit arbitrar” të buxhetit të Kryeqytetit nga Ministria e Financave.

    “Ky veprim i paprecedentë ka vënë në rrezik funksionimin e shërbimeve bazë për qytetarët e Prishtinës nga pastërtia, siguria sociale, mirëmbajtja e infrastrukturës, e deri te pagesat për punëtorët dhe kontraktuesit. Kjo është goditje politike ndaj Kryeqytetit dhe ndaj vetë qytetarëve, të cilën nuk mund ta tolerojmë”.

    Rama tha se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese “për të mbrojtur, ligjin, pavarësinë institucionale të komunave, të drejtat e qytetarëve tanë dhe vetë funksionimin e Kryeqytetit”.

    “Në një kohë kur Prishtinës i duhen zgjidhje, jo pengesa, presim vendimmarrje të shpejtë e të drejtë që t’i hapë rrugë zbatimit të ligjit dhe rikthimit të stabilitetit financiar”.

  • Nesër rifillon procesi mësimor normalisht në të gjitha shkollat e Prishtinës

    Nesër rifillon procesi mësimor normalisht në të gjitha shkollat e Prishtinës

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër procesi mësimor rifillon normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të qytetit dhe të fshatrave të Prishtinës.

    “Bazuar në vlerësimin e Shtabit Emergjent, informacionet e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe koordinimin me drejtoritë përkatëse të Kryeqytetit, është konstatuar se situata është e qëndrueshme për zhvillimin e rregullt të mësimit”.

    Komuna tha se intensiteti i reshjeve gjatë natës pritet të bie dukshëm sipas vlerësimeve të fundit të IHMK-së, ndërsa shtoi se ekipet emergjente janë në terren dhe po sigurohen që infrastruktura shkollore të jetë plotësisht e gatshme.

    “Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve të Kryeqytetit”, tha komuna.

  • Aksidenti fatal në autostradën “Ibrahim Rugova”, i lënduar edhe ish-deputeti i PDK-së

    Aksidenti fatal në autostradën “Ibrahim Rugova”, i lënduar edhe ish-deputeti i PDK-së

    Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të martë në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Prizren-Suharekë.

    Një person ka mbetu i vdekur dhe i lënduar nga ky aksident ka mbetur ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nezir Çoçaj.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

    “Rreth orës 11:40, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë drejtimi Prizren-Suharekë kilometri i 32-të. Në aksident është përfshirë një veturë dhe dyshohet se një person është pa shenja jete dhe një tjetër ka pësuar lëndime”, tha Krasniqi

  • Kryediplomati gjerman porosi Serbisë: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, kyç për rrugën drejt BE-së

    Kryediplomati gjerman porosi Serbisë: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, kyç për rrugën drejt BE-së

    Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, tha këtë mëngjes në Beograd se Serbia do të vendosë se cilën rrugë do të ndjekë në zgjedhje dhe se nuk ka dyshim se kjo do të jetë e mundur.

    Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, tha pas takimit me homologun e tij gjerman, se Serbia dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, kryediplomati gjerman tha se se përparimi në dialogun me Kosovën është thelbësor në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme për të dyja palët.

    Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme dhe se të dyja palët duhet ta zbatojnë atë.

    Wadephul pritet të qëndrojë sot në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani fillimisht, dhe pastaj me kryeministrin Kurti.

     

  • Reshjet e shiut, Shaqir Totaj krijon shtab emergjent

    Reshjet e shiut, Shaqir Totaj krijon shtab emergjent

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ka aktivizuar shtabin emergjent ne komunën e Prizrenit.

    Totaj ka bërë të ditur se ky vendim vjen pas reshjeve të mëdha të shiut.

    “Bazuar në vazhdimësinë e reshjeve të shiut në territorin e Komunës së Prizrenit, sot kam marrë vendim për themelimin e Shtabit Emergjent, me qëllim të garantimit të gatishmërisë së plotë ndaj situatës së krijuar” ka shkruar Totaj.

    Tutje bëhet e ditur se ky shtab do të jetë i angazhuar 24 orë dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e pasojave që mund të shkaktohen nga reshjet e dendura atmosferike.

    “Apelojmë për kujdes të shtuar, veçanërisht në komunikacion, dhe ju lutemi që në çdo rast urgjence të kontaktoni numrat e mëposhtëm:

    112 – Linja e Emergjencës
    194 – Ndihma e Shpejtë
    192 – Policia
    193 – Zjarrfikësit
    0800 791 99 – KEDS

    Qëndroni të sigurt dhe të informuar!” tha ndër të tjera Totaj.

  • Albin Kurti uron Bedri Hamzën për zgjedhjen kryetar i PDK-së

    Albin Kurti uron Bedri Hamzën për zgjedhjen kryetar i PDK-së

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka shprehur urimet e tij Bedri Hamzës pas zgjedhjes në krye të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Përmes një postimi, Kurti theksoi rëndësinë e proceseve të rregullta zgjedhore brenda partive politike dhe nevojën për bashkëpunim ndërpartiak në funksion të interesit publik.

    “Proceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjellë i spektrit të gjerë politik, çdo herë në të mirë të interesit publik, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit tonë”, u shpreh Kurti.

    Ai shtoi se do të vazhdojë angazhimin për bashkëpunim korrekt me të gjitha subjektet politike, në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe me përgjegjësitë që kërkon shërbimi ndaj Republikës.

  • Kërcënohet gjyqtari në Fushë Kosovë, arrestohet i dyshuari

    Kërcënohet gjyqtari në Fushë Kosovë, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar të hënën në Fushë Kosovë, nën dyshimin se ka kanosur një gjyqtar gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur të hënën rreth orës 14:32, në rrugën “Tahir Zemaj”. I dyshuari, një mashkull kosovar, dyshohet se ka kërcënuar gjyqtarin që po udhëhiqte procesin gjyqësor ndaj djalit të tij. Menjëherë pas kanosjes, ai është arrestuar nga njësitë policore të pranishme në gjykatë.

    Policia njofton se, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti po vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera rreth motivit apo natyrës së kërcënimit, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Prishtina aktivizon Shtabin Emergjent për shkak të reshjeve të dendura të shiut

    Prishtina aktivizon Shtabin Emergjent për shkak të reshjeve të dendura të shiut

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka njoftuar qytetarët se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, reshjeve të dendura të shiut dhe situatës së rënduar në qarkullimin rrugor, është aktivizuar Shtabi Emergjent i Kryeqytetit.

    Qëllimi është menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë publike.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin me kujdes udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

    Çdo rast emergjent mund të raportohet në Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 122 33 dhe 0800 122 44.