ATV

Category: Lajme

  • As PDK-ja e as AAK-ja s’marrin pjesë në seancën e orës 11:00

    As PDK-ja e as AAK-ja s’marrin pjesë në seancën e orës 11:00

    Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00, ku Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të themelohen komisionet e përhershme për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, ndarjet buxhetore e financimin e RTK-së.

    Kështu kanë konfirmuar nga PDK-ja dhe AAK-ja.

    Më herët mospjesëmarrjen e konfirmoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Ndërkohë, për seancën e orës 14:00 ku do të synohet formimi i qeverisë, këto parti kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe votën kundër.

  • Kusari-Lila kërkon mbështetjen e partive për nesër: Nëse nuk e miratojmë Planin e Rritjes deri në dhjetor, humbim rreth 88 milionë euro

    Kusari-Lila kërkon mbështetjen e partive për nesër: Nëse nuk e miratojmë Planin e Rritjes deri në dhjetor, humbim rreth 88 milionë euro

    Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, u ka kërkuar grupeve parlamentare mbështetje për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e votimit të buxhetit, në seancën e jashtëzakonshme që është thirrur për nesër në orën 11:00.

    Kusari-Lila ka thënë se pesë prej pikave të rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nëse nuk miratohen, rrezikojnë shtyrjen e 1 miliardë eurove investimeve.

    Ajo ka specifikuar Planin e Rritjes, për të cilin ka thënë se nëse nuk miratohet deri në dhjetor, vendi rrezikon të humbë 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, apo rreth 88 milionë euro.

    “Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Kusari-Lila.

    Ajo ka kërkuar formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentarare.

    “Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Prandaj, buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, thuhet në postimin e saj.

    Sipas saj, situate është e tejkalueshme.

    “Mos të krijojmë ngarkesa të panevojshme, kur situata është e tejkalueshme. Nesër e kemi mundësinë të lehtësojmë edhe barrën e 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, të cilët presin zgjidhje nga ne.  Zgjidhja është në Kuvend edhe për buxhetin e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut”, ka shkruar ajo.

    Ndryshe, LDK ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, por vetëm në atë për Qeverinë.

  • Seanca e orës 11:00: Abdixhiku refuzon pjesëmarrjen dhe akuzon VV-në për populizëm

    Seanca e orës 11:00: Abdixhiku refuzon pjesëmarrjen dhe akuzon VV-në për populizëm

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së thirrjes së dy seancave të Kuvendit për ditën e nesërme.

    Ai e ka quajtur qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje “populiste dhe të rrezikshme”, duke theksuar se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e parë të orës 11:00.

    Ai ka akuzuar LVV-në se po thërret seanca të minutës së fundit, pa konsultime dhe pa komunikim me subjektet e tjera politike.

    Postimi i plotë:

    Popullistë të rrezikshëm.

    Të investuar në lojëra, intriga e kalkulime politike.

    Zvarritën tetë muaj krijim e shumicës e formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje. Nesër, në ditën e fundit, orën e fundit, afatin e fundit, paskan thirrur dy seanca për urgjencën që e shkaktojnë vet me vonesë.

    Pa asnjë konsultim.

    Pa asnjë komunikim.

    Pa asnjë diskutim.

    LDK e refuzon dhe shpërfillë këtë qasje politike. LDK e lufton me gjithë qenien e vet këtë logjikë imponimi. Me krenari, e themi se refuzimi i popullistëve është akti më i lartë patriotik sot.

    Prandaj LDK nuk bëhet pjesë e shfaqejeve parlamentare të një pushteti në ikje. Nesër nuk marrim pjesë fare në seancën e imponimit teatral të orës 11:00-të. Mblidhuni vet; i bëni muhabet vetes. Luftën me mullinjtë e erës e bëni mirë.

    Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet.

    Nesër nisim pregatitjet oër zgjedhjet e reja nacionale dhe ftesën e madhe për përbashkim të secilit që është ngopur me një politikë si kjo, që mendon të shpëtojë shtetin e Republikën nga ata që e shohin atë vetëm si instrument e si lojë karrigesh.

    Le t’i fitojmë!

  • Prattipati vlerëson kontributin e Bajraktarit në forcimin e marrëdhënieve ShBA-Kosovë

    Prattipati vlerëson kontributin e Bajraktarit në forcimin e marrëdhënieve ShBA-Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, priti sot veprimtarin dhe filantropin shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari.

    Gjatë takimit në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Prattipati vlerësoi dekadat e shërbimit publik të Bajraktarit në Shtetet e Bashkuara, si dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.

    Bajraktari, i njohur për rolin e tij aktiv në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mbështetjen ndaj çështjeve shqiptare, u mirëprit për kontributin e tij në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.

  • LDK-ja bojkoton seancën ku synohet miratimi i disa projektligjeve, merr pjesë vetëm në atë për formimin e qeverisë

    LDK-ja bojkoton seancën ku synohet miratimi i disa projektligjeve, merr pjesë vetëm në atë për formimin e qeverisë

    Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00 i thirrur nga Kuvendi i Kosovës, ku pritet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare e projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim.

    “LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, thuhet në komunikatë për media.

    Ndërsa në seancën e thirrur për në orën 14:00 ku pritet të testohet a i ka apo jo numrat mandatari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen.

    Komunikata e plotë:

    Lidhja Demokratike e Kosovës refuzon mënyrën e papërgjegjshme me të cilën Vetëvendosja po tenton, sërish, të përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike.

    Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë.

    Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë. Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës.

    Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate.

    LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë.

    LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore.

  • Problemet globale të internetit, Cloudflare sqaron ndërprerjen: Nuk ka pasur sulm

    Problemet globale të internetit, Cloudflare sqaron ndërprerjen: Nuk ka pasur sulm

    Gjatë ditës së sotme, një pjesë e madhe e internetit ka pësuar ndërprerje, duke prekur platforma botërore. Probleme të tilla u shfaqën edhe në gazetat online të Kosovës, ku qasja dhe funksionimi i tyre nuk ishin të mundur.

    Kompania teknologjike Cloudflare, një nga shtyllat kryesore të infrastrukturës së internetit, ka dalë me sqarime, duke mohuar se bëhej fjalë për sulm kibernetik.

    Nga kompania është thënë se problemet u shfaqën për shkak të një “ndërprerjeje në gjigantin e infrastrukturës së internetit Cloudflare”, të cilën e identifikuan që në mëngjes.

    Shefi i teknologjisë në Cloudflare, Dane Knecht, tha se problemet u shkaktuan nga një “bug latent” në sistemet që mbështesin mbrojtjen nga bot-et, i cili u aktivizua pas një ndryshimi rutinë konfigurimi.

    “Ky gabim filloi të shkaktonte kolaps në rrjet dhe degradim të gjerë të shërbimeve. Nuk ka qenë sulm,” deklaroi Knecht, duke shtuar se kompania i ka zhgënjyer klientët dhe po punon që situata të mos përsëritet.

    Cloudflare njoftoi se ka zbatuar një zgjidhje dhe se shërbimet po rikthehen normalisht, megjithëse disa përdorues mund të përballen ende me vështirësi në qasje.

    Ndërprerja e sotme vjen vetëm pak javë pas një problemi të ngjashëm në Amazon Web Services (AWS), duke rikthyer debatin mbi varësinë globale nga një numër i vogël kompanish teknologjike. Cloudflare aktualisht përdoret nga rreth 20% e të gjitha faqeve të internetit në botë.

  • Kuvendi njofton rendin e ditës për dy seancat e jashtëzakonshme nesër

    Kuvendi njofton rendin e ditës për dy seancat e jashtëzakonshme nesër

    Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me dy seancat e jashtëzakonshme që do të mbahen nesër – njëra për votimin e Qeverisë së re, e tjetra për votimin e buxhetit e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Seanca e parë do të mbahet në orën 11:00.

    Në rend dite:

    1. Formimi i komisioneve parlamentare,

    2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

    3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

    8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,

    9. Çështja e financimit të RTK-së.

    Ndërkohë, seanca tjetër do të mbahet në orën 14:00, ku pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë.

    Presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Glauk Konjufcën si mandatar për formimin e Qeverisë, pas dështimit të Albin Kurtit.

    Osmani kishte deklaruar se Konjufca dhe VV kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë 61 vota, sa janë të nevojshme për votimin e Qeverisë.

    Afati 15 ditor që ka Konjufca për ta prezantuar përbërjen e kabinetit qeveritar, përfundon pikërisht nesër.

  • Gjendet i vdekur një 88 vjeçar në shtëpinë e tij në Bablak të Ferizajt

    Gjendet i vdekur një 88 vjeçar në shtëpinë e tij në Bablak të Ferizajt

    Një 88 vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në fshatin Bablak të Ferizajt.

    Lajmi është konfirmuar nga Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt

    “Më datë 18.11.2025, rreth orës 11:05, policia është njoftuar se në fshatin Bablak të Ferizajt një person në shtëpinë e tij është pa ndjenja. Patrulla ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe brenda në shtēpi është gjetur personi pa shenja jete, vdekjen e tij e ka konstatuar Ekipi i Emergjencës nga Ferizaj . Viktima është një mashkull, rreth 88 vjeç”, tha Veseli.

    Në vendngjarje janë angazhuar njësitë e hetimeve dhe forenzika, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave.

    Prokurori i shtetit është njoftuar për të gjitha veprimet policore. Rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”.

  • E dhimbshme: Ky është mërgimtari nga Kosova që vdiq në Mekë pasi kreu Umrën

    E dhimbshme: Ky është mërgimtari nga Kosova që vdiq në Mekë pasi kreu Umrën

    Një mërgimtar nga Kosova ka vdekur në Mekë pasi kishte kryer ritualin e Umrës.

    I ndjeri është Kenan Haliti nga Ferizaj, i moshës rreth 50 vjeçar.

    Ai kishte jetuar në Gjermani.

    Haliti vdiq teksa po shkonte drejt aeroportit për t’u kthyer nga Umra.

    Sipas informacioneve, shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë një infarkt.

    Ai do të varroset në Mekë.

  • Caktohet seanca për formimin e Qeverisë së re

    Caktohet seanca për formimin e Qeverisë së re

    Më 19 nëntor, të mërkurën, për të dytën herë me radhë do të mbahet seanca për formimin e qeverisë së re, ku mandatari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca pritet të matet, a i ka apo jo votat.

    Në ditën e fundit të afatit 15-ditor për finalizimin e këtij procesi, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në orën 14:00 për të shqyrtuar dhe votuar kabinetin e ri qeveritar.

    Para kësaj seance, deputetët pritet të zhvillojnë mbledhjen për miratimin e Buxhetit të Kosovës, e cila është caktuar të nis në orën 11:00.

    Mandatari për formimin e Qeverisë, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ende nuk e ka bërë të ditur nëse ka siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.