ATV

Category: Lajme

  • Banka Qendrore Europiane refuzon kredinë për Ukrainën

    Banka Qendrore Europiane refuzon kredinë për Ukrainën

    Banka Qendrore Europiane ka refuzuar të bëhet huadhënëse në një skemë për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 140 miliardë eurosh, që do të shlyhej me asetet e ngrira ruse.

    Financial Times raporton se Banka arriti në përfundimin se propozimi i Komisionit Europian për këtë lloj kredie, shkel mandatin e saj. Kjo i ndërlikon më tej përpjekjet për të mbledhur fonde për Ukrainën, në një kohë kur vendi ka më shumë se kurrë nevojë për ndihmë financiare.

    Sipas planit të Komisionit Europian, vendet anëtare të unionit duhet të ofronin garanci shtetërore në rast rreziku të shlyerjes së parave.

    Megjithatë zyrtarë të Komisionit vendosën që shtetet anëtare nuk do të ishin në gjendje të mblidhnin një shumë të tillë shpejt në rast emergjence. Prandaj Komisioni iu drejtua bankës për ta pyetur nëse ajo mund të vepronte si huadhënës i fundit.

    Përgjigja e Bankës Qendrore Europiane ishte se një lëvizje e tillë është e pamundur.

    Nga një analizë e brendshme e Bankës u arrit në përfundimin se propozimi është në fakt me një financim direkt të qeverive, pasi asaj në thelb i kërkohet të mbulojë detyrimet financiare të shteteve anëtare.

    Ideja e një kredie dëmshpërblimi deri në 140 miliardë euro, bazuar në bilancet e parave të gatshme të aseteve të ngrira ruse, u paraqit më 10 shtator.

    Falë kredisë dëmshpërblimit, Ukraina mund të merrte 45 miliardë euro në vit gjatë viteve të ardhshme, nga viti 2026 deri në vitin 2028.

  • Personi që dyshohet se e theri me thikë të fejuarën është pjesëtar i FSK’së

    Personi që dyshohet se e theri me thikë të fejuarën është pjesëtar i FSK’së

    Policia e Kosovës të dielën raportoi për një rast të rëndë që ka ndodhur më 29 nëntor në Fushë Kosovë.

    Atje u arrestua një i dyshuar i cili e e kishte therrur me thikë të fejuarën e tij.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë FSK-ja. Këta të fundit kanë bërë të ditur se janë njoftuar për ngjarjen, dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet bazuar në rregulloret në fuqi.

    “Ju njoftojmë se personi në fjalë është pjesëtarë i FSK-së, dhe ndodhet në ndalim policor, FSK është njoftuar për rastin dhe do të ndërmarr masat bazuar në aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në përgjigjen e FSK-së.

    Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të së dielës, tregoi detaje për këtë ngjarje.

    “Fushë Kosovë / 29.11.2025-07:45. Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë takuar viktimën f/k, e cila dyshohet se kishte pësuar lëndime me mjete të mprehta. Viktima pas tretmanit fillestar mjekësor në QKMF, është dërguar në QKUK dhe i është nënshtruar operimit për shkak të gjendjes kritike të saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari m/k-i fejuari i saj me të cilin ishte duke bashkëjetuar, nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në rast”, njoftoi Policia e Kosovës.

    Ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.

    “Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore ndaj personit i cili dyshohet se ka sulmuar të fejuarën e tij dhe për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale ”Vrasje e rëndë në tentativë”, në bazë të nenit 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, ka paraqitur kërkesën në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

    QKUK-ja bëri të ditur dje se viktima është në Mjekim Intensiv, pasi nga Policia u tha se ndodhet në gjendje kritike.

    Detaje të tjera për këtë rast ende nuk dihen, megjithatë Prokuroria e Policia po i vazhdojnë hetimet.

  • Kriza me transportin urban, Rama – Muratit: Pse nuk po i qet paret?

    Kriza me transportin urban, Rama – Muratit: Pse nuk po i qet paret?

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka pyetur publikisht ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin se pse nuk i ka alokuar mjetet buxhetore për Trafikun Urban.

    Rama ka shkruar se Komuna që drejtohet nga ai po pret transferimin e mjeteve nga kjo ministri.

    “Pse nuk po i qet paret, Hekuran? Shërbimet janë ndalur. Punëtorët janë pa paga. Komuna po pret transferimin e mjeteve nga ministria. Javën e kaluar e votuam bartjen e mjeteve, ndonëse këto obligime kanë mundur të mbulohen lehtësisht nga 35 milionë euro të hyrat vetanake dhe nga granti qeveritare që, për ironi, as nuk kërkojnë votim në Asamble, vetëm vullnet për miratim nga ministri në detyrë, por që vazhdon t’i mbajë të bllokuara me përkushtim!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

    “Meqë politika spektakolare paska prioritet, u detyruam të ndjekim çdo rrugë tjetër vetëm që punëtorët të marrin pagat e tyre. E thirrëm edhe seancën e jashtëzakonshme për t’i votuar 25 milionë euro nga të hyrat e vitit 2024, të njëjtat mjete që tri herë radhazi u bllokuan nga asambleistët e VV-së. Këtë herë u votuan”, shkruan mes tjerash ai.

  • Konsumoi fotoksinë, vdes në spital 15-vjeçari në Shqipëri

    Konsumoi fotoksinë, vdes në spital 15-vjeçari në Shqipëri

    Një 15-vjeçar ka vdekur në spital, pasi dyshohet se kishte konsumuar fotoksinë.

    Policia e Elbasanit thotë se fillimisht 15-vjeçari u paraqit në spitalin e Elbasanit dhe më pas u transportua drejt QSUT, ku edhe humbi jetën.

    “Në Spitalin Rajonal Elbasan është dërguar për mjekim një 15-vjeçar, i cili më pas është dërguar në QSUT, por pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, ai ka humbur jetën. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 15-vjeçari ka konsumuar fotoksinë. Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, thote policia.

  • Gjermania aktivizon super-mburojën raketore Arrow-3

    Gjermania aktivizon super-mburojën raketore Arrow-3

    Mes shqetësimeve në rritje për sigurinë në Evropë, zyrtarë të lartë gjermanë treguan armën e re super-mbrojtëse të vendit të tyre: sistemin izraelit Arrow-3.

    Mediat në Gjermani shkruajnë se bëhet fjalë për sistemin më modern të mbrojtjes ajrore të Bundeswehr-it që tani është i stacionuar në Holzdorf. Të mërkurën, Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer dhe Inspektori i Forcave Ajrore Holger Neumann do të japin zyrtarisht miratimin për vendosjen e sistemit.

    Një kontingjent fillestar është vendosur atje: raketat, sistemet e radarit dhe teknologjia e kontrollit janë gati. Por do të pasojnë më shumë module. Kjo nënkupton se për herë të parë, Gjermania mund të shkatërrojë raketat armike jashtë atmosferës përpara se ato të arrijnë në territorin e saj.

    Në këtë drejtim, bëhet e ditur se Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) po investojnë afërsisht 4 miliardë euro nga fondi i tyre i posaçëm në sistemin e mbrojtjes. Eksperti i mbrojtjes i SPD-së, Falko Drobmann, ka përshëndetur këtë lëvizje. Sipas tij, “me blerjen e sistemit Arrow, Bundeswehr fiton aftësinë për të paralajmëruar popullsinë tonë herët dhe për të kapur raketat me rreze të gjatë veprimi që vijnë”. Shitja prej gati 4 miliardë eurosh (4.6 miliardë dollarë) e Arrow 3 Gjermanisë, e konsideruar marrëveshja më e madhe e eksportit të mbrojtjes në historinë e Izraelit, u nënshkrua në shtator 2023.

    Sistemi Arrow 3 është projektuar për të shkatërruar raketat balistike ndërsa ato janë ende jashtë atmosferës. Ai thuhet se ka rrëzuar qindra raketa balistike të lëshuara drejt Izraelit nga Irani dhe grupi Houthi i mbështetur nga Irani në Jemen gjatë luftës aktuale.

  • Ministria e Financave ende nuk e ka ndarë buxhetin e kërkuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ministria e Financave ende nuk e ka ndarë buxhetin e kërkuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u diskutua për buxhetin e këtij institucioni për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

    Ani pse KQZ kishte miratuar planin e buxhetit më 25 nëntor, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim për buxhetin nga Ministria e Financave, pra KQZ ende nuk është pajisur me mjete financiare.

    Kërkesa zyrtare drejtuar qeverisë me vlerë 11.5 milionë euro, nuk është përfillur ende nga ana e kësaj ministre.

    “Mund të na informoni se deri ku ka shkuar çështja e miratimit të buxhetit, sepse pa buxhet nuk mund të zhvilloni asnjë operacion zgjedhor. Kisha dashur me iu pyet a është vonë mosndarja e buxhetit deri në këtë kohë, sa i përket operacioneve zgjedhore?”, pyeti Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.

    “Më 25 nëntor 2025, KQZ ka miratuar planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës. Ne menjëherë të nesërmen, përmes kërkesës, përmes arkivit dhe email-it, i kemi dërguar në Ministrinë e Financave. Aktualisht nuk kemi asnjë njoftim lidhur me kërkesën që është parashtruar”, u përgjigj Buzhala.

  • Tre shqiptarë aksidentohen rëndë gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë gjermane

    Tre shqiptarë aksidentohen rëndë gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë gjermane

    Tre shqiptarë janë aksidentuar rëndë gjatë tentativës për t’i ikur policisë gjermane në Olsberg.

    Aksidenti ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme kur makina e tre shqiptarëve duke ikur nga policia, u përplas me një dyqan me fustane nusërie duke shkaktuar dëmtime të mëdha dhe plagosje të rënda.

    Shqiptari që ndodhej në sediljen e pasagjerit të përparmë është në gjendje kritike me shtyllën dhe shpatullat e thyera, ndërkohë që edhe dy shqiptarët e tjerë janë në gjendje të rëndë.

    Sipas policisë, një patrullë gjatë monitorimit të trafikut vuri re makinën, e cila përshpejtoi menjëherë sapo pa uniformat e policisë. Oficerët e ndoqën makinën, por e humbën nga sytë për shkak të shpejtësisë së lartë. Aksidenti ndodhi rreth një kilometër e gjysmë larg vendit ku makina u vërejt nga policia.

    Siç raporton JOQ, automjeti ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë së tepërt gjatë një kthese majtas dhe më pas është përplasur me vitrinën e një dyqani veshjesh nusërie, duke përfunduar në murin pas tij dhe duke rënë mbi çatinë e dyqanit. Zjarrfikësit raportuan se dy nga burrat u nxorën nga rrënojat, ndërsa i treti ishte shtrirë pranë makinës. Aksidenti ka lënë një fushë të gjerë me mbeturina, ndërsa dyqani dhe muri kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

    Policia njoftoi se për një nga pasagjerët ekziston një urdhër arresti në fuqi për krime kundër pronës. Dy pasagjerët e tjerë dyshohet se kishin konsumuar alkool. Meqenëse nuk është e qartë kush po drejtonte automjetin, janë marrë mostra gjaku nga të dy. Arsyeja e saktë e arratisjes mbetet nën hetim.

  • Arrestimet për mashtrime në Bruksel, Mogherinit dhe disa zyrtarëve evropianë u hiqet imuniteti

    Arrestimet për mashtrime në Bruksel, Mogherinit dhe disa zyrtarëve evropianë u hiqet imuniteti

    Zyra Evropiane e Prokurorit Publik ka njoftuar se Policia belge ka kryer bastisje sot në Kolegjin e Evropës në Bruges të Belgjikës dhe Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel si dhe në banesat e të dyshuarve, si pjesë e një hetimi për dyshime mashtrimi në trajnime të financuara nga BE-ja për diplomatët e rinj, përcjell Reporteri.net.

    Hetimi lidhet me projektin e Akademisë Diplomatike të BE-së dhe dyshohet se janë ndarë informacione konfidenciale gjatë tenderit.

    Gjithashtu në komunikatë bëhet e ditur se tre të arrestuarve dhe disa të tjerëve të dyshuar, u është hequr imuniteti.

    “Para kryerjes së kontrolleve, EPPO kërkoi heqjen e imunitetit për disa të dyshuar, kërkesë që u miratua”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

    Komunikata:

    Sot po kryhen kontrolle në Kolegjin e Evropës në Bruges (Belgjikë) dhe në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel, si pjesë e një hetimi për dyshime për mashtrim lidhur me trajnime të financuara nga BE për diplomatët e rinj, i udhëhequr nga Zyra Evropiane e Prokurorisë Publike (EPPO) në Bruksel. Tre persona u ndaluan.

    Në kërkesë të EPPO-së, e miratuar nga gjyqtari hetues, Policia Federale (FGP West-Vlaanderen) kreu kontrolle në disa ndërtesa të College of Europe në Bruges, në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel dhe në banesat e të dyshuarve. Masat hetimore u mbështetën gjithashtu nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

    Rasti lidhet me projektin e Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian – një program trajnimi 9-mujor për diplomatët e rinj nga shtetet anëtare –, i cili iu dha Kolegjit të Evropës në Bruges në Belgjikë nga EEAS për periudhën 2021–2022, pas një procedure tenderimi.

    Hetimi fokusohet nëse College of Europe dhe/ose përfaqësuesit e tij janë informuar paraprakisht mbi kriteret e përzgjedhjes së tenderit dhe nëse ata kishin arsye të mjaftueshme të besonin se do t’u jepej zbatimi i projektit para publikimit zyrtar të njoftimit të tenderit nga EEAS.

    Ekzistojnë dyshime të forta se gjatë procesit të tenderimit për programin, është shkelur artikulli 169 i Rregullimit Financiar mbi konkurrencën e drejtë dhe se janë ndarë informacione konfidenciale lidhur me prokurimin në vazhdim me një nga kandidatët që mori pjesë në tender.

    Para kryerjes së kontrolleve, EPPO kërkoi heqjen e imunitetit për disa të dyshuar, kërkesë që u miratua.

    Faktet që po hetohen janë raportuar fillimisht te OLAF. Ato mund të përbëjnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Hetimi vazhdon për të sqaruar faktet dhe për të vlerësuar nëse kanë ndodhur ndonjë vepër penale.

    Hetimi gjithashtu mbështetet nga gjyqtari hetues në West-Flanders (rrethi i Ypres) në Belgjikë.

    Të gjithë personat konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre nga gjykatat kompetente belgase.

    EPPO është zyra e pavarur e prokurorisë publike e Bashkimit Evropian. Ajo është përgjegjëse për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve kundër interesave financiare të BE-së.

  • Haxhiu: KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi, ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm

    Haxhiu: KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi, ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka komentuar zhvillimet e fundit që po ndodhin në Këshill Prokurorial të Kosovës (KPK) e për cka ka thënë se prej KPK prehj kohësh është e kapur nga grupet e interesit që nuk kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial por mbrojtjen e interesave të tyre dhe individëve jashtë Këshillit.

    “Sot të gjithë po e shohin qartë atë për të cilën kemi paralajmëruar ndër vite. KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit. Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm. Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion”, ka shkruar Haxhiu.

    Haxhiu shkruan mes tjerash edhe për reformat në drejtësi.

    “Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë, heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet, dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar. Shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së kjo reformë u ka penguar që nga dita e parë. Ata kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për ta bllokuar, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin, sepse drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupe të izoluara interesi”, përfundon shkrimin Haxhiu.

  • Për çka akuzohet Federica Mogherini?

    Për çka akuzohet Federica Mogherini?

    Të martën janë kryer bastisje në shërbimin diplomatik të Bashkimit Evropian në Bruksel (EEAS) dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges, në kuadër të një hetimi për një mashtrim të mundshëm në përdorimin e fondeve të BE-së, ka njoftuar prokuroria evropiane.

    Në total, tre persona janë arrestuar, ka shtuar prokuroria.

    Njëri prej tyre është rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini.

    Ish–nënkryetarja e Komisionit Evropian aktualisht ndodhet në paraburgim, ka mësuar Le Soir nga burime të sigurta, duke konfirmuar informacionet e L’Echo.

    Sipas të njëjtave burime, personat e tjerë të privuar nga liria për t’u marrë në pyetje janë një menaxher i Kolegjit të Evropës si dhe ish–Sekretari i Përgjithshëm i EEAS (2021–2025), diplomati italian Stefano Sannino.

    Hetimi synon dyshimet për favoritizëm dhe një mundësi konkurrencë të pandershme në dhënien nga EEAS e një programi 9-mujor trajnimi për diplomatët e ardhshëm evropianë, program i cili iu besua Kolegjit prestigjioz të Evropës.

    Faktet e pretenduara datojnë nga periudha 2021–2022, dhe shkeljet e mundshme që po hetohen janë: “mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje e sekretit profesional”, sipas prokurorisë evropiane.

    Kolegji i Evropës është një institucion i arsimit të lartë që formon shumë zyrtarë evropianë.

    Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë “nëse Kolegji i Evropës ose përfaqësuesit e tij janë informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes” në kuadër të procedurës së tenderit të hapur nga shërbimi diplomatik i BE-së për një program trajnimi.

    Prokuroria Evropiane (EPPO), e krijuar zyrtarisht në vitin 2021, është një organ i pavarur i BE-së i ngarkuar me luftimin e mashtrimit me fondet e Unionit dhe çdo shkeljeje tjetër që cenon interesat e tij financiare (korrupsion, pastrim parash, mashtrim ndërkufitar me TVSH etj.).

    Kjo strukturë mbikombëtare ka për detyrë jo vetëm të hetojë, por edhe të ndjekë penalisht dhe t’i çojë në gjykatë autorët e këtyre shkeljeve – një kompetencë që më parë nuk e kishte as Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

    Hetimi po drejtohet bashkërisht nga një gjyqtar hetues i Flandrës Perëndimore, provinca belge ku ndodhet Bruges. Pikërisht policia federale belge ka kryer bastisjet.

    Para kësaj operacioni policor, Prokuroria Evropiane kishte kërkuar heqjen e imunitetit për disa prej të dyshuarve, kërkesë që është miratuar, theksoi organi i akuzës, pa përmendur emra apo funksione.

    Një zyrtar i BE-së konfirmoi për AFP se shërbimi diplomatik në Bruksel ishte një nga objektivat e këtij operacioni policor, lidhur me “aktivitete që datojnë nga mandatet e mëparshme”, përpara se Kaja Kallas të merrte detyrën si Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme në fund të vitit 2024.