ATV

Category: Lajme

  • Afër 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për disa të arrestuar e dhjetëra aksidente

    Afër 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për disa të arrestuar e dhjetëra aksidente

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2395 gjoba trafiku.

    Në raport shtohet edhe se gjatë kësaj kohe janë raportuar 39 aksidente me dëme materiale, dhe, 22 me të lënduar.

    Po ashtu shtohet se janë arrestuar 17 persona, ku, 9 janë dërguar në mbajtje.

  • Raportohet se Halil Thaçi i VV-së po intervistohet në Prokurorinë Speciale

    Raportohet se Halil Thaçi i VV-së po intervistohet në Prokurorinë Speciale

    Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi është parë të mërkurën duke hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, raportohet se është duke u intervistuar nga ana e prokurorit special.

    Në një video të publikuar nga VOX Kosova, Thaçi është parë duke hyrë në objektin e organit që heton dyshimet për veprat penale që ndërlidhen me krimin dhe korrupsionin.

    Deri më tash nuk janë bërë të ditura arsyet e këtij intervistimi, derisa Klankosova.tv ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria Speciale, por nga zyra për media ende nuk janë deklaruar lidhur me rastin.

  • BQE nis testimin e euros digjitale, synon ta prezantojë në vitin 2029

    BQE nis testimin e euros digjitale, synon ta prezantojë në vitin 2029

    Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka përzgjedhur 36 ofrues të shërbimeve të pagesave për të testuar euron digjitale në një program pilot që do të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2027.

    Në testim do të marrin pjesë banka dhe kompani të njohura të pagesave, si Deutsche Bank, UniCredit, Revolut, Adyen dhe Stripe.

    Anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, tha se interesimi i madh i sektorit privat tregon gatishmërinë për të avancuar projektin dhe për të forcuar sistemin evropian të pagesave, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

    Megjithatë, euroja digjitale nuk mund të hidhet në përdorim pa miratimin e legjislacionit nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së. Sipas planit aktual, miratimi pritet në vitin 2027, ndërsa përdorimi publik mund të nisë në vitin 2029.

    BQE thekson se euroja digjitale nuk do ta zëvendësojë paranë fizike, por do të jetë një alternativë shtesë për pagesa. Ajo do të jetë pa pagesë për qytetarët, nuk do të gjenerojë interes dhe do të ketë kufizime në shumën që mund të mbahet.

    Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, tha se projekti synon gjithashtu të zvogëlojë varësinë e Evropës nga rrjetet ndërkombëtare të pagesave dhe të forcojë sovranitetin ekonomik të BE-së.

  • U amnistuan nga krimet, sot lënë burgun 72 të dënuar në Shqipëri

    U amnistuan nga krimet, sot lënë burgun 72 të dënuar në Shqipëri

    Këtë të mërkurë nga institucioni i vuajtjes së dënimit të Drenovës lënë qelitë e këtij burgu 60 persona të dënuar për vepra penale të ndryshme ndërkohë që nga burgu i grave në Posjkë do të lënë qelitë 12 të dënuara.

    Në pritje të daljes së tyre, janë familjare të shumtë të cilët ndihen të lumtur që ribashkohen me të afërmit e tyre të cilët kanë qenë në këto dy institucione të vuajtjes së dënimit deri ditën e sotme dhe kanë përfituar nga amnistia, raporton euronews.

    “Kam djalin. Thonë që djalit tim i gjetën drogë, ndërkohë që në shtëpi nuk i gjetën asgjë. Nuk e kam fare mirë nga ana shëndetësore. Djali im ka tre vjet që me arrestin në shtëpi. Jam shumë e lumtur që do të dalë, por është i sëmurë”, u shpreh nëna e një prej të burgosurve, i cili pritet të dalë sot nga burgu.

  • Rama: Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës

    Rama: Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    Në një intervistë për Euronews, Rama tha se nuk ekziston më koncepti “Kosovë dhe Metohi”, por vetëm Republika e Kosovës.

    “Serbia është më përgjegjësja për situatën që kemi në dialog, sepse nuk është e gatshme të pranojë realitetin, dhe realiteti ka ndryshuar. Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës”, tha Rama.

    I pyetur për faktin se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kryeministri shqiptar tha se pesë nga 27 shtete anëtare përbëjnë një numër të vogël dhe, sipas tij, tregojnë se shumica dërrmuese e ka njohur realitetin.

    “Kjo nuk ka të bëjë me dobësinë. Ka të bëjë me pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar. Ashtu si të gjithë popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën e tyre dhe u bënë të pavarur, edhe shqiptarët patën të drejtën e vetëvendosjes. Sigurisht, me bashkëpunim të mirë dhe një marrëdhënie harmonike me pakicën. Sot, shqiptarët nuk janë më pakicë në Serbi, por serbët janë pakicë në Kosovë”, tha Rama.

    Rama theksoi se Serbia, si vendi më i madh në rajon, ka rolin dhe historinë e saj me të cilat duhet të përballet.

    “Sipas mendimit tim, dhe e thashë këtë në Beograd, sa më shpejt Serbia të përballet me realitetin se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë”, tha Rama.

  • Zejnullah Gashi merr sot detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Zejnullah Gashi merr sot detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnulla Gashi, sot do ta pranojnë detyrën e re nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka njoftuar zyra e këtij institucioni.

    “Pranim-dorëzimi i detyrës do të bëhen në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dje ka dekretuar Gashin, duke ia përshkruar edhe rolin që ai duhet ta ketë.

    “Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës”, ka shkruar dje Haxhiu./Express/

  • Raporti i OKB-së: Qershori muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    Raporti i OKB-së: Qershori muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    Numri i civilëve të vrarë në Ukrainë gjatë muajit qershor të vitit 2026 ka arritur nivelin më të lartë mujor që nga muajt e parë të pushtimit rus në vitin 2022, sipas një raporti të ri të Misionit të OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë.

    Sipas raportit, gjatë muajit qershor janë dokumentuar të paktën 293 civilë të vrarë dhe afro 2 mijë të tjerë të plagosur, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë rusë në qytete të ndryshme të Ukrainës.

    OKB-ja ka theksuar se përdorimi në rritje i armëve me rreze të gjatë veprimi, si dhe sulmet ndaj zonave të banuara, kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të numrit të viktimave civile.

    Sipas të dhënave të verifikuara nga organizata, që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, në Ukrainë janë regjistruar mbi 16 mijë e 400 civilë të vrarë dhe më shumë se 48 mijë e 400 të plagosur.

    Megjithatë, OKB-ja vlerëson se bilanci real i viktimave mund të jetë më i lartë, për shkak të vështirësive në verifikimin e rasteve në zonat e pushtuara.

    Raporti paralajmëron se, pas një muaji maj me numër të lartë viktimash, situata humanitare është përkeqësuar edhe më tej në qershor, duke e bërë këtë muajin më vdekjeprurës për civilët në më shumë se katër vjet luftë.

  • Ishte publikuar videoja e rrahjes ndaj të miturit në Mitrovicë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Ishte publikuar videoja e rrahjes ndaj të miturit në Mitrovicë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm”.

    Sipas njoftimit të policisë, hetuesit e Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin.

    Arrestimi është bërë mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme, pasi në rrjetet sociale ishte publikuar një video-incizim ku i dyshuari shihet duke sulmuar një viktimë të moshës së mitur.

    “Hetuesit policorë të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, pas veprimeve intensive hetimore, kanë identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar për veprën penale Sulm. Arrestimi i të dyshuarit është realizuar mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme, pasi në rrjetet sociale ishte publikuar një video-incizim në të cilin i dyshuari shihet duke sulmuar një viktimë të moshës së mitur. Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, me aktvendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

  • Ushtria amerikane do të tërhiqet plotësisht nga Iraku deri në fund të shtatorit

    Ushtria amerikane do të tërhiqet plotësisht nga Iraku deri në fund të shtatorit

    Ushtria amerikane do të tërhiqet plotësisht nga Iraku deri në fund të shtatorit të këtij viti. Vendimi u konfirmua nga kryeministri i ri irakian Ali Zaidi gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    Me këtë takim, të dy udhëheqësit konfirmuan zyrtarisht planin e shpallur më parë për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, i cili është negociuar intensivisht gjatë viteve të fundit, raporton agjencia DPA.

    Kryeministri i ri irakian Zaidi, një ish-biznesmen pa përvojë të mëparshme politike, i cili mori detyrën në fund të prillit, mbërriti në Uashington në krye të një delegacioni të zyrtarëve të lartë. Tema e vizitës së tij të parë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishte vetëm një çështje ushtarake, por edhe nënshkrimi i një sërë memorandumesh mirëkuptimi që lidhen me sektorin e naftës dhe gazit.

    Trump foli për bashkëpunimin e ardhshëm ekonomik midis dy vendeve.

    “Iraku ka një potencial të madh falë naftës së tij. Ne do të bëjmë shumë biznes, do të krijojmë vende pune për të dy vendet dhe do të importojmë sasi të mëdha nafte nga ajo zonë”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Në muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara e kanë ulur ndjeshëm numrin e ushtarëve të tyre në Irak, i cili më parë arrinte në rreth 2,500 ushtarë. Në janar, forcat amerikane u larguan nga baza strategjikisht e rëndësishme Ain al-Asad, duke ia dorëzuar kontrollin forcave irakiane të sigurisë.

    Aktualisht, njësitë e mbetura amerikane janë të vendosura në Erbil në veri të vendit, në një bazë pranë aeroportit në Bagdad, si dhe në Zonën e Gjelbër të ruajtur rëndë në qendër të kryeqytetit.

    Megjithatë, procesi i tërheqjes po zhvillohet së bashku me një sfidë të madhe për qeverinë irakiane – çarmatimin e formacioneve të fuqishme paraushtarake që kanë mbështetjen e Iranit dhe ndikim të rëndësishëm ushtarak dhe politik në shoqërinë irakiane.

    Qeveria Zaidi u ka caktuar këtyre grupeve një afat deri më 30 shtator për të dorëzuar armët.

    Sipas kryeministrit irakian, pas asaj date këto grupe të armatosura nuk do të kenë më “të drejtën për të ekzistuar”. Analistët e konsiderojnë këtë veprim si sfidën më të madhe të sigurisë për qeverinë e re, duke pasur parasysh se milicitë më me ndikim pro-iraniane kanë thënë tashmë se nuk kanë ndërmend të bien dakord për çarmatimin.

    Nëse trupat amerikane tërhiqen plotësisht deri në fund të shtatorit, një nga kapitujt më kompleksë në historinë moderne ushtarake të SHBA-së do të mbyllet. Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Bagdadit në dy dekadat e fundit kanë kaluar nëpër faza të shumta dramatike.

    Pas pushtimit ushtarak në vitin 2003 dhe përmbysjes së regjimit të Sadam Huseinit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një moment kishin më shumë se 160,000 trupa të vendosura në Irak.

    Tërheqja e parë “e plotë” ndodhi në fund të vitit 2011, kur vetëm një numër i vogël diplomatësh dhe këshilltarësh ushtarakë mbetën në vend.

    Megjithatë, situata e sigurisë ndryshoi në mënyrë drastike në vitin 2014. Paqëndrueshmëria dhe boshllëku i sigurisë u shfrytëzuan nga organizata terroriste Shteti Islamik (ISIS), e cila pushtoi pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë fqinje.

    SHBA-të më pas udhëhoqën një koalicion ndërkombëtar dhe kthyen trupat në Irak për ta mposhtur organizatën ushtarakisht.

    Edhe pse ISIS tani është i mundur territorialisht dhe vepron përmes qelizave të fshehura që herë pas here kryejnë sulme guerile, prania e ushtrisë amerikane është zgjatur pjesërisht për shkak të tensioneve në rritje me Iranin.

  • Arrestohen dy të dyshuar në Prishtinë, sulmuan një burrë

    Arrestohen dy të dyshuar në Prishtinë, sulmuan një burrë

    Dy persona janë arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohen se kanë sulmuar fizikisht një burrë, i cili si pasojë ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 14 korrik rreth orës 11:05.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

    Policia ka iniciuar rastin si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.