ATV

Category: Lajme

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, BE ende nuk ka vendosur nëse do të dërgojë vëzhgues

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, BE ende nuk ka vendosur nëse do të dërgojë vëzhgues

    Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj ngërçit politik që ka ndodhur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025 në Kosovë.

    Zëdhënësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nikolla Gaon, ka bërë të ditur për Telegrafin se vendimi për dërgimin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 28 dhejtorit do të konfirmohet më vonë.

    “Duke qenë se njoftimi për zgjedhjet është bërë vetëm së fundmi, do të konfirmojmë pjesëmarrjen e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve më vonë”, tha Gaon.

    Ai shprehu keqardhjen e Bashkimit Evropian për situatën politike të krijuar në vend.

    “BE-ja shpreh keqardhjen që partitë politike nuk arritën të kapërcejnë ngërçin politik të zgjatur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025”, ka deklaruar Gaon.

    Ai gjithashtu tha se BE-ja ka marrë njoftimin për zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, dhe nënvizon rëndësinë e një procesi zgjedhor të mirë administruar dhe konkurrues.

    “Përfshirja, certifikimi i partive politike dhe akreditimi i mediave nga të gjitha komunitetet janë thelbësore për një proces të drejtë zgjedhor”, u shpreh zëdhënësi i zyrës së BE-së në Prishtinë.

    Gaon gjithashtu shtoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës sapo të zgjidhen dhe të vazhdojë mbështetjen në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    “Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e duhur për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, u shpreh Gaon.

  • Dhëndri helmon prindërit e nuses për t’ua vjedhur pensionin, flet e moshuara: Na gjetën pa ndjenja

    Dhëndri helmon prindërit e nuses për t’ua vjedhur pensionin, flet e moshuara: Na gjetën pa ndjenja

    E moshuara e cila u helmua me valium nga dhëndri i saj Ismail Kllogjri në Librazhd, ka folur për News24. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më datë 22 nëntor në Librazhd, ku dhëndri u dha prindërve të nuses se tij doza të mëdha valiumi për t’i vënë në gjumë të thellë, në mënyrë që ai të mundej t’u vidhte paratë e pensionit të çiftit të moshuar.

    E moshuara thotë se ditën e ngjarjes ajo ishte duke qëndruar në shtëpi më bashkëshortin e saj, kur në banesë i vizitoi dhëndri.

    Ajo tha se dhëndri u fut në shtëpi dhe i pyeti se si janë. Këto janë momentet e fundit që ajo mban mend, pasi më pas ka rënë pa ndjenja si pasojë e dozës së valiumit që i kishte dhënë dhëndri.

    “Unë isha duke ndenjur dhe ai erdhi dhëndri dhe pyeti ‘ si je mirë’ kaq gjë. Pastaj nuk mbaj mend asgjë. Erdhi çuni prej Greqie me gjithë nuse dhe na gjetën pa ndjenja”, tha e moshuara.

    Kujtojmë se hetimet e policisë lidhur me ngjarjen nisën pasi çifti i bashkëshortëve ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore, të dyshuar për intoksikim.

    Nga hetimet rezultoi se dhëndri i tyre, 36-vjeçari Ismail Kllogjri, dyshohet se u ka dhënë një dozë të lartë medikamenti qetësues duke u shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.

  • Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit për shkarkim nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit

    Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit për shkarkim nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit

    Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.

    Ai ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

    Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.

    Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Në padi thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.

    Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.

    Në padi theksohet se më 20 nëntor u thirr takimi i KPK-së, i cili për pikë të rendit të ditës kishte: Raportin e komisionit zgjedhor nga radhët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar i datës 3 nëntor 2025. Por, para miratimit të rendit të ditës, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi që në rendin e ditës të futet edhe shkarkimi i paditësit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

    Pas këtij propozimi, pesë anëtarët e KPK-së – paditësi si anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi – fillimisht e kundërshtuan këtë propozim, duke e konsideruar arbitrar dhe të kundërligjshëm, e më pas e lëshuan menjëherë takimin e Këshillit. E që, në padi thuhet se me largimin e tyre, kuorumi bie automatikisht në më pak se minimumin e kërkuar me ligj.

    Më tej, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj, duke vepruar sipas detyrimit të tij ligjor, e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, e cila juridikisht prodhon efekt përfundimtar, duke shënuar fundin e çdo kompetence për vendimmarrje deri në thirrjen e një mbledhjeje të re.

    Sipas padisë, rënia e kuorumit e bën juridikisht të pamundur çdo vendimmarrje dhe se vendimmarrja pas mbylljes së mbledhjes, pa thirrje të re, është akt i nxjerrë në kundërshtim me procedurën thelbësore dhe, si e tillë, përbën shkak të pavlefshmërisë absolute

    Po ashtu, aty thuhet se në momentin e marrjes së vendimit të kontestuar, në sallë kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KPK-së, gjë që e bën të pamundur formimin e kuorumit të nevojshëm.

    Andaj, sipas padisë, çdo vendim i marrë në këto rrethana është absolutisht i pavlefshëm.

    Gjithnjë sipas padisë, është e pavërtetë ajo që theksohet në vendimin e KPK-së se “… pas një pauze të shkurtër vazhdoi takimi”, ngase kryesuesi Ardian Hajdaraj takimin e mbylli në mungesë kuorumi.

    Për këtë arsye, Kelmendi pretendon se vendimi për shkarkimin e tij, marrë nga vetëm pesë anëtarë, është: i marrë nga organi jo-kompetent, në mungesë të kuorumit të detyrueshëm, në një takim të ri pas mbylljes së takimit të parë dhe pa respektuar normën imperative të nenit 37/A. Kështu që, paraqet akt administrativ të pavlefshëm.

    Në padi po ashtu përmendet se lidhur me këtë vendim të Këshillit, Bashkimi Evropian ka konstatuar se vendimi: shpërfill sundimin e ligjit, dëmton besimin publik dhe minon përparimin drejt BE-së.

    Këshilli Prokurorial, sipas tij, veproi pa kuorum; veproi pas mbylljes së mbledhjes, pa një thirrje të re, pa procesverbal të vlefshëm, dhe duke e tejkaluar në mënyrë të papranueshme kompetencën e vet ligjore.

    Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e tij, të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial dhe i njëjti të kthehet në pozitën e ushtruesit të detyrës zyrtare, dhe që t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës, raporton Betimi për Drejtësi.

  • Tahiri kërkon veprim urgjent për lirimin e 77-vjeçarit Hazir Haziri, i burgosur në Serbi

    Tahiri kërkon veprim urgjent për lirimin e 77-vjeçarit Hazir Haziri, i burgosur në Serbi

    Ish-deputeti, Besnik Tahiri ka parashtruar kërkesë për veprim urgjent institucional, për lirimin e Hazir Hazirit, 77-vjeçarit i cili tashmë 78 ditë po mbahet i ndaluar nga autoritetet serbe në burg, nën akuza të për krime lufte.

    Përmes një postimi në Facebook, Tahiri thotë se vazhdimi i mbajtjes në burg i Hazirit, paraqet real për shëndetin dhe jetën e tij.

    Tahir po ashtu përmendi Marrëveshjen e vitit 2015, sipas të cilës,rastet e dyshuara për krime lufte ndaj shtetasve të Kosovës duhet të trajtohen nga gjykatat e Kosovës.

    “Familja e tij po kalon ditë të padurueshme pasigurie, frike dhe dhimbjeje. Çdo ditë që kalon është e rëndë dhe e padrejtë. Institucionet tona, partnerët ndërkombëtarë dhe miqtë e Kosovës, veproni TANI. Mos heshtni. Mos prisni. Ky është test i humanizmit, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor”, ka shkruar Tahiri.

    Dje, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet e Kosovës, edhe vajza e 77-vjeçarit.

    Në një letër zyrtare, Anita Haziri ka apeluar urgjentisht për reagim institucional, duke thënë se babai i saj, 77-vjeçar, po mbahet në kushte jo humane dhe pa asnjë provë konkrete ndaj tij.

  • Trump nënshkruan urdhrin që shpall Vëllazërinë Myslimane si organizatë terroriste

    Trump nënshkruan urdhrin që shpall Vëllazërinë Myslimane si organizatë terroriste

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka firmosur një urdhër ekzekutiv që hap rrugën për përcaktimin e Vëllazërisë Myslimane si Organizatë Terroriste e Huaj (FTO) dhe Organizatë Globale Terroriste e Caktuar Posaçërisht (SDGT).

    Sipas urdhrit, Sekretarët e Shtetit dhe të Thesarit duhet të përgatisin një raport të detajuar mbi degët e organizatës në Liban, Egjipt dhe Jordani, për të vlerësuar nëse ato plotësojnë kriteret për shpalljen si grupime terroriste.

    Pas paraqitjes së raportit, institucionet përkatëse kanë 45 ditë kohë për të ndërmarrë hapat zyrtarë të përcaktimit, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë dhe agjencitë e inteligjencës.

    Shtëpia e Bardhë deklaron se synimi i këtij procesi është dobësimi i aftësive operacionale të bashkëpunëtorëve të Vëllazërisë Myslimane, njoftimi i burimeve të tyre financiare dhe parandalimi i çdo kërcënimi potencial ndaj qytetarëve amerikanë dhe interesave kombëtare.

    Administrata Trump theksoi se rrjeti ndërkombëtar i Vëllazërisë Myslimane “vazhdon të nxisë terrorizmin dhe veprime destabilizuese në Lindjen e Mesme”, në dëm të interesave amerikane dhe atyre të aleatëve të saj.

  • Vuçiq: Edhe katër ditë deri në ndërprerjen e punës në rafinerinë e NIS-it

    Vuçiq: Edhe katër ditë deri në ndërprerjen e punës në rafinerinë e NIS-it

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 25 nëntor se Serbia ka edhe katër ditë deri në ndalimin e plotë të punës së rafinerisë nëse Shtetet e Bashkuara nuk e aprovojnë licencën e punës për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS).

    “Rafineria e NIS-it po funksionon, ende nuk është fikur”, tha Vuçiq.

    Më 18 nëntor, NIS-i kërkoi nga SHBA-ja një licencë të posaçme për të vazhduar punën gjatë kohës sa zgjasin negociatat mes aksionarëve dhe palëve të interesuara për ndryshimin e strukturës së pronësisë të kompanisë.

    Vuçiq tha se pritej që Serbia ta merrte këtë licencë, “por ka edhe gjëra të tjera që ata [SHBA] duhet t’i dëgjojnë dhe t’i shohin” që të miratojnë licencën.

    Ai tha se në rast të ndërprerjes të punës së rafinerisë duhen 20 ditë për ta vënë atë sërish në funksion.

    “Kemi bërë gjithçka që na kanë thënë miqtë rusë dhe jemi dërguar në një situatë shumë të vështirë”, tha Vuçiq.

    “Na kanë mbetur edhe sot e nesër për të marrë licencën”, shtoi ai.

    Presidenti serb tha se ka pasur zëra në Qeveri se duhet të bëhet nacionalizimi i NIS-it, por propozimi i tij, i cili është miratuar, ishte që të jepen edhe 50 ditë kohë për të gjetur një blerës të ri për NIS-in.

    Ai tha se me ndërprerjen e punës së rafinerisë do të “vihej në rrezik funksionimi i sistemit shëndetësor, ndihmës së shpejtë”, si dhe furnizimi i zinxhirëve tregtarë dhe funksionimi i sistemit të transportit.

    Vuçiq tha gjithashtu se Banka Popullore e Serbisë ka marrë paralajmërime, ashtu si edhe bankat komerciale në Serbi, për sanksione dytësore për shkak të bashkëpunimit me NIS-in.

    “Po i vëmë në rrezik edhe bankat komerciale edhe Bankën Popullore. Unë personalisht kam marr garanci verbale nga amerikanët se nuk do të ketë sanksione të tilla për bankat”, tha ai.

    Vuçiq kishte deklaruar më herët gjatë nëntorit se pronarët rusë po negociojnë për shitjen e aksioneve të tyre në NIS me tre partnerë, por nuk kishte treguar se për kë bëhej fjalë.

    Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor, si përpjekje e administratës amerikane për t’i pamundësuar Rusisë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë. Këto sanksione më parë ishin shtyrë tetë herë.

    Shteti i Serbisë në vitin 2008 ia shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft për 400 milionë euro, pa tender.

    Ndërkohë, struktura pronësore e NIS-it është ndryshuar disa herë, por ajo vazhdon të jetë shumicë në duart e kompanive ruse, ndërsa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve.

    NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, si dhe prodhimin e gazit natyror.

    Serbia është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje.

  • Komandanti i KFOR-it mirëpret Shefin e Shtabit të Ushtrisë Kombëtare të Moldavisë në Prishtinë

    Komandanti i KFOR-it mirëpret Shefin e Shtabit të Ushtrisë Kombëtare të Moldavisë në Prishtinë

    Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, mirëpriti Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare dhe Komandantin e Ushtrisë Kombëtare të Republikës së Moldavisë, Gjeneralbrigade Vitalie Micov, në selinë e KFOR-it, në kampin Film City, në Prishtinë.

    Ata shkëmbyen pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbi përpjekjet e KFOR-it. Gjeneralmajor Ulutaş vlerësoi kontributin afatgjatë dhe shumë të çmuar të Moldavisë në aktivitetet e përditshme të KFOR-it dhe lavdëroi profesionalizmin e treguar nga personeli moldav.

    KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjigjës të sigurisë.

  • Kjo është partia që pritet t’i bashkohet LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetori

    Kjo është partia që pritet t’i bashkohet LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetori

    Aleanca Kosova e Re pritet të merr pjesë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. AKR që tash udhëhiqet nga Vesel Makolli, sipas të gjasve do të jetë pjesë e listës së kandidatëve që garojnë me LDK-në.

    Makolli ka thënë se për shkak se edhe në zgjedhjet e fundit lokale kanë qenë bashkë në Prishtinë, pret që këtë bashkëpunim ta vazhdojnë edhe për zgjedhje nacionale.

    “Po do të marrim pjesë në zgjedhje. Këto ditë e definojmë. E kemi parë ftesën publike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Këto dy tri ditë e vendosim. Edhe anëtarësia jonë është më e afërt me LDK-në se sa me partitë tjera”, ka thënë ai për indeksonline.

    I pyetur se sa kandidat do t’i ketë AKR në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Makolli ka thënë se pret që t’i kenë 5 kandidatë.

    Ai ka thënë se tash për tash nuk dihet nëse, Behgjet Pacolli do të jetë në mesin e kandidatëve të AKR-së për deputetë.

  • Gati 300 ushtarë të KFOR’it marshojnë 30 kilometra në Bondsteel në nderim të të rënëve

    Gati 300 ushtarë të KFOR’it marshojnë 30 kilometra në Bondsteel në nderim të të rënëve

    KFOR ka njoftuar se gati 300 ushtarë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Danimarka, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Zvicra, Kroacia, Letonia, Sllovakia dhe Polonia, kanë marrë pjesë në Marshimin Norvegjez në Kampin Bondsteel.

    Ky marshim që ka përfshirë 30 kilometra me një çantë shpine prej 11 kilogramësh dhe u zhvillua në nder të ushtarëve të rënë, duke pasqyruar përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e ushtarëve të KFOR-it.

    Njoftimi:

    Gati 300 ushtarë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Danimarka, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Zvicra, Kroacia, Letonia, Sllovakia dhe Polonia, që shërbejnë nën Komandën Rajonale – Lindje brenda misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, morën pjesë në Marshimin Norvegjez me Pajisje në Kampin Bondsteel, Kosovë.

    Marshimi përfshiu 30 kilometra me një çantë shpine prej 11 kilogramësh dhe u zhvillua në nder të ushtarëve të rënë, duke pasqyruar përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e ushtarëve të KFOR-it.

    KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar për një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe paanshmërisht. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në rolin e vet si përgjegjës për sigurinë.

  • Ministri kroat: Nuk ka flokë dhe mjekër të gjatë në ushtri, ky nuk është një ekskursion

    Ministri kroat: Nuk ka flokë dhe mjekër të gjatë në ushtri, ky nuk është një ekskursion

    Në një përkujtim për mbrojtësit dhe civilët kroatë të rënë dhe të zhdukur në mbrojtjen e Laslovit, Ministri kroat i Mbrojtjes Ivan Anushiq foli për shërbimin ushtarak që së shpejti do të futet në këtë vend.

    Anushiq iu drejtua posaçërisht imazhit të atyre që do të kryejnë shërbimin e tyre ushtarak.

    “Ata do të duhet të presin flokët, por jo në zero. Ata nuk mund të kenë flokë deri në supe dhe të jenë në ushtri. Flokët dhe mjekrat e gjata përbëjnë problem në aktivitetet e përditshme ushtarake, kushtet e luftimit, higjienën dhe veshjen e pajisjeve. Një ushtar duhet të duket i rregullt dhe i përshtatshëm. Ky është themeli i disiplinës, dhe disiplina është themeli i ushtrisë. Ky nuk është një ekskursion”, tha Anushiq.

    Deklarata të tilla të kujtojnë në mënyrë të papërmbajtshme kolegun amerikan të Anushiq, Pete Hegseth, i cili ka theksuar vazhdimisht se do t’u ndalojë ushtarëve në ushtrinë amerikane të rrisin mjekra.

    Gjatë këtij eventi, Anushiq iu drejtua gjithashtu njoftimit të kryetarit të bashkisë së Zagrebit, Tomislav Tomasheviq, se do të ndalonte një koncert nga këngëtari kontrovers kroat, Marko Perkoviq.

    “Nuk shoh asnjë arsye për të ndaluar dikë që të mbajë një koncert sot, veçanërisht dikë, shfaqjet e të cilit deri më tani janë ndjekur nga gjysmë milioni njerëz”, tha ministri kroat i mbrojtjes.