ATV

Category: Lajme

  • Vdes Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas

    Vdes Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas

    Behar Topilla, një nga figurat më domethënëse të kujtesës së masakrës së Shavarinës në Gllanasellë, ka ndërruar jetë.

    Topilla ishte i vetmi që i kishte shpëtuar masakrës së 1 majit 1999, në të cilën u vranë mbi 40 civilë shqiptarë.

    Historia e tij u bë e njohur në mbarë botën përmes gazetës amerikane The Salt Lake Tribune, e cila në atë kohë botoi artikullin me titullin “Sole Survivor” – “I mbijetuari i vetëm”.

    Ai kishte mbetur i plagosur dhe i fshehur nën trupat e viktimave, derisa arriti të shpëtonte.

    Behar Topilla mbeti dëshmitar kyç i një prej krimeve më të rënda të luftës së fundit në Kosovë.

    Zëri i tij ishte pjesë e dëshmisë së gjallë për masakrën e Shavarinës, një histori që ai e mbajti në shpirt deri në fund të jetës.

    Largimi i tij lë një boshllëk të madh, pasi me të shuhet edhe një zë i pazëvendësueshëm i së vërtetës historike.

    Megjithatë, rrëfimi i tij mbetet i gdhendur në kujtesën kolektive dhe do të jetojë si dëshmi e qëndresës përballë krimeve të luftës.

  • Hamza iu drejtohet qytetarëve: Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës – ma jepni besimin

    Hamza iu drejtohet qytetarëve: Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës – ma jepni besimin

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar një videoadresim drejtuar qytetarëve, ku ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe ka kërkuar besimin për të udhëhequr vendin.

    Duke iu drejtuar qytetarëve, Hamza ka thënë se vota e tyre, do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës.

    “Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim,” ka thënë Hamza.

    Ai ka thënë se janë dy rrugë para.

    “A do ta kemi një qeveri stabile, një qeveri që na bashkon të gjithëve dhe një Kryeministër që u shërben me të vërtetë qytetarëve? Apo do të vazhdojmë me të njëjtin avaz të krizave, përçarjeve e papërgjegjësisë?!”

    Hamza ka kërkuar besimin e qytetarëve për të udhëhequr vendin.

    “Unë e zgjedh të parën, prandaj sot po e kërkoj besimin tuaj. Ma jepni besimin që unë ta rikthej stabilitetin në Kosovë.”

    Ai ka premtuar kabinet profesional dhe të përgjegjshëm.

    “Më besoni që unë ta formoj një qeveri me njerëz të aftë dhe të ndershëm. Një qeveri që i mban premtimet dhe që i vendos qytetarët në radhë të parë. Më besoni që unë të udhëheq me transparencë, me përgjegjësi dhe me rezultate, për t’i sjellë Kosovës zhvillim dhe mirëqenie”, ka thënë ai.

    Kreu i PDK-së, përshkruan gjendjen aktuale në vend si të rënduar.

    “Sot, Kosova është e rënduar nga krizat. Jetojmë nën një mjegull pasigurie dhe jostabiliteti. Ndërkohë që shohim çdo ditë se si shpresa tek të rinjtë tanë është zbehur”, ka deklaruar Hamza.

  • OKB: Çdo 10 minuta vritet një grua në familje

    OKB: Çdo 10 minuta vritet një grua në familje

    Organizata e Kombeve të Bashkuara, në rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave ka nxjerrë shifra alarmante.

    Përafërsisht çdo dhjetë minuta, një grua ose vajzë bie viktimë e dhunës vdekjeprurëse brenda një marrëdhënieje ose familjes, vlerëson OKB.

    Vitin e kaluar, rreth 83.000 gra në mbarë botën u vranë qëllimisht dhe në rreth 60 përqind të këtyre rasteve, autori i krimit ishte një anëtar i familjes ose partner, njoftoi OKB.

    Vrasjet e grave shpesh janë pjesë e një “dhune në vazhdimësi”, tha Sarah Hendriks, Drejtoreshë e Politikave në UN Women.

    “Ajo fillon me kontrollin, kërcënimet dhe ngacmimet, përfshirë ato në internet. Çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetë e sigurt në të gjitha aspektet e jetës së saj. Shtetet duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar këto vrasje dhe për t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë”, shtoi Hendriks.

    Shifrat bazohen në të dhëna nga 117 vende. Sipas statistikave të OKB-së, femicidet – rastet e dhunës vdekjeprurëse në të cilat gratë vriten për shkak të gjinisë së tyre – janë veçanërisht të shpeshta në vendet afrikane. Amerika e Jugut dhe e Veriut vijnë pas tyre. Ndërsa ende mjaft femicide ndodhin në shumë vende aziatike dhe evropiane, numri i tyre është relativisht më i ulët në krahasim me popullsinë.

    Një studim i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zbuloi se më shumë se 30 përqind e të gjitha grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë në një moment të jetës së tyre. OBSH vlerëson se ka 840 milionë viktima.

    Për më shumë se tre dekada, 25 nëntori në mbarë botën kujtohet si “Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”. Në këtë ditë aksioni të njohur edhe si “Dita Portokalli” ndërtesat ndriçohen në ngjyrë portokalli, zhvillohen mitingje e evenimente të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën e përhapur ndaj grave dhe vajzave.

  • Arrestohen edhe 4 persona të tjerë për vjedhjen e bizhuterive me vlerë 102 milionë dollarë në Luvër

    Arrestohen edhe 4 persona të tjerë për vjedhjen e bizhuterive me vlerë 102 milionë dollarë në Luvër

    Rrethi i hetimeve për grabitjen spektakolare në Muzeun e Luvrit është ngushtuar sërish. Prokuroria e Parisit njoftoi këtë të martë arrestimin e katër personave të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në vjedhjen e bizhuterive historike me një vlerë prej 102 milionë dollarësh, ngjarje e ndodhur në tetor të këtij viti.

    Të arrestuarit e rinj

    Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, e cila drejton hetimin, bëri të ditur se në pranga kanë rënë dy burra dhe dy gra. Të arrestuarit janë banorë të rajonit të Parisit dhe kanë moshën nga 31 deri në 40 vjeç. Ndonëse deklarata zyrtare nuk specifikoi rolin e tyre të saktë në vjedhjen e 19 tetorit, policia ka të drejtë t’i mbajë ata në paraburgim deri në 96 orë për t’i marrë në pyetje.

    Këto arrestime vijnë pas akuzave të ngritura më herët ndaj tre burrave dhe një gruaje tjetër, të arrestuar në tetor për “grabitje dhe komplot kriminal”.

    Një “thesar” ende i zhdukur

    Pavarësisht arrestimeve të njëpasnjëshme, sendet e vjedhura nuk janë gjetur ende. Inventari i objekteve të humbura përfshin pjesë të një rëndësie të jashtëzakonshme historike:

    Një gjerdan me diamante dhe smeralde, dhuratë e Napoleonit për Perandoreshën Marie-Louise;

    Bizhuteri që i përkisnin mbretëreshave të shekullit të 19-të, Marie-Amélie dhe Hortense;

    Diadema me perla dhe diamante e Perandoreshës Eugénie.

    E vetmja pjesë e rikuperuar është kurora perandorake me smerald e Perandoreshës Eugénie (me mbi 1,300 diamante), e cila u gjet e braktisur jashtë muzeut menjëherë pas ngjarjes.

    8 minuta si në filma

    Detajet e grabitjes kanë shokuar opinionin publik dhe ekspertët e sigurisë. Sipas hetimeve, bandës i mjaftuan më pak se tetë minuta për të kryer vjedhjen. Ata hynë me forcë përmes një dritareje në Galerinë e zbukuruar Apollo, përdorën prerës disqesh për të hapur vitrinat e blinduara dhe u larguan përmes një ashensori mallrash, për t’u zhdukur më pas me shpejtësi me ndihmën e bashkëpunëtorëve që i prisnin me skutera.

    Siguria në Luvër nën akuzë

    Grabitja e guximshme gjatë ditës ka vënë në qendër të kritikave masat e sigurisë në muzeun më të vizituar në botë. Senatorët francezë kanë deklaruar se siguria në Luvër “nuk është në përputhje me standardet moderne”, ndërsa ministri francez ka premtuar instalimin e pajisjeve të reja anti-ndërhyrje pas mangësive të zbuluara nga raporti i pas-ngjarjes.

  • Osmani takon ish-policin Arbnor Spahiu, u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi

    Osmani takon ish-policin Arbnor Spahiu, u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, sidomos atyre që planifikojnë të udhëtojnë për festat e fundvitit, që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë.

    Osmani theksoi se dje e kishte pritur në takim ish-policin Arbnor Spahiu, i cili u lirua nga burgu në Serbi javën e kaluar, dhe nga aty bëri apel që të shmanget kalimi nëpër Serbi.

    Osmani shkroi në ‘Facebook’ se institucionet dhe strukturat në Serbi vazhdojnë të jenë të njëjta në mendësi me regjimin e kaluar serb, duke paraqitur rrezik për qytetarët kosovarë.

    Arbnor Spahiu ishte arrestuar në qershor të këtij viti nga Serbia nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë të Zveçanit.

  • OVL e UÇK-së konfirmon se një veteran u arrestua në Serbi

    OVL e UÇK-së konfirmon se një veteran u arrestua në Serbi

    Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.

    Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

    “Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

  • Sllovenia njeh patentë-shoferët e Kosovës

    Sllovenia njeh patentë-shoferët e Kosovës

    Asambleja Nacionale e Republikës së Sllovenisë ka miratuar sot ligjin që zyrtarisht njeh patentë-shoferët e Republikës së Kosovës.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila e ka vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për qytetarët kosovarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni.

    “Lajm i mirë për qytetarët tanë dhe mërgatën në Slloveni. Urime!”, ka shkruar Gërvalla, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin mes dy shteteve.

    Me këtë vendim, kosovarët që posedojnë patentë-shofer të lëshuar nga institucionet e Kosovës do të mund ta përdorin atë zyrtarisht në territorin e Sllovenisë, pa pasur nevojë për procedura shtesë të njohjes apo konvertimit.

    Ky hap pritet të lehtësojë lëvizjen dhe punësimin e mijëra qytetarëve nga Kosova që jetojnë në këtë shtet të BE-së.

  • Dyshime për dokumente të rreme në tender publik – arrestohet një person në Gjilan

    Dyshime për dokumente të rreme në tender publik – arrestohet një person në Gjilan

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Mashtrim në prokurimin publik”, pas përfundimit të një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

    Sipas njoftimit, hetimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe kanë rezultuar në sigurimin e provave relevante që lidhen me një aktivitet të prokurimit publik në këtë rajon.

    Policia njofton se dyshohet që një operator ekonomik ka paraqitur dokumentacion të paplotë, të pasaktë ose të pavërtetë, në kundërshtim me kërkesat ligjore të prokurimit publik, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

    “Bazuar në veprimet hetimore është krijuar dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim në prokurimin publik’,” thuhet në njoftim.

    I dyshuari është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij ligjor, ndërsa prokurori kompetent ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore, duke theksuar përkushtimin për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

  • Kryediplomati gjerman: Rusia nuk duhet të shpërblehet për agresionin e saj

    Kryediplomati gjerman: Rusia nuk duhet të shpërblehet për agresionin e saj

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, bëri thirrje që të mos shpërblehet Rusia, e cila po zhvillon luftë kundër Ukrainës.

    Në fjalimin e tij në Forumin e Politikës së Jashtme të Fondacionit Körber, Wadephul vlerësoi “planin e paqes” me 28 pika të përgatitur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund Luftës Rusi-Ukrainë.

    Wadephul falënderoi SHBA-të për përpjekjet e saj në Ukrainë dhe përsëriti se asnjë vendim në lidhje me sigurinë e Ukrainës dhe Evropës nuk do të merret pa përfshirjen e ukrainasve dhe evropianëve.

    Duke theksuar se në Gjenevë u zhvilluan bisedime të mira, Wadephul vuri në dukje se ata mirëpritën gatishmërinë e SHBA-së për të zhvilluar planin e propozuar, ndërsa vuri në dukje se do t’i sillte ata më pranë një propozimi të drejtë, të fortë dhe të qëndrueshëm për paqe.

    Wadephul deklaroi se ata duan paqe, duke theksuar: “Megjithatë, ne ende nuk e dimë nëse kjo do të realizohet, apo nëse do të ketë një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, të paktën si hap i parë”.

    Kjo varet kryesisht nga Rusia, tha Wadephul, duke vënë në dukje se Rusia vazhdon sulmet e saj të përditshme ndaj vendit të saj fqinj.

    “Prandaj, është e rëndësishme që vija aktuale e frontit të mbetet pika fillestare për negociatat, sepse një agresor si Rusia nuk duhet të shpërblehet për agresionin e saj”, tha Wadephul.

    Duke vënë në pah se përndryshe Rusia do të zgjerohet më tej, Wadephul mbrojti idenë se Rusia ka ambicie dhe ambicie imperialiste që shtrihen shumë përtej Ukrainës.

    Ai ka vënë në dukje se Rusia e ka përgatitur kryesisht ekonominë dhe shoqërinë e saj për luftë dhe po rekruton më shumë trupa sesa i duhen. “Ajo po rekruton afërsisht një divizion trupash çdo muaj. Këto janë divizione që padyshim i kanë sytë tek ne, Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO”, tha Wadephul.

    Wadephul vuri në dukje se agjencitë e inteligjencës thonë se Rusia po e mban të hapur mundësinë e luftës kundër NATO-s deri në vitin 2029, më së voni, duke shtuar se “Kërcënimi i Rusisë për vendin tonë nuk është një shqetësim i largët, është një realitet sot”.

    Wadephul deklaroi se Rusia po përdor luftë hibride dhe se dronët po shkelin hapësirën ajrore në Evropë, po kryejnë akte sabotimi dhe po orkestrojnë fushata lajmesh të rreme.

  • Kryesuesi i KPK-së: Kelmendi u shkarkua për shkak të qëndrimeve të njëanshme e denigruese ndaj sistemit prokurorial

    Kryesuesi i KPK-së: Kelmendi u shkarkua për shkak të qëndrimeve të njëanshme e denigruese ndaj sistemit prokurorial

    Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, tha se Besim Kelmendi është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të qëndrimeve të njëanshme dhe denigruese në takimet e Këshillit dhe prononcimet për medie. Ai tha se mirëpresin faktin që Kelmendi do të ndjek rrugët ligjore për të kontestuar vendimin për shkarkimin e tij.

    Në një konferencë për medie të thirrur të martën, Hajdaraj duke folur për zhvillimet e fundit në KPK, tha se në mbledhjen e 20 nëntorit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe katër anëtarë të tjerë lëshuan kundërligjshëm mbledhjen.

    Sipas tij, në atë takim anëtarët e Këshillit erdhën të përgatitur dhe me qëllim për të bllokuar punën e Këshillit, e që në asnjë rrethanë nuk duhet të bllokohet, por të ketë funksionim normal për të përmbushur mandatin e tij.

    Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

    “Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese të shprehura nga zoti Kelmendi në takimet e Këshillit dhe prononcimet për medie, është zbehur ndjeshëm roli unifikues që i takon Kryeprokurorit të Shtetit në sistemin prokurorial, si dhe ka cenuar besimin e publikut në sistemin prokurorial”, tha Hajdaraj.

    Andaj, ai thotë se për këtë arsye kanë marrë vendim për shkarkimin e Kelmendit nga kjo pozitë.

    Sipas tij, për shkak të këtyre arsyeve dhe të tjera politike, sistemi prokurorial ka mbetur pa dekretimin e Kryeprokurorit të Shetit. Tha se në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, kanë marrë vendim për shkarkimin e Kelmendit, ndërkaq theksoi se në vend të tij caktuan Agron Qalajn.

    “Ne e mirëpresim qasjen e zotit Kelmendi për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Ne duhet t’i besojmë sistemit tonë gjyqësor për vendimet që merr, përfshirë edhe këtë çështje”, shtoi Hajdaraj.

    Por, sipas tij, tentimi për të penguar punën dhe funksionimin e Këshillit Prokurorial, përbën sulm të drejtpërdrejtë në punën e këtij institucioni dhe kërcënim për sigurinë juridike.

    Hajdaraj tha se Besim Kelmendi ka mundur të ndjek të gjitha rrugë ligjore ndaj kujtdoqoftë e jo të dalë në konferencë për shtyp për të shfaqur pretendime për presion, shantazh e forma tjera ndaj një prokurori brenda sistemit.

    “Kësisoj ai nuk e ka kryer detyrën e tij sipas Kushtetutës dhe Ligjit, përkundrazi me këto veprime ka lëkundur seriozisht besimin e publikut në sistemin prokurorial”, u shpreh Hajdaraj.

    Ai i bëri thirrje Qalajt që të shqyrtojë të gjitha pretendimet e Kelmendit, për të trajtuar dhe hetuar përgjegjësinë e gjithë personave të përfshirë në rast.