ATV

Category: Lajme

  • Tha se u intervistua si dëshmitar, Prokuroria përgënjeshtron Halil Thaçin: U mor në pyetje si i pandehur

    Tha se u intervistua si dëshmitar, Prokuroria përgënjeshtron Halil Thaçin: U mor në pyetje si i pandehur

    Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka intervistuar kryetarin e komunës së Obiliqit, Halil Thaçin, rreth hetimeve që ky institucion po i bën lidhur me shpronësimet në fshatin Shipitullë.

    Për këtë, janë deklaruar edhe Thaçi edhe Prokuroria Speciale, ani pse, me deklarime të ndryshme sa i përket intervistimit.

    Thaçi, ishte i pari që iu drejtua mediave, kur ndër tjerash, pasi u pyet se në çfarë cilësie u intervistua, tha se, ai u morr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.

    “Po, si dëshmitar, ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë dhe unë, për çka do që di, do t’i përgjigjem prokurorit. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund. Po ashtu, i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, tha mes tjerash kryetari i Obiliqit.

    Megjithatë, ndryshe u deklarua Prokuroria. Nga këta të fundit për Gazetën Express, thanë se Thaçi u mor në pyetje në cilësinë e të pandehurit.

    ‘’Mund të konfrimojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”, kanë thënë nga Prokuroria për Express.

  • Osmani: Sonte jam me Anglinë, Argjentina e eliminoi padrejtësisht Zvicrën

    Osmani: Sonte jam me Anglinë, Argjentina e eliminoi padrejtësisht Zvicrën

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se sonte do të bëjë tifo për kombëtaren e Anglisë në futboll, e cila përballet në gjysmëfinalen e Kupës së Botës me Argjentinën.

    Ajo tha se eliminimi i Zvicrës nga Argjentina e ka bërë ta ndryshojë preferencën e saj.

    “Aty definitivisht jam me Anglinë. Po ta shohim edhe aty. Deri vonë kam qenë me Amerikën edhe me Zvicrën për arsye që dihen sepse gjithmonë jam me Amerikën. Edhe e dyta për shkak të Granit Xhakës në Zvicër. Gjithmonë e kemi përkrahur ekipin e Zvicrës e tash fatkeqësisht pas eleminimit të padrejtë të Zvicrës tash e dimë sigurt që me Argjentinën s’jemi. Kështu që ndoshta diku mes Francës edhe Anglisë, të dyjat kanë një futboll të jashtëzakonshëm, të pastër”, tha Osmani.

    Ajo tha se futbollin e ka ndjekur që nga fëmijëria dhe se Kampionatin Botëror po e shijon së bashku me familjen.

    “Unë e kam përcjell prej kur kam qenë shumë e vogël çdo kampionat edhe botëror edhe evropian edhe kësaj radhe. Jemi kënaqur tash edhe bashkë me vajzat e mia edhe me bashkëshortin edhe atyre po ju intereson shumë futbolli vajzave të mia, kështu që çdo ndeshje e kqyrim bashkë edhe sonte kesh tu e kqyr në sa ora duhet me u nis për shpejt që me u siguru që nuk mungoj. Definitivisht për mua Ronaldo. Thash nuk ia fali që e kanë eliminuar Granit Xhakën se e ka merituar Zvicra me ec përpara”, tha Osmani.

  • Deputeti Ilir Kërçeli i bën thirrje Shqipërisë ta shpallë non grata ministren serbe

    Deputeti Ilir Kërçeli i bën thirrje Shqipërisë ta shpallë non grata ministren serbe

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit të një ministreje të Qeverisë së Serbisë, duke bërë thirrje që edhe Republika e Shqipërisë të marrë masa ndaj saj.

    Në një paraqitje në Euronews Albania, Kërçeli tha se deklarata e ministres serbe nuk përbën surprizë dhe se qëndrime të tilla nuk konsiderohen ekskluzive nga ana e tij.

    “Ne nuk befasohemi dhe as nuk e konsiderojmë si ekskluzivitet deklaratën e ministres së Serbisë”, deklaroi ai.

    Deputeti i LVV-së i bëri thirrje Qeverisë së Shqipërisë që ta shpallë ministren serbe person të padëshiruar, duke argumentuar se deklaratat e saj janë të papranueshme.

    “Me këtë rast, i bëj thirrje Republikës së Shqipërisë, përkatësisht Qeverisë së Shqipërisë, që ta shpallë atë person të padëshiruar”, u shpreh Kërçeli.

  • Rreth 80 persona dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një piceri në Han të Elezit

    Rreth 80 persona dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një piceri në Han të Elezit

    Rreth 80 persona dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në një piceri në Han të Elezit.

    Sipas informacioneve jozyrtare, qytetarë të shumtë kanë kërkuar trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Han të Elezit, me simptoma që dyshohet se lidhen me helmimin nga ushqimi.

    Ndërkohë, një qytetar nga Hani i Elezit ka pretenduar se është helmuar pas konsumimit të ushqimit në një piceri në këtë qytet.

    Ai ka thënë se nuk është i vetmi i prekur dhe se, sipas tij, edhe shumë persona të tjerë janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokal.

    Qytetari ka bërë të ditur se fotografia e publikuar nga ai është realizuar në QKMF-në e Hanit të Elezit, ku ka kërkuar ndihmë mjekësore.

  • Halil Thaçi pas intervistimit në Prokurorinë Speciale, pretendon se po shantazhohet e kërcënohet

    Halil Thaçi pas intervistimit në Prokurorinë Speciale, pretendon se po shantazhohet e kërcënohet

    Kryetari i Komunës së Obiliqit, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, është deklaruar për media pasi që u intervistua nga Prokuroria Speciale.

    Thaçi, në deklarimin e tij, ka thënë se, çdo gjë që do të di ati, do t’i përgjigjet prokurorit.

    Kryetari i Obiliqit, u pyet edhe për çështjen e vijën e shpronësimit në Shipitullë, ku ndër tjerash, Thaçi tha se ai, nuk ka rënë pre e ‘’shantazheve’’.

    ‘’Unë nga këtu i bëj thirrje qytetarëve të mi, që do të më kenë gjithmonë gardian për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Po si dëshmitar më pyeten për çdo gjë, dhe unë për çka do që unë do të di do t’i përgjigjem prokurorit. Pika e parë, të prokurori kam tregu që vetë Kallxo.com për tre muaj me ka thirre në telefon, vetë pronarja e Kallxo.com ka kërkuar takim që mos të publikohet video, sigurisht edhe ti e din këtë, sigurisht që po i kam të bazune, dhe nuk kam ra pre e shantazheve të mediave, kurrë asnjëherë nuk do të shantazhohem e as nuk do të kërcënohem, unë do të jem gardian i të drejtave të qytetarëve të mi’’, ka thënë Thaçi.

  • Policia në Rajonin e Ferizajt shqipton 252 gjoba brenda 24 orëve

    Policia në Rajonin e Ferizajt shqipton 252 gjoba brenda 24 orëve

    Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

    Sipas njoftimit të Policisë, gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Ferizajt janë raportuar gjithsej gjashtë aksidente trafiku, prej të cilave katër kanë përfunduar me persona të lënduar, ku gjashtë persona kanë pësuar lëndime, ndërsa dy aksidente janë regjistruar vetëm me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, njësitet policore kanë shqiptuar gjithsej 252 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve.

    “Respektimi i rregullave të trafikut dhe kujdesi gjatë ngasjes janë faktorë kyç për parandalimin e aksidenteve dhe ngritjen e sigurisë në rrugë”, thuhet në apelimin e Policisë.

  • Gashi pranon zyrtarisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit: Do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit

    Gashi pranon zyrtarisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit: Do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit

    Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka pranuar sot zyrtarisht detyrën në këtë pozitë nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast, Gashi tha se do u shërbejë të gjithëve dhe bashkarisht do punohet në forcimin e sundimit të ligjit.

    “Sapo e pranova detyrën nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, zoti Qalaj. Faleminderit kolegëve për besimin e dhënë. Unë do të jem kryeprokuror i të gjithëve dhe së bashku të gjithë do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit”, u shpreh ai.

  • Intervenime në 7 zona të Prishtinës, pritet të ketë ndërprerje të ujit

    Intervenime në 7 zona të Prishtinës, pritet të ketë ndërprerje të ujit

    Kompania Rajonale e Ujesjellësit “Prishtina” ka njoftuar për intervenime në disa zona të kryeqytetit.

    Ekipet e mirëmbajtjes, janë duke punuar në teren për të realizuar intervenime në këto zona të cilat do të nisin intervenimet: ‘Rr. UÇK’, ‘Rr. Lidhja e Lezhës’, ‘Rr. Zagrebit’, ‘Rr. Hakif Sheholli’, ‘Rr. Bija e Vokshit’, ‘Rr. Ismet Krasniqi’, ‘Rr. Shaqir Igrishta’.

    Sipas njoftimit, qëllimi i këtyre intervenimeve është përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

    “Falënderojmë banorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë zhvillimit të punimeve”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

  • Në Mitrovicën e Jugut realizohet murali i Statujës së Lirisë për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Në Mitrovicën e Jugut realizohet murali i Statujës së Lirisë për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Përfaqësues të Seksionit për Diplomaci Publike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë marrë pjesë në përfundimin e muralit artistik kushtuar Statujës së Lirisë në Mitrovicën e Jugut.

    Sipas njoftimit, murali është relizuar në kuadër të shënimit #Freedom250, që përkujton 250-vjetori i pavarësisë së SHBA-së.

    Murali është realizuar në bashkëpunim me organizatën “Futja Ngjyrë”, e njohur për projektet e artit urban në hapësirat publike.

    Sipas Ambasadës Amerikane, ky projekt synon që të promovojë vlerat e lirisë, bashkëpunimin më komunitetin lokal duke shënuar njëkohësisht jubileun historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Murali tashmë i është shtuar hapësirës publike në Mitrovicën e Jugut si simbol i miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

  • Themelohet Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë i AKK-së, Fushtica zgjidhet kryetar

    Themelohet Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë i AKK-së, Fushtica zgjidhet kryetar

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka themeluar Kolegjiumin për Siguri dhe Emergjencë, një mekanizëm i ri që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe avancimin e kapaciteteve lokale në fushën e menaxhimit të emergjencave.

    Sipas njoftimit të AKK-së, kolegjiumi është krijuar për të shërbyer si platformë profesionale për koordinim institucional, shkëmbim të përvojave dhe promovim të praktikave më të mira në mbrojtjen civile dhe menaxhimin e situatave emergjente.

    Në takimin themelues u vlerësua se krijimi i këtij mekanizmi përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe adresimit të sfidave të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe emergjencave.

    Iniciativa për themelimin e Kolegjiumit u prezantua nga drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të një strukture profesionale që do të mundësojë koordinim dhe shkëmbim të praktikave ndërmjet komunave.

    Gjatë prezantimit u theksua se komunat po përballen me sfida gjithnjë e më komplekse që lidhen me fatkeqësitë natyrore, ndryshimet klimatike dhe sigurinë publike, ndërsa forcimi i sistemeve lokale të menaxhimit të emergjencave konsiderohet një element kyç i qeverisjes moderne lokale.

    Në takim u diskutuan edhe prioritetet e komunave, duke përfshirë përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, hartimin e planeve të emergjencave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe krijimin e mekanizmave më efektivë për reagim ndaj situatave emergjente.

    Po ashtu, u zgjodh edhe udhëheqja e Kolegjiumit. Lulzim Fushtica, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, u zgjodh kryesues i Kolegjiumit, ndërsa Fitore Behrami, drejtoreshë e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës së Jugut, u zgjodh zëvendëskryesuese.

    Sipas AKK-së, Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë do të funksionojë si platformë për koordinim ndërmjet komunave, shkëmbim të njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe hartimin e rekomandimeve që synojnë përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe forcimin e rolit të pushtetit lokal në mbrojtjen e qytetarëve.