ATV

Category: Lajme

  • Dorëzimi i nënshkrimeve për Kuvendin e partisë, Hoti: Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj

    Dorëzimi i nënshkrimeve për Kuvendin e partisë, Hoti: Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj

    Pasi sot janë dorëzuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

    Hoti përmes një positmi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se forca e LDK-së është vullneti i anëtarësisë, jo ambicia e individëve.

    Sipas tij, askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj.

    “Forca e LDK-së është vullneti i anëtarësisë, jo ambicia e individëve. Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj”, ka shkruar Hoti.

  • GLPS u bën thirrje partive: Jepni fund bllokadës institucionale

    GLPS u bën thirrje partive: Jepni fund bllokadës institucionale

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë thirrje ndaj të gjitha partive politike parlamentare që të marrin përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke vlerësuar se kriza që ka zgjatur për gati dy vjet po dëmton funksionimin demokratik të vendit dhe interesin e qytetarëve.

    Në një reagim publik, GLPS thekson se Kosova nuk mund të vazhdojë të mbahet peng nga interesat partiake.

    “GLPS u bën thirrje të gjithë spektrit politik që të marrë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke vendosur interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve mbi interesat partiake. Për gati dy vite, qytetarët e Kosovës po përballen me pasoja direkte të një sistemi politik të paaftë për të prodhuar stabilitet institucional”, thuhet në reagim.

    Sipas GLPS-së, përgjegjësia kryesore politike për tejkalimin e situatës i takon subjektit fitues të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, por përgjegjësi mbajnë edhe partitë e tjera parlamentare.

    “Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt fitues i zgjedhjeve, nuk mund të kufizohet vetëm në pretendimin e legjitimitetit elektoral, por ka obligim politik dhe kushtetues që në mënyrë proaktive të ndërmarrë hapa për tejkalimin e krizës. Në të njëjtën kohë, edhe partitë e tjera parlamentare kanë po aq detyrim kushtetues dhe përgjegjësi politike në tejkalimin e bllokadës institucionale”, thuhet më tej.

    GLPS u ka bërë thirrje partive që pa vonesë të konstituojnë Kuvendin dhe të formojnë Qeverinë, ndërsa kërkon edhe nisjen e dialogut për zgjedhjen e Presidentit, në mënyrë që të shmanget një krizë e re institucionale.

    Organizata vlerëson se bllokada ka ndikuar negativisht në procesin legjislativ, reformat në administratë, drejtësi, ekonomi, energji, shëndetësi dhe arsim, si dhe në klimën ekonomike dhe investimet.

    Po ashtu, GLPS thekson se kriza ka cenuar edhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe ka ndikuar në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes.

    “Kosova tashmë ka humbur miliona euro nga ky proces, në mënyrë të pakthyeshme si pasojë e mosimplementimit të masave që u kaloi afati me 30 qershor 2026”, thuhet në reagim.

    Në fund, GLPS thekson se vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe bashkëpunim politik, duke u bërë thirrje partive të ndërpresin logjikën e bllokimit.

    “Kosova nuk ka nevojë për një krizë tjetër, por për institucione funksionale, bashkëpunim politik dhe vizion të përbashkët për të ardhmen. Konsensusi politik nuk duhet të perceptohet si dobësi politike, por si shprehje e pjekurisë demokratike dhe e përgjegjësisë ndaj qytetarëve”, përfundon reagimi i GLPS-së.

  • Qeveria mban mbledhje elektronike, merr disa vendime – ZKM jep detaje

    Qeveria mban mbledhje elektronike, merr disa vendime – ZKM jep detaje

    Qeveria në detyrë e vendit, ka mbajtur një mbledhje elektronike, ku ka marrë disa vendime.

    Gjatë mbledhjes është miratuar vendimi për emërimin e Ragmi Dalipit, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit; Miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe të administruara nga AKP-ja, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të mëposhtme të Komunës së Gjakovës; dhe, Administrimi i objektit të ish-“Bankos”-it për nevoja të administratës së Komunës së Gjakovës, Zona Gjakovë-Qytet,

    Komunikata:

    Mbledhja e 28-të e Qeverisë

    Prishtinë, 15 korrik 2026

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka:

    Miratuar vendimin për emërimin e z. Ragmi Dalipi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.

    Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe të administruara nga AKP-ja, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të mëposhtme të Komunës së Gjakovës:

    Administrimi i objektit të ish-“Bankos”-it për nevoja të administratës së Komunës së Gjakovës, Zona Gjakovë-Qytet, dhe

    Ndërtimi i Fushës së Futbollit dhe hapësirave rekreative për fshatin Trakaniq dhe fshatrat rreth zonës Trakaniq, Zona Kadastrale Trakaniq.

    Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 11\08 të datës 03.04.2026 për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, sipas të cilit znj. Ervina Gashi, nga Zyra e Kryeministrit, zëvendësuese e anëtarit, zëvendësohet nga znj. Besnike Mehmeti, nga Zyra e Kryeministrit, zëvendësuese e anëtarit.

  • Dorëzohen nënshkrimet për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së mes thirrjeve për shkarkimin e Abdixhikut

    Dorëzohen nënshkrimet për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së mes thirrjeve për shkarkimin e Abdixhikut

    Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka thënë të mërkurën se janë mbledhur dhe dorëzuar nënshkrimet e nevojshme për ta thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë, në një kohë kur ka pasur thirrje për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

    Derisa po dilte nga zyra e LDK-së në Prishtinë së bashku me kryetarin e degës së dytë , Florian Dushi, Zemaj tha se numri i nënshkrimeve të dorëzuara ishte i njëjtë me atë që kishte deklaruar ditë më parë, mbi 150.

    Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi i jashtëzakonshëm mund të thirret me kërkesën e të paktën 1/3 së delegatëve të Kuvendit.

    Kuvendin e partisë e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.

    Grumbullimi i nënshkrimeve të nevojshme vjen pas përplasjeve të hapura brenda LDK-së dhe pakënaqësive me Abdixhikun, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 18 vende në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.

    Po ashtu, ky zhvillim po ndodh në një kohë kur Abdixhiku nisi javën e kaluar bisedimet me liderin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.

    Pasi LDK-ja, e cila garoi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani, dështoi të arrijë rezultat bindësh zgjedhor më 7 qershor, filluan zëra pakënaqësish brenda partisë, të cilët nuk ishin diçka e re, gjithsesi.

    Në fund të qershorit, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.

    Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.

    Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, pasi ngjashëm ndodhi edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.

    Në janar ai i mbijetoi një votëbesimi që e kishte kërkuar vetë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.

    Por, disa figura partiake kishin kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre ishte Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.

    Para atij Kuvendi, anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e shpalli kandidaturën për kryetar të partisë, por delegatët diskutuan vetëm për performancën e Abdixhikut.

    Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

    Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

  • Helmimet nga ushqimi, 31 pacientë në Infektivë, pesë prej tyre nga Hani i Elezit – konfirmohen 11 raste me Salmonellë

    Helmimet nga ushqimi, 31 pacientë në Infektivë, pesë prej tyre nga Hani i Elezit – konfirmohen 11 raste me Salmonellë

    Klinika Infektive e Qendrës Universitare Klinike të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se aktualisht po trajton një situatë të helmimeve të dyshuara nga ushqimi, ku deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë. Sipas rezultateve laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis.

    Në njoftimin e saj, Klinika Infektive bën të ditur se gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik 2026, ndihmë mjekësore urgjente kanë kërkuar rreth 30 persona, ndërsa të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore po përmirësohet.

    “Gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik 2026, ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë kanë kërkuar rreth 30 persona. Pas analizave të hollësishme laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis. Ekipi shëndetësor konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit”, thuhet në njoftim.

    Në kuadër të këtyre rasteve, gjatë kësaj periudhe treditore janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme.

    “Sipas deklaratave të vetë pacientëve, numri i personave që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion dhe që dyshohet se mund të jenë helmuar është më i madh. Stafi mjekësor është duke kryer ekzaminimet e nevojshme dhe po monitoron vazhdimisht gjendjen e tyre, ndërsa po punohet intensivisht për të identifikuar burimin e saktë të infeksionit”, thuhet më tej në njoftim.

    Klinika Infektive ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta.

    “Shmangni ushqimet e shpejta: Rekomandohet të shmanget konsumimi i produkteve të tipit ‘fast food’, posaçërisht gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, pasi nxehtësia favorizon shumimin e shpejtë të baktereve.

    Kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë: Nëse pas konsumimit të ushqimit shfaqni simptoma si të vjella, diarre, temperaturë të lartë apo dhimbje të forta barku, drejtohuni menjëherë në qendrën më të afërt mjekësore”, thuhet në rekomandimet e Klinikës.

  • Kurti pret në takim sekretarin e OSBE-së: Stabiliteti arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike

    Kurti pret në takim sekretarin e OSBE-së: Stabiliteti arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun Sinirlioğlu.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se është i bindur që stabiliteti i vërtetë arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike, duke siguruar të drejta të barabarta për të gjithë, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

    Postimi i tij i plotë:

    Pas takimit në maj në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë, sot mirëprita në Prishtinë, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun Sinirlioğlu.

    E falënderova ambasadorin Sinirlioğlu për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm të misionit të OSBE-së në Kosovë, në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe mbështetjen për sundimin e ligjit.

    Ne jemi të bindur që stabiliteti i vërtetë arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike, duke siguruar të drejta të barabarta për të gjithë, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

    Përveçse përparim demokratik, Kosova ka edhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kemi rritur Bruto Produktin Vendor në 12 miliardë euro, derisa kemi shënuar përparim të madh në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurinë publike. Tanimë vlerësimet ndërkombëtare e njohin Kosovën si një nga vendet më të sigurta në Evropë.

  • Carl Bildt e quan “skandaloze” deklaratën e ministres serbe për “spastrimin etnik” të Kosovës

    Carl Bildt e quan “skandaloze” deklaratën e ministres serbe për “spastrimin etnik” të Kosovës

    Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila ditë më parë deklaroi se po të ishte në vend të kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

    Duke komentuar këtë deklaratë, Bildt e ka cilësuar atë si skandaloze dhe ka thënë se një qëndrim i tillë dëmton perspektivën evropiane të Serbisë.

    “Kjo është skandaloze për një anëtare të Qeverisë së Serbisë. Sigurisht që nuk i ndihmon perspektivës evropiane të vendit – përkundrazi. Nuk besoj se presidenti Vuçiq mund të mbetet pasiv përballë kësaj”, shkroi ai.

  • ShBA-ja nis një valë tjetër sulmesh kundër Iranit

    ShBA-ja nis një valë tjetër sulmesh kundër Iranit

    Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se kanë nisur një valë të re të sulmeve kundër Iranit.

    Sipas një postimi në rrjete sociale, CENTCOM ka deklaruar se sulmet kanë nisur në orën 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

    “Sulmet janë të dizajnuara për të degraduar më tej aftësitë ushtarake që forcat iraniane kanë përdorur për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.”, thuhet në njoftimin e CENTCOM.

    Këto sulme të fundit, kanë hyrë në ditën e katërt që kur SHBA-ja i është rikthyer fushatës ajërore ndaj Iranit, pas dështimit të zbatimit të marrëveshjes së arritur mes dy vendeve.

    Ushtria amerikane, mbrëmë ka deklaruar se kishte përfunduar raundin e saj të fundit të sulmeve kundër Iranit, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit dhe zonave bregdetare.

    Gjithashtu, sot presidenti amerikan, Donald Trump ka lëshuar një kërcënim të ri se SHBA-ja do të godasë ura dhe termocentrale në Iran “javën e ardhshme” nëse Teherani nuk kthehet në tryezën e negociatave.

  • BE: Riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë trajtohet në kuadër të dialogut

    BE: Riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë trajtohet në kuadër të dialogut

    Çështja e kthimit në punë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Kosovë po shqyrtohet në kuadër të procesit më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të mërkurën zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Radion Evropa e Lirë (REL).

    “Bashkimi Evropian i ka bërë vazhdimisht thirrje Serbisë për inkurajim, ndërsa Kosovës për ta mundësuar riintegrimin e personelit të drejtësisë nga komuniteti serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialog dhe me ligjet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim për REL-in.

    Zëdhënësi shtoi se BE-ja vazhdon t’u bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’i krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e këtyre detyrimeve dhe të “përmbahen nga veprime që mund ta ndërlikojnë më tej këtë proces”.

    Përfaqësuesit e komunitetit serb u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në fund të nëntorit 2022, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targat e Kosovës.

    Përveç zyrtarëve policorë dhe punonjësve të administratës lokale, dorëheqje dhanë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi, në mes të qershorit, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Këshilli Gjyqësor konfirmoi se e ka pranuar letrën më 19 qershor dhe se kjo çështje do të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore.

    Këshilli Prokurorial, në anën tjetër, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

    Largimi kolektiv i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte iniciuar nga Lista Serbe, me mbështetjen e autoriteteve në Beograd.

    Punonjësit që dhanë dorëheqje, morën kontrata të përkohshme dhe vazhduan të paguhen nga buxheti i Serbisë.

    Por, me kalimin e kohës, disa prej atyre që nuk mbështesnin Listën Serbe, mbetën pa këto paga dhe njëkohësisht humbën mundësinë për t’u rikthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës.

    Pas krizave të shumta në veri të Kosovës, që kulmuan me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për rikthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë.

    Edhe Lista Serbe, para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, pranoi se largimi nga institucionet e Kosovës kishte qenë gabim.

    Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës, të udhëhequra nga Albin Kurti, kanë theksuar se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese.

  • Ali Ahmeti për deklaratën e ministres serbe: Është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme

    Ali Ahmeti për deklaratën e ministres serbe: Është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme

    Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook ndaj ministres serbe, e cila ka deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

    Ahmeti ka bërë me dije se kjo deklaratë është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme, si dhe një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale.

    “Deklarata e ministres së Serbisë, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme. Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij”, ka shkruar ai.

    “Të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, kur bota ka parë fëmijë të vrarë, masakra mbi civilë të pafajshëm, varreza masive dhe dëshmi të panumërta të krimeve të kryera në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane. Mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI. Por historia e ka dhënë përgjigjen e saj. Pikërisht përballë këtij mentaliteti kriminal u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë”, ka shkruar ai tutje.