ATV

Category: Lajme

  • Akademikë, profesorë e ish-zyrtarë i drejtohen Kuvendit me peticion: Kërkojnë rezolutë për padrejtësitë nga Gjykata Speciale

    Akademikë, profesorë e ish-zyrtarë i drejtohen Kuvendit me peticion: Kërkojnë rezolutë për padrejtësitë nga Gjykata Speciale

    Profesorë, ish-akademikë e zyrtarë të lartë, i janë drejtuar me peticion Kuvendit të Kosovës.

    Ata kanë kërkuar rezolutë kundër padrejtësive nga Gjykata Speciale.

    Peticioni është nënshkruar nga Enver Hasani, profesorë, jurist e ish-zyrtarë.

    Komunikata:

    Qëllimi i këtij Peticioni është i qartë dhe i domosdoshëm: të riafirmohet në mënyrë institucionale se themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – i realizuar me vendimmarrjen e vetë Kuvendit të Republikës së Kosovës – ka qenë akt i përgjegjësisë shtetërore për adresimin e pretendimeve të ngritura në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011. Ne dëshirojmë t’ju rikujtojmë se ky bashkëpunim i plotë me komunitetin ndërkombëtar ka qenë dhe mbetet shprehje e vullnetit të Republikës së Kosovës për të demantuar çdo akuzë të pabazuar që cenon vlerat e luftës së UÇK-së dhe sakrificën historike mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë.

    Megjithatë, përvoja e viteve të fundit dëshmon se mënyra e administrimit të drejtësisë nga Dhomat e Specializuara ka ngritur dyshime serioze dhe të qëndrueshme në raport me respektimin e standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor. Përgjatë pesë viteve të paraburgimit të zgjatur të të akuzuarve, trajtimit formalist të mjeteve juridike, administrimit të pabarabartë të provave dhe perceptimit gjithnjë e më të theksuar për anësi institucionale në favor të prokurorisë, është vërejtur rrezik i drejtpërdrejtë për cenimin e parimeve kushtetuese, të drejtave themelore të njeriut dhe vetë integritetit të drejtësisë.

    Për këto arsye, ne – nënshkruesit e këtij Peticioni – ju drejtohemi si organi më i lartë përfaqësues i popullit të Kosovës, duke kërkuar miratimin e Rezolutës së propozuar në Aneks. Kjo Rezolutë është hartuar me kujdes profesional dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, standardet ndërkombëtare dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ajo nuk ndërhyn në çështjet meritore gjyqësore, por kërkon vetëm garantimin e një procesi të drejtë, të paanshëm e transparent për të gjitha palët. Përmes saj, kërkohet që institucionet e Republikës së Kosovës të kërkojnë nga Komisioni Evropian dhe shtetet mike – si financues e mbikëqyrës të Dhomave të Specializuara – për të siguruar që qytetarëve të Kosovës t’u respektohen të gjitha të drejtat dhe t’u ofrohet trajtim në përputhje me liritë dhe të drejtat themelore të parashikuara në Kushtetutë dhe në Ligjin e vitit 2015 për Dhomat e Specializuara./ATVLIVE/

  • Çitaku: PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme

    Çitaku: PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka njoftuar se PDK nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme e cila pritet të fillojë nga ora 11:00.

    Ajo në një konferencë për media tha PDK është për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
    “PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme. Nuk do të bëhemi fasadë për mbulimin e dështimeve të të tjerëve. Sepse kjo seancë nuk është thirrur për qytetarët. Nuk është thirrur për ligjet. As për komisionet. Kjo seancë është thirrur për t’i shpëtuar fajit, fajit të një pushteti që për 10 muaj rresht ka refuzuar të marrë vendime, të ndërtojë dialog, të krijojë shumicë dhe të formojë qeveri. Thirrjet për të shkelur ligjin nuk janë zgjidhje. As për vendin, as për Kuvendin, as për demokracinë tonë. Ato janë derë e hapur për kaos. Janë precedentë të rrezikshëm që dëmtojnë themelet e shtetit ligjor”, ka theksuar ajo.

    Çitaku ka thënë se kjo seancë është një skemë e radhës e Qeverisë në ikje siç tha ajo për të mbuluar krizën në të cilën po e fusin vendin, si dhe është e paligjshme dhe tërësisht në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

    “Prej 10 muajsh, Kosova është mbajtur peng. Prej 10 muajsh, vendi është zhytur në bllokim institucional. Prej 10 muajsh, qytetarët tanë presin qeverinë e re, parlament funksional, komisione pune, e shtet normal. Fatkeqësisht, edhe pas 10 muajsh: asnjërën nuk e kemi. Rrjedhimisht, Republika e Kosovës ka humbur tërësisht vitin 2025. Kosova, qytetarët e Kosovës, nuk e kanë pasur këtë luks. Përkundrazi, ne kemi pasur nevojë për një vit dinamik dhe produktiv si asnjëherë më parë”, ka shtuar ajo.

    Ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka zgjedhur ta përdorë fitoren jo për të qeverisur, por për të zvarritur, për të manipuluar proceset dhe për të konsumuar çdo afat ligjor, në mënyrë që të shmangë përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve.

    “E përsëris: kjo seancë që do të mbahet pas pak minutash, është farsë. Është truk politik.

    Nuk është zgjidhje, është tentim për të mbuluar dështimin. Ajo që po shohim sot është e dukshme: Kur vjen puna për të formuar institucionet: zvarritje, pasiguri dhe manipulim afatesh nga LVV. Por kur vjen puna për t’i ikur përgjegjësisë: nxitim i çuditshëm, madje duke shkelur rendin kushtetues”, ka thënë Çitaku.

  • “Asociacioni pa kompetenca ekzekutive”, Mustafa tregon se e ka marrë garancinë nga BE’ja

    “Asociacioni pa kompetenca ekzekutive”, Mustafa tregon se e ka marrë garancinë nga BE’ja

    Ish-kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se gjatë mandatit të tij ka siguruar garanci nga Bashkimi Europian se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

    Sipas Mustafës, këtë garanci ia kishte dhënë ish-shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

    Ai shtoi se nuk e ka bërë publike këtë dokument pasi, siç u kërkua nga BE-ja, garancia duhej të mbetej konfidenciale — pavarësisht kritikave dhe sulmeve të shumta që, sipas tij, vinin nga Vetëvendosje në atë kohë.

    “Ne kemi kërkuar që marrëveshja të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe që statuti të jetë në harmoni të plotë me Kushtetutën. Nuk isha plotësisht i sigurt se palët do t’i përmbaheshin marrëveshjes, prandaj kërkova garanci që askush – as nga BE-ja, as nga Serbia – të mos kërkojë kompetenca ekzekutive për Asociacionin. Ai nuk mund të ketë rol të pushtetit të tretë; nuk ka pushtet tjetër përveç institucioneve të Kosovës”, tha Mustafa në ATV.

  • Iu vazhdohet paraburgimi Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Iu vazhdohet paraburgimi Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Të martën, më 18 nëntor 2025, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Ndonëse Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku që tre të akuzuarit të pengojnë drejtësinë, të kryejnë krime tjera ose të arratisen, kryetari i trupit gjykus Charles Smith III në vendimin e tij ka konfirmuar vetëm dy pretendimet e para të Prokurorisë.

    Pra, është konstatuar se ekziston rreziku që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera.

    Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

    Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Ëilliams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

    Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

    Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

    Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

    DhSK-ja kishte bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

    “Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

    Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Tre të lënduar nga zjarri në një banesë në Fushë Kosovë

    Tre të lënduar nga zjarri në një banesë në Fushë Kosovë

    Tre persona janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer në një banesë në rrugën “Shtjefën Gjeçovi” në Fushë Kosovë.

    Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci i cili bëri të ditur se zjarri është lokalizuar, derisa hetimet për shkaqet e tij janë në vijim.

    “Sot, rreth orës 08:00, policia ka pranuar informatën për një zjarr aktiv në një objekt banesor në rrugën “Shtjefën Gjeçovi”, në Fushë Kosovë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë angazhuar edhe zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor emergjent. Sipas të dhënave fillestare, tre persona janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Zjarri është lokalizuar, ndërsa hetimet për shkaqet e tij janë në vijim”, tha Borovci.

  • PDK del në konferencë për media 15 minuta para se të fillojë seanca e jashtëzakonshme

    PDK del në konferencë për media 15 minuta para se të fillojë seanca e jashtëzakonshme

    15 minuta para se të fillojë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të mbajë konferencë për media.

    Konferencë do të mbahet në ora 10:45, në sallën e Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

    Më poshtë sjellim rendin e ditës për seancën e jashtëzakonshme.

    Rendi i ditës

    1. Formimi i komisioneve parlamentare,

    2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

    3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

    8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,

    9. Çështja e financimit të RTK-së.

  • Uniforma serbe dhe predhë anti-tank gjenden në një shtëpi të braktisur në Jarinje

    Uniforma serbe dhe predhë anti-tank gjenden në një shtëpi të braktisur në Jarinje

    Uniforma ushtarake me emblema të ushtrisë serbe dhe një predhë anti-tank janë gjetur mbrëmjen e së martës në një shtëpi të braktisur në Jarinje.

    Policia, e cila ka njoftuar për rastin, thotë se gjatë kontrollit nuk është hasur asnjë person i dyshuar dhe as dëshmitarë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja është regjistruar më 18 nëntor 2025, rreth orës 19:30, kur një patrullë policore vuri re se dera e objektit ishte e thyer. Pas hyrjes brenda, zyrtarët policorë gjetën disa uniforma ushtarake me simbole të ushtrisë serbe dhe një predhë anti-tank.

    Njësitë relevante të policisë konfiskuan një predhë anti-tank kalibër 37 mm, model M38, si dhe disa pjesë të veshjeve ushtarake: një këmishë me mëngë të shkurtra, dy xhaketa dimërore, një jakne dhe një palë pantallona.

    Policia njofton se prokurori i rastit është informuar dhe ka bërë cilësimin e ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

  • Vërshohet nga uji fshati Konçul, rrugët janë të pakalueshme

    Vërshohet nga uji fshati Konçul, rrugët janë të pakalueshme

    Fshati Konçul i Komunës së Bujanocit është vërshuar nga uji.

    Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, rrugët hyrëse dhe dalëse në këtë fshat janë të pakalueshme, përcjell Periskopi.

    Pamjet e publikuara në faqen “Jeta në Konçul”, tregojnë gjendjen alarmante, pasi shihen shtëpi nën ujë, dhe rrugë të bllokuara.

  • Goditet nga vetura një polic që ishte në pikë kontrolli në Banjë të Istogut, dërgohet në spital

    Goditet nga vetura një polic që ishte në pikë kontrolli në Banjë të Istogut, dërgohet në spital

    Një zyrtar policor është goditur nga një veturë mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:35 në fshatin Banjë të Istogut.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se në momentin e aksidentit zyrtari policor ndodhej në një pikë kontrolli.

    Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor.

    “Zyrtari Policor ka pësuar lëndime trupore, i njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për tretman mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar nga Njësiti i Trafikut Rajonal”, tha Rugova.

  • Kapet shqiptari i dënuar për vrasje në vitin 1999

    Kapet shqiptari i dënuar për vrasje në vitin 1999

    Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Fast Albanias të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me institucione të tjera të sigurisë së vendit dhe Italisë, është ekstraduar Kamer Duhanxhiut, 44-vjeçarin i dënuar për vrasje dhe tentim vrasje.

    Siç njofton Policia, 44-vjeçari ishe në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1999, dhe ishte dënuar nga autoritetet italiane me 30 vjet burgim për veprat e lartcekura, ngjarje të ndodhura në vitin 1999 në Asti, Itali.

    Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet këtyre agjencive partnere ligjzbatuese në Shqipëri dhe Itali, si dhe të Agjencisë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (ICE) në Shtetet e Bashkuara, shtetasi Kamer Duhanxhiu, i cili fshihej në SHBA prej shumë vitesh, ishte arrestuar më herët, këtë vit, në Florida.

    Pas përpjekjeve të përbashkëta koordinuese ndërmjet këtyre agjencive, ai u depërtua sot nga SHBA, me fluturim çarter, në Tiranë.

    Sapo mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, ai u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, bazuar në urdhrin e arrestit ndërkombëtar/kartelën e kuqe të Interpolit, të lëshuar nga autoritetet italiane.

    44-vjeçari do të përballet me dënimin e tij 30-vjeçar, në Itali.