ATV

Category: Lajme

  • Ukraina vendos vijat e kuqe: Nuk i dorëzojmë territoret e pushtuara

    Ukraina vendos vijat e kuqe: Nuk i dorëzojmë territoret e pushtuara

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur për diskutimet e vazhdueshme mbi një plan paqeje në Ukrainë.

    Duke folur nëpërmjet një lidhjeje video në një samit të Platformës së Krimesë në Suedi, Zelensky tha se Kievi do të vazhdojë të punojë me partnerët e tij për kompromise mbi propozimet e bëra nga SHBA-të për të forcuar, jo për të dobësuar Ukrainën.

    “Rusia duhet të paguajë për luftën në Ukrainë dhe një vendim për përdorimin e aseteve të saj të ngrira ishte thelbësor për çdo propozim paqeje”, tha Zelensky.

    Kryetari i parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk tha se planet e vendit për anëtarësim në BE dhe NATO duhet të jenë pjesë e garancive të sigurisë dhe e çdo plani paqeje.

    “Vijat e kuqe të Ukrainës për bisedimet e paqes përfshijnë mosnjohjen formale të territoreve të pushtuara ukrainase”, tha Stefanchuk.

    “Asnjë kufizim për forcat e saj mbrojtëse dhe asnjë kufizim në aleancat e saj të ardhshme.”

  • Çeçenia vendos kufizime të reja për veshjen e grave

    Çeçenia vendos kufizime të reja për veshjen e grave

    Çeçenia ka miratuar një ligj të ri që kufizon modën e grave, duke ndaluar veshjet tradicionale që përmbajnë “elementë mashkullorë”.

    Çeçenia ka miratuar një ligj të ri që kufizon modën e grave, duke ndaluar veshjet tradicionale që përmbajnë “elementë mashkullorë”. Nuk është hera e parë që autoritetet e republikës ruse vendosin kufizime ndaj veshjes së grave, vëzhguesit thonë se arsyetimi për ligjin më të ri lidhet me kontrollin, e jo traditën, siç pretendohet”.

    Ministria e Kulturës e Çeçenisë njoftoi se dizajnerëve u ndalohet përdorimi i stileve që “bien ndesh me zakonet tradicionale dhe vlerat kulturore”. Një shembull i përmendur janë gazyrët – rreshta xhepash për plumba të qepur në pallton tradicionale çerkeska, një element i veshjes mashkullore të popujve të Kaukazit. Ministria shpjegon se përdorimi i këtyre elementeve në veshjet e grave shihet si një shkelje e traditave dhe simbolikës mashkullore.

    Ky është kufizimi i dytë ndaj veshjes së grave nga autoritetet çeçene në më pak se një muaj. Në fund të tetorit, grave iu ndalua të dilnin jashtë pa shami në kokë. Një grua që kapen pa shami në kokë do t’iu nënshtrohet “bisedave sqaruese”, sipas Amir Sugaipovit, një ndihmës i liderit autoritar të republikës, Ramzan Kadyrov.

    Sipas një raportimi nga Radio Evropa e Lirë, vëzhguesit dhe aktivistët e të drejtave të grave e kritikuan arsyetimin zyrtar, grupi Marem, që mbron të drejtat e grave në Kaukazin e Veriut, tha se nuk është e habitshme që “burrat nga Ministria e Kulturës vendosën të merren me modën e grave”, duke shtuar se prioritetet duhet të jenë lufta kundër dhunës dhe femicidit, jo kontrolli mbi veshjet.

    Politologu Ruslan Aisin e krahasoi situatën me atë të Koresë së Veriut, ku shteti rregullon gjithçka, nga veshja deri te gërshetimi i flokëve. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për traditën, por për një provë besnikërie ndaj shtetit, një mekanizëm kontrolli dhe konsolidimi pushteti brenda Çeçenisë.

    “Gjithçka që shteti bën në emër të kulturës është gjithmonë shfaqje dhe gjithmonë synon kontrollin. Së pari, ka kulturë zyrtare, e pastaj kulturë popullore. Ato shpesh përplasen. Nëse shikon traditat çeçene, nuk ka diktator”.

    Ndërkohë, lidhjet familjare të presidentit Ramzan Kadyrov me Ministrinë e Kulturës shtojnë një dimension tjetër. Isa Ibragimov, një i afërm i Kadyrovit, drejton ministrinë, ndërsa vajza e Kadyrovit, Aishat Kadyrova, ka mbajtur më parë këtë post.

    Këto interesa biznesi përfshijnë ndërmarrjen e saj më të njohur, shtëpinë e modës Firdaws.

    Sipas uebsajtit e saj, dizajnerët e Firdaws “punojnë në segmentin autentik të modës modeste” dhe prodhojnë veshje që janë “besnike ndaj stilit tradicional çeçen, motiveve vainakh dhe natyrës” për “burra dhe gra që parapëlqejnë stil elegant dhe mbeten besnikë ndaj kulturës së tyre”.

    Sikurse Kadyrova ashtu edhe Firdaws janë nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

    Svetlana Anokhina, themeluese e Marem, shpjegon se përdorimi i “traditës” për të justifikuar ndalimet është një prirje e kahershme në Kaukazin e Veriut.

    “Burrat gjithmonë e kanë perceptuar çdo ‘shkelje të kufirit’ nga gratë si një cenim ndaj privilegjeve dhe ‘maskulinitetit’ të tyre”.

    “Sipas traditës, një i huaj nuk mund t’i japë urdhra një gruaje. Ai duhet t’i drejtohet asaj përmes burrave të familjes së saj. Por, duket se Kadyrovi e konsideron veten ‘babai i popullit’ dhe vepron në përputhje me këtë: Ai u lejon grave të ndëshkohen, të qortohen publikisht, t’u ndalohet veshja e disa rrobave dhe t’u vendosen kufizime për veshjen”, tha Anokhina.

    Kurse, Fatima Gazieva nga organizata “Paqe për Gratë në Botë” shpjegoi se kufizimet nuk kanë të bëjnë me ruajtjen e traditës, por me demonstrimin e kontrollit dhe besnikërisë para Kremlinit.

    “Nëse autoritetet vërtet donin të ruanin traditën, duhet të mbrojnë gratë, jo t’i kontrollojnë”. tha ajo.

  • Ngjarje e rëndë në Gadime të Lipjanit: Burri e sulmon me sëpatë ish-gruan e tij, policia jep detaje

    Ngjarje e rëndë në Gadime të Lipjanit: Burri e sulmon me sëpatë ish-gruan e tij, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka nisur veprimet hetimore lidhur me rastin e rëndë në Gadime të Lipjanit, ku një burrë tentoi ta privonte nga jeta ish-bashkëshorten e tij me sëpatë.

    Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, tha se i dyshuari është identifikuar dhe po vijojnë procedurat për kapjen e të njëjtit.

    “Sot në stacionin policor të Lipjanit, është iniciuar një rast vrasje në tentativë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet hetimore e procedurale , ndërkohë që personi i lënduar (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin është identifikuar personi i dyshuar i cili është në kërkim nga ana e policisë”, tha zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Ndryshe, drejtori i Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla tha se gjendja e viktimës është stabile dhe po vijon trajtimi i saj në Qendrën Emergjente.

  • Sindikata e Minatorëve ngre alarmin, thonë se kushtet në Trepçë janë të rrezikshme

    Sindikata e Minatorëve ngre alarmin, thonë se kushtet në Trepçë janë të rrezikshme

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar rreth kushteve të punës në Minierën me Flotacion të Trepçës.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook ata kërkojnë që vëmendja e qeverisë të kthehet nga minierat me plane konkrete.

    Po ashtu në reagim thuhet se kushtet aktuale janë të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme.

    “Pajisjet e vjetruara janë ndër shkaqet kryesore. Ato nuk plotësojnë standardet më elementare të sigurisë. Çdo herë që përdoren, rreziku për lëndim është pranë. Kjo gjendje është pasojë e mungesës së investimeve për shumë vite me radhë. Ne detyrohemi të sakrifikojmë, të punojmë me makineri të lodhura e me kushte të rrezikshme, vetëm që të sigurojmë të hyrat minimale për pagat tona”, thuhet në reagim.

    Më poshtë e keni reagimin e plotë të Sindikatës:

    Situata në minierë ka arritur në një pikë ku nuk mund të heshtet më. Përveç rrezikut të përditshëm që sjell profesioni ynë, ne po punojmë në kushte që nuk i plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë. Trajnimet e domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin në punë mungojnë, edhe pse me ligj duhet të mbahen rregullisht për çdo punëtor”.

    Çdo ditë jemi dëshmitarë të lëndimeve të rënda e të lehta brenda minierës. Shumë kolegë tanë kanë mbetur me pasoja të përhershme në shëndet, e shumë të tjerë me lëndime që nuk shihen nga askush përveç regjistrave të brendshëm. Ky numër është alarmues dhe nuk mund të trajtohet më si statistikë e ftohtë. Kjo është jeta e minatorëve që rrezikojnë për të mbajtur minierën gjallë.

    Pajisjet e vjetruara janë ndër shkaqet kryesore. Ato nuk plotësojnë standardet më elementare të sigurisë. Çdo herë që përdoren, rreziku për lëndim është pranë. Kjo gjendje është pasojë e mungesës së investimeve për shumë vite me radhë. Ne detyrohemi të sakrifikojmë, të punojmë me makineri të lodhura e me kushte të rrezikshme, vetëm që të sigurojmë të hyrat minimale për pagat tona.

    Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Investimet në Trepçë nuk janë dëshirë, janë domosdoshmëri.

    Ne i bëjmë thirrje qeverisë së re, kujtdo që do të marrë përgjegjësinë pas zgjedhjeve, të kthejë vëmendjen kah minierat. Duhet një plan i qartë, serioz dhe afatgjatë për sektorin minerar, me investime të drejtpërdrejta në Trepçë, sepse pa minatorët nuk ka prodhim, e pa prodhim nuk ka Trepçë.

    Po ashtu, kërkojmë nga menaxhmenti që menjëherë të nisë trajnimet e sigurisë dhe të ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse pa asnjë vonesë.

    Kushtet aktuale janë të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme. Minatorët nuk mund të presin më.

  • Ymeri: Vuk Hamoviq fitues i ankandit për bartjes të rrymës Kosovë-Maqedoni-Mal i Zi

    Ymeri: Vuk Hamoviq fitues i ankandit për bartjes të rrymës Kosovë-Maqedoni-Mal i Zi

    Zyrtarja e LDK-së, Janina Ymeri, ka alarmuar se Vuk Hamoviq, është fitues i ankandit për bartje të rrymës mes Kosovës e Maqedonisë, dhe Malit të zi dhe Kosovës.

    Postimi:

    Lajme, fakte sot

    EFT nga Vuk Hamovic fitues:

    Ankandi i bartjes së rrymës Maqedoni Veriut – Kosovë

    Ankandi i bartjes së rrymës Mali i Zi – Kosovë ku kosto për orë arrin deri 1,832 Euro.

    Për informata nga vet ky biznes mund të thirrni selinë në Beograd, kush din serbisht përveç se me komentu pro VV-së.

  • Ndërpritet seanca ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, pritet të vazhdojë pasdite

    Ndërpritet seanca ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, pritet të vazhdojë pasdite

    Përshkak të disa pamjeve që nuk arritën t’i hapin në hard disc, është ndërprerë seanca ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Seanca prite të vazhdojë pasdite, rreth orës 13:10.

    Në seancën e sotme pritej të dëshmonte babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, por që i njëjti mungoi.

    Në sallë u lexua dëshmia që Shaban Murseli kishte dhënë në polici më 6 dhjetor të vitit 2023, pak ditë pasi kishte ndodhur vrasja e Liridona Ademajt.

    Gjatë kësaj dëshmia, babai i Naimit kishte përmendur një problem që Liridona dhe Naimi kishin pasur, pasi ky i fundit kishte shkëmbyer disa fotografi me gruan e Kanon Kokallës (djali i hallës), Bjondinën.

  • Greqia shpall “Non Grata” gazetarin Artan Hoxha

    Greqia shpall “Non Grata” gazetarin Artan Hoxha

    Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “person non grata” nga autoritetet e Republikës së Greqisë dhe është ndaluar të hyjë përgjithmonë në territorin grek, pasi konsiderohet “i padëshirueshëm” dhe “kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”.

    Vendimi është komunikuar të martën në pikën kufitare të Kakavijës, ku Hoxha po udhëtonte drejt Janinës.

    Sipas gazetarit, policia greke e kufirit e ndaloi atë në sportelin e kontrollit të pasaportave dhe pasi i mori dokumentin e udhëtimit, e mbajti rreth një orë në komisariat. Rreth orës 10:30, atij i është dorëzuar vendimi që e përjashton nga hyrja në Greqi për një afat të pacaktuar. Në dokumentin zyrtar thuhej se:

    1. është karakterizuar si person i padëshirueshëm;

    2. konsiderohet rrezik për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së.

    Pas njoftimit, policia greke i vendosi një kryq me stilolaps mbi vulën e hyrjes në pasaportë dhe e urdhëroi të largohej menjëherë nga territori helen.

    Ky nuk është rasti i parë i ndalimit të gazetarëve shqiptarë nga autoritetet greke. Më herët, i njëjti vendim është marrë edhe për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, i cili vazhdon të mos lejohet të hyjë në Greqi.

    Sipas Hoxhës, vendimi për shpalljen e tij “non grata” është marrë që në fillim të vitit 2024, periudhë kur në Greqi zhvillohej fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian. Në listën e partisë në pushtet, Nea Dimokratia, kandidonte edhe Fredi Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, aktualisht i dënuar në Shqipëri.

    Hoxha ka qenë një prej gazetarëve që ka raportuar gjerësisht për aktivitetet e Belerit, duke përfshirë rolin e tij në ngjarjet e njohura si “Masakra e Peshkëpisë” të vitit 1994, ku mbetën të vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe u morën peng dhjetëra rekrutë. Për këto çështje, gazetari është përballur edhe me procese gjyqësore në Tiranë gjatë viteve 2023–2024.

    Gjatë fushatës së zgjedhjeve europiane, Hoxha ka publikuar artikuj investigativë në disa media greke, duke trajtuar raste të ndihmës që Beleri dyshohet se u ka dhënë shtetasve shqiptarë të dënuar për kriminalitet në Greqi, duke i paraqitur si minoritarë ortodoksë.

    Prej 23 vitesh, Hoxha ka publikuar një sërë investigimesh që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro–greke dhe çështje të sigurisë kombëtare, nga skandali i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, te zhvarrimet e fshatarëve të Kosinës të paraqitur si ushtarë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Ai ka dokumentuar edhe ngjarjen e Bularatit në vitin 2018, duke publikuar pamje të momentit kur Konstandinos Kacifas hapi zjarr ndaj policisë shqiptare.

    Sipas gazetarit, shpallja e tij “non grata” është një veprim politik i autoriteteve greke, që sipas tij synon të penalizojë gazetarët shqiptarë që ekspozojnë aktivitete të paligjshme në dëm të interesave shqiptare.

  • Rasti i Liridona Ademajt, prokurorja prezanton provat : Naim Murseli kishte borxh rreth gjysmë milioni euro

    Rasti i Liridona Ademajt, prokurorja prezanton provat : Naim Murseli kishte borxh rreth gjysmë milioni euro

    Seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, po vazhdon me administrimin e provave.

    Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka treguar për komunikimet që kanë pasur Naim Murseli dhe Granit Plava, disa ditë radhazi para se të ndodhte rasti tragjik.

    Para trupit gjykues, ajo ka prezantuar prova edhe se si natën e vrasjes, Granit Plava kishte qenë prezent në të njejtin restaurant me Naim Murselin e familjen e tij.

    “Dhe prova tjetër është, për raportet nga kompania, për thirrjet telefonike nga telefonët, të të pandehurit nga Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla të cilët kanë qenë të qasshsmë, pasi të gjithë e dimë që dy telefona të Naim Murselit dhe të te ndjerës Liridona Murseli që janë zhdukur në mënyrë misterioze atë natë kur ka ndodhur rasti. Në ëhatsApp, janë gjetur kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe të të pandehurit Naim Murseli dhe sipas provave të gjetura, të njëjtit kanë qenë duke u zhvilluar nga 23.11.2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar me ditë të tëra deri më 24.11.2023, 25.11.2023, 26.11.2023, 27.11.2023 dhe në datën e ndodhjes së vrasjes më 29.11.2023. I pandehuri Naim Murseli ka dërguar një mesazh Granit Plavës me një mesazh siç është ‘shok, sigurisht kryhet nesër, a të ka thënë shtëpia për paradite’ pas kësaj ndërmjet të të pandehurve, ka vazhduar edhe thirrja me telefon dhe thirrja e fundit e cila është shkëmbyer, ndërmjet të të pandehurit Naim dhe Granit ka ndodhur ndërmjet rrjetit social ëhatsApp 29.11.2023 në 19:01, ku kanë biseduar 28 sekonda. Dhe duke shiquar videon-incizimet të cilat janë marrë, kjo është koha kur të dytë Naimi nga njëra anë me familjen dhe Granit Plava nga ana tjetër kanë qenë ne restorabtin Etnokuqa në Graqanicë. Pas kësaj i pandehuri i dytë Granit Plava ka paguar llogarinë dhe ka dalur nga restoranti, ka hyrë në veturën e tij dhe e ka pritur Naimin me familjen e tij. Dhe ka filluar t’i përcjell. Nga inicizimi mund të shihet ardhja e Naimit me familjen e tij si dhe ardhja e Vrajit Plavë pak më pas. Si dhe shkuarja e tyre nga ai restorant. Kamerat e këtij restoranti, inicizojnë si brendësinë dhe hapësirën e jashtme ku shumë mirë shihet, në cilën tavolinë ishin të ulur dhe gjithashtu ato mund të inicizojnë pamjen e hapësirave, e parkingun e restaurantit dhe shume mirë shihet veturat të të pandehurve të Naim Murselit dhe Granit Plavës si dhe ajo kohë kur Granit Plava ishte dalë i pari nga ai restaurant dhe ka pritur në veturën e tij që të dalë Naimi me familjen e vet, dhe pasi që ata janë nisur me veturë, ky i ka përcjell më pas” ka thënë ajo.

    Prova tjera me video do të administrohen para trupit gjykues, pas 10 minutave pauza.

    “Gjatë vrasjes së Liridona Ademajt është shkrepur një plumb dhe që është gjetur gërzhoja e atij plumbi, i propozoj gjykatës, që të vazhdojmë me administrimin e këtyreve provave”, ka shtuar prokurorja.

    Prokurorja në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka treguar se sa kishte qenë vlera e borxheve që kishte Naim Murseli.

    “369.968.77 euro [borxhi] dhe gjatë dëshmisë së vet të pandehurit, informata te cilat i ka dhënë hestuesve policor, në njësinë e paraburgimit, ka pasur borxhe edhe ndaj personave fizik në vlerë prej 106 mijë euro, që do te thotë që vlera e përgjithshme e borxhit të të pandehurve në mars të vitit 2024, kur është bërë analiza e gjendjes së tij financiarë ka qenë 475,968,77 euro”, ka thënë ajo.

    Prokurorja gjatë administrimit të provave foli edhe për përgjigjjen që kanë marrë nga Shteti suedez lidhur me sigurimin jetësor të Liridonës.

    “Dhe më tej prova tjeter është përgjigja e organeve kompetente të Mbretërisë së Suedisë, i cili na vërteton që nga ana e organeve të Suedisë, është pranuar një përgjigje që Liridona Murseli ka pasur një polic të sigurimit jetësor me fillim të vlerësishmërisë 25 qershor 2022, në vlerën prej 3 milionë të kruneve suedeze, në të cilat nuk është cekur vazhduesi i përfitimit të sigurimit në rast të humbjes së jetës dhe në këto raste sipas ligjit, nëse nuk ka vartës pas vdekjes së saj, sipas ligjit më Suedi, shfrytëzuesi i policës do të ishte bashkëshorti”, ka thënë ajo.

  • Qendra e Studentëve do t’i nënshtrohet rinovimit 70 milion eurosh për Lojërat Mesdhetare

    Qendra e Studentëve do t’i nënshtrohet rinovimit 70 milion eurosh për Lojërat Mesdhetare

    Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, ka nisur faza e zhvillimit të projekteve madhore infrastrukturore, Në mesin e tyre, fokus të veçantë do të ketë edhe në Qendrën e Studentëve e cila do të shndërrohet në qendrën kryesore të akomodimit për mijëra sportistë nga vende të ndryshme të Mesdheut.

    Në një intervistë për KosovaPress, shefi i Agjencisë për Sport, në MKRS Fidan Shatri, shpalos detaje për kapacitetet, investimet, afatet kohore dhe trashëgiminë që do të mbetet për sportin dhe studentët pas vitit 2030. Shatri thekson se Qendra e Studentëve është zgjedhur si vendi kryesor ku do të strehohen sportistët pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare.

    “Pikërisht Qendra e Studentëve do të jetë vendtakimi i shumë sportistëve nga e gjithë Mesdheut, të cilët do të vendosen dhe do të akomodohen pikërisht në Qendrën e Studentëve, për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030…Shpresoj që po, do të jetë e mjaftueshme, pasi që do të bëhet një rinovim i tërësishëm i të gjitha objekteve të Qendrës së Studentëve, si dhe do të ndërtohen edhe objekte të reja për të rritur hapësirën, për pritjen e sportistëve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, thotë fillimisht Shatri.

    Sipas Shatrit, aktualisht Qendra e Studentëve ka rreth 3300 vende akomodimi, por kapaciteti do të zgjerohet ndjeshëm për Lojërat e vitit 2030. Rinovimet e thella dhe ndërtimi i objekteve të reja do ta çojnë numrin e shtretërve mbi 4500,

    “Do të bëhet rinovimi i hollësishëm i të gjitha objekteve në Qendrën e Studentëve, po ashtu në të njëjtën kohë do të ndërtohen edhe objekte të reja që të rritet hapësira për sportistët të cilët do të akomodohen në Qendrën e Studentëve. Pra, aktualisht e kemi diku rreth 3300 vende, hapësirë të banueshme, dhe kjo hapësirë do të rritet mbi 4500 hapësirë, vende për akomodim për të gjithë sportistët të cilët do të akomodohen në Qendrën e Studentëve. Do të ndërtohen objekte të reja të cilat do të hyjnë në shërbim pastaj, do të lënë trashëgimi edhe për organizime të tjera të aktiviteteve sportive. Pra, do të jenë në formatin, do të jenë me standardet më të larta evropiane, që kemi mundësi pastaj ndoshta me një çmim solid që të shfrytëzohen për aktivitete të tjera ndërkombëtare të cilat do të organizohen pas vitit 2030”, bëri të ditur Shatri.

    Tutje, Shatri sqaron se projekti përfshin një kosto të përgjithshme rreth 70 milionë euro, e cila mbulon rinovimin e Qendrës së Studentëve, Sallës “1 Tetori” dhe Menzës së Studentëve.

    “Kosto financiare në bazë të planifikimit do të jetë rreth 70 milionë euro, e cila do të investohet në Qendrën e Studentëve në tërësi, Sallën “1 Tetori”, Menzën e Studentëve. Investim ky që do të bëhet nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, me marrëveshje me kredinë e Agjencionit Zhvillimor Francez…Do të ndërtohen dy objekte të reja për pritjen, akomodimin e studentëve, të cilat Do të shfrytëzohen edhe për aktivitete të tjera ndërkombëtare. Pra, do të rritet hapësira, pasi që vendosja, pritja e sportistëve normal është një kusht që të ketë hapësirë të saktë, ku siç edhe e thashë do të jetë rreth 4500 vende të akomodimit të cilët do të akomodohen sportistët”, vijoi më tutje ai.

    Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me modernizimin e Menzës së Studentëve, e cila do të rikonfigurohet për të përballuar fluksin e madh të sportistëve gjatë lojërave. Po ashtu, Salla “1 Tetori” do të rinovohet tërësisht me pajisje bashkëkohore.

    “Do të rikonfigurohet Menza e Studentëve, do të rritet kapaciteti i Menzës së Studentëve ku do të hyjë në shërbim për ushqimin për sportistët që do të vijnë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030…”1 Tetori” do të riparohet tërësisht dhe do të investohet me pajisjet e fundit moderne të cilat do të hyjnë në shfrytëzim për sportistët për Prishtina 2030. Gjithashtu, risi e këtyre investimeve është edhe pishina gjysmëolimpike, e cila do të jetë me standardet më të larta, dhe normal që përveç Lojërave Mesdhetare, do të shfrytëzohet pastaj, do të jetë trashëgimi edhe për studentët dhe për qytetarë të tjerë, e cila do të menaxhohet normal nga Qendra e Studentëve”, theksoi Shatri.

    Sipas shatrit, punimet parashihen të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2027, dhe do të përfundojnë në pjesën e dytë të vitit 2029.

  • Suedia thotë se nuk do të njohë asnjë aneksim rus të territorit të Ukrainës

    Suedia thotë se nuk do të njohë asnjë aneksim rus të territorit të Ukrainës

    Suedia është kombi i fundit evropian që ndan qëndrimin e saj për këtë çështjen e bisedimeve të paqes që u mbajtën në Gjenevë.

    Ministrja e saj e Jashtme, Maria Malmer Stenergard, tha se Suedia nuk do ta njohë aneksimin e Krimesë ose ndonjë territori tjetër ukrainas nga Rusia.

    “Kufijtë e Ukrainës nuk mund të ndryshohen me forcë, dhe nuk mund të ketë kufizime në ushtrinë e saj nëse duam të arrihet një paqe e qëndrueshme”, shtoi ajo.

    Ndryshe, plani i paqes prej 28 pikash i SHBA-së që iu propozua për herë të parë Kievit javën e kaluar, përfshin Ukrainën që bën lëshime të rëndësishme territoriale ndaj Rusisë, duke përfshirë të gjithë Krimenë, Luhanskun dhe Donetskun.

    Në anën tjetër gjatë takimit të djeshëm mes palës amerikane, ukrainase dhe asaj evropiane në Gjenevë, thuhet se është arritur progres – të paktën kështu kanë deklaruar nga pala amerikane.