ATV

Category: Lajme

  • I vdiq nëna para disa ditësh – qytetari akuzon Spitalin e Vushtrrisë për neglizhencë

    I vdiq nëna para disa ditësh – qytetari akuzon Spitalin e Vushtrrisë për neglizhencë

    Qytetari Bardhyl Duklini nga Vushtrria ka paraqitur një ankesë serioze ndaj Spitalit ‘Sheikh Zayed’, duke pretenduar se nëna e tij, e cila ndërroi jetë më 23 nëntor të këtij viti, nuk ka marrë trajtimin e duhur gjatë vizitës së fundit në këtë institucion shëndetësor.

    Sipas Duklinit, nëna e tij e cila më parë ishte trajtuar disa herë për aritmi në të njëjtin spital, mbrëmjen e datës 19 nëntor 2025, kishte pritur rreth 35 minuta pa marrë trajtim urgjent, ndonëse, siç theksoi ai, gjendja e saj kërkonte reagim të menjëhershëm.

    “Mbas 35 minuta iu dha ineksioni direkt nga tekniku, i cili mori përsipër ndërrimin që sipas mjekëve lejohet të jepet vetëm me një infuzion,një pantoprazol por edhe një paracetamol, infuzion që as unë e motra edhe nëna vet nuk e kuptojë pse se, pasi nuk kishte ankesa të ftohjes apo ndonjë dhimbje përveç Aritmisë”, deklaroi qytetari për Klankosova.tv.

    Duklini pretendon gjithashtu se të dhënat në raportin mjekësor nuk përputhen me atë që ndodhi realisht, duke përmendur se dy barnat e përmendura nuk figurojnë në dokumentacion, ndërsa pulsi i nënës së tij ishte shënuar 130, ndonëse tekniku, sipas tij, e kishte njoftuar mjekun me zë të lartë se pulsi ishte 145.

    Pas vdekjes së nënës më 23 nëntor 2025, familja ka kërkuar hapjen e një hetimi të plotë, përfshirë sigurimin e pamjeve të kamerave të asaj mbrëmjeje, për të sqaruar nëse ka pasur vonesa, mospërputhje në trajtim apo shkelje të protokolleve mjekësore.

    Duklini përmes ankesës së tij apelon për veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, ndërsa thotë se çështja nuk ka të bëjë vetëm me një rast individual, por me nevojën për përgjegjësi dhe humanitet më të madh në sistemin shëndetësor.

    I njëjti ka pohuar se rastin e ka denoncuar tek organet e rendit, dhe është duke pritur përgjigje.

  • Shtetasit e Shqipërisë në vendin e dytë – Kush dëbohet më së shumti nga Zvicra?

    Shtetasit e Shqipërisë në vendin e dytë – Kush dëbohet më së shumti nga Zvicra?

    Zvicra ka publikuar për herë të dytë statistikat zyrtare mbi numrin e të huajve që kanë shkelur ligjin dhe janë dëbuar nga vendi.

    Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), gjatë vitit 2024 janë urdhëruar 2446 dëbime nga Zvicra.

    Deri në mesin e vitit 2025, 69 për qind e tyre e kanë lëshuar Zvicrën, dhe autoritetet presin që kjo përqindje të rritet.

    Gjatë vitit 2023 ishin regjistruar 2250 urdhra dëbimi, prej të cilëve rreth 73 për qind ishin larguar deri në mesin e vitit 2024, njofton gazeta zvicerane “Blick”.

    Statistika e re tregon edhe origjinën e personave të dëbuar.

    Shqipëria renditet e dyta në listë, me 11,5 për qind të të gjitha dëbimeve të ekzekutueshme, menjëherë pas Algjerisë (14 për qind).

    Pas Shqipërisë renditen Rumania (9,6 për qind), Franca (6,4 për qind) dhe Maroku (5,8 për qind).

    Shumica e të dëburave janë të moshës 25-34 vjeç, ndërsa vetëm 7 për qind e të dëbuarve janë gra.

    SEM ka publikuar gjithashtu të dhëna mbi ndalimet e hyrjes në Zvicër.

    Në vitin 2024 janë vendosur 10’146 ndalime hyrjeje, kryesisht ndaj burrave (83 për qind).

    Kombësitë më të prekura janë Algjeria (837 raste), Siria (786), Maroku (708), Turqia (700) dhe Afganistani (554).

  • Kurti shkruan për numrin e bizneseve të regjistruara: Ka qenë më i lartë se në çdo vit tjetër para qeverisjes sonë

    Kurti shkruan për numrin e bizneseve të regjistruara: Ka qenë më i lartë se në çdo vit tjetër para qeverisjes sonë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se përgjatë mandatit të tij qeverisës numri i bizneseve të regjistruara është ngritur këtë vit dhe se kjo është rritja më e lartë se në çdo vit tjetër para qeverisjes së VV-së.

    “Përgjatë këtij mandati, numri i bizneseve të reja të regjistruara është ngritur vit pas viti dhe ka qenë më i lartë se në çdo vit tjetër para qeverisjes sonë. Shtim biznesesh në ekonomi që rritet”, shkruan Kurti, teksa shpërndan shkrimin e ministrit në detyrë të Financave Hekuran Murati.

    Murati shkroi ditë më parë se numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë.

    “Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë, deri në fund të muajit tetor, ende pa mbaruar viti. Sipas trendit aktual, deri në fund të vitit kjo shifër pritet të tejkalojë mbi 13 mijë biznese, që do të ishte rekord i të gjitha kohërave. Ky është tregues i shëndetit të mirë të ekonomisë, e cila po rritet vazhdimisht”, ka shkruar Murati.

  • Maqedonci pjesëmarrës në punimet e ministerialit të Kartës së Adriatikut

    Maqedonci pjesëmarrës në punimet e ministerialit të Kartës së Adriatikut

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se po qëndron në Bosnjës dhe Hercegovinës me ftesë të homologut, Zukan Helez,për të marrë pjesë në punimet e ministerialit të iniciativës së SHBA-së – Karta e Adriatikut (A5).

    Ai ka bërë të ditur se mbrëmë, së bashku me ministrat dhe përfaqësuesit e ministrive të mbrojtjes të vendeve të A5, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të formimit të Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.

  • Ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan, arrestohen bashkëpunëtori dhe roja i pompës së karburantit

    Ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan, arrestohen bashkëpunëtori dhe roja i pompës së karburantit

    Policia e Elbasanit ka identifikuar dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes së biznesmenit si dhe arrestohet një nga bashkëpunëtorët.

    Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i pikës së karburantit).

    Në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike” u arrestuan shtetasit Xhino Ago dhe Kujtim Pisha, si edhe u shpallën në kërkim shtetasit Marselo Arani dhe Armando Kola.

    Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

    Gjithashtu, u sekuestruan dokumente shitblerjeje të automjetit, 3 celularë dhe 2 DVR.

    Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

    Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

    Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:

    Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

    K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

    Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

    Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit XH. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A, raporton A2CNN-i.

    Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

  • Ukë Rugova kandidat për deputet nga radhët e LDK-së

    Ukë Rugova kandidat për deputet nga radhët e LDK-së

    Ukë Rugova, djali i ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, do të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Lajmin e konfirmoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Abdixhiku vizitoi sot zonjën Fana dhe familjen Rugova, në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit Rugova, ku u zyrtarizua vendimi për përfshirjen e Ukë Rugovës në garë.

    “Pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore,” tha Abdixhiku.

    Ai shtoi se gjatë vizitës u diskutua për rrugën e filluar tre dekada më parë nga Rugova dhe për sakrificat e heshtura që e ndoqën.

    Lumir Abdixhiku tha se mesazhi i Rugovës mbetet i njëjtë edhe sot: forcë paqësore, përkushtim demokratik dhe orientim i pandryshuar drejt botës perëndimore.

  • SHBA e bllokon licencën, Vuçiq: Serbia po paguan çmimin

    SHBA e bllokon licencën, Vuçiq: Serbia po paguan çmimin

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi pas takimit me ekipet për sigurinë energjetike se Serbia po hyn në periudhën kur “do të përballet me pasojat e vërteta” të situatës me NIS-in, pas moszgjatjes së licencës nga SHBA.

    Ai tha se ishte “i zhgënjyer dhe i befasuar” nga vendimi i Uashingtonit dhe se nuk e kupton arsyen e tij.

    Sipas tij, Rusia nuk pranon shitjen e kompanisë, ndërsa SHBA ndjek interesat e veta gjeopolitike, dhe “aktualisht po dëmtohet vetëm Serbia”, transmeton Indeksonline

    Vuçiq deklaroi se Serbia ka rritur ndjeshëm importet e derivateve të naftës, por se po has probleme me kapacitetet e mbushura të magazinimit.

    Ai akuzoi kompaninë kroate JANAF se nuk ka lejuar dërgesën e naftës për rezervat shtetërore, gjë që sipas tij tregon se “jo vetëm NIS, por e gjithë Serbia trajtohet si e sanksionuar derisa të vendosin amerikanët”.

    Presidenti theksoi se, pavarësisht 54 ditëve të sanksioneve, qytetarët nuk kanë ndier mungesa falë përgatitjeve të shtetit, por paralajmëroi se tani priten sfida të reja për sektorin energjetik.

  • Bëhen të ditur datat: Ja kur do të merret vendimi final për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Bëhen të ditur datat: Ja kur do të merret vendimi final për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Zëdhënësi i Dhomave të Specializuar, Michael Doyle, ka bërë të ditur se deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, përcjell Periskopi.

    Pas kësaj, siç bën të ditur ai, Trupi Gjykues do të mbyll çështjen dhe do të hyjë në fazën e shqyrtimit për të arritur një aktgjykim.

    “Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga mbyllja e çështjes. Kur rrethanat kërkojnë kohë shtesë, është e mundr një zgjatje edhe për 60 ditë të tjera”, tha Doyle.

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

  • Policët patrullues bëhen me vetura të reja

    Policët patrullues bëhen me vetura të reja

    Menaxhmenti i Policisë së Kosovës me qëllim të rritjes së vazhdueshme të efikasitetit në punën e policëve patrullues, e që ata të jenë sa më afër nevojave të qytetarëve, ka ndarë vetura zyrtare për njësitë patrulluese, përcjell Reporteri.net.

    Sipas njoftimit, përmbushja e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, tashmë mundësohet më lehtë dhe më shpejt, falë pajisjes shtesë me automjete zyrtare për njësitë patrulluese të stacioneve policore.

    “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kolonel Gazmend Hoxha, ka vazhduar me mbështetjen ndaj departamenteve policore, në këtë rast të rendit publik, duke ndarë dyzet e një (41) vetura të reja, prej tyre 35 limuzina, përfshirë ato Hybride dhe 6 xhipa për mbulimin e zonave patrulluese, në të gjitha drejtoritë rajonale.

    Kjo edhe një herë dëshmon përkushtimin e menaxhmentit të Policisë për një qasje gjithnjë e më proaktive ndaj qytetarëve, për forcimin e bashkëpunimit, komunikimit dhe reagimit me kohë ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale”, thuhet në njoftim.

  • Finlanda rrit kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë deri në 65 vjeç

    Finlanda rrit kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë deri në 65 vjeç

    Përballë ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë, Finlanda ka vendosur të forcojë ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse, duke rritur kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë. Ata mund të angazhohen në ushtri deri në moshën 65-vjeçare, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

    Edhe pse me një popullsi prej vetëm 5,5 milionë banorësh, Finlanda ka një nga ushtritë më të mëdha në Evropë, me rreth 280’000 trupa të gatshme për mobilizim të shpejtë dhe një rezervë totale prej 870’000 personash. Sipas planit të ri të qeverisë, kjo shifër pritet të arrijë në rreth një milion deri në vitin 2031.

    Ndryshimi kryesor ligjor parashikon që, duke filluar nga viti i ardhshëm, kufiri i moshës për të qenë pjesë e rezervës do të rritet në 65 vjeç për të gjithë, pavarësisht gradës. Aktualisht, ushtarët e gradave të ulëta qëndrojnë në rezervë deri në moshën 50-vjeçare, ndërsa oficerët deri në 60 vjeç. Për oficerët me grada të larta (si kolonel e më lart), detyrimi do të jetë pa kufi moshe, për sa kohë ata janë fizikisht të aftë për shërbim, shkruan A2.

    Një raport i Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin finlandez e ka cilësuar propozimin si “jashtëzakonisht të nevojshëm”. Synimi është shfrytëzimi i aftësive të rezervistëve më të vjetër e me përvojë, veçanërisht në fushat e sigurisë kibernetike, infrastrukturës dhe sigurisë së furnizimit – kompetenca këto që kërkohen më shumë se kurrë në mjedisin aktual të sigurisë.

    Ky vendim reflekton vigjilencën e vazhdueshme të Finlandës ndaj fqinjit të saj lindor, Rusisë. Përvoja e hidhur historike e Luftës së Dimrit (1939-1940) kundër Bashkimit Sovjetik mbetet e rrënjosur në kujtesën kombëtare finlandeze. Presidenti aktual, Alexander Stubb, deklaroi së fundmi për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se “ADN-ja e Rusisë është ekspansioni, ndërsa ajo e Finlandës është mbijetesa”.

    Ndërkohë, ish-presidenti Sauli Niinistö u ka bërë thirrje liderëve evropianë të mbajnë kontakte direkte me Vlladimir Putinin. Sipas tij, nëse evropianët nuk përfshihen në diskutime, ata rrezikojnë që vendimet për arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe Ukrainës të merren pa praninë e tyre në tryezën e bisedimeve.