ATV

Category: Lajme

  • PDK, LDK dhe AAK do të bojkotojnë seancën e orës 11:00, marrin pjesë veç në atë për Qeverinë

    PDK, LDK dhe AAK do të bojkotojnë seancën e orës 11:00, marrin pjesë veç në atë për Qeverinë

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00 , ku në rend dite janë votimi i buxhetit dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK’së, Vlora Çitaku, ka konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.

    “Sot kemi pasur mbledhjen e GP bashkë me Kryetarin Hamza, dhe ne nuk do të marrim pjesë në seancen e parë. Para fillimit të seancës do të mbajmë konferencë për shtyp”, ka deklaruar Çitaku.

    Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate drejtuar mediave, njoftoi se nuk do të shkojë në këtë seancë.

    “Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, u tha në komunikatë.

    Ndërkohë se AAK nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, e ka konfirmuar Shefja e Grupit, Time Kadriaj.

    “Në ora 11:00 jo”, ka deklaruar shkurt Kadriaj.

    Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar grupeve parlamentare mbështetje për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e votimit të buxhetit.

    Deputetja e VV’së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pesë prej pikave të rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nëse nuk miratohen, rrezikojnë shtyrjen e 1 miliardë eurove investimeve.

    Ajo ka specifikuar Planin e Rritjes, për të cilin ka thënë se nëse nuk miratohet deri në dhjetor, vendi rrezikon të humbë 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, apo rreth 88 milionë euro, shkruan Reporteri.net.

    “Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Kusari-Lila.

    Ajo ka kërkuar formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentarare.

    “Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Prandaj, buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, thuhet në postimin e saj.

    Seanca është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka mbledhur 40 nënshkrime. Pas kësaj seance, në orën 14:00, do të mbahet ajo për votimin e Qeverisë, ku këto parti kanë thënë se do të jenë të pranishme.

  • Kuvendi sot me dy seanca, njëra për mandatarin

    Kuvendi sot me dy seanca, njëra për mandatarin

    Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot dy seanca plenare, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës të seancë së parë, do të jetë çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe miratimi i buxhetit për komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. Ndërsa në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca.

    Seanca e parë pritet të fillojë në orën 11:00, ndërsa e dyta për votimin e qeverisë në ora 14:00.

    Në seancën e parë, përveç pikës për RTK-në, deputetët do të shqyrtojnë edhe themelimin e komisioneve legjislative, përfshirë ratifikime ndërkombëtare dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Rendi i plotë i ditës është si vijon:

    Formimi i komisioneve parlamentare:

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje;

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”;

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”;

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Kompas” – forcimi gjithëpërfshirës i sistemit të shëndetësisë;

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”;

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026;

    Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok;

    Çështja e financimit të RTK-së;

    Në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca.

    Kujtojmë se Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, u mandatua për formimin e qeverisë nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor. Ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor. Megjithatë paritë që kanë mbetur pas LVV-së në zgjedhje, kanë deklaruar se nuk e mbështesin këtë qeveri, por preferojnë zgjedhjet e reja.

  • Zvicra “hap dyert”, 85 mijë vende pune për të huajt me paga deri në 6.500 euro

    Zvicra “hap dyert”, 85 mijë vende pune për të huajt me paga deri në 6.500 euro

    Zvicra po përgatitet të marrë mijëra punëtorë të huaj pas mungesës së vazhdueshme të stafit të kualifikuar që prej vitit 2020.

    Spitalet, hotelet dhe zyrat e inxhinierisë janë në krye të listës së sektorëve që kërkojnë urgjentisht profesionistë me përvojë, por edhe të sapodiplomuar.

    Autoritetet paralajmërojnë se hendeku i fuqisë punëtore mund të zgjerohet edhe më shumë muajt e ardhshëm, duke rritur presionin për rekrutim nga jashtë.

    Qeveria zvicerane planifikon të punësojë rreth 85 mijë persona nga vende të tjera, duke ofruar paga që nisin nga 3.500 euro në muaj dhe mund të arrijnë deri në 6.500 euro, varësisht nga profesioni. Kërkesat më të mëdha regjistrohen në fushën shëndetësore, turizëm e hoteleri, si dhe në profesionet teknike, informatike dhe inxhinierike, shkruan A2 CNN.

    Ndër profesionet më të kërkuara renditen mjekët, inxhinierët, specialistët e teknologjisë, personeli i restoranteve, punëtorët e kualifikuar, mësuesit, personeli i kontrollit, informaticienët, përfaqësuesit e shitjeve dhe punonjësit shtëpiakë. Në disa sektorë kërkesa është e menjëhershme, veçanërisht në shëndetësi, ku një nga katër mjekë është mbi 60 vjeç, duke krijuar nevojë për zëvendësim urgjent.

    Një prej rrugëve më të shpejta për punësim është aplikimi përmes agjencive zvicerane të burimeve njerëzore.

    Përparësi të madhe kanë kandidatët që zotërojnë gjuhën gjermane, italiane.

  • Jashari: Një person po kërkon para në emrin tim, është mashtrim

    Jashari: Një person po kërkon para në emrin tim, është mashtrim

    Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur se një person, me numër nga Bosnja dhe Hercegovina po keqpërdor emrin e tij.

    Jashari shkruan se një person, po kontakton biznese, qytetarë, hoxhallarë dhe humanistë, duke u prezantuar në emrin e tij dhe duke kërkuar para, kinse për shërimin e një të afërmi në një shtet tjetër.

    Ai bëri thirrje për qytetarët që të tregojnë kujdes, të mos bien “pre e këtij mashtrimi të turpshëm dhe t’i raportoni menjëherë rastet në Polici”.

    “Njëkohësisht, u kërkoj organeve të rendit që të merren urgjentisht me këtë rast dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme”, shkroi Jashari.

  • Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

    Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

    Nesër në Kosovë na pret mot plotësisht i vranët dhe me reshje të herëpashershme, lokale shiu. Intensiteti i reshjeve do të zvogëlohet, megjithatë ende priten reshje shiu të cilat do të jenë të herëpashershme.

    Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 12 gradë Celsius.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e mërkura sjellë vranësira të dendura dhe reshje të herë pas hershme shiu. Reshje më intensive priten në shumë pjesë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Borë pritet në malet më të larta.

    E Enjta sjellë ulje të intensitetit të reshjeve në të gjitha viset. Parashihen vranësira të shpeshta dhe intervale kohore me diell. Rrymimet ajrore nga jugu do të fuqizohen përsëri dhe temperaturat do të shënojnë rritje. Reshjet do të më të pakta dhe më të izoluara, por vonë në mbrëmje pritet të ketë reshje të reja shiu.

    Edhe e Premtja dhe fundjava do të karakterizohet me mot jo-stabil, me reshje të herëpashershme shiu e në viset kodrinore-malore reshje bore.

  • Reshjet e fundit, KRU “Prishtina” del me një njoftim të rëndësishëm

    Reshjet e fundit, KRU “Prishtina” del me një njoftim të rëndësishëm

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se furnizimi me ujë për momentin është stabil, pavarësisht reshjeve të dendura që kanë goditur rajonin.

    Sipas kompanisë, shirat mund të shkaktojnë turbullira në kanalin Ibër-Lepenc, gjë që mund të ndikojë përkohësisht në procesin e trajtimit të ujit. Autoritetet thonë se situata po monitorohet vazhdimisht.

    KRU “Prishtina” bëri të ditur se ekipet e saj janë në terren pa ndërprerje, duke punuar me kapacitet të plotë në hapjen dhe pastrimin e pusetave të ujërave të zeza, si dhe në ndihmën për qytetarët e zonave më të prekura nga reshjet.

  • Dhoma e Përfaqësuesve voton pro publikimit të dosjeve të pedofilit Epstein

    Dhoma e Përfaqësuesve voton pro publikimit të dosjeve të pedofilit Epstein

    Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka votuar me shumicë dërrmuese për ta detyruar Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha dosjet e tij lidhur me “Jeffrey Epstein”.

    Projektligji dypartiak tani duhet të kalojë edhe votimin në Senat, përpara se presidenti Donald Trump ta nënshkruajë në ligj, raporton BBC.

    Para votimit, viktimat e Epstein folën në një konferencë për media në Kapitolin e SHBA-së. Annie Farmer deklaroi se ato kanë vuajtur “tradhti institucionale” për vite me radhë.

    Duke u paraqitur përkrah të mbijetuarave, kongresmenja republikane Marjorie Taylor Greene sulmoi ish-aleatin e saj, Donald Trump. Greene, të cilën Trumpi e ka quajtur “tradhtare”, tha se çështja Epstein e ka “shkatërruar Maga-n” – lëvizjen e Trumpit “Make America Great Again”.

    Vetë Trump ditë më parë u ka bërë thirrje republikanëve që të votojnë për publikimin e dosjeve. Kjo erdhi pasi më shumë se 20 mijë faqe dokumentesh, disa prej të cilave përmendin Trumpin, u publikuan javën e kaluar.

    Trump ka thënë më parë se i kishte ndërprerë lidhjet me Epstein shumë vite më parë dhe ka mohuar vazhdimisht çdo lidhje me abuzimin seksual apo trafikimin që i atribuohet Epstein.

  • Qendra për parandalimin e vetëvrasjeve redukton orarin pas krizës financiare

    Qendra për parandalimin e vetëvrasjeve redukton orarin pas krizës financiare

    Qendra telefonike për parandalimin e vetëvrasjes “Linja e Jetës”, si e vetmja linjë në Kosovë që ofron mbështetje emocionale për persona në gjendje krize. Për gjashtë vite me radhë, pavarësisht sfidave të vazhdueshme financiare, kjo qendër ka qëndruar në shërbim të qytetarëve, duke dëgjuar çdo person pa paragjykim dhe duke kontribuar në shpëtimin e mijëra jetëve në vend.

    Në njoftimin e publikuar, “Linja e Jetës” ka shprehur mirënjohje për secilin vullnetar që ka kontribuar ndër vite, si dhe për qytetarët që kanë besuar dhe mbështetur kauzën e saj.

    Megjithatë, ky përvjetor e ka gjetur qendrën në një situatë të vështirë. Siç theksohet në komunikatë, mungesa e mbështetjes së qëndrueshme financiare, e cila për vite është mbështetur kryesisht në fonde të huaja, tashmë po e rrezikon drejtpërdrejt funksionimin e shërbimit.

    Sipas “Linjës së Jetës”, arsyeja kryesore e gjendjes aktuale ka ardhur si pasojë e mos-konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, proces i cili do të mundësonte hartimin e ligjit për parandalimin e vetëvrasjes dhe institucionalizimin e qendrës si shërbim shtetëror. Mbi 12.000 qytetarë kanë nënshkruar një peticion në mbështetje të institucionalizimit, i cili do të garantonte funksionimin 24/7 dhe jetëgjatësinë e këtij shërbimi jetik.

    Derisa kjo nuk ka ndodhur, qendra paralajmëron se është e detyruar të reduktojë orarin e punës.

    “Nga data 29 dhjetor, Linja e Jetës do të shkurtojë orarin e punës. Shërbimet do të jenë funksionale vetëm 4 orë, nga ora 18:00 deri në 22:00,” thuhet në njoftim, me theksimin se ky hap është marrë me keqardhje të madhe.

  • Zjarr në qendër të Zagrebit, digjet “Kulla e Çokollatës”

    Zjarr në qendër të Zagrebit, digjet “Kulla e Çokollatës”

    Një zjarr masiv shpërtheu në një rrokaqiell të rëndësishëm në qendër të kryeqytetit kroat, Zagreb, të martën, duke e shkrumbuar pothuajse plotësisht ndërtesën, por pa lënë viktima.

    Ndërtesa e njohur si Kulla Vjesnik u emërua sipas një gazete të njohur që botohej atje për dekada të tëra, së bashku me gazeta dhe revista të tjera të njohura, deri rreth 12 vjet më parë.

    Zjarri filloi pranë majës së ndërtesës 16-katëshe dhe u përhap shpejt poshtë, duke penguar rreth 100 zjarrfikës të hyjnë, thanë mediat kroate.

    Ndërtesa, e modeluar sipas ndërtesës së zyrave Lever House në Park Avenue të Manhattanit, e njohur edhe si Kulla e Çokollatës, ishte pothuajse plotësisht bosh kur shpërtheu zjarri afër mesnatës së së hënës.

    Zjarri dukej se ishte shuar deri të martën pasdite, megjithëse konstruksioni prej metali dhe betoni ende po digjej. Shkaku i flakëve mbetet i panjohur, sipas autoriteteve.

    Arkivat shtetërore në rrezik?

    Sipas Branko Baçiç, zëvendëskryeministrit të Kroacisë dhe ministrit të Ndërtimit dhe Pronës Shtetërore, ndërtesa strehonte pjesë të arkivave shtetërore.

    “Në një pjesë të ndërtesës kishte arkiva nga Ministria e Punës dhe Ministria e Financave, ose më saktë nga autoriteti tatimor. Shumë kate ishin bosh, nuk kishte asgjë atje,” tha Baçiç për shtypin vendas.

    Ai shtoi se qeveria, e cila është bashkëpronare e ndërtesës me pesë subjekte të tjera, është në bisedime për rindërtimin e saj.

    “(Kulla) kishte nevojë për rindërtim, kështu që jemi tashmë në procedurë dhe në bisedë me bashkëpronarët e tjerë se si ta bëjmë këtë,” tha Baçiç.

    “Nga ajo që pashë në vend dhe brenda ndërtesës, dëmi është për fat të keq total, por besoj se shteti dhe pronarët e tjerë do të fillojnë rinovimin e ndërtesës në këtë vend të shquar të qytetit tonë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha kryetari i bashkisë së Zagrebit, Tomislav Tomašević.

    Rreth 80 zjarrfikës u vunë në punë për të vënë flakët nën kontroll, tha transmetuesi publik HRT, duke shtuar se trafiku po devijohej ende nga kulla të martën.

  • Limaj thotë se nuk shkojnë në seancën e VV’së të orës 11:00: U thirr pa konsultime me subjektet politike

    Limaj thotë se nuk shkojnë në seancën e VV’së të orës 11:00: U thirr pa konsultime me subjektet politike

    NISMA Socialdemokrate është deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, e thirrur nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

    NISMA ka thënë se kjo seancë është thirrur me urgjencë e pa konsultim paraprak me subjektet politike.

    Tutje thuhet se tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime.

    Komunikata e plotë:

    NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të orës 11:00, e thirrur me urgjencë dhe pa konsultim paraprak me subjektet politike, ndonëse aty figurojnë çështje të rëndësishme për vendin. Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime!

    Prej muajsh, vendi ndodhet në krizë të qartë politike për shkak se nuk ekziston shumicë parlamentare. Ky është realitet i konfirmuar publikisht dhe zyrtarisht nga të gjitha partitë politike gjatë takimeve me Presidenten e Republikës. Përkundër kësaj, janë zvarritur proceset, janë shpikur skenarë dhe janë krijuar iluzione për shumicë që nuk ekziston.

    NISMA Socialdemokrate ka qenë forca më konstruktive në këtë periudhë të vështirë.

    Ne kemi kërkuar me kohë marrëveshje politike, koordinim ndërmjet subjekteve dhe përgjegjësi të përbashkët për të dalë nga kriza, pa kalkulime elektorale!

    Kemi ofruar gatishmëri të pakushtëzuar për çdo zgjidhje që i shërben vendit, por nuk kemi pranuar të bëhemi pjesë e skenareve që vetëm sa e thellojnë bllokadën.

    Thirrja e kësaj seance, pa agjendë të dakorduar, pa konsultim dhe pa respektim të rregullave parlamentare, nuk e pasqyron seriozitetin që kërkojnë marrëveshjet ndërkombëtare, angazhimet financiare dhe çështjet buxhetore. Këto tema nuk mund të trajtohen si dekor për fushatë dhe as si instrument i propagandës ditore.

    Për këto arsye, NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në këtë seancë të improvizuar.

    Ne do të mbetemi të përkushtuar ndaj zgjidhjeve që i shërbejnë qytetarëve, që rikthejnë normalitetin institucional dhe që respektojnë rendin kushtetues.

    Në këtë moment vendi ka nevojë për qartësi, përgjegjësi dhe veprim të matur, jo për lëvizje të nxituara me prapaskenë elektorale.

    NISMA Socialdemokrate